Lajme Shqip Friday, 06 June 2014 15:19

Një faqe facebook-u po promovon xhihadistët shqiptarë që luftojnë me shtetin islamik të Irakut dhe Shamit, (ISIS), organizata militante në betejë për të krijuar një shtet të Sheriatit, me bazë në Lindjen e Mesme.

Faqja e facebook-ut, u hap në muajin shkurt, e cila aktualisht ka 429 pëlqime, përshëndet aktivitetet e xhihadistëve shqiptarë etnikë që luftonin në Siri, dhe duket që shërben si një pikë informative në gjuhën shqipe për luftëtarët. Në një postim të datës 6 maj, një komunikatë njoftoi armëpushimin e shpallur nga al-Qaeda lidhur me Al-Nusra me ISIS-in. 

“Me kërkesë të udhëheqësit të al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri, para al-Nusra-s, e cila është një degë e al-Kaedës, ka pezulluar operacionet kundër ISIS-it”, informon ky shkrim për lexuesit e saj, duke shtuar detaje të tjera në lidhje me armëpushimin e çelur mes dy grupeve militante.

Por, të tjera postime të shoqëruara me fotografi, promovojnë xhihadistët shqiptarë duke luftuar me ISIS-in. Në një mesazh në datën 4 maj, shtatë burra të armatosur rëndë, paraqiten në një foto, të përshkruar si xhihadistë shqiptarë. 

“Muxhahedinë shqiptarë, Allahu i mbroftë ata”, shkruhet në këtë postim.

Një prej burrave në foto, është Lavdërim Muhaxheri, një shqiptar etnik nga Kosova, i cili në mënyrë të përsëritur është paraqitur në propagandën e ISIS-it, si udhëheqës i luftëtarëve shqiptarë brenda grupit militant islamik.

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e radikalizmit, ISRA, beson se rreth 300 luftëtarë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë bashkuar grupet e lidhura me al-Kaedën në Siri, duke përfshirë Jabhat al-Nusran dhe Shtetin Islamik të Irakut dhe Shamit, (ISIS-in).

Kujtojmë që autoritetet shqiptare kanë arrestuar tetë persona në mars, duke përfshirë dy imamë radikalë, të dyshuar për rekrutimin e xhihadistëve shqiptare që t’u bashkoheshin grupeve militante në Siri. 

Ndërkohë, një shqiptar nga Ferizaj në Kosovë, raportohet se ka qenë një nga atentatorët e sulmit të tmerrshëm me një bombë në Irak që vrau të paktën 25 persona.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 February 2014 14:25

Për Andrew Harper, punëtor i OKB-së me bazë në Jordan, shikimi i njerëzve që kalojnë papushim shkretëtirën siriane për në Jordan, për të kërkuar strehim nga lufta civile, është dukuri që vërehet çdo ditë.

Megjithatë, ai është tronditur kur pa një djalë katër-vjeçar me emrin Marwan duke kaluar shkretëtirën i vetëm, pasi po i afrohej pikëkalimit Hagallat, shkruan Mesazhi.

Marwan është një nga shumë fëmijët që humbën prindërit në kaosin e migracionit, sidomos kur refugjatët e dëshpëruar mësynë me shumicë kalimin e pikës kufitare, por pak nga këta fëmijë janë ribashkuar me prindërit e tyre.

Ky djalë i veçantë, kishte humbur prindërit e tij para se të afrohej me kufirin dhe vetëm me një qese të vogël plastike në dorë, ky trim vendosi të kalojë shkretëtirën i vetëm në këmbë.

Kur Harper dalloi fëmijën, ai mori një foto për të ndarë atë në llogarinë e tij në Twitter që të nxjerrë në pah tragjedinë që po ndodh në kufi çdo ditë.

Marwan ishte vetëm një nga rreth 1.000 refugjatët, kryesisht nga Homsi, i cili kaloi kufirin atë ditë.

Menjëherë pas kësaj, Marwan u ribashkua me familjen e tij. 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 February 2014 14:11

Ai është shumë i vogël për të luftuar, ai tani duhet të ishte në kopsht dhe jo pjesë e një lufte të egër civile . Kështu e nis shkrimin “Daily Mail”, i cili flet për një fëmijë 4-vjeçar shqiptar, i cili lufton përkrah forcave xhihadiste në Siri.  

Ky djalë nuk është më shumë se 4 vjeç dhe është pjesëtari më i vogël i Al Kaedës, i rekrutuar për t’u bërë pjesë e luftës së përgjakshme në Siri, ai është quajtur ndryshe “këlysh xhihadist”.

Djali 4-vjeçar tregohet në një video teksa gjuan me kallashnikov përkrahë babait të tij, i cili është një shqiptar që lufton në Siri me Al Kaedën, raporton shekulli.

Ai mund të shihet duke gjuajtur plumba nga një pushkë automatike, në një video tronditëse që ka dalë nga vendi i shkatërruar nga lufta.

