Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 10:30

Londër – Rreth 1.200 persona, nga të cilët 20 për qind janë minorenë, të dyshuar se në javën e kaluar kanë marrë pjesë në trazirat në Britani të Madhe, kanë dalë para gjykatës, tregojnë të dhënat e shpallura në ditën e djeshme në Ministrinë britanike të Drejtësisë.

Gjithsej 1.179 të dyshuar janë paraqitur para gjykatës, informon Ministria.

Një e pesta e të dyshuarve janë të moshës midis 10 dhe 17 vjeçarë. Të tjerët janë të rritur.

Në rreth dy të tretat e rasteve, të shqyrtuara para gjykatës, të dyshuarit janë mbajtur në paraburgim pas paraqitjes së parë, theksohet në kumtesën e Ministrisë.

Gjykatat kanë punuar 24 orë, me qëllim të përballen me numrin e madh të rasteve. Mbi 2.300 persona janë arrestuar gjatë kohës së trazirave. Gjykatat në Londër për herë të parë mbetën të hapura edhe në ditën e diel.

Para gjykatës janë paraqitur edhe një djalë 16-vjeçar i dyshuar për vrasje të një pensionisti gjatë kohës së trazirave në Londër, pas çka ishte lënë në paraburgim. Nëna e djaloshit, gjithashtu, është marrë në pyetje para gjykatës nën akuzë për pengimin e drejtësisë.

 
Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 16:15

Londër – Kryeministri britanik David Cameroon deklaroi sot se Qeveria nuk do të lejojë që kultura e druajtjes të mbizotërojë nëpër rrugët në vend dhe paralajmëroi se më shumë masa që do të ndërmerren në afat sa më të shkurtër me qëllim që të kthehet paqja dhe rendi në Londër dhe në qytetet tjera, por edhe për t’u mos përsëritur ajo që ndodhi në katër ditët e fundit.

Duke folur para deputetëve në seancë të jashtëzakonshme në Parlament, dedikuar trazirave në rrugë, Cameroon tha se kjo që ka ndodhur në katër ditët e fundit nuk ishte protestë, e as nuk bëhet fjalë për kërkesa politike, por për një krim të thjeshtë të kriminelëve të rinj.

“Të gjithë ata do të paguajnë për atë çka kanë bërë dhe do t’i kthejnë gjërat që i kanë vjedhur”,  tha kryeministri britanik, për herë të parë duke paralajmëruar formim të një skeme të veçantë për qërim hesapesh me bandat me shfrytëzimin e përvojave nga disa qytete në SHBA.

Cameroon i ka njoftuar deputetët se Qeveria do t’i lejojë policisë të mund të heq nga fytyra e individit gjithë atë që ia mbulon identitetin, nëse konsideron se ekziston kërcënim nga kryerja e veprës kriminele, dhe do t’i mundësohet edhe e drejta e ndërprerjes së shfrytëzimit të komunikimit social dhe rrjeteve për komunikim të grupeve të organizuara kriminele. Masat e tilla arsyetohen me situatën me të cilën po përballet policia, të ndeshen me kriminelë të rinj me fytyrë të mbuluar me shami dhe kaçule, të cilët i dakordojnë aksionet përmes rrjeteve të internetit Fejsbuk dhe Tuiter.

Kryeministri britanik tha se ka qenë dhe ende është kundër shfrytëzimit të Armatës për operacionin e tanishëm për qërim hesapesh me bandat rrugore, duke pohuar se ka pasur mjaft forca të sistemuara policore, që tani janë gjithsej 32.000 nëpër tërë Anglinë, prej të cilëve gjysma janë në kryeqytet.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 10:53

Londër – Nata e kaluar në Britaninë e Madhe ka kaluar qetë, pasi që autoritetet filluan të përballen me trazirat, të cilat e kapluan Londrën dhe qytetet tjera.

Në kryeqytet janë sistemuar 16.000 policë. Prani të rritur policore ka në Mançester, Liverpul, Birmingam dhe në vende të tjera. Autoritetet komunikuan se situata është në gjendje normale.

