Lajme Shqip Thursday, 23 January 2014 13:44

Autoritetet serbe kanë ngritur padi penale ndaj të rinjve shqiptarë të Luginës së Preshevës të cilët refuzojnë shërbimin ushtarak. Të rinjte shqiptarë nuk i janë përgjigjur thirrjes së shtetit serb për kryerjen e shërbimit ushtarak, ndrësa në disa raste e kanë refuzuar hapur atë.

Fletëpaditë gjyqësore ngaautoritetet serbe, sipas portalit INA, janë dërguar për disa të rinj në komunën e Bujanocit.

 
Lajme Shqip Friday, 03 January 2014 15:44

Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës këtë muaj pritet të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët, e cila do të zhvillohet në qytetin e Prizrenit, ndërsa e veçanta e këtij takimi do të jetë formimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

“Me themelimin e këtij fondi duket se kryeministri shqiptar Rama do ta mbajë fjalën se nuk do t’i harrojë shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shkruajnë mediat e Kosovës. 

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e ka konfirmuar edhe i dyti i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai tha se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet javën e dytë të janarit, por nuk përmendi asgjë rreth fondit për Preshevën. 

Krijimi i këtij fondi është mirëpritur nga liderët politikë në Luginë, për analistët kosovarë shihet si një “kundërpërgjigje” e fondit serb në Kosovë. 

Për kryetarin e Asamblesë Komunale të Bujanocit, Jonuz Musliu, i cili njëherësh është edhe lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik, krijimi i këtij fondi është i vonuar por i mirëseardhur. “Më mirë vonë se hiç”, deklaroi Musliu, sipas të cilit, “ky fond mos të jetë vetëm për një vit por të ketë jetëgjatësi”. 

Përderisa veriu i Kosovës, sipas tij, e ka një fond të tillë që e ndanë Serbia, pse mos ta kenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që e ndanë qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. 

Sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme as nga Shqipëria e as nga Kosova. Ai ka thënë se ky fond duhet të legalizohet dhe të jetë i rregullt. 

Ndërkohë, sipas analistit Fadil Lepaja krijimi i këtij fondit do të dukej si një fond paralel, i ngjashëm me atë që Serbia tashmë e ka në Kosovë. 

Se çfarë synohet me këtë fond, dhe cilat do të jenë objektivat e tij, sipas tij, kjo nuk është e qartë ende, por përmendet ndihma për popullin e Luginës. 

“Unë mendoj se kjo megjithatë nuk do të jetë një “kundërpërgjigje” fondit serb në Kosovë, sepse ata nuk do e legjitimojnë asnjëherë këtë me norma ligjore ashtu si është vepruar në Kosovë. Pra, për mendimin tim krejt kjo paraqet një përpjekje për me e legjitimuar fondin serb në Kosovë, në njëfarë mënyre për të thënë se nuk është bërë asnjë lëshim parimor”, shprehet Lepaja. 

Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë presion politik bashkë me Kosovën, që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të rriten, dhe që Serbia të krijojë një fond të veçantë për ata, e jo të krijojnë fonde me objektiva të paqarta dhe për marketing politik. 

“Banorët e Luginës janë qytetarë te Serbisë, dhe atje paguajnë tatim. Nga kjo del e drejta e tyre që shteti serb të ndajë fonde të veçanta për zhvillimin e tyre. Rrëshqitja në veprime të pamatura politike mund të jetë një përshtatje dhe një legjitimim i kërkesave serbe për ndërrim territoresh. Shpresoj që “të dy qeveritë” ta kenë menduar mirë terrenin në të cilin po hyjnë”, ka thënë Lepaja, shkruan ‘Zeri’.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 30 November 2013 23:50

Preshevë- Televizioni “A1 Report” publikoi ditën e sotme dokumentin zyrtar që tregon se ish-ambasadori i Shqipërisë nëBeograd, ka firmosur për heqjen e simboleve kombëtare nga tekstet në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd që mban datën 3 prill 2011, e nënshkruar nga vetë ish-ambasadori shqiptar Shpëtim Çaushi.

Dokumenti u bë publik nga Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe Prof. Dr. Sulejman Abazi, të ftuar në “A1 Report” për të folur mbi protestat e ditëve të fundit në Luginë.

Mijëra shqiptarë dolën në protestë më 28 nëntor, duke kërkuar të respektohet e drejta e tyre për të përdorur simbolet kombëtare.

