Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 14:22

Lorik Cana është tash më mbrojtësi i qendrës më i përdorur nga trajneri Petkoviç, që e ka aktivizuar si titullar pas dëmtimit të Xhuzepe Biavas. Nga ai moment, ka ndërtuar përreth tij të gjithë linjën mbrojtëse. Kapiteni i kombëtares kuqezi është intervistuar shkurtimisht nga mediat italiane, ku ka folur për momentin kritik që është duke kaluar Lacio. Këto kanë qenë fjalët e Canës: “Këtë sezon ka filluar një cikël i ri, e dinim se kishim përballë vështirësi të mëdha në periudhën e parë. Kanë ardhur në grupin tonë lojtarë të rinj dhe skuadra është rinovuar në një pjesë të madhe. Është e vërtetë që në ndeshjet e fundit nuk kemi luajtur shumë mirë, por e dimë se ku duhet të përmirësohemi. Shpresojmë që të kemi mbështetjen e të gjithëve për t’u rikthyer në nivelet e zakonshme”. Në fund kapiteni Cana është ndalur te Shqipëria, që në gjashtë ndeshjet e fundit ka arritur 3 barazime dhe 3 humbje. “Është shumë e vërtetë që në ndeshjet e fundit nuk kemi qenë në nivelin e duhur; skuadra po kompaktësohet, nuk është e lehtë të ndërtosh një skuadër për kaq pak kohë, trajneri De Biazi po zhvillon një punë shumë të mirë dhe duhet t’i besojmë”./ GSH/BW/

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 16:46

Lorik Cana, ka thënë se Adnan Januzaj e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket është ajo e Shqipërisë. Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares mendon se çdo rezultat është i mundshëm në dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës

Prej ardhjes së Gianni de Biasit në krye të Kombëtares, shumë talent shqiptarë kanë veshur fanellën kuqezi. Por, trajneri italian ka shprehur dëshirën që në radhët e veta ta ketë edhe talentin e Manchester Unitedit, Adnaj Januzajn.

Sa i përket përfshirjes në ekipin kuqezi, Januzaj deri më tani ka heshtur, derisa ka refuzuar ta veshë fanellën e përfaqësueses së Belgjikës. Ndërkohë, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka thënë se Adnan Januzaj e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket është ajo e Shqipërisë.

“Më e rëndësishme është që ai i ka shanset të luajë me Shqipërinë, sepse nuk është aktivizuar në asnjë skuadër tjetër më parë. Duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion, pra të jetë gjithnjë në fokusin e Shqipërisë, por mbi të gjitha më e rëndësishme është që ai të ketë shëndet, të luajë rregullisht dhe të jetë i sigurt në të ardhmen e tij”, ka deklaruar Cana në një intervistë për “Top Channel” në emisionin “Procesi Sportiv”.

“Duhet të rritet gjithnjë e më shumë. Luan në një ndër klubet më të mëdha në botë, çka nuk e ka arritur asnjë shqiptar tjetër në këtë moshë. Kur të vijë koha të zgjedhë një përfaqësuese, ai e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket dhe që e mirëpret është ajo e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse vjen, do e presim ashtu siç kemi pritur edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj që kanë ardhur.”, ka theksuar mesfushori i Lazios.

Sa i përket dy ndeshjeve të radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës, Cana ka thënë se çdo rezultat është i mundshëm.

“Ne mund t’i mposhtim sllovenët, por mund edhe të na befasojnë. Tani jemi ne më të sigurt dhe më me besim në vetvete. Mendoj se me atë çka kemi dhënë, i kemi lënë më pak hapësirë fatit dhe jemi bazuar më shumë te cilësia e lojës tonë. Realisht cilësia e lojës sonë është rritur. Kemi treguar se luajmë mirë edhe jashtë fushës. Gjithsesi, duhet ta përgatisim mirë ndeshjen dhe të hyjmë me besim në fushë”, ka deklaruar Cana.

Ai ka thënë se ekipi kuqezi ka alternativa për ta zëvendësuar Mërgim Mavrajn,i cili shkaku i lëndimit do të mungoj në dy ndeshjet e radhës.

Ndërkohë, Cana ka mirëpritur transferimin e Etrit Berishës nga ekipi suedez Kalmar në Lazio.

“Edhe unë jam shumë i kënaqur, sepse e vlerësoj shumë si portier. Ai ka cilësi të mira dhe është një person fantastik”, ka përfunduar Cana, i cili ndihet në formë të mirë, pas një lëndimi që pati në gju.

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 22:35

 

 

Babai i Adnan Januzajt, Abedin Januzaj, kishte deklaruar më 15 maj të këtij viti se djali i tij nuk do t’i bashkohej kombëtarës së Shqipërisë.

Ai kishte demantuar atëkohë lajmet e nxjerra nga Federata Shqiptare se djali i tij do të luajë së shpejti për Shqipërinë.

“Asnjëherë, askush nga Kombëtarja e Shqipërisë nuk na ka kontaktuar për të na pyetur rreth mundësisë së inkuadrimit të Adnanit në skuadër. Por, për shkak të mënyrës se si kanë rrjedhur gjërat, edhe nëse na thërrasin do t’i refuzojmë.” – thoshte ai për KTV-në.

