Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 16:53

Zyrtarët e PDK’së janë duke planifikuar t’i shkarkojnë nga pozitat partiake Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, të cilët kanë dalë hapur kundër partisë së Hashim Thaçit. Në këtë formë, PDK pritet që pas zgjedhjeve lokale t’i lirojë Limajn e Krasniqit nga pozita e anëtarit të Kryesisë dhe në vend të tyre t’i emërojë Sokol Bashotën e Nexhat Demakun, shkruan Express.

 

Në këtë mënyrë, PDK po përgatitë shkarkimin e lehtë të dy prej ish-themeluesve kryesorë të PDK’së. “Limaj e Krasniqi do të zëvendësohen me Kryetarin e Klinës, Sokol Bashotën dhe me Kryetarin e Drenasit Nexhat Demakun”, ka thënë një zyrtar i PDK’së për Express. Zyrtarisht në PDK nuk kanë dashur të flasin për Limajn dhe Krasniqin, të cilët po bëjnë fushatë në përkrahje të iniciativave të themeluara nga ish-anëtarët e PDK’së.

 

Sekretari i PDK’së, Basri Musmurati nuk ka dashur të flas në lidhje me planet e PDK’së për t’i liruar Limajn e Krasniqin nga pozitat partiake. Por, para një muaji, Musmurati pati deklaruar se s’kanë kohë të merren me dy ish-themeluesit e PDK’së. As anëtarët e Kryesisë aktuale të PDK’së nuk kanë dashur të flasin për këtë plan të partisë. “Pyetni Nënkryetarët e PDK’së”, ka thënë Zenun Pajaziti, anëtar i Kryesisë së PDK’së. As Nënkryetarët e PDK’së nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Express për të treguar nëse do t’i largojnë dy anëtarët e Kryesisë së partisë. Sidoqoftë, Limaj dhe Krasniqi kanë dalë publikisht kundër PDK’së dhe po përkrahin nismat qytetare, të themeluara nga ish-anëtaret e Partisë së Hashim Thaçit. Aktualisht, Limaj është deputet, ndërsa Kransiqi udhëheq Kuvendin. Në zgjedhjet e fundit partiake, Limaj e ka humbur pozitën e Nënkryetarit të Parë të PDK’së, ku pastaj është emëruar Kadri Veseli. Në pozitën që e ka mbajtur Jakup Krasniqi prej themelimit të PDK’së e ka zënë Basri Musmurati. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 10:39

 

Fatmir Limaj pati buzëqeshur fort në nëntor të vitit 2007 kur ecte prapa Hashim Thaçit në Sheshin 21 në Prishtinë. Kënga që dëgjohej në sfond ishte ‘The final countdown’ e hit grupit ‘Europe’. Numërimi mbrapsht për ndarjen e këtyre dy njerëzve fillon gati katër vjet më vonë. Fundi duket se është tani.

Njerëzit kryesor të PDK-së në atë kohë po vinin të dilnin para turmës që i priste për ta festuar fitoren e parë të PDK-së në zgjedhjet nacionale. Limaj kishte humbur për pak garën në Prishtinë por i gëzohej faktit se do të bëhej ministër. 

Kur u formua qeveria e re nga PDK-ja dhe LDK-ja, Limaj mori një nga ministritë me më së shumti para, atë të Transportit dhe Telekomunikacionit.
E nisi me hov të madh punën në MTPT duke shtruar shumë rrugë, deri në projektin për autostradë Prishtinë – Durrës, kontrata e të cilit u kontestua shumë nga ana e shoqërisë civile dhe partive opozitare.
Thaçi mbronte punën e tij, e edhe Limaj të qeverisë. Madje në një rast, Kryeministri Thaçi ia shkarkoi një zv. ministër Limajt, Naser Osmanin (LDK), i cili tha në Kuvend ‘t’psh**i në Qeveri!’ e Limaj u rrok keq me fjalë me të. Pak orë më pas Thaçi e shkarkoi Osmanin.

Por miqësia mes ‘Gjarprit’ dhe ‘Çelikut’ do të merrte teposhtën në vitin 2010 kur EULEX-i i hyri me të madhe ministrisë që drejtohej nga Limaj, pasi po e hetonte atë për korrupsion e akuza të tjera. 
Thaci nuk foli shumë. U takua me shefin e EULEX-it në atë kohë dhe u pajtuan që këtë punë të ia lënë në dorë drejtësisë. E Limaj, tha se ‘nëse edhe një cent dëshmohet se është marrë nga ai ose dikush i afërm i tij, atëherë do të jepte vetëm ai përgjegjësi’.
Në publik kishin dalë fjalë se Limaj nuk i fliste Thaçit pasi kishte llogaritur në mbrojtje më të madhe publike  nga shefi.