Rol të rëndësishëm në uljen e tensioneve kishte deklarata e djeshme e kryeministrit britanik Dejvid Kameron, i cili tha se Qeveria do të veprojë fuqimisht dhe në mënyrë konsekunete në luftën kundër trazirave rrugore, duke i përdorurr të gjitha mjetet e domosdoshme.

Kameron, pas takimit me forcat e sigurisë deklaroi se topa të ujit do të jenë në dispozicion të policisë 24 orë nëse ka nevojë, duke shtuar se policia veçmë ka leje që kundër demonstrantëve të përdorë plumba gome.

Kjo është hera e parë të miratohet përdorim i topave të ujit jashtë Irlandës Veriore.

“Ishte e nevojshme të bëjmë rezistencë, këtë edhe e bëmë”, deklaroi Kameron.

Policia filloi arrestime masive të pjesëmarrësve në trazirat pas njohjes së tyre me ndihmën e kamerave të sigurimit. Në Londër janë prangosur 820 persona, ndërsa kundër 279 njerëzve janë ngritur aktakuza. Në Mançester janë shoqëruar 115 vetë.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 13:52

Londër – Situata në qytetet angleze të përfshira me trazirat po stabilizohet dhe autoritetet britanike do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri, deklaroi sot kryeministri britanik, David Cameroon.

Sipas tij, policia po përgatit operacione masovike për kryerjen e arrestimeve. Në 24 orët e ardhshme policia do të pajiset me topa uji për luftë kundër trazirave masovike në kryeqendër dhe në qytete të tjera, të cilat do të përdoren nëse nevojitet.

Cameroon tha se do të ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme, që të ripërtërihet rendi. Ai theksoi se Britania e Madhe nuk do të lejojë “kultura e frikës të mbizotërojë në vend”.

Mijëra policë shtesë arritën ta ruajnë sot rendin nëpër rrugët e Londrës, pas tri ditësh trazira. Akte të vandalizmit dhe plaçkitjes ka edhe në Manchester dhe Birmingham.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 08:58

Londër – Dhuna që filloi të shtunën në kryeqytetin britanik pas vrasjes së një burri 29-vjeç nga ana e policisë, në mënyrë zinxhirore po përhapet nëpër Britaninë e Madhe, kështu që pas Londrës, Birmingamit, Liverpulit, dhe Bristolit natën e kaluar i përfshiu edhe Vulverhemptonin, Uest Bromuiçin, Mançesterin, Notingemin dhe Lutonin.

Raportohet se dhuna më e madhe që ka ndodhur gjatë natës së kaluar të ketë ndodhur në Mançester, qyteti i tretë më i madh në Britani.  Thuhet se bandat e të rinjëve kanë plaçkitur dyqane, janë përleshur me policinë dhe kanë vënë zjarre.

Një zyrtar i lartë i policisë së Mançesterit, deklaroi se grabitjet dhe zjarrvëniet kishin ndodhur në qytet në atë që ai e përshkroi si një shkallë të paparë.

Ai i ka denoncuar protestuesit, duke thënë se dhuna e tyre duket të jetë e motivuar kryesisht nga kriminelet e thjeshtë.

Mediat evropiane thonë se policia në gjithë Britaninë ka bërë më shumë se 1.100 arrestime që nga vala e dhunës e cila ka nisur të shtunën.

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 15:47

Londër – Kryeministri britanik David Cameroon tha se qeveria e tij do të bëjë gjithçka është e mundur që të kthejë rendin, pas dhunës më të keqe në rrugë që Britania nuk kishte parë në dekada.

“Ky është thjesht kriminalitet i pastër dhe ai duhet të luftohet dhe të mundet”, ka thënë Cameroon.

Kameron ka udhëhequr një takim të komitetit qeveritar, pas tri netësh të trazirave, plaçkitjeve, zjarrvënieve që shkaktuan kaos në Londër, e që u përhapën edhe në Birmingem, Bristol dhe Liverpul.

