Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 14:41

Kampiones olimpike në hedhjen e gjyles, bjelloruses Nadeja Ostapçuk, i është hequr menjëherë medalja e artë e marrë në Londër 2012 pasi ka rezultuar pozitive në dy teste antidoping.

Atletja rezultoi pozitive ndaj substancës së quajtur metenolon gjatë testimeve të zhvilluara me datë 5 dhe 6 gusht, ndërsa rezultati i saj është cilësuar i parregullt dhe është skualifikuar nga gara.

Si rrjedhojë, medalja e artë i ka kaluar Valeri Adams të Zelandës së Re, rusja Evgenia Kolodko ka marrë medaljen e argjendtë dhe Liajiao Gong e Kinës ka marrë tashmë medaljen e bronztë, pasi në garë ishte renditur e katërta.

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bën të ditur se ka skualifikuar, përjashtuar dhe i ka hequr medaljen atletes bjelloruse te hedhjes së gjyles, Nadzeia Ostapçuk. Atletja ka rezultuar pozitiv ndaj substancës së metenolon në të dy testet që i janë bërë një ditë para garës dhe menjëherë pas saj”, shkruhej në komunikatën e lëshuar nga KON.

31 vjeçarja merrte pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike, pasi kishte marrë vendin e katërt në Athinë 2004 dhe medaljen e bronztë në Pekin 2008. Ajo arriti të fitonte garën në Londër 2012 me një hedhje 21.36 metra. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 10:01

Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur të cilësojë fajtor mbrojtësin Rafael për dështimin në finalen olimpike për medaljen e artë, ku seleçao u mund 2-1 nga Meksika. Një pasim i gabuar mbrapa i mbrojtësit të Mançester Junajtid solli golin e avantazhit të meksikanëve pas vetëm 28 sekondash lojë duke komplikuar ndeshjen për brazilianët që nuk arritën të kontrollonin më ndeshjen.

“Mbrojtësi i djathtë, Rafael, e di që ai ka bërë një gabim që solli golin e parë meksikan në finalen olimpike në Londër”, shkruhej në komentin e shfaqur në faqen zyrtare të internetit të 5 herë Kampionëve të Botës, të cilët nuk kanë fituar asnjëherë arin olimpik.

“Kjo nuk mund të mohohet. Megjithatë, me aftësitë dhe vendosmërinë e tij, numri 2 nuk mund të njolloset nga ky gabim që ka bërë. Gabimet bëhen për t’u korrigjuar dhe Rafael e di një gjë të tillë. Më vonë, kur gjërat të jenë qetësuar, ai do ta shohë përsëri veprimin dhe do të mësojë nga ai. Në fund të fundit, të gabosh është njerëzore dhe ne mësojmë nga gabimet tona”, ishte komenti që u shfaq në faqen e Federatës  Braziliane.

Kritikat e zyrtarëve ishin në kontrast të plotë me atë të lojtarëve dhe trajnerit Menezes të cilët mbrojtën lojtarin që aktivizohet me sukses në kampionatin anglez. Vetë trajneri deklaroi se Brazili duhej fajësuar në grup, pasi kishte patur 89 minuta në dispozicion për të barazuar rezultatin dhe nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Ndërsa sulmuesi Neimar tha se çdo lojtar, përfshirë edhe vetë atë, ishte përgjegjës për këtë humbje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 08:40

Pa u mbyllur mirë Lojërat Olimpike Londër 2012, kanë filluar polemikat dhe debatet për Rio 2016. Komiteti Organizator i këtij evenimenti kishte shpresuar të jepte një paraqitje spektakolare para gazetarëve për punën që do të bëhej për të pritur aktivitetin pas 4 vitesh.

Por në vend të këtij prezantimi, gjatë të gjithë konferencës ata janë detyruar të mbrojnë vendimin për të emëruar Stadiumin Olimpik “Zhoao Havelanzh”, një ish zyrtar me famë ndërkombëtare, por i përfshirë në skandale të rënda korrupsioni.

96 vjeçari Havelanzh, ish-president i FIFA-s, u shpall fajtor nga një gjykatë zvicerane për korrupsion aktiv, pasi ka marrë më shumë se 1 milion dollarë ryshfet nga një kompani marketingu në vitet ’90. Por drejtuesit brazilianë kanë vendosur të mbrojnë figurën e tij.

“Jemi shumë krenarë për atë që z. Havelanzh ka bërë në mbarë botën dhe për sportin e  Brazilit në veçanti. Me sa di unë, ai ka gabuar dhe është dënuar për një gjë të tillë. Por kjo nuk më shqetëson, pasi ai vazhdon të jetë një legjendë e sportit tonë”, tha Leonardo Gryner, shef i delegacionit brazilian.