Shkresa i drejtohet Këshillit Nacional në Luginën e Preshevës, Milan Markovicit, ish ministër për të Drejtat e Pakicave në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, si dhe shefit të atëhershëm të OSBE-së nëBeograd, Dimitrios Kyprios.

“Kemi nderin të ju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore”, thuhet në këtë document.

Gjatë bisedës në studio, Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë.

Në fillim të tetorit të këtij viti gjashtëmijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serbe në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.

Galip Beqiri i cili rezulton se ka qenë pikërisht ai që ka pranuar këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e pranoi ekzistencën e dokumentit, por duke thënë se bëhet fjalë për modifikim të simboleve kombëtare dhe jo heqjen e tyre.

Në tetor të vitit 2011, mediat në Luginën e Preshevës raportuan lajmin se ambasadori i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd, Shpëtim Çaushi, kishte dhënë pëlqimin që Abetarja dhe fletorja punuese të modifikoheshin, duke larguar simbolet kombëtare çka ngjalli protesta nga shqiptarët në Luginë.

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=3mBGOG4ADrw

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 November 2013 11:12

Medvegje- Shqiptarët e Medvegjës, vendbanimi me territor të gjerë, por me popullsinë shqiptare në rënie e sipër, i ka bërë thirrje Tiranës dhe Prishtinës për t`i vizituar. Nënkryetari i komunës së Medvegjës, Ismet Zeqiri i ka bërë thirrje autoriteteve të të dyja shteteve shqiptare që të kthejnë vëmendjen nga ky vendbanim dhe të njihen nga afër me gjendjen e shqiptarëve atje. Zeqiri ka reaguar pas vizitës së ministres së Integrimeve të Kosovës, Vlora Çitaku, dje në Preshevë. 

“Nuk është hera e parë që anashkalohemi dhe injorohemi, por le ta dinë zyrtarët në Kosovë se Medvegja ka 525 kilometra katror, ku jetojnë më shumë se 800 shqiptarë”, ka thënë Zeqiri për gazetën “Zëri”.

Në Medvegjë një vit më parë qëndroi ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim Çaushi, i cili vizitoi qytetin dhe disa vendbanime rurale, për t`u njohur me gjendjen e rëndë të shqiptarëve të kësaj zone. 

 
Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 13:24

Në ora 00:00 të ditës së sotme, qeveria e Kosovës ka filluar të zbatojë miratimin e vendimit me të cilën qytetarët e Luginës së Preshevës nuk do të paguajnë sigurimin e veturave prej 20 euro.

 

Kush paguan e kush nuk e paguan këtë taksë?

 

Me të filluar dita e sotme, qytetarët e Luginës së Preshevës që sot ishin nisur drejt Kosovës, në vendkalimin kufitar, nuk e kishin pritur apo nuk e kishin menduar se dikush do të paguaj e dikush nuk do të paguaj.

Të gjithë ata, që veturën që e vozitin, nuk e kanë të regjistruar në emër të tyre, prapë do të paguajnë taksën prej 20 euro për të hyrë në Kosovë.

“U desht të paguaj prapë, edhe pse vetura është pronë e imja, mirëpo nuk e kam me targa VR, gjegjësisht veturën e vozis me autorizim. Më detyruan ta paguaj prapë 20 euro”, tha R.I për presheva.com, i cili në mëngjes kishte kaluar kufirin.

Edhe V.H, i cili punon në Kosovë, ishte nisur me veturë e cila është e regjistruar në emër të babait, është detyruar ta paguaj taksën prej 20 euro.

“Njëjtë. Unë voziti veturën e cila është e regjistruar në emër të babait, dhe nuk munda ta kaloj kufirin pa e paguar taksën”, ka thënë ai për portalin “Presheva”.

 

Si shkon procedura?

 

Siç ka mësuar ky portal, gjatë kalimit kufitar, të gjithë ata që tashmë i plotësojnë kushtet për të mos paguar, gjegjësisht kanë veturën të regjistruar në emër të tij, duhet të paraqiten në vendin ku kanë paguar më herët sigurimin.

Aty duhet të jepet letërnjoftimi dhe libreza e veturës, dhe nga sigurimi merr të njëjtën letër që ka qenë më herët, përveç se tani nuk paguan 20 euro.

Kjo letër e sigurimit ka afat kohor prej 2 javësh, çka do të thotë se të njëjtën procedurë që ka qenë më herët në kufi vozitësit duhet ta kryejnë.

Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se harxhimet që do të bëhen me këto taksa do t’i paguajë qeveria.

“Unë kam vendosur që për t’iu lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksat për veturat, pra për lëvizjen e lirë, në mënyrë që të krijomë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje. Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë dhe dalin. Këto obligime do t’i merr Qeveria e Republikës se Kosovës”, kishte deklaruar kryeministri Thaçi.

Që në mëngjes ishin vërejtur turma të mëdha për ta kaluar kufirin. /presheva/

 
Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 08:53

Beograd- Përcaktimi për zgjidhjen e çështjeve kontestuese me dialog dhe bashkëpunimi me forcat ndërkombëtare në Kosovë pakësojnë shpërthimin e tensioneve në Luginën e Preshevës

Shefi e Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë gjenerali Lubisha Dikoviq ka thënë si situata e sigurisë në jugun e Serbisë, siç e quan Beogradi Luginën e Preshevës, tash për tash është stabile.

Ai për gazetën  “Novosti” ka deklaruar se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit situata e sigurisë në veri të Kosovës është përmirësuar por ende është e ndjeshme.

Në pyetjen nëse ushtria serbe ka  plan për ndonjë destabilitet eventual në veri të Kosovës, Dikoviq ka thënë se në periudhën e ardhshme nuk pret ndryshime esenciale të sigurisë në veri porse Ushtria serbe ka të gjitha planet dhe është e aftë të përgjigjet në të gjitha sfidat e sigurisë. Ai ka shtuar se US po i kryen detyrat e veta në Zonën e sigurisë tokësore dhe ka theksuar se ka marrëdhënie të mira me KFOR-in, raporton koha. 

Shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe ka thënë se bashkëpunimi me ushtrinë ruse nuk ka qenë në nivelin që ka dashur Beogradi porse tani ai bashkëpunim po shtohet dhe për këtë ai ka marrë shembullin e blerjes së aeroplanëve Migë nga Rusia.  

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 00:25

Prishtinë – Lideri i Partisë për Veprim Demokratik njëherit deputet në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi ka thënë se ende nuk ka një konfirmim zyrtar për ndonjë takim të mundshëm të liderëve të shqiptarëve të Luginës, me kryeministrin serb, Ivica Daçiq. Ky takim flitet se do të ndodhë më 15 korrik por Halimi ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë. Por Halimi, në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se ka informata që qeveria serbe ka pranuar të ulet me liderët shqiptarë për t’i zgjidhur problemet jetësore me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës. Halimi ka përsëritur edhe një herë se shqiptarët e Luginës, duhet të kenë status të njëjtë sikurse serbët në Kosovë. 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 11:43

Prishtinë – Me 74 vota për, katër kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për Luginën e Preshevës.

Rezoluta, inicues i së cilës ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lutfi Haziri, është një mbështetje për shqiptarët e Luginës dhe përpjekjet e tyre për realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Me anë të kësaj Rezolute, deputeti Haziri ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të obligojë Qeverinë të hapë dy zyra për qytetarët e Luginës, njërën në Prishtinë kurse tjetrën në Gjilan. Nëpërmjet Rezolutës, gjithashtu kërkohet që të rritet bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës.

Kjo Rezolutë u shty për seancën e sotme, pasiqë në mbledhjen e kaluar të Kuvendit, mungoi numri i nevojshëm i deputetëve për ta fuqizuar atë. 

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 15:13

Prishtinë – Të enjten votohet Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas debatit në këtë temë, të mbajtur javën e kaluar, e propozuar nga deputetit Lutfi Haziri. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri në këtë ditë t’i harmonizojnë qëndrimet për tekstin e Rezolutës.
Në seancën e së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: Koha për deklarim e jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës dhe Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për blegtorinë.
Në vazhdim të seancës do të votohet lidhur me propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe për propozimin për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën seancë deputetët do të kenë rastin t’i shqyrtojnë pesë raporte të agjencive të pavarura për vitin 2012.
Në seancën e së premtes , më 7 qershor, do të zhvillohen dy debate parlamentare: Në fillim të seancës do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, kurse në vazhdim do të ketë debat parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2013, si dhe ka shqyrtuar propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, duke u lënë deputetëve të dy grupeve parlamentare nga radhët e komunitetit serb që të arrijnë pajtimin për përfaqësim nëpër komisione parlamentare.