Në vitin 2011, qeveria PDK dhe LDK u rrëzua dhe sërish PDK-ja doli e para. Limaj nuk u bë ministër, dhe për këtë, fajtori kryesor ishin ambasadat e huaja.
Pas kësaj Limaj lëshon më haptas idhnimin e tij, duke kritikuar Qeverinë në të cilën s’ishte ai, shpesh në media e shpesh në Kuvend. 
Limaj dhe Thaçi më s’po shiheshin bashkë dhe nuk dilnin as në përurim rrugësh. 

Kur po afrohej fundi i vitit 2012, në shesh dalin përgjime telefonike të Adem Grabovcit, që ishte dikur Zv. ministër i Limajt, me kreun e PDK-së Thaçin, Kadri Veselin, Vlora Çitakun e Sami Lushtakun. 

Thaçi në njërën nga to i quan ‘banditë’ ekipin e Limajt në Malishevë. Fjalë jo bash të hijshme u folën edhe për Jakup Krasniqin. Edhe ky nga ai moment filloi të ndahej nga kolegët e partisë.
Limaj nuk dilte shumë në publik përgjatë gjithë këtyre muajve. Gjykata e vendoste atë ose në paraburgim, ose arrest shtëpiak. 

Kur gjykata e shpalli të pafajshëm, të martën e kaluar, Çeliku doli dhe takoi qytetarët. Të gjithë e pritën një javë dhe spekuluan për të ardhmen e tij në PDK.

Sot ai buzëqeshi në Palestrën Sportive në Malishevë. Thaçi nuk ishte aty. Limaj tha se ‘njerëzit duhet të votojnë për ndryshime demokratike në Kosovë’. Deklarativisht e tha se e mbështet në Malishevë, Iniciativën Qytetare të dalë nga PDK-ja. “The final countdown” nuk u lëshua. Ndoshta sepse ai ka përfunduar tashmë. /reporteri/

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 09:15

(E plotësuar)

 

Gjyqtari i EULEX-it Makom Simmone ka vendosur që Fatmir Limajt ti vazhdohet arresti shtëpiak edhe për dy muaj. Kjo masë parashihet edhe për nëntë të  tjerët të përfshirë në rastin “Kleçka”. 

Vendimi është marrë për të pamundësuar ndikimin në dëshmitarë, 

 

————————————————

Prishtinë – Sot skadon arresti shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij, të cilët janë të përfshirë në rastin “Kleçka”. Ndërkaq, i mbetet kryetarit të trupit gjykues të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së arrestit shtëpiak.

Tomë Gashi, avokat mbrojtës i deputetit Fatmir Limaj ka thënë se pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak për Limajn dhe të tjerët, trupi gjykues në rastin “Kleçka” do të shqyrtojë këtë çështje.
“Pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak është në kompetencë të kryetarit të trupit gjykues të vendosë për vazhdimin ose jo të masës së arrestit shtëpiak. Mendoj se vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është i panevojshëm. Por, në rast se kryetari i trupit gjykues është për vazhdimin e kësaj mase, natyrisht se ne do ta kundërshtojmë dhe do të ankohemi ndaj një vendimi të tillë”, ka thënë Gashi, duke vlerësuar se kthimi i masës së arrestit shtëpiak ka qenë lojë, raporton Express.
Më 7 qershor kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, Malkom Simons, kishte marrë vendim për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij.
Ndërkohë që, të premten që lamë Gjykata e Apelit në Prishtinë mori vendim që Limajt e të tjerëve t’u kthehet arresti shtëpiak.
Ndryshe, vitin e kaluar Gjykata e Qarkut në Prishtinë, tani e Apelit, kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për rastin “Kleçka”. Po të njëjtin vit Gjykata Supreme kishte marrë vendim ta kthejë komplet në rigjykim rastin “Kleçka”.

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 13:57

Prishtinë – Ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore ndaj Limajt dhe të tjerëve në rastin e MTPT’së.Gjyqtarja e rastit ka paralajmëruar se Gjykata pritet të shpallë vendimin për konfirmim apo jo të aktakuzës në mesin e muajit korrik të këtij viti.Mbrojtja e Limajt tha se Prokurori i rastit shkeli dispozitat ligjore kur ia la në dorë intervistimin e të akuzuarve një këshilltari ligjor.Avokati Tomë Gashi për me tepër e quajti prokurorin Picket të pa sens juridik, raporton Express. Gashi foli lidhur me dispozitat ligjore, të cilat përcaktojnë qartë se prokurori duhet të marrë në pyetje të pandehurit dhe jo këshilltari i tij ligjor.Derisa tha se Prokurori ka bërë shkelje me formën e intervistimit të të akuzuarve.“Mua po më pëlqen çdo ditë e më shumë stili i prokurorit për arsye se atë që është duke e thënë ai, nuk ka kurrfarë sensi juridik. Pra nuk ka bazë ligjore për atë çfarë po thotë prokurori, dhe më së paku është duke i ndihmuar gjykatës”, ka thënë Gashi para pak minutash para gjykatës.Pas fjalës së gjyqtares, mbrojtja në rastin e MTPT’së ka shprehur shqetësim lidhur me faktin se në periudhën e intervistimit, të akuzuarit janë marrë në pyetje nga këshilltari ligjor e jo nga prokurori siç është dashur.Avokatët e quajtën këtë mënyrë të intervistimit antiligjore, meqë sipas Kodit të Proceduarës Penale , një gjë tillë nuk lejohet.“Këshilltari ligjor s’mund ta ushtrojë autoritetin e prokurorit, pasi prokurori është ai i cili bënë hetime dhe interviston. Pra kjo ka qenë e paligjshme”, ka thënë avokati Tahir Rrecaj.Prokuroi Picket është mbrojtur duke thënë se, pyetjet kanë qenë të përgatitura paraprakisht.“Ka qenë një listë me pyetje që është bërë”, ka thënë prokurori kur është pyetur nga kryetarja e turpit gjykues.Kryetarja e trupit gjykues Adamska Gallant është interesuar rreth rrjedhës së bastisjes së shtëpisë së Fatmir Limajt në Çagllavicë.Prokurori Picket ka thënë se kur e kanë kuptuar se ekzistonte edhe një objekt tjetër atëherë policia ka ushtruar kontrollin mbi atë objekt dhe po ashtu edhe më vonë ka kërkuar një urdhër të ndryshuar verbal.“Ne fillimisht kemi lokalizuar vendin pastaj kemi bërë kontrollin”, ka thënë Picket.Në këtë i është kundërpërgjigjur gjyqtarja duke e pyetur: “Pse nuk mund të prisnit që bastisja të kryhet me një urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake? Ne anën tjetër nuk e keni bërë kontrollin për të cilin e keni pas lejen me shkrim?”.Prokurori, Johanes Picket ndërkaq i tha se në atë kohë prokurori kryesor i lëndës e ka marr atë vendim vet, dhe në bazë të strategjisë së tij ka bërë kontrollin.Për bastisjen e shtëpisë së tij ndërkaq ka reaguar edhe Fatmir Limaj.“Do të ishte me interes për gjykatën, nuk është shkuar për të shikuar nëse është shtëpia ime , por janë prezantuar para vajzës time me një urdhër për bastisje”, tha Limaj.”Bastisja në Çagllavic ka ndodhur me 50 policë të maskuar. Mi kanë izoluar fëmijët, aty në ato momente nuk kemi qenë as unë, e as gruaja. Këta njerëz e kanë ditur saktë se ku unë banoj”, shtoi Limaj.Ndërsa tha se Prokuroria dhe Policia nuk kanë shkuar për të vërtetuar nëse është shtëpia e tij. “Qëllimi i policisë së EULEX’it ka qenë bastisja.Kjo bastisje ka ndodhur edhe me kamera, për të prezantuar këtë spektakël”, ka thënë Limaj.

 

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 14:45

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1” është mbajtur seanca e rradhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së, në të cilën pritej të shqyrtoheshin kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të akuzës.

Pjesa e parë e senacës gjyqësore ka përfunduar për të vazhduar në ora 13:45. Fatmir Limaj, Deputeti I Kuvendit të Kosovës kërkoi që në këtë proces gjyqësor nga trupi gjykues, palët të jenë të barabarta.

Gjatë paraqitjes në seancën gjyqësore, Limaj, tha se pas shumë torturave që I janë bërë atij dhe familjes së tij, tani ka ardhur koha që të dëgjohet zëri I tij.