Më pas, ai ka pranuar se nuk ka qenë Komiteti Olimpik Brazilian që ka zgjedhur emrin e stadiumit, por bashkia e Rio De Zhaneiros, në pronësi të të cilës do të mbetet ky impiant pas përfundimit të Lojërave Olimpike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 August 2012 10:01

Trajneri i kombëtares braziliane të futbollit, Mano Menezes, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij pasi Brazili u mund 2-1 nga Meksika në ndeshjen për medaljen e artë në Londër 2012. Brazilianët ishin favoritët e turneut por dy golat e Peralta falë gabimeve në mbrojtje ndëshkuan seleçaon që u kundërpërgjigj shumë vonë me Hulk.

“Jam shumë i zhgënjyer”, tha 50 vjeçari për “Globoesporte”. “Kemi bërë një punë të shkëlqyer deri në finale. Besonim se mund të merrnim medaljen e artë por nuk mundëm të përsëritnim paraqitjet e mëparshme të turneut. Megjithëse krijuam shumë raste, nuk arritëm të shënonim. Nuk mund të bëjmë asgjë tjetër përveç se të përgëzojmë kundërshtarin që mori çmimin që do të kishim dashur të fitonim ne”.

Edhe yjet e skuadrës si Neimar e Tiago Silva, janë të të njëjtit mendim me trajnerin e tyre, ndërsa premtuan më shumë impenjim në të ardhmen.

“Nëse Meksika fitoi, do të thotë se ishin më të mirë”, tha Neimar për “ESPN Brazil”. “Futbolli përbëhet nga fitoret dhe humbjet, pavarësisht mundimit tonë për të nderuar sa më shumë këtë fanellë. Jemi ende të rinj dhe do të mbajmë kokën lart drejt objektivave të tjerë. Që të mërkurën kemi një ndeshje për të cilën d të mendojmë sa më parë”.

“Duhet të mbash kokën lart në momente të vështira”, ishte komenti i Tiago Silva. “Pjesëtarët e kësaj skuadre të re kanë gjithë jetën përpara. Shpresojmë që Kupa e Konfederatave e vitit të ardhshëm të përfundojë në favorin tonë”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 August 2012 09:20

Ylli notit kinez, Sun Jang, do të festojë sponsorizimin më të madh sportiv në historinë e Kinës, duke u dhënë shokëve të skuadrës një bonus të jashtëzakonshëm. Popullariteti i notarit u rrit në mënyrë të ndjeshme pasi ai fitoi garat e 400 dhe 1500 metra stil i lirë në Londër 2012, duke siguruar sponsorizime që kapin vlerën e 18 milionë dollarëve për vitin e ardhshëm.

Por sipas kushteve të një kontrate të nënshkruar me autoritetet drejtuese të sportit të notit në Kinë, ai është i detyruar t’i japë 1/3 e fitimeve të tij nga sponsorët për anëtarët e tjerë të skuadrës olimpike, të cilët nuk janë kaq fatlumë dhe kaq të mirëpaguar, duke përfituar vetëm një rrogë nga shteti.

Por Sun Jang në të vërtetë do të përfitojë vetëm 6 milionë dollarë nga kjo marrëveshje, pasi 1/3 tjetër e parave të përfituara nga sponsorët do t’i shkojnë programit të notit në Kinë, siç është parashikuar në legjislacionin sportiv. Qeveria kineze ka mbrojtur shpesh këtë vendim për marrjen e përqindjeve mbi kontratat e sportistëve olimpikë, duke insistuar se këto para shërbejnë për të gjetur talentet e të ardhmes. Sipas zyrtarëve kinezë, kostoja e transformimit të Jang në një notar të klasit botëror dhe trajnimi i tij që në fëmijëri i ka kushtuar qeverisë së këtij vendi rreth 1.57 milionë dollarë

Pjesa më e madhe e këtyre parave u shpenzuan për të siguruar shërbimet e australianit Denis Kotrell, që cilësohet si trajneri më i mirë i garave të distancave të gjata në not dhe që arriti të udhëhiqte 20 vjeçarin drejt dy medaljeve olimpike. “Me atë që më ofruan kinezët për një muaj, mund të jetoj rehat për një vit”, konfirmoi Kotrell për mediat e vendit të tij pasi pranoi këtë ofertë duke braktisur kombëtaren australiane. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 August 2012 08:40

Usain Bolt ka siguruar medaljen e tij të 6-të të artë olimpike duke fituar për edicionin e dytë radhazi garat e 100, 200 dhe 4 x 100 metrave, për të treguar se është ndër atletët më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Ndaj sprinteri xhamajkan ka patur “luksin” të kritikojë hapur presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, i cili nuk pranon ta cilësojë “legjendë” atletin që në katër vitet e fundit ka entuziazmuar më shumë turmat në garat ku ka marrë pjesë.

“Sot, ai nuk mund të më sfidojë mua rreth kësaj çështje. Më thoni ju, çfarë gjëje tjetër duhet të bëj që të cilësohem legjendë? Kam fituar garat në dy Olimpiada të ndryshme, kam fituar medaljen e artë në Botëror, kam thyer shumë herë rekorde botërore. Nuk di se çfarë duhet të bëj tjetër! Herën tjetër që e shihni, pyetni Rozhe çfarë gjëje më mbetet të bëj që nuk e ka bërë asnjë njeri më përpara”, ishte komenti i Bolt , i cili nuk ka një marrëdhënie të mirë me drejtuesin më të lartë të lëvizjes olimpike.

Debatet kanë filluar që katër vite më parë, kur Rozhe kritikoi publikisht Bolt për mënyrën se si festonte para se të mbaronte garën, duke injoruar shpirtin olimpik. Që nga ai moment, presidenti i KON ka bërë maksimumin për të minimizuar sukseset e atletit. Por edhe Bolt ka bërë maksimumin për t’u tallur me KON dhe rregullat strikte që ka vendosur.

Pas fitores në garën e 100 metrave, Bolt publikoi një seri rregullash absurde që ishin vendosur para aktivitetit nga KON, si fakti që nuk mund të bënte nxeje me litarin e tij personal të kërcimeve, pasi duhej përdorur ai i sponsorit të aktivitetit.

Edhe dje, ai ka arritur të thyejë një rregull publikisht. Pas garës, Bolt kërkoi të mbante si kujtim shkopin e stafetës, por u ndalua nga një prej gjyqtarëve të garës që i kujtoi se rrezikonte skualifikimin nëse nuk e dorëzonte si gjithë të tjerët. Pas insistimit të atletit dhe pasi zyrtarët plotësuan formularët përkatës duke homologuar rezultatin, një nga organizatorët i dorëzoi rekordmenit botëror shkopin e stafetës, të cilin ai ka premtuar se do ta ruajë si trofe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 23:32

ATLETIKË

50 km ecje sportive (M)

1. Sergei Kirdiapkin (Rusi) Rekord Olimpik

2. Xhared Talent (Australi)

3. Tianfeng Si (Kinë)

20 km ecje sportive (F)

1. Elena Lashmanova (Rusi)

2. Olga Kaniskina (Rusi)

3. Shenije Qieyang (Kinë)

Kërcim së larti (F)

1. Ana Çiçerova (Rusi)

2. Brigeta Barret (SHBA)

3. Svetlana Shkolina (Rusi)

Hedhje shtize (M)

1. Keshorn Uollkot (Trinidad Tobago)

2. Oleksandr Piatnitsia (Ukrainë)

3. Anti Ruskanen (Finlandë)

5000 metra (M)

1. Mohamed Farah (Britani e Madhe)

2. Dejen Gebremeskel (Etiopi)

3. Tomas Longosiua (Kenia)

800 metra (F)

1. Maria Savinova (Rusi)

2. Kaster Semenaia (Afrikë e Jugut)

3. Ekaterina Poistogova (Rusi)

Stafetë 4 x 400 metra (F)

1. SHBA

2. Rusi

3. Xhamajka

Stafetë 4 x 100 metra (M)

1. Xhamajka Rekord Botëror

2. SHBA

3. Trinidad Tobago

BASKETBOLL (F)

1. SHBA

2. Francë

3. Australi

BOKS

49 kg (M)

1. Shiming Zou (Kinë)

2. Kaeo Pongpraion (Tajlandë)

3. Padi Barns (Irlandë)

    David Airapetian (Rusi)

56 kg (M)

1. Luk Kampbell (Britani e Madhe)

2. Xhon Xho Nevin (Irlandë)

3. Lazaro Alvarez Estrada (Kubë)

    Satoshi Shimizu (Japoni)

64 kg (M)

1. Roniel Iglesias Sotolongo (Kuba)

2. Denis Berinçik (Ukrainë)

3. Munkh-Erden Urançimeg (Mongoli)

    Vinçenco Manxhiakapre (Itali)

75 kg (M)

1. Riota Murata (Japoni)

2. Eskiva Falkao Florentino (Brazil)

3. Entoni Ogogo (Britani e Madhe)

    Abos Atoev (Uzbekistan)

91 kg (M)

1. Oleksandr Usik (Ukrainë)

2. Klemente Ruso (Itali)

3. Tervel Pulev (Bullgari)

    Teimur Mamadov (Azerbajxhan)

KANOE SPRINT

200 metra kajak individual (M)

1. Ed MekKevir (Britani e Madhe) Rekord Olimpik

2. Saul Kravioto Rivero (Spanjë)

3. Mark De Jong (Kanada)

200 metra kanoe individual (M)

1. Juri Çeban (Ukrainë)

2. Jevgenij Shuklin (Lituani)

3. Ivan Shtyl (Rusi) Rekord Olimpik në kualifikuese

200 metra kajak individual (F)

1. Lisa Kerrington (Zelandë e Re) Rekord Olimpik

2. Ina Osipenko-Radomska (Ukrainë)

3. Natasha Duçev-Janiçs (Hungari)

200 metra kajak dyshe (M)

1. Rusi Rekord Olimpik

2. Bjellorusi

3. Britani e Madhe

ÇIKLIZËM MOUNTAIN BIKE

Cross-country (F)

1. Xhuli Breset (Francë)

2. Sabine Spitz (Gjermani)

3. Xhorxhia Gould (SHBA)

ZHYTJE

Platformë 10 metra (M)

1. David Boudia (SHBA)

2. Bo Qiu (Kinë)

3. Tomas Dalei (Britani e Madhe)

FUTBOLL (M)

1. Meksikë

2. Brazil

3. Kore e Jugut

GJIMNASTIKË RITMIKE

Individuale e përgjithshme (F)

1. Evgenia Kanaeva (Rusi)

2. Daria Ditrieva (Rusi)

3. Liubou Çarkashina (Bjellorusi)

HENDBOLL (F)

1. Norvegji

2. Mali i Zi

3. Spanjë

HOKEJ (M)

1. Gjermani

2. Holandë

3. Australi

PENTATLON (M)

1. David Svoboda (Çeki) Rekord Olimpik

2. Zhongrong Cao (Kinë)

3. Adam Marosi (Hungari)

LUNDRIM

Barkë 6 metra (F)

1. Spanjë

2. Australi

3. Finlandë

TAEKUONDO

+67 kg (F)

1. Milica Mandiç (Serbi)

2. An-Karolin Graf (Francë)

3. Maria Del Rosario Espinoza (Meksikë)

    Anastasia Barishnikova (Rusi)

+80 kg (M)

1. Karlo Molfeta (Itali)

2. Antoni Obame (Gabon)

3. Robelis Despanj (Kuba)

    Xiaobo Liu (Kinë)

VOLEJBOLL (F)

1. Brazil

2. SHBA

3. Japoni

 MUNDJE

60 kg stil i lirë (M)

1. Toghrul Asgarov (Azerbajxhan)

2. Besik Kudukhov (Rusi)

3. Jogeshvar Dut (Indi)

    Koleman Skot (SHBA)

84 kg stil i lirë (M)

1. Sharif Sharifov (Azerbajxhan)

2. Xhemi Espinal (Porto Riko)

3. Dato Marsagishvili (Gjeorgji)

    Ehsan Lashgari (Iran)

120 kg stil i lirë (M)

1. Artur Taimazov (Uzbekistan)

2. David Modzmanazhvili (Gjeorgji)

3. Bilial Makhov (Rusi)

    Komeil Ghasemi (Iran)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 18:35

Mallkimi olimpik i Brazilit ka goditur përsëri, pasi skuadra latino-amerikane nuk ka arritur të marrë medaljen e artë as në Londër 2012, duke u mundur në finale me rezultatin 2-1 nga Meksika në takimin e luajtur në “Uembli”.

Oribe Peralta ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit meksikan dhe atij botëror duke shënuar dy herë përballë seleçaos që cilësohej si favorite absolute për fitoren e turneut dhe pritej të dominonte ndaj meksikanëve për t’i dhënë fund pritjes së përjetshme për një medalje të artë olimpike në futboll.

Meksikanët vinin për herë të parë në finale dhe nuk pritej të dominonin në sfidën e luajtur para më shumë se 86 mijë spektatorëve. Por pakkush mund të kishte parashikuar se kjo ndeshje do të përjetonte golin më të shpejtë olimpik dhe të një turneu zyrtar FIFA, pasi Peraltas iu deshën vetëm 28 sekonda për të dërguar topin në rretë. Një gabim në kalimin e topit prapa nga mbrojtësi Rafael u kthye në një pasim perfekt për Akuino që nuk e pati të vështirë të nxirrte shokun e skuadrës të vetëm para portierit.

As aktivizimi i Hulk në vend të mesfushorit Sandro kur kishin kaluar vetëm 30 minuta lojë nuk ndryshoi fytyrën e ndeshjes ku Brazili nuk u duk në gjendje të kalonte Meksikën, që u mbrojt me rregull dhe vuri në vështirës disa herë prapavijën e skuadrës së Menezes.

Goli i dytë i Peralta erdhi në minutën e 75-të kur ai shënoi m kokë i pashqetësuar nga mbrojtja kundërshtare dhe nga ky moment, Brazili e kuptoi se duhej të priste të paktën edhe 4 vite të tjera për t’iu gëzuar një medalje të artë olimpike në futboll, ndonëse Hulk shënoi golin e ngushëllimit për të vulosur rezultatin përfundimtar 2-1. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 14:10

Fitorja e Bredli Uigins në Turin e Francës dhe më pas e 8 medaljeve të arta në çiklizmin e rrugës dhe atë të pistës në Lojërat Olimpike, e ka kthyer këtë sport në atë më tërheqësin në Britaninë e Madhe.

Ndaj këtë krenari kombëtare e ka mbrojtur edhe kryeministri anglez, Devid Kameron, i cili ka zbuluar se si është tallur me francezët, të cilët kanë marrë vetëm 3 medalje të argjendta në të njëjtat disiplina dhe nuk e durojnë faktin që britanikët janë më të mirë.

“Francezët po tërbohen, nuk e pranojnë një fakt të tillë. Më intervistuan në një televizion francez një ditë më parë dhe praktikisht na akuzuan se po mashtronim në çiklizëm. Më duket se nuk i kapërdinë dot flamujt britanikë në Shamps Elize”, tha Kameron duke iu referuar triumfit të Uigins në Turin e Francës.

Më pas ai sqaroi se ishte tallur me francezët edhe për akuzat e mashtrimit, për faktin se firma që prodhon biçikletat me të cilat garojnë çiklistët e Britanisë ë së Madhe, është franceze.

“Ju francezët duhet ta dini sekretin tonë, pasi jeni ju ata që i prodhojnë rrotat tona. Ju e dini që ato janë rrumbullake. Ecin shpejt sepse ne pedalojmë më fort”, ishte batuta e kryeministrit britanik në televizionin francez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 11:40

Tani të gjithë e kanë kuptuar se projekti kinez i Lojërave Olimpike nuk ka qenë vetëm ai i një përfaqësimi sa më dinjitoz në aktivitetin e organizuar vetë në Pekin në vitin 2008, por për të dominuar sportin botëror.

“Qëllimi i Kinës është të fitojë çdo medalje të mundshme, në çdo disiplinë”, ka paralajmëruar Xhef Rufolo, një amerikan që ka punuar për qeverinë kineze duke planifikuar aktivitete të ndryshme sportive, përfshirë Pekin 2008. “Shihni se çfarë do të ndodhë në Rio 2016, shihni se çfarë do të ndodhë në 2020. Kinezët duan t’i provojnë botës së sistemi i tyre është më i miri”.

Që nga viti 1984 kur Kina lejoi rikthimin e përfaqësuesve të saj në Lojërat Olimpike, progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Në Los Anxhelos, Kina fitoi vetëm 32 medalje, ndërsa në Pekin kjo shifër shkoi në 100, një sukses i pabesueshëm për këtë vend. Por sigurimi i medaljeve tani është bërë aq i rregullt sa pritet që atletët kinezë të vazhdojnë dominimin në disiplina të ndryshme për shumë Olimpiada në vazhdim.

Rufolo ka treguar se gjithçka vjen falë investimeve të vazhdueshme dhe kërkimit të vazhdueshëm për përmirësim që bëjnë kinezët ndaj garuesve të tyre, jo vetëm atyre që janë në vendet e para, por edhe atyre që janë gati t’i zëvendësojnë në të ardhmen.

Për të parë gjendjen reale të atletëve të tyre, qeveria kineze ka sponsorizuar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet si Lojërat Aziatike, Lojërat Botërore Universitare, apo kampionatet botërore të të gjitha sporteve, duke shfrytëzuar maksimalisht kohën brenda katervjeçarit të Lojërave Olimpike. (LajmeShqip.com)