Duke folur pas takimit të sotëm, ai tha se forcat e policisë do të rriten nga 6 mijë deri në 16 mijë në Londër, dhe se ai do të thërrasë takim të parlamentit të enjten, për të diskutuar trazirat.

Kameron u zotua gjithashtu se të gjithë ata që janë përgjegjës për plaçkitjet dhe djegie do të dalin para drejtësisë.

Zyrtarët kanë thënë se më shumë se 450 persona janë arrestuar në Londër vetëm gjatë tre netëve të fundit.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 15:21

Londër – Zezaku i ri Mark Dagan (29), i cili javën e kaluar u qëllua nga policia, gjatë një operacioni në lagjen londineze Totenhem, ka ndërruar jetë gjysmë ore më vonë, nga plaga prej plumbit, i cili e kishte goditur në pjesën e kraharorit, kumtoi sot hetimi për incidentin tragjik, i cili ndodhi para pesë ditëve.

Ky është rezultati i parë deri më tani nga hetimi, i cili menjëherë u ngrit dhe në të cilin është kyçur kontrolli i brendshëm i policisë Metropoliten. Mediat londineze, paraprakisht, pohuan se qitja vdekjeprurëse është shtënë prej njërit prej policëve, të përfshirë në operacionin për gjetjen e armëve, ndërsa se plumbi tjetër ka përfunduar në radion e automjetit të Daganit, por tani për tani nuk ka detaje të tjera përveç se njeriu ka ndërruar jetë vetëm prej një plumbi. Dëshmitarët pohojnë se disa herë kanë dëgjuar paralajmërim nga policia, ndërsa më pas katër të shtëna.

Ky incident nga e enjtja e kaluar dhe reagimi i ngadalshëm i policisë për kumtimin rreth asaj se çka kishte ndodhur me të vërtetë, ishte shkasi për shpërthimin e trazirave të para rrugore në Totenhem, të shtunën gjatë mbrëmjes dhe natës, të cilat më pas u përhapën nëpër pjesët e tjera të qytetit, ndërsa mbrëmë shpërthyen në vandalizëm të paparë deri më tani, me plaçkitje dhe zjarre, në madje 12 lagje dhe kuarte të kryeqytetit britanik.

Disa nga pjesëmarrësit në trazirat tani flasin edhe për padrejtësitë sociale në shoqëri, por pjesëtarët e komunitetit zezak madje edhe jashtë Londrës, pohojnë se policia është fajtore dhe se duhet ta dënojë fajtorin, duke nënvizuar se ajo edhe më tej të rinjtë zezakë i sheh vetëm si kriminelë potencialë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 14:28

Londër – Për shkak të trazirave në Londër, Federata e Futbollit ka konifrmuar ndërprerjen e ndeshjes miqësore midis Anglisë dhe Holandës. Federata e Futbollit ka zhvilluar bisedime me policinë e Londrës dhe për shkak të trazirave është vendosur që të mos zhvillohet miqësorja.

“Është për keqardhje se duhet ta anulojmë miqësoren e paraparë për nesër të zhvillohet në Wembley, ka thënë Federata e Futbollit pak para orës 10 të mëngjesit të sotëm”.

Të shitura ishin më shumë se 70.000 bileta për këtë ndeshje, të cilat do të rimbursohen të gjitha. Anulimi është bërë për shkak të rrezikshmërisë që policia e ka vlerësuar për të vendosur rendin dhe ruajtjen e qetësisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 11:24

Londër – Kryeqyteti britanik mbrëmë përjetoi shpërthim të vërtetë nga dhuna rrugore dhe vjedhjet masive në dyqanet e sulmuara dhe të thyera, në ditën e tretë të trazirave dhe djegieve në 12 lagje dhe kuarte.

