Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 09:58

Agim Cana, babai dhe njëkohësisht menaxheri i Lorik Canës, ka hedhur poshtë zërat e shfaqur në media gjatë ditëve të fundit rreth kontakteve të avancuara mes tij dhe përfaqësuesve të Fenerbahçe apo Hamburg, të cilat interesohen për mesfushorin shqiptar. Sipas tij, kapiteni i kombëtares shqiptare i ka vënë vetes si objektiv të qëndrojë te Lacio.

“Kam lexuar kohët e fundit rreth zërave të merkatos që flasin për djalin tim, por mund të them se nuk ka pasur asnjë kontakt deri tani. Hamburgu dhe Fenerbahçe janë dy klube të mëdha në nivel evropian, por për momentin bëhet fjalë vetëm për thashetheme. Nuk e përjashtoj interesimin e dy klubeve për të, por Loriku i ka vënë vetes një objektiv te Lacio”.

“Ai dëshiron që të shfaqet sa më mirë me fanellën bardhekaltër. Ka një kontratë deri në vitin 2016 dhe qëllimi i tij është të qëndrojë sa më gjatë në Romë për të veshur fanellën e Lacios. Është ende shumë shpejt për të folur rreth të ardhmes, por duket e vështirë që të largohet, pasi është mirë këtu dhe nuk ka arsye pse të iki. Ai jep gjithmonë maksimumin, ka personalitet dhe për këtë arsye ka fituar besimin e trajnerit Petkoviç dhe tifozëve të skuadrës”, deklaroi ai rreth mesfushorit 29 vjeçar që te Lacio dhe kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë është kthyer në një qendërmbrojtës të mirëfilltë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 10:01

Lorik Cana në sezonin e ardhshëm pritet të veshë fanellën e Hamburg në kampionatin gjerman të futbollit. Mediat gjermane konfirmojnë se mes palëve ka pasur kontakte dhe se futbollisti 29 vjeçar ka dhënë pëlqimin e tij për realizimin e këtij transferimi.

Cana është kthyer në një titullar të paprekshëm në javët e fundit për skuadrën e Lacios, duke luajtur tashmë në rolin e një qendërmbrojtësi. Por mesfushori shqiptar e di mirë se gjatë merkatos ë verës, klubi italian do të kërkojë një lojtar të mirëfilltë për këtë rol, ndaj minutazhi i tij mund të shkurtohet përsëri. Ndaj ai po sheh alternativa të tjera, për të shkuar drejt një skuadre ku do të luajë me rregullsi.

Sipas “Hamburger Morgenpost”, drejtori sportiv i Hamburgut, Frenk Arnesen, ka kontaktuar me babain e Canës, i cili luan rolin e menaxherit për futbollistin shqiptar, ndërsa ka marrë një përgjigje pozitive, duke bërë të qartë se ai do të pranonte transferimin në kampionatin gjerman në radhët e kësaj skuadre. Sipas të njëjtës gazetë, kontakti i fundit mes palëve ka qenë kur Lacio luajti ndaj Shtutgart në Europa League, me drejtuesit e Hamburgut që kanë takuar si Canën, ashtu edhe përfaqësues të ekipit italian për të diskutuar çmimin e shitjes së tij.

Mendohet se transferimi i Canës do të kushtojë 2.8 milionë euro, ndërsa nuk bëhet e ditur se sa do të jetë rroga e lojtarit i cili aktualisht te Lacio përfiton 1.8 milion euro në sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 16:16

Ky mund të jetë sezoni i fundit i Lorik Canës në skuadrën e Lacios. Këtë fakt e ka pohuar vetë futbollisti i përfaqësueses shqiptare, menjëherë pas ndeshjes së fundjavës kundër Parmës, ku luajti si zëvendësues. Pikërisht qëndrimi në stol ka bërë që futbollisti të mendojë për largimin nga ekipi kryeqytetas, edhe pse pohon se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në fundin e sezonit dhe jo në janar.

“Unë nuk jam nga ata që tërhiqet dhe dorëzohet lehtë. Do të qëndroj te kjo skuadër dhe nuk e kam mendjen te merkato e janarit, pasi dua të provoj shanset e mia për një vend mes titullarëve. Këtë sezon do ta mbyll këtu. Në verë do të shohim nëse ka ndonjë ofertë interesante dhe do të mundohem ta shoh sa më seriozisht atë, por deri në fund të sezonit jam këtu”, ishte deklarata e mesfushorit shqiptar te “Sky Channel”.

Pavarësisht fjalëve të mira të trajnerit Petkoviç në adresë të futbollistit shqiptar, ai vazhdon të shihet si një alternativë e titullarëve dhe 233 minutat e koleksionuar në këtë sezon e provojnë më së miri një gjë të tillë. Njëkohësisht, Cana po aktivizohet më shumë si mbrojtës se si mesfushor, me Petkoviç që ka bërë të qartë se nuk ka një vend në mesfushë për lojtarin shqiptar.

Si rrjedhojë, largimi bëhet një hipotezë mëse reale, me shumë skuadra që interesohen për të, sidomos Olimpik Marsejë në Francë e Volfsburg në Gjermani, të cilat do të ishin gati të merrnin 28 vjeçarin. (LajmeShqip.com)