Ai kishte thënë se djali i tij është i interesuar vetëm për Manchester United dhe kishte lënë të hapur mundësinë që t’i bashkohej kombëtarës së Belgjikës.

Por, duket se fushata me sloganin  “Adnan Januzaj, thuaj ‘po’ Shqipërisë”, ka prekur prindin e tij i cili tashmë ka ndërruar qëndrim.  

Ai ka këshilluar djalin e tij t’i bashkohet ekipit kombëtar shqiptar. Vetë protagonisti në fjalë nuk është shprehur në lidhje me të ardhmen.

I pari që e nisi këtë fushatë ishte kapiteni Lorik Cana, i cili publikisht deklaroi: “Januzaj, hajde vishu kuqezi!” Menjëherë pas kësaj thirrjeje, mijëra shqiptarë i kanë kërkuar talentit 18-vjeçar të zgjedhë Shqipërinë për të luajtur me kombëtaren dhe jo Belgjikën

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 31 December 2011 11:00

Lorik Cana ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një largim të mundshëm të tij nga skuadra e Lacios dhe kampionati italian i futbollit, ndonëse gjatë periudhës së fundit ka patur interesim nga klube gjermane dhe angleze për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.

Futbollisti tani ka gjetur më shumë hapësira në formacionin e skuadrës dhe dëshiron që të vazhdojë me këtë ritëm. “Deri tani nuk kam menduar asnjëherë të largohem, ndjehem mirë dhe dua të bëj sa më mirë me Lacion. Nuk e di sesi do të jetë e ardhmja por unë kam një raport të mire me të gjithë: klubin, shokët e mi dhe tifozët.

Ndjehem i lirë, nëse do të kisha menduar të largohesha do të kisha folur tashmë me presidentin apo me drejtorin sportiv, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dua të vazhdoj të përmirësohem bashkë me skuadrën”, deklaroi mesfushori shqiptar duke folur për një radio të kryeqytetit italian.

Cana ka vlerësuar rolin e Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, në marrëveshjen që e solli atë në Itali gjatë merkatos së verës. “E njoh Taren që nga viti 2002, kemi luajtur bashkë për shumë vite në kombëtare. E njoh mirë si futbollist, si njeri dhe si shok.

Në fushën e lojës, ai është drejtori sportiv, unë jam një futbollist i Lacios. Natyrshëm që jashtë fushe ekziston një lloj tjetër raporti. Kjo më shtyn të bëj më mirë dhe është arsye sodisfaksioni edhe për të nëse unë paraqitem mirë.

Në momentin kur po merrja vendimin për të ardhmen time, në mëdyshje mes Gjermanisë dhe Anglisë, Tare ishte vendimtar duke më bindur që të vija në Romë. Dua që të jap maksimumin edhe për këtë arsye”, përfundoi kapiteni i përfaqësueses shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 20:32

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka shpallur futbollistin Lorik Cana “Ambasador Special të Sportit të Kosovës”, një titull me të cilin nderohen figurat elitare të sportit shqiptar. Duke patur parasysh edhe angazhimin e futbollistit në aktivitete sociale jashtë fushës së lojës, ky titull do të ndihmojë në rritjen e imazhit të Kosovës në të gjithë botën.

Në ceremoninë e organizuar në një nga hotelet e Prishtinës, në praninë e shumë personaliteteve të sportit kosovar, Canës i është dorëzuar ky titull nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili ka folur për vlerat e këtij nderimi. Ndërkohë, vetë futbollisti ka përshëndetur të pranishmit dhe ka premtuar se do të bëjë maksimumin në mënyrë që fëmijët kosovarë të kishin mundësi që në një të ardhme sa më të afërt të zhvillonin lirshmërisht aktivitete sportive në çdo kënd të botës.

“Do të loboj në mënyrë që Komiteti Olimpik i Kosovës të anëtarësohet sa më shpejt në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe si rrjedhojë të përfundojë ky izolim disavjeçar i sportit kosovar”, tha ai. Lorik Cana mban edhe titullin e “Ambasadorit të vullnetit të mirë” për UNDP, ndërsa ka marrë pjesë në disa ndeshje bamirësie të kësaj organizate.

Ndërkohë, mesfushori nuk ka harruar të flasë edhe për situatën e tij te Lacio, ndërsa në një deklaratë për mediat italiane ka bërë të qartë se nuk do të iki gjatë merkatos së janarit.

“Në fillim u ndesha me disa vështirësi, por tani po aktivizohem më shumë. Jam i lumtur dhe sidomos optimist për situatën te Lacio. Në të kaluarën kam qenë gjithmonë thelbësor për skuadrën dhe trajnerët që më kanë patur në dispozicion. Jam i bindur që edhe në Romë do të vijë momenti në të cilin do të gjej më shumë hapësira. Dëshira ime për vitin 2012 është të bëhem pjesë e titullarëve në ekipin tim”, tha ai.

Cana u shpreh se ndjehet krenar që është një përfaqësues i futbollit shqiptar në Itali. “Është një gjë e bukur të valëvis flamurin shqiptar në një arenë futbolli të rëndësishme si ajo italiane. Kjo më bën krenar dhe shpresoj që në të ardhmen, shumë të tjerë të arrijnë të më ndjekin në këtë rrugë”, deklaroi kapiteni i përfaqësueses shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)