‘Allahu Akber’ thërret dy herë fëmija para se të qëllojë me breshëri. “Videoja e postuar në Youtube besohet se është e djalit të një shqiptari, që është një nga mijëra xhihadistet që luftojnë me Al Kaedën në Siri’,- shkruan gazeta.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 January 2014 17:21

Ekzistojnë prova të qarta se Siria ka torturuar sistematikisht dhe më pas ekzekutuar rreth 11 mijë të burgosur që nga fillimi i kryengritjeve, thotë një raport i tre ish-prokurorëve për krime lufte. 
Një nga autorët e raportit tha për BBC se ka prova konkrete për përfshirjen e qeverisë, edhe pse Damasku zyrtar i mohon akuzat. 
Hetuesit ekzaminuan mijëra foto të të burgosurve të vdekur që ishin nxjerrë fshehurazi nga vendi nga një dezertor. Raporti publikohet një ditë para nisjes së bisedimeve të paqes në Gjenevë të Zvicrës. 
Gazeta “The Guardian”, që bashkë me CNN publikoi e para raportin, thotë se deklaratat e fundit për përdorimin e torturës dhe ekzekutimet duket se janë publikuar pikërisht në prag të konferencës, në qytetin-resort Montreux. 
Bisedimet shihen si përpjekja më e madhe diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar, që u ka marrë jetën mbi 100 mijë personave dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Raporti është publikuar me mbështetjen e Katarit, që nga ana e tij mbështet rebelët sirianë. 
Ai bazohet në provat e një fotografi të policisë ushtarake, që identifikohet me emrin Caesar e që thuhet se ka dhënë rreth 55 mijë foto dixhitale nga 11 mijë të burgosur të vdekur pasi ka dezertuar. 

Ai u tha hetuesve se puna e tij ka qenë të bënte fotografi të trupave, në mënyrë që të lejonte prodhimin e çertifikatave të vdekjes, por nuk tha nëse kishte qenë vetë dëshmitar i torturave apo vrasjeve. 

“Mund të jenë rreth 50 trupa në ditë për t’u fotografuar, që kërkojnë 15 deri në 30 minuta punë për trup”, citohet të ketë thënë ai. / Top Channel/

 
Lajme Shqip Monday, 20 January 2014 13:31

Fotoja e djalit i cili fle mes dy varreve të prindërve në Siri ka prekur mbarë botën por duket se ajo ishte vetëm një mashtrim.

Sipas Indipendent foto u bë nga fotografi 25-vjeçar nga Arabia, Abdul Aziz Al Otaibi, për një projekt arti. Djali nëfoto, është i motrës së tij.Foton ai e postoi në Facebook në gjysmën e parë të janarit, dhe thotë se ajo nuk ka të bëjë asgjë me Sirinë.

“Unë jam i tronditur se si njerëzit e kanë shtrembëruar kuptimin e saj për propagandë”, tha Otaibi. Ai tregoi se një amerikan i konvertuar në islam, kishte marr foton e tij, dhe e kishte shpërndarë në llogarinë e Twitterit @americanbadu, ku kishte shkruar se prindrit e djalit janë vrarë nga Basar al Assad. Fotoja filloi të përhapet me shpejtësi në Twitter, sidomos në mesin e xhihadistëve. /albeu/

 
Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 13:35

Damask- Presidenti sirian Bashar al-Assad tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Agjensia e lajmeve Interfax citoi se Assad gjatë takimit në Damask me një deputet rus duke thënë se nëse do të donte të dorëzohej do t’a kishte bërë që në fillim.

 
Ai shtoi se kjo çështje nuk do të diskutohej as në bisedimet e paqes në “Geneva 2”. Qeveria Siriane së bashku me grupet e opozitës dhe diplomatët nga vendet e ndryshme të perëndimit do të marrin pjesë në bisedimet e paqes në Zvicër, javën e ardhshme, shkruan shqiptarja.
 
Grupet e opozitës kanë kërkuar më parë largimin e Assad si kusht për çdo diskutim mbi një qeveri të përkohshme.

 
Lajme Shqip Thursday, 05 December 2013 14:39

Bruksel- Shefi antiterror i Bashkimit Evropian, Gilles de Kerchove, pritet të tërheqë vërejtjen në një takim të ministrave të Brendshëm të BE-së për “kërcënimin e madh të sigurisë” që paraqet rritja e numrit të luftëtarëve të huaj në Siri.Deklarata e siguruar nga agjencia AP, në mënyrë specifike bën thirrje për përdorim më të mirë të informacioneve të pasagjerëve, për të gjurmuar se kur dhe si udhëtojnë rebelët për në Siri.

Ministrat e Brendshëm të BE-së do të shohin edhe për mënyrat se si të bashkëpunojnë më afër me fqinjin e Sirisë, Turqinë, përmes së cilës shumica e luftëtarëve arrijnë në Siri.

“Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë Turqinë në përmirësimin e kontrollit në kufij dhe aeroporte dhe duhet të bëjë më shumë në parandalimin e radikalizmit të individëve, posaçërisht në kampet e refugjatëve”, thuhet në deklaratë.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ka thënë se përveç luftëtarëve nga Bashkimi Evropian, ka rreth 500 nga vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në veçanti kontributin nga Bosnja dhe Kosova.

“Kosova ka 80 deri në 200, nga 2 milionë banorët e saj”, ka thënë ai.

Zyrtari ka thënë se numri total i luftëtarëve të BE-së mund të jetë mbi 1,000.