Policia e cila premtonte kthim të rendit dhe paqes në rrugë, nuk arriti të ballafaqohet me bandat e dhunuesve të rinj, të cilët, duke komunikuar përmes telefonave celularë dhe përmes rrjetit të internetit, shpejtë merren vesh që të transferohen nga një lokacion në një tjetër, duke bërë menjëherë barrikada, ndërsa pastaj duke u rrahur me policinë, duke i thyer vitrinat dhe duke shkaktuar zjarre.

Shërbimet zjarrfikëse nuk arritën shpejtë të intervenojnë, e ndërtesat e djegura, kryesisht objekte afariste, në të cilat janë të vendosura dyqane të ndryshme, janë lënë që tërësisht të digjen.

Disa ndërtesa në lagjen jugperëndimore Krojdon, mbrëmë tërësisht janë djegur nga zjarret e vëna, ndërsa zjarre ka pasur edhe në kuartet Pekam, Luisam dhe Hakni. Sulmet pastaj janë transferuar në lagjen e madhe londineze Klapam Xhanksan, ku në qendër rreth 200 të rinj, me fytyra të mbuluara, disa orë janë rebeluar, duke shkaktuar dëm të madh material, duke shkatërruar dhjetëra dyqane dhe duke i vjedhur shtëpitë e mallrave që u janë gjendur në rrugë.

Më vonë, trazira rrugore dhe vjedhje, kishte në më shumë kuarte të tjera, në të gjitha katër anët e qytetit, në vëllim dhe me intensitet i cili nuk mbahet mend. Deri tani nuk është vërejtur që në vetëm tre netë të sulmohen jo më pak se 20 lagje dhe kuarte të qytetit.

Trazirat në Klapam Xhanksan, lagje përmes të cilës kalon lidhja hekurudhore dhe rrugore, që e lidh jugperëndimin e Londrës, me qendrën e saj dhe me lagjet e anës lindore, shkaktoi bllokim dhe ndërprerje të qarkullimit urban. Disa orë u ndërpre lidhja hekurudhore përmes stacionit në këtë lagje, përmes së cilës kalojnë edhe trenat për aeroportin Getuik.

Autobusët urbanë ishin të detyruar të ndalen ose të shkojnë përmes ndonjë traseje tjetër, nga frika se dhunuesit rrugorë do të munden që fillimisht të rrëmbejnë autobus, siç këtë e bënë në trazirat e para në Totenhem dhe ta djegin.

Dëshmitarë okularë njoftojnë se të gjitha lagjet dhe kuartet që mbrëmë janë sulmuar, u ngjajnë zonave luftarake. Banorët e disa prej këtyre lagjeve janë lajmëruar gjatë natës në studiot televizive që të paralajmërojnë se dhunuesit për herë të parë sulmojnë edhe objekte banesore, si dhe se kanë hyrë me dhunë në banesa dhe shtëpi me qëllim që t’i grabisin. Ata janë ankuar se “nuk ka mjaft polic” dhe se janë të lënë në mëshirën dhe pamëshirën e bandave kriminele.

Tani për tani nuk ka njoftim për të lënduar, por për herë të parë njoftohet se në Krojdon është plagosur një person.

Arsyeja e parë për trazirat rrugore, vrasja e një të riu me ngjyrë, i cili javën e kaluar është vrarë nga policia, në rrethana ende të pazbardhura, u braktis, madje tani dhuna shpjegohet me pakënaqësinë sociale, posaçërisht të të rinjve nga komuniteti me ngjyrë, me padrejtësinë shoqërore ndaj të rinjve nga shtresat më të ulta, si dhe me përqindjen e madhe të papunësisë dhe mosperspektiva për gjeneratën e re.

Mediat londineze janë të befasuara nga ajo që po i ndodh kryeqytetit, madje “Times” vëren se policia ua dorëzoi rrugët bandave të të rinjve, “Daily Mail” shkruan për anarkinë që mbisundon në qytet, ndërsa “Guardian” pohon se po zhvillohet betejë për Londrën. (LajmeShqip.com)