“Jemi palë të barabarta dhe ju kisha lutur që të na respektoni dhe të na trajtoni si të barabartë. Kërkoj që të ma jepni rastin të flas, këtë të drejt ma garanton Kushtetuta. Ju lus që të respektohet barazia dhe mos të na futni në kohën e kufizuar. Unë dhe familja ime jemi torturuar që katër vite, dhe tani është koha që të dëgjohet zëri ynë”, tha Limaj, duke shtuar që në pjesën e dytë të seancës t’i jepet mundësia të flas, raporton “Epoka e re”.

Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues tha se janë duke respektuar të drejtat e të gjithëve.

Avokati i Limajt, Karim Khan në përfundim të fjalës së tij ka kërkuar që të përfundoj sa më shpejt ankthi i Limajt, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend dhe të hedhet poshtë aktakuza dhe sipas tij të ndërpritet kjo çmenduri.

Kurse, gjykatësja pas përfundimit të fjalës së Khanit tha se, është këtu për ta vënë drejtësinë. 

 
Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 15:07

PRISHTINE – Pas vendimit të Gjykatës Supreme për shqiptimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj deputetit Fatmir Limajt dhe tre ish- bashkëluftëtarëve të tij, faqja zyrtare e EULEX-it, http://eulex-kosovo.eu/ është sulmuar nga hakerat.

“Liri për çlirimtarët!!” thuhet në fillim të tekstit të postuar. “Nëse jeni për të na mbrojtur, nëse jeni për të na ndihmuar, nëse jeni për të mirën e vendit tonë, atëherë ju kishim lutur të jeni të tillë. Deri sot asnjë ditë nga ardhja juaj në këtë vend nuk ka qenë e mirë për shtetin tonë, deri sot keni bërë vetëm të këqija në këtë vend, deri sot nuk na keni ndihmuar, deri sot vetëm na keni arrestuar, deri sot vetëm na keni përçarë, deri sot vetëm na keni bërë të ndihemi keq, deri sot jeni munduar të njolloseni luftën e drejt të Ushtrisë sonë çlirimtare-UÇK-së.”- shkruajnë hakerat kosovarë.

Më tej në tekstin e postuar prej tyre nënvizohen edhe kërcënime ndaj EULEX-it.

“Nëse z.Fatmir Limaj dhe të gjithë luftëtarët e lirisë nuk lirohen nga akuzat edhe përfundimisht të jenë të lirë, ne jemi te detyrum të bëjmë publik gjitha marrëveshjet e ndyta që i kemi. Edhe një herë po e ceki, nëse nuk lirohen të gjithë ata që kanë luftuar me plot të drejt për çlirimin e vendit, atëherë do jeni shumë në telashe. Çfarë do publikojmë…Çdo e-mail zyrtar i cila është shkëmbye mes jush dhe shtet serb. Çdo e dhënë personale e secilit anëtar të Inteligjencës së EULEX-it, e din EULEX-i për çfarë po shkruajmë”,- thuhet në tekstin që mban mbishkrimin Kosova Hackers Security.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 22:43

Kërkohet sërish masa e arrestit shtëpiak për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Avokati i tij, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se rikthimi i kësaj mbase është kërkuar nga prokurori i çështjes, Maurisio Salustro, pas vendimit të gjykatës për vazhdimin e procesit gjyqësor për njësitet komanduese të UÇK-së, transmeton Top channel.

Rrecaj tha se ka proceduar menjëherë me një kërkesë në gjykatë se shqiptimi i masës së arrestit është i panevojshëm, dhe se nuk ka bazë ligjore për këtë.

Në ditët në vijim pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në të cilën do të vendoset edhe për këtë çështje.

Limaj ishte liruar nga arresti shtëpiak pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për t’i shpallur të papranueshme dëshmitë e dëshmitarit të vdekur Agim Zogaj. ex

 
Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 12:31

Prishtinë (PLOTESUAR, 9 shkurt, 16:00) Është refuzuar kërkesa e prokurorit Salustro për të arrestuar Fatmir Limaj dhe trupi gjykues sapo ka vendosur që ish ministri të mbetet në arrest shtëpie.

Trupi gjykues ka vendosur që arresti i shtëpisë të vazhdojë edhe për 2 muaj të tjerë nën masa të rrepta sigurie, çka përfshin faktin se nuk do të përdoren më automjete civile por vetëm të policisë apo automjete zyrtare të organeve të sigurisë.

Në rast shkelje të këtyre masave, prokurori ka paralajmëruar se do të urdhërojë arrestimin e Limaj.

***********************

Prishtinë (PLOTESUAR 9 shkurt, 13:50)-Një burim i portalit LajmeShqip.com thotë se Prokurori Salustro ka kërkuar sot arrestimin dhe paraburgosjen e ish ministrit të transporteve Fatmir Limaj.

Burimi saktëson se në ora 15:30 pritet të merret vendimi nëse do të arrestohet dhe paraburgoset Fatmi Limaj apo jo.

***********************

Prishtinë (PLOTESUAR, 9 shkurt 13:15) Prokurori Maurizio Salustro nuk do të thirret si dëshmitar në rastin Kleçka, raportoi pak më parë KTV-ja. Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtes për ta thirrur italianin të dëshmojë rreth akuzave kundër tij, të ngritura nga dy prej dëshmitarëve kryesorë, Agim Zogaj dhe bashkëshortja e tij, Ganimete Thaçi.

Sipas kryesuesit të panelit të gjyqtarëve, vendimi është marrë në bazë të nenit 1.5.8 të Kodit Penal të Kosovës, se nuk janë përmbush kushtet për ta thirrur Salustron si dëshmitar.

Po ashtu në seancën e sotshme të rastit “Kleçka”, është shtyrë gjykimi për 28 shkurt, pasi gjyqtarja vendore e panelit, Shqipe Qerimi, është e sëmurë dhe e ka të pamundur të marrë pjesë.

Në seancën e radhës do të diskutohet për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e provave të dëshmitarit X. Mbrojtja e Limajt ka propozuar që si dëshmitar në këtë fazë të thirret eksperti grafolog nga Shqipëria. Prokurori ka kundërshtuar, duke thënë se trupi gjykues nuk është i plotë dhe vendimi s’mund të merret.

**************************

Prishtinë-Pas shtyrjes të seancës së radhës një ditë më parë të shqyrtimit gjyqësor në rastin “Kleçka”, procesi ka rinisur sot në orën 10 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Në seancën e sotme pritet që trupi gjykues i përbërë nga dy ndërkombëtar dhe një vendor, të japin vendimin e tyre për thirrjen ose jo të prokurorit të këtij rasti, Maurizio Salustro, në cilësinë e dëshmitarit.

Ne seancën që u mbajt të martën, mbrojtja paraqiti

argumentet se pse prokurori Salustro duhet të thirret në cilësinë e dëshmitarit.

Për këtë çështje mbrojtja mbështetet në faktin se në ditarin e dëshmitarit “X”, tashmë i ndjeri Agim Zogaj, ka shkruar se prokurori Salustro e ka keqtrajtuar atë gjatë marrjes në pyetje si dhe në një padi që e ka ngritur ngaj prokurorit edhe gruaja e “X”-it, Ganimete Thaçi-Zogaj.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Karim Khan e ka konsideruar të domosdoshme për ecurinë e mëtejshme të procesit marrjen në pyetje të prokurorit duke shprehur madje edhe gatishmërinë që ta bëjë këtë edhe në një seancë të mbyllur.

Po ashtu ai ka deponuar para trupit gjykues një tjetër dokument që është pranuar si provë e që ka të bëjë me letrën e Agim Zogajt të nëntorit të vitit të kaluar që ngrit akuza kundër Salustros.

Vetë prokurori ka thënë se duhet të thirret si dëshmitare bashkëshortja e Zogajt për ta sqaruar çështjen e kësaj letre si dhe nëntë ish bashkëpunëtor të tij të EULEX-it përktiazi me akuzat, por ai nuk ka nevojë që të dëshmoj.

Nëse trupi gjykues merr vendim për thirrjen e Salustros si dëshmitar, atëherë ai automatikisht sipas mbrojtjes duhet të përjashtohet nga udhëheqja e këtij rasti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 16:29

Prishtinë – Ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj nuk janë shkruar nga një dorë, por nga katër duar. Sipas një ekspertize të kryer në Tiranë nga një ekspert i kësaj fushe, ka rezultuar se dorëshkrimet që akuzonin Fatmir Limajn nuk janë vetëm të një dore. Ekspertiza është bërë me kërkesë të avokatëve të Fatmir Limajt, Karim Khan dhe Tahir Rrecaj të cilët po e sfidojnë tashmë me këtë fakt akuzën e nrtiur nga prokurori Maorizio Salustro.

Portali LajmeShqip.com, më herët kishte publikuar ekskluzivisht Videoinçizimin e dhënë nga Agim Zogaj, alias “dëshmitari X” si dhe pjesë tjera ekskluzive të këtij rasti. Publikimi i plotë me titullin: “Ekskluzive: Dëshmitari X, dëshmia që kurrë s’u dëgjua (I, II, III)”

Portali kishte publikuar ekskluzivisht edhe dosjen me të cilën akuzohet Fatmir Limaj dhe të tjerët për rastin “Kleçka”, të cilën mund ta lexoni këtu.

Analiza që është kryer nga eksperti Hysen Korti mbi katër letra të Agim Zogajt konstaton se ato nuk janë vetëm të një autori. Portali LajmeShqip.com po publikon ekspertizën e plotë në gjuhën shqipe.

Eksperti në sqarimin e tij shkruan se tek secili prej katër dokumenteve materiali shkrimor në formë teksti me shkronja fillimisht, u kontrollua në tre faza,  me sy të lirë me lente dhe mikroskop. Nga analizat, rezulton se ato janë dorëshkrime të lira, pa shenja falsifikimi teknik.

Më tej u ekspozuan sipas metodës se ekspertimit grafik të dorëshkrimeve kryesisht ne videoprojektor dhe me skaner në monitor dhe rezulton se në tërësinë e vet materiali shkrimor tek secili dokument pasqyron karakteristika të përgjithshme të veçanta te cilat duke qenë të rralla e të qëndrueshme i bëjnë ato me vlera individualizmi.

Ne fazën e ekzaminimit të veçuar për secilin prej tyre u evidentuan karakteristikat e përgjithshme e të veçanta shkrimore si: shkalla mbi mesataren e përpunimit të shkrimit dhe ritmit të të shkruarit, shkalla mesatare e lidhjes, pjerrtësi përgjithësisht djathtas, uniformitet madhësie e shtrirje mesatare të cilat individualizojnë plotësisht autorët dorëshkrues të tyre dhe shërbejnë për të realizuar krahasimet e kërkuara.

Dokumenti i pare, objekt eksperimenti specifikuar “A”, është shkruar përgjithësisht me shkronja kapitale, por aty-këtu, shfaq edhe shkronja të vogla të dorës dhe tek tre dokumentet e tjera specifikuar “B”, “C” dhe “D” megjithëse të shkruara përgjithësisht me shkronja të vogla të dorës, pasqyrohen edhe shkronja të variantit kapital. Në këtë gjendje, ato paraqesin mundësi krahasimi ndërmjet tyre me njëra tjetrën.

Nga ekzaminimi krahasues ndërmjet dorëshkrimit në të katër dokumentet, objekt ekspertimi me njëri-tjetrin gjenden disa prej karakteristikave shkrimore si të përgjithshme dhe të veçanta të kundërta ndërmjet tyre të cilat për lehtësi perceptimi, në tabelën fotografike janë specifikuar me shigjeta të numërtuara e ngjyrosura në mënyrë korresponduese.

Si përfundim, bazuar tek rezultatet e përfituara gjatë ekzaminimit të kryera katër dokumenteve objekt ekspertimi të cilat na janë vënë në dispozicion, pyetjes se parashtruar i jam përgjigjur nëpërmjet këtij konkluzioni: Katër dokumentet – nuk duhet të jenë shkruar nga i njëjti person, por duhet të jenë shkruar nga katër persona të ndryshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 21:51

Prishtinë – Misioni EULEX nuk ia ka hequr imunitetin prokurorit Maorizio Salustro për të dëshmuar se si e kishte trajtuar dëshmitarin X.

EULEX-i ka thënë se personeli ndërkombëtar i EULEX-it ka imunitet ndaj proceseve gjyqësore të vendit, dhe ky imunitet diplomatik është dhënë nga autoritetet e Kosovës. Kjo është standarde për misionet e këtij lloji. Nëse autoritetet vendore dëshirojnë të ndjekin penalisht ndonjë anëtarë të personelit për shkak të shkeljes së ligjit, mund të bëhet kërkesë për heqje të imunitetit dhe për këtë vendosin autoritetet ndërkombëtare.

Imuniteti i misionit dhe personelit është i rregulluar me ligjin vendor për imunitetin e misioneve diplomatike, ndërsa imuniteti i prokurorëve është i rregulluar me ligjin vendor për prokurorin e shtetit, neni 23 për imunitet ku thuhet se “Prokurorët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni për veprimet e ndërