12
 
Lajme Shqip Monday, 04 March 2013 20:15

TIRANË– Gjate seances se sotme plenare ne Kuvend, opozita kundërshtoi dhënien e licencës për Lotarinë Kombëtare kompanisë, ‘Austrian Lotteries’ duke akuzuar qeverinë se ajo ishte vendosur të shpallej fituese, para se të zhvillohej tenderi. 
Nga foltorja e Kuvendit deputeti Taulant Balla në emër të opozitës akuzoi qeverinë për afera korruptive, teksa tha se tenderi shqiptar nuk ka qenë në të njëjtat standarde me ato austriaket. Kundërpërgjigjet Bode: Kontrata transparente.

RAMA: DO KTHEJMË TË DREJTËN E PRONËSISË MBI KËTË LOJË
Ora 17:10
-Lidhur me debatet në seancën plenare mbi Lotarinë Kombëtare reagoi Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në rrjetin social, Facebook dhe Twitter. Sipas Ramës, argumentet e qeverisë janë vetëdisktretituese, ndërsa premton se PS do i kthejë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë.

“Argumentat e qeverisë për Lotarinë Kombëtare krejt vetëdiskredituese! Ne do t’ia kthejmë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë”, shkruan Rama në Twitter e Facebook.

BODE: LICENCA PO I JEPET NJË KOMPANIA QË DO INVESTOJË NË SHQIPËRI
Ora 15:40-Ministri Ridvan Bode duke theksuar se procesi mbi Lotarinë Kombëtare ka qenë një proces i hapur, transparent dhe i ligjshëm deklaroi gjithashtu se kompania së cilës iu dha licenca do të investojë në Shqipëri.
Më tej Bode vuri në dukje se “janë 28 kompani që posedojnë certifikatat e kërkuara, 50% të xhiros e merr lojtari, taksa do jetë 10% e xhiros”.

BRACE: MONOPOL SI KY I LOTARISË, QEVERIA KALOI CDO KUFI
Ora 15:00-Sipas deputetit Erion Brace, qeveria ka kryer privatizime të pasuksesshme si me CEZ, ALBPETROL, minierat e kromit dhe bakrit. Por Lotaria Kimbëtare, sipas Braces kalon cdo kufi.
“Ky i Llotarisë Kombëtare është më i rëndi! Edhe në këtë privatizim ka ndodhur gjithçka:

Së pari: “Privatizimi i personalizuar”-lloi i ri privatizimit, i paligjshëm, i sajuar nga Sali Berisha dhe këta, për të shitur me çdo kusht dhe vetëm tek klienti juaj; Së dyti: “Kalim monopol”-I zakonshëm vitet e fundit, madje i shoqëruar me garanci të forta per te ruajtur monopolin gjate gjithë periudhës nën kontrate.
Se treti: “Privatizim pa para”-unik në këtë rast, me qëllim favorizimin me çdo kusht te klientit tuaj;

Së katerti: “Privatizimi me garante të forta për blerësin”-rasti i dytë ky, për të vulosur marrëveshjen e pafavorshme e të paligjshme te bere, e per ta mbrojtur ate nga cdo proces i drejtë që kërkon te riktheje e mbroje interesin publik ne rastin me te pare.

Te gjitha te kryera nga Qeveria e Sali Berishes, ai personalisht.
Po Kuvendi?
Kuvendi eshte vene sot para zgjedhjes: mere ose lëre!!
Pa ditur gje mbi procedurat-as raporti i vlerësimit nuk i vihet ne dispozicin.

Thjesht i kërkohet të votojë, të cveshë shtetin nga nje e drejte ekskluzive për ta lëshuar si monopol dhe te mbrojtur, tek kompania shtetërore e një shteti tjetër.

E kuptoni cpo beni? Cdomethene “te ngjashme” dhe kush e percakton? Monopol si ky nuk ka patur kurre ne kete vend.

I hiqni shtetit te drejten e Llotarise Kombetare per 10 vjet dhe ja jepni nje kompanie, te ciles, i jepni te drejte edhe te nenkontraktoje!!! Nje gje eshte e vertete, qe e gjithe kjo histori nisi nga nenkontraktoret, ata e gjeten kompanine ne Viene, pas nje jave do i keni publik!!

Ne ane tjeter, ka mbi 5 vjet qe shoqata e te Verberve te Shqiperise ju kerkon vetem nje element te kesaj llotarie, vetem nje, ta administroje, te punesoje dhe te perdore te ardhurat per anetaret e saj si dhe te tjera kategori qe mbledhin persona me aftesi te kufizuara sic para e tetraplegjike.

Pse i rrefuzoni? Pse nuk o perfshini? Per me teper, pse I ndaloni ata qe ne te ardhmen te kene nje mundesi te tille?
Per me nevojtaret e njerezve ne nevoje ne kete vend!!
Vetem ju doni te merrni e fitoni!

Ju ne fund te mandatit tuaj po vendosni per 10 vitet qe vijne:
Keq, në mënyre të pa drejte, të pandershme, klienteliste, korruptive dhe me një dem kolosal në dhjetra milione euro për Buxhetin e Shtetit!!

Po i hiqni shqiptareve nga paratë e tyre dhjetra milione euro dhe po ja jepni këto para një kompanie, vetëm një”, tha Brace.

AHMETAJ: BERISHA GARANTOI MONOPOL PËR 10 VJET KOMPNISË
Ora 14:30 Deputeti socialist Arben Ahmetaj akuzoi qeverinë se i ka siguruar kompanisë fituese të Lotarisë Kombëtare, monopol për 10 vjet, për t’i lidhur duart opozitës kur të vijë në pushtet.

“Kontrata ka vetëm një qëllim, është shitur me çmimin më të ulët, dicka që nuk duhet të shitej dhe duhet ta mbante shteti. Ne e dimë përplasjet që kanë pasur palët për tenderit, qëllimi i saj është se kur të vijë opozita e sotme ta gjejë lotarinë monopol. Arsyeja është qe ti garantoi një operatori monopolin. Pse nesër të mos kemi 1, 2 ,3 Lotari Kombëtare. Qeveria i ka lidhur duart vetes dhe cdo qeverie në 10 vitet që vijnë një monopol dhe paprekshmëri. Lotaria Kombëtare do anulohet dhe nuk ka rëndësi sa klauzola keni venë për ti lidhur duart Republikës së Shqipërisë, por po ju themi asnjë nuk mund t’ia lidhë”, tha Ahmetaj.

MALAJ: KOMPANIA AUSTRIAKE JU KA IMPONUAR NJË KONTRATË PËRCMUESE
14:30- Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj deklaroi nga foltorja e Kuvendit se kontrata për Lotarinë Kombëtare nuk i jep asnjë ndihmë biznesit. Ndër të tjera, Malaj theksoi se ajo është përcmuese ndaj autoriteteve tona.

‘Kompania austriake ju ka imponuar një kontratë përcmuese. Në disa pika të saj thuhet se autoritetet shqiptare nuk mund të revokojnë, ndryshojnë dhe pezullojnë pjesërisht apo plotësisht pjesë të kësaj kontrate. Nëse ministria mendon të vendosë gjobë duhet të njoftojë paraprakisht kompaninë. Cdo të thotë kjo? Kjo kompani e paska nënshtruar ministrinë”, shtoi Malaj.

BODE: NË SHQIPËRI, KOMPANIA 2,3% TAKSA MË SHUMË SE NË AUSTRI
14:10- Ministri i Financave Ridvan Bode gjatë diskutimit për Lotarinë Kombëtare ka deklaruar se në Shqipëri lecenca është me pronësi 100% private, ndërsa në Austri janë të përfshira edhe autoritetet shtetërore, krahas atyre private. Bode ka kundërshtuar pretendimet e opozitës së ne Austri licenca është tërësisht shtetërore.

Ai deklaroi më tej se në vendin tonë, “2,2% e xhiros do të shkojë për të mbështetur individë me sëmundje specifike, sportin e shumë kategori të tjera”.

Bode tha më tej se procesi për dhënien e licencës ndaj kompanisë austriake në vendin tonë ka qënë transparent. “Kompania është e madhe dhe e besueshme”, tha ai.

“5% e xhiros do paguhet nga lojtarët, në Austri nuk bëhet. Në Shqipëri do paguhet edhe tarifë mbikëqyrje. Tatim mbi xhiron, ose TVSH në lotarinë tonë, në Austri nuk ka ne kemi, tarifën e licencës ne e kemi shumë të vogël”, tha Bode ndërsa shtoi se “Kemi taksuar me 2.3% më shumë se Austria kompaninë”. 

BALLA: PROCESI KORRUPTIV
14:00-
Nga foltorja e Kuvendit deputeti i PS, Taulant Balla akuzoi qeverinë për afera korruptive, teksa tha se tenderi shqiptar nuk ka qenë në të njëjtat standarde me ato austriaket.

“Kjo qeveri po sillet si ushtri pushtuese. Kjo seancë parlamentare është klienteliste dhe e korruptuar, si thirret në një ditë si për të privatizuar si për të dhënë licenca. Berisha po bën aktin e turpit të vet, po ikën Berisha, po ikën si hajdut. Ne nuk jemi kundër privatizimeve, por këto prona po falen me cmime nën vlerën e tyre reale, nuk ka qeveri në botë që tre muaj para zgjedhjeve të shesë pronat e shqiptarëve, sot Berisha po mbyll edhe pazarin e fundit, pazarin e Lotarisë Kombëtare. Lotaria Kombëtare nuk mund të shitet në kushtet e Shqipërisë tonë, pasi ai është element për financimin e programeve të sportit. Ka vetëm një mundësi që të rilindë sporti, vetëm nëse do mbështetet në aspektin financiar. Eksperienca a evropian thekson se shkëlqimi i sportit ka në bazë financimin nga lotaria Kombëtare. Pas 23 qershorit do e vendosin Lotarinë e Kombetare të shërbim të sportit”, deklaroi Balla.

Duke renditur argumentet Balla tha e procesi është dëmtues për buxhetin e shtetit si dhe një akt korruptiv duke paralajmëruar se me ardhjen në pushtet do e anulojnë. Balla shtoi se ka vend edhe për hetim si dhe vënien para përgjegjësive të përgjegjësive.

“Është kurruptive, pasi është Pazar i mbyllur shumë kohë më parë që të zhvillohet tenderi. Kriteret që Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishtin përjashtuese. Qeveria vendosi si kriter disponimin e dy certifikata për blerësin. Këto certifika lëshohen nga shoqata botërore kombëtare, ndaj u përjashtuan lotarinë me famë botërore. Qeveria nuk vendosi cmimin, por e caktoi çmimin e fiksuar, vetëm këta mund të bëjnë një gjë të tillë, që të fiksohet çmimi 3.5 mln euro. Shqipëria ka vendosur cmim më të ulët në botë për shitjen e licencës. Pretendimet e kësaj qeveria të korruptuar sec cmini e ulët do e kompensojë më taksa të larta ndaj kompanisë fituese janë mashtrime. Qeveria thotë se përvec taksave të zakonshme do të pagojë një tatim shtesë mbi10%. Është dëmtuese për buxhetin e shteti dhe akt korruptiv, në këtë kontratë ka shkelje të mjaftueshme për ta anuluar pas 23 qersorit, dhe ka vend për hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësive të të kësaj adminsitrate te korruptuar”, paralajmëroi Balla.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 19:32

Tirane – Këshilli i Ministrave ka vendosur sot miratimin marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, GmbH.

Me propozim të ministrit të Financave Këshilli i Ministrave ka vendosur; “Propozimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, GmbH, nëpërmjet shoqërisë  “OLG project”, sh.p.k.”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Në njoftimin e vendimeve të marra nga mbledhja e Këshillit të Ministrave ditën e sotme thuhet se ky vendim hy në fuqi menjëherë.  Austrian Lotteries është shpallur fituese e liçencës për organizimin e Lotarisë Kombëtare në shtator të këtij viti. Ndërkaq, opozita ka paralajmëruar se në rast të ardhjes së saj në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2013, do ta anullojë licencën e LotarisË Kombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 14:00

TIRANE- Partia Socialiste ka zhvilluar sot tryezën e dytë me biznesin e madh. Kryesocialisti Rama u shpreh para tyre se programi i Rilindjes Kombëtare ka për qëllim të rrisë komunikimin me grupet e interesit, duke shembur kështu barrierën e vendosur deri më tani, sic tha ai.

“Të mbyllim njëherë e përgjithmonë aksesin e privilegjuar me grupet e interesit. Të hapim një kapitull të ri ku si qeveria dhe opozita të komunikojë lirshëm me grupet e interesit. Të lëmë pas kapitullin e zymtë të moskomunikimit. Është e domosdoshme për sipërmarrjen që të flasë hapur, pa frikën se pasi flet i vjen shantazhi, presioni apo dëmi i radhës. Është e domosdoshme që edhe të gjitha forcat politike të dinë në detaje situatën ku ndodhet sipërmarrja”, tha Rama.

Kryesocialisti u shpreh më tej se “Sipërmarrja nuk ka ngjyrë politike, nuk duhet ndarë në vazhdën e ndarjes së përgjithshme që sot e pengon Shqipërinë të shkojë përpara, në blu dhe rozë”, tha ai. 

LOTARIA KOMBËTARE
Rama deklaroi gjatë punimeve të kësaj tryeze se do rishikojë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për Lotarinë Kombëtare. Nuk mund ta pranojmë, tha Rama, duke nënvizuar se do t’i kthehet publikut.

“Do rishikojmë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes. Nuk mund ta pranojmë Lotarinë Kombëtare, ku shqiptarët humbin çdo ditë e fitojnë po atë, këtë s’mund ta pranojmë, do ja kthejmë publikut”, tha Rama duke shtuar se vlera themelore mbi të cilën pretendon të ndërtojë rrugën e së ardhmes është liria. 

TAKSA PROGRESIVE
Lideri i opozitës e ndali vëmendjen e tij edhe tek taksa progresive, për të cilën tha se jo vetëm që nuk e kërcënon biznesin e madh, por e ndihmon atë, pasi duke lehtësuar taksat e shtresës së mesme ju jep atyre mundësinë të konsumojnë më shumë.

“Vlera e progresivitetit nuk ju kërcënon, ju mund të shërbeheni më mirë. Qeveria nuk ka bilanc, nxit frikën dhe pasigurinë referuar opozitës. Taksa progresive që ne kemi në planin tonë, në mesatare do ta ketë ngarkesën 8% j0 10%, do lehtësojë 90% të njerëzve të punësuar në këtë vend. Lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet tek ju, tek biznesi duke rritur konsumin. Këtë vit Shqipëria pati nivelin më të ulët të konsumit, që kur është vendosur taksa e sheshtë”, tha kryesocialisti. 

ARSIMI
Rama ka bërë të qartë para biznesmenëve që nuk është kundër arsimit privat në Shqipëri, por është kundër diplomave të pavlera. Ai tha se në programin e Rilindjes Kombëtare parashikohet sistemi i akreditimit të institucioneve.
“Jemi kundër atyre që e shohin studentin si klient. Do fusim në sistemin e akreditimit të gjitha universitetet si kudo në botë. Pastaj e njëjta gjë do ndodhë me shkollën e mesme, ku s’ka klikentelë, miq, kushërinj që kanë lidhje, por që ka vetëm një test që tregon cilësinë”, tha ai. 

SHËNDETËSIA
Kreu i PS dekloaroi ndër të tjera se në Shëndetësi do të aplikojë modelin anglez.
“Sot ka 1 milion shqiptarë të papunë. Këta të papunë janë të pasiguruar, me këtë sistem ju thuhet mos u sëmur se po s’pate lekë, mund të vdesësh dhe po u sëmure drejtohu zotit se doktorri do lekë. Ne i jemi referuar sistemit britanik, ku është shteti që e blen shërbimin dhe shërbimi i’u jepet të gjithëve sipas nevojës”, saktësoi Rama.

BIZNESMENËT 

IRFAN HYSENBELLI: BIZNESI DO KUADËR LIGJOR TË SAKTË 
Presidenti i ‘Hysenmbelliu Group’, Irfan Hysenbelli në fjalën e tij në tryezën e PS-së për biznesin e madh kërkoi një kuadër ligjor më të saktë për biznesin në mënyrë që të shmangen monopolet.

“Në lidhje me diskutimin e monopoleve, normalisht që ka pasur edhe kur keni qënë ju në qeverisje, një pjesë e atyre njerëzve janë edhe sot. Uroj që të përcaktojmë një draft ligjor që të mos ndodhë sic ka ndodhur në kohën e Bodes, që nuk konsultohet me biznesin, por edhe me Ramën kur u vendos 5 %-shi nuk u pyetëm. Mendoj se fjalimi është i mirë dhe ne e besojmë”,- theksoi Hysenbelli.

Ndërkohë duke ju referuar Lotarisë Kombëtare, biznesmeni Irfan Hysenbelli kërkoi konkurrencë të lirë në treg.
‘Sa i takon Lotarisë Kombëtare nuk besoj të jetë një shfaqje, pasi ata kanë qënë miqtë tuaj dhe kanë qënë miq në hije. Në komunikimet duhet të jemi më transparent, biznesi do kuadër ligjor të saktë që monopolet të mos krijohen. Konkurrrenca të jetë e lirë në treg. Nëse do aprovohet draft ligjor i saktë unë do jem mbështetës kryesor. Nëse drafti nuk do jetë i saktë, do jem pesimist”,- tha Hysenbelli.

Si përgjigje Rama theksoi: “Unë nuk kam qënë në qeveri dhe jam futur në PS se doja një PS sic duhet të jetë. Dhe në rast se i referohemi periudhës kur unë kam administruar Tiranën është bërë propagandë intensive për lejet e ndërtimit, por ka një fakt se në rreth mbi 1 mijë leje ndërtimi që ka dhënë Bashkia e Tiranës kur unë e drejtoja, janë mbi 300 subjekte që kanë marrë leje ndërtimit. Ndërsa sa i përket ekzistencës së monopoleve gjatë këtyre 7 viteve është agravuar problemi, ashtu sikundër ashkush nuk mund të pretendojë se në 1 mandat mund të zhduket korrupsioni”.

DHOMA E TREGTISË. DUHET TË MENDONI SISTEMIN E TVSH-së SË KONTROLLUAR
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ngriti nevojën e një paketë të re fiskale për ndërtimet, ndërkohë duke ju referuar taksës së propozuar nga socialistët, Jaka vlerësoi se duhet menduar për futjen e sistemit të TVSH-së.

“Lidhur me taksat si Dhomë Tregtie kemi kërkesa të hershme, qeveria aktuale apo opozita duhet të mendojë mirë futjen e sistemit të TVSH-së, pasi shumë sipërmarrës të mëdhenj thonë se malli i tyre nuk shoqërohet me faturë të TVSH-së nga bineznesi i vogël”,- theksoi Jaka.

BIZNES ALBANIA: DEBATE AKADEMIKE PËR TAKSËN PROGRESIVE
Drejtori i Biznes Albania, Luan Bregasi propozoi që opozita të ndërmarrë debate akademike para se të vendosë për taksën progresive.
“Unë mendoj se ka një nuancë të re në taksën progresive dhe ju keni bindjen se kjo mund të jetë më e mirë. Mendoj se duhet të ketë debate akademike. Taksa progresive mund të jetë e mirë, por duhet provuar me argumenta që ajo që propozoni ju është më e mirë”,- deklaroi Bregasi.

Bregasi vuri theksin tek përmirësimi i marrëdhënieve institucionale mes biznesit dhe qeverisë.
“Përmirësimi i marrëdhënieve institucionele me biznesin duhe të bëhet më mirë. Duhet marrëdhënie më e mirë mes sipërmarrësve dhe qeverisë. Duhet të krijohen këshilla sociale ekonomike. Ne kemi shprehur mendim të qartë duhet të ndahen kompanitë që vuajnë për shkak të krizës dhe ato që vuajnë për shkak të kapricos së drejtuesit. Opozita duhet të kenë program të qartë”,- tha Bregasi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 16:48

TIRANË – Kompania austriake “Austrian Lotteris” shpallet fituese e koncesionit për të menaxhuar Llotarinë Kombëtare.

Në një njoftim zyrtar, Ministria e Financave bëri të ditur se, Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve, ka renditur shoqërinë austriake përpara garuesit tjetër, “LTO Consortium”. Sipas njoftimit të këtij dikasteri, kompania austriake “Austrian Lotteries” është renditur e para me 90.7250 pikë, kundrejt kompanisë “LTO Consortium” që kishte 76.5750 pikë.

Tashmë licenca e të vetmes llotari kombëtare, për 10 vjet do të menaxhohet nga kompania austriake, e blerë për 3 milionë euro.

Operatori që fitoi licencën për llotari kombëtare do të paguajë tatim fitimin në masën 10%, taksat lokale, TVSH 20% për çdo blerje, 10% mbi çdo divident që do të tërheqë, do të paguajë 10% si tatim të mbajtur në burim ndaj çdo çmimi që do të shpërndajë, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore për të punësuarit. Si çdo biznes tjetër, kompania austriake do të paguajë 10% të xhiros së tij bruto si detyrim ndaj buxhetit dhe publikut për të drejtën për të zhvilluar këtë lojë, 0,5% të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj institucioneve shtetërore për monitorimin që ata do t’i bëjnë, si dhe do t’i kthejë publikut të paktën 50% të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve.

Gara për dhënien me koncesion të llotarisë kombëtare u kontestua nga të paktën dy shoqëri të huaja, për shkak të kritereve kufizuese që në vlerësimin e tyre kufizonin konkurrencën. Por, Ministra e Financave vijoi procedurat e tenderit duke arritur deri në shpalljen e fituesit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 12:58

Tiranë  – Kryesocialisti Edi Rama është frymëzuar nga performanca e ekipit britanik në Lojërat Olimpike Londër 2012, që u rendit në vendin e tretë për numër medaljesh të fituara, pas SHBA-së dhe Kinës.

“Shkëlqimi i skuadrës britanike ka në bazë financimin nga Lotaria Kombëtare”, shkruan Rama në Twitter, ndërsa premtoi se do të ndjekë të njëjtën strategji edhe për sportin shqiptar kur të vijë në pushtet.

Duke iu drejtuar atyre që i cilëson si “skeptikët mbi programin e PS”, Rama pohoi se “me Lotarinë Kombëtare në dispozicion të Sportit e Rinisë, ne do ta rilindim sportin shqiptar”.

Sipas numrit një të socialistëve, shembulli i Britanisë së Madhe mbi Lotarinë Kombëtare është rruga e duhur për t’u ndjekur.

Pak ditë më parë, Ministria e Financave ka shpallur fituesin paraprak të Lotarisë Kombëtare në Shqipëri, që është kompania austriake “Austria Lotteries”. Por opozita ka deklaruar shpesh herë se nuk do ta njohë këtë rezultat, duke akuzuar mazhorancën se ka shitur shumë lirë Lotarinë Kombëtare në kurriz të shqiptarëve, me qëllim për të mbushur xhepat e saj.

Lideri i PS-së, Rama ka shkuar edhe më tej, duke i shkruar një letër kancelarit austriak Werner Fyman, ku ftonte kompaninë me seli në Vjenë që të tërhiqej nga gara në Shqipëri, të cilën ai e cilësoi si jo transparente.

Në letrën drejtuar kancelarit austriak, Rama pohonte se “procesi për dhënien e Lotarisë Kombëtare është i manipuluar dhe shkon kundër interesit publik” shqiptar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 19:21

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shkruar sot një letër, Kancelarit Austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin në lidhje me tenderin e Lotarisë Kombëtare, i cili është dhënë në favor të një kompanie austriake.

Në letër, Kryetari i PS-së vë në dukje faktin se forca politike që ai drejton i është mirënjohëse qeverisë së Austrisë dhe biznesit austriak që investon në Shqipëri. Rama shkruan në këtë letër drejtuar Kancelarit të Austrisë, Faymann se, mbrojtja e interesit publik është themelore. “Duke patur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen tuaj se, në disa raste të ndryshme muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga qeveria aktuale shqiptare, për të dhënë një Licencë të Lotarisë Kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik.”

Lideri i opozitës po ashtu në letrën, dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS do i bëjë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, i cili shkon kundër interesave të shtetit shqiptar dhe publikut shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.

“Unë jam i mendimit se sjellja e tyre në rastin e tenderit shqiptar nuk ka qenë e të njëjtave standarde dhe se, ata nuk kanë arritur të aplikojnë të njëjtat kritere që respektojnë dhe përmbushin në Austri”, vijon letra e Kreut të PS-së.

Rama informon se do të ndërmarrë çfarëdo veprimi të mundur ligjor për të hetuar të gjithë procesin, trukimin e pretenduar dhe për të riparuar dëmin që i është shkaktuar publikut shqiptar përmes këtij akti të rëndë papërgjegjshmërie. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 July 2012 09:56

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, gjatë emisionit “Debat”, të gazetarit Alfred Peza se grupi parlamentar i PS-së do të votojë pro heqjes së imunitetit, pasi ai është varianti i PS-së, por thekson se ky votim nuk do të bëhet me 6 gusht.

Rama zbardh bisedat dhe mesazhet që ai ka këmbyer me ish-presidentin Topi dhe presidentin e ri, Bujar Nishani, gjatë ceremonisë në Presidencë. Ndërkohë, kreu socialist shprehet se do të jetë një nga kandidatët për deputetë në listën e PS-së, në 2013 dhe se në PS nuk do të ketë hapësirë për asnjë lëvizje që kërkon ta përçajë atë. 

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim? 
Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit. 

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni… 
Sigurisht sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë Kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës. 

Çfarë i thatë zotit Nishani në ato pak sekonda? 
Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

Po presidentit në ikje çfarë i thatë? 
Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

Meqë jemi tek ndryshimet Kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo? 
Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për t’u shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është i mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.

Do ta votoni më 6 gusht apo jo? 
Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet Kushtetuese të bëhen si një proces i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim Kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë. Tani kemi edhe një sërë propozimesh të tjera që presin të kalojnë në sitën e një diskutimi të hapur, transparent dhe me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë drejtpërdrejt lidhur me Kushtetutën, ekspertizë vendase, ekspertizë ndërkombëtare, institucione të drejtësisë dhe pastaj do të vijmë tek votimi i të gjithë këtyre propozimeve të marra sëbashku. 

A nuk do të ishte në ndihmë të statusit të vendit kandidat, votimi në 6 gusht i ndryshimeve të arritura deri tani dhe mos pengimi në shtator pastaj? 
Absolutisht 6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë të vendosur në mënyrë arbitrare nga njëra palë.

Në datën 6 gusht, grupi juaj parlamentar do të jetë në seancë? 
Ne, pa asnjë diskutim nuk do të lëmë asnjë rast pa vazhduar të ndaj me publikun vizionin dhe pikëpamjet tona për këtë proces ndryshimesh Kushtetuese, i cili duhet të jetë një proces me një fillim dhe me një fund. Fillimi është diskutimi tanimë i përfunduar për imunitetin dhe fundi është kryerja e të gjithë procesit të diskutimit për të gjitha ndryshimet e propozuara. Dhe pastaj, procesi përmbyllet me një votim për secilin prej ndryshimeve të propozuara. 

Dhe kjo nuk do të ndodhë në 6 gusht, dhe ju do të jeni në sallë? 
Ne do të jemi për të diskutuar në rast se ashtu siç e kërkon edhe logjika më e thjeshtë, 6 gushti mbetet në fuqi si një seancë që normalisht nuk ka pse të zhvillohet në kushtet kur nga njëra anë çështja e imunitetit është mbyllur dhe nga ana tjetër opozita ka thënë se nuk do të votojë më 6 gusht.

Shtatori është koha e mundshme që të bëhen të gjitha dhe të mos pengohet marrja e statusit? 
Absolutisht. Për sa i përket marrjes së statusit kjo është një çështje tjetër. Ne nuk e dimë kurrsesi që a do të mjaftojnë të gjithë këto për të marrë një reagim pozitiv nga Brukseli. Por, ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka është e mundur që ta marrim këtë reagim pozitiv. 

Pra, do të votoni pro edhe për heqjen e imunitetit pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese? 
Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera. Por, ndërkohë, publiku duhet të ndjekë këtë debat për të parë se në fakt këtu kemi një ballafaqim dy vizionesh krejt të ndryshme për shtetin dhe krejt të ndryshme për të nesërmen e këtij vendi. Kemi nga njëra anë vizionin tanimë të mishëruar në një shtet i cili jo vetëm po merr të gjitha konturet e një partie, por po shfaq dhe simptomat e një shteti policor me përgjimin e opozitës, madje edhe të diplomatëve të huaj, në një njësi ilegale përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes…

Përgjimet janë të vërteta të gjitha? Keni prova? 
Ne jemi absolutisht të mirinformuar dhe thjesht e vetëm fakti që Ministri i Mbrojtjes dhe qeveria refuzojnë të kontrollohen në rrugën Kushtetuese dhe ligjore nga parlamenti i Shqipërisë, nga deputetët e opozitës dhe nuk provojnë dot ndërkohë të kundërtën, mjafton për të vërtetuar se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Përgjohet opozita që prej shkurtit të vitit 2011 nga një njësi përgjimi të ngritur ilegalisht në Ministrinë e Mbrojtjes me një aparaturë të blerë në mënyrë korruptive. Madje se edhe kur bëjnë diçka të fshehtë edhe atyre duan që përveçse të bëjnë të pabërën si në rastin konkret, por edhe të fitojnë lekë. Janë përgjuar edhe diplomatë të huaj të nivelit të lartë. Ka pasur përgjime edhe në periudhën kur negociohej për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Zoti Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013. E shikoni si shqetësim? 
Jemi një vend demokrat, ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por nuk ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS. 

Po si do t’u përgjigjeni atyre zërave që bashkëpunoni me Milon, bashkëpunimi me Ngjelën, bashkëpunoni apo uluni në tryezë dhe me Berishën, por nuk bashkëpunoni dot me Nanon? 
Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Kocin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleat opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cënon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët, e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme në bashkëpunim me të gjitha partitë dhe të gjitha lëvizjet që janë krijuar dhe që mund të krijohen, dhe që janë të mirëpritura në një koalicion të madh opozitar.

 Pra, mirëprisni edhe Nanon? 
Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që nuk mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar. Ndërkohë që e përsëris, asnjë lëvizje përçarëse brenda PS-së nuk do të gjejë as kohë dhe as vend në PS.

Dakord, por si do t’ju thoni atyre që akoma kanë jo vetëm nostalgji për ish kryetarin…? 
Ky është një kapitull i mbyllur. Sqarimet janë dhënë të plota dhe unë besoj që sot PS s’ka as kohë dhe as arsye t’u referohet nostalgjive, por duhet të shfrytëzojë çdo sekondë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme duke parë nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.

A jeni penduar zoti Rama për darkën në Gjirin e Lalzit?
Unë as nuk jam penduar dhe as nuk kam arsye të pendohem për asgjë që kam bërë dhe bëj në shërbim të aspiratave të mia dhe të aspiratave të forcës politike që unë kam nderin e madh të udhëheq, që përputhen me aspiratën e madhe të vendit. Përpjekja ime ishte një përpjekje e bërë me zemër dhe mendje të kthjellët për të ndërtuar një proces dialogu me të gjithë kundërshtarët. Për sa i përket kryetarit të LSI-së, historia e përbashkët me dritë dhe me hije e bënte të mundur edhe një takim informal jo në një mjedis publik. E shfrytëzova këtë mundësi për t’i dhënë gjithçka mundesha dhe mundeshim procesit që synonim të ndërtonim dhe që shpresonim të realizohej për të mirën e vendit dhe jo për interes të Partisë Socialiste.

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013? 
Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim. 

Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës KuqeZi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion? 
Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.

PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat? 
Nuk e kam këtë informacion. Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike, sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar dhe për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate. 

Ju a do të kandidoni këtë herë. Do të jeni i pari i listës? 
Nuk kam asnjë arsye që të mendoj për vendin në listë, jo se jam kryetari i partisë, por se nuk mendoj që numrat në listë janë renditje sipas vlerës. Për më tepër po të shikoni eksperiencat e vendeve që kanë procese zgjedhjesh me lista rajonale vendosin në fillim edhe njerëz krejt të rinj për arsye të ndryshme. Por, sigurisht që do të jem një nga kandidatët, patjetër si të gjithë të tjerët.

Çfarë do të bëni me lotarinë kombëtare, kur të vini në Qeveri? 
Lotarinë kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Është një e drejtë e publikut e cila i grabitet publiket dhe nga një lojë që e organizon shteti për të nxjerrë përfitime që kthehen në investime për publikun, kryesisht në ato fusha ku interesi publik është shumë i madh dhe qëllimi nuk është fitimprurës, në kuptimin financiar. Ne kemi identifikuar dy fusha, sportin për të gjithë dhe sportin në tërësi, dhe rininë. Ndërkohë që këta e kanë kthyer në një bixhoz ku fusin të gjithë popullin në lojë, populli do të nxjerrë lekët dhe përfitimet do t’i marrin këta. Do t’i marrin ortakët në biznes të kryeministrit, të Ministrit të Financave dhe të gjithë atyre të tjerëve që janë mbrapa kësaj historie. Kjo është një gjë e pashembullt, është një rrjepje e publikut, është një piramidë pa interesa, as në fazën e parë. Hidhni lekë ju shqiptarë për këtë bixhoz se lekët do t’i marrim ne. Ata që janë para dhe prapa skenës së këtij grushti të fortë ndaj interesit publik. Jo, nuk ka! Qeveria do të marrë mandat nga populli për të reaguar ndaj kësaj poshtërsie dhe për të vënë në vend këtë të drejtë.

Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me ambasadorin amerikan, Arvizu? 
Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 17:05

Tiranë – Ashtu sikurse dhe ishte përfolur në media fituesi i tenderit për lotarinë kombëtare është Kompania austriake Austria Lotteries. Ministria e Financave shpalli sot renditjen paraprake të dy kompanive në garë ku të parët ishin austriakët kurse kompania e dytë LTO Consortium.

Fituesi përfundimtar pritet të shpallet pas rreth një muaji, pasi sipas procedurave ligjore aplikuesit kanë të drejtën e animimit.

Në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ku oferta e parë ishte ajo e lotarisë kombëtare të Austrisë, ndërsa e dyta vjen nga një konsorcium i përbërë nga 3 kompani, lotaria italiane “Lottomatica”, qipriotja “GTech” dhe çekja “Synot”. Tre kompanitë e konsorciumit që ka bërë ofertën e dytë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Tenderi për lotarinë kombëtare ishte nga më të kontestuarit në vend jo vetëm për sa i përket numrit të ulët të kompanive pjesëmarrëse, vetëm dy për një tender kaq të rëndësishëm, por dhe per faktin tjetër se dy kompani mjaft të njohura në fushën e lotarive, ajo greke Intralot dhe ajo turke Inteltek, i kanë dërguar letra publike ministrit të Financave, Ridvan Bode, mbi një seri shkeljesh sipas tyre të konstatuara në tender.

Disa prej këtyre shkeljeve janë mospërcaktimi i një oferte financiare për tenderin si dhe mospërcaktimi gjithashtu i një çmimi dyshemeje. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin e qeverisë është një vlerë prej 500 milionë lekësh ekuivalente me rreth 3.5 milionë euro që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit. Ndërkohë që në Maltë e njëjta licencë është dhënë për një vlerë prej 39 milionë eurosh.

Dhe kjo ndërkohë që vetëm një licencë 3G qeveria e shiti 31.4 milionë euro dhe çmimin minimal për pjesëmarrje në garë e kishte 12.5 milionë euro.
Një tjetër pretendim i kompanive ka qenë dhe ai se Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare kanë paracaktuar fituesin. Sipas këtyre kompanive, një sërë dokumentesh që kërkohen në këtë tender mund të ofrohen nga një numër i limituar kompanishë, duke përjashtuar një sërë firmash të tjera me eksperiencë në këtë fushë.

Një tjetër shkelje ishte shpallja e konsulentit – kompanisë suedeze QI OT CONSULTING – 2 muaj pasi qeveria miratoi kriteret.

Ajo që rëndom u cilësua skandal me tenderin e lotarisë kombëtare u denoncua dhe nga opozita, jo vetëm përmes debateve të ashpra në Kuvend. Në një deklaratë të tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS më 26 qershor, kreu i PS Rama kërkoi madje dhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 July 2012 21:00

Austri – “Austrian Lottery” kompania pretendente për të marrë licencën e Lotarisë Kombëtare në Shqipëri është tashmë nën hetim zyrtar për korrupsion.

Bosi i saj Fridrich Shtikler, i cili mban njëkohësisht edhe postin e presidentit të Shoqatës Europiane të Lotarive Shtetërore është thirrur para Komisionit Antikorrupsion të parlamentit austriak, për të dëshmuar në lidhje me disa veprime të dyshimta të kompanisë në vitin 2006.

Kompania është vënë nën hetim për disa pagesa të dyshimta te kryera ndaj politikanëve me qëllim për të penguar liberializimin e tregut të bixhozit në Austri gjatë vitit 2006. Në atë kohë dy forcat politike që qeverisnin austrinë OVP dhe BZO ndërmorën një nismë ligjore për të zbutur monopolin në industrinë e bixhozit.

Por ligji dështoi pasi zoti Shtikler kishte kontaktuar me disa drejtues të të dy partive. Gjatë dëshmisë në komisionin antikorrupsion të mbajtur javën e kaluar shefi i “Austrian Lottery” pranoi se ka folur në telefon me politikanë dhe zyrtarë të qeverisë për këtë çështje, por sipas tij kjo ishte fillimisht për t’u informuar me atë që po ndodhte dhe më pas për t’u shpjeguar zyrtarëve pasojat dramatike që ligji do të sillte në industrinë e bixhozit.

Por gjatë hetimeve kanë dalë në shesh fakte të reja. Dyshimet më të mëdha lidhen me një pagesë prej 300 mijë eurosh që “Austrian Lottery” ka bërë për llogari të një agjencie pranë partisë në pushtet,e cila kishte propozuar ndryshimet ligjore. Pagesa e justifikuar nga “Austrian Lottery”, si shpërblim për një studim mbi tregun e bixhozit ka bërë që të lindin dyshime të mëdha. Prokurorët që po hetojnë cështjen e kanë quajtur studimin e pretenduar “si një punë amatorësh, që nuk mund të vlente kurrësesi 300 mijë euro” dhe sipas tyre “është paguar të paktën 20 herë më shtrenjtë nga vlera reale”. Zoti Shtikler pranoi se ishte ai që ka firmosur mandatin e pagesës, por e quajti atë thjesht një transkasion normal duke mohuar akuzat se përmes këtyre parave ka patur për qëllim të blejë politikanë.

****************************
“Austrian Lottery” është kompania që vazhdon të mbajë monopolin e gjithë industrisë së bixhozit në Austri, pavarësisht kritikave të forta të Bashkimit Europian ndaj qeverisë austriake për të liberalizuar tregun. Kompania tashmë është bërë e njohur edhe në Shqipëri si pretendetja kryesore për marrjen e licensës së Lotarisë Kombëtare, në një garë me vetëm dy konkurentë për shkak të kufizimeve të forta të qeverisë. Ministria e Financave iu është përgjigjur akuzave mbi kriteret shtrënguese të tenderit nën pretendimin se ato ndalojnë futjen e konkurentëve të dyshimta në garë, duke lejuar vetëm ato kompani që kanë një reputacion të pacënuar, sipas saj siç është dhe “Austrian Lottery”.

Friedrik Shtikler përveçse zëvendësdrejtori i “Austrian Lottery” është dhe president i Shoqatës Europiane të Lotarive Shtetërore. Qeveria shqiptare ju drejtua pikërisht këtij shoqate për konsulencë në tenderin e Lotarisë. Pas kërkesës, shoqata e drejtuar nga zoti Shtikler i rekomandoi qeverisë një nga konsulentet e saj ligjor. Qeveria thotë se ishte ky konsulent që e këshilloi atë të mos e vendos çmimin si kriter në tenderin e Lotarisë, ku më vonë do të garonte pikërisht “Austrian Lottery”, kompania e zotit Shtikler. (T.Ch) 

 
Lajme Shqip Monday, 16 July 2012 19:30

Tiranë – Ministri i Financave më herët tha se paratë e munguara nga shitja do kompensohen përmes taksave të larta ndaj kompanisë fituese. Por a është taksa bruto 10 për qind e lartë dhe si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera?

Lotaria Kombëtare e Austrisë, njëra nga dy konkurrentet që po garojnë për të marrë licensën në Shqipëri, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë euro. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi Lotarinë Kombëtare, njëra quhet ‘tarifa e licensës’, ndërsa tjetra ‘tarifa e basteve’.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj, Lotaria Austriake pagoi vetëm për këto dy taksa 447 milionë euro ose 15.4 për qind të xhiros totale. Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë viti për vit 3 për qind të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Vitin e kaluar për këtë zë Lotaria Kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera.

Në total të dy detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2 për qind të xhiros. Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me Lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera qe ajo paguan si çdo biznes tjetër si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,  Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit.

Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëtën xhiro në Shqipëri sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretondon se janë të larta” Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën.Detyrimet e vetme që ajo do paguajë janë dy taksa të lidhura me aktivitin e llotarisë, ajo prej 10 për qind si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5 për qind si pagesë për mbikëqyrjen.

Në total me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5 për qind të xhiros ose gati dy herë më pak se sa në Austri.

Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë se kompania që do fitojë Lotarinë do të taksohet fortë. Përkundrazi, përvecse po ja shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë euro, qeveria i bërë edhe favor tek taksat kompanisë që do fitojë licencën e llotos, në një nga tenderat më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri.

Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si cmime për lojtarët. Në Austri kompania ndan 70 për qind të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen dhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3 për qind. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licënsës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet t’i kthejë lojtarëve përmes çmimeve. (T.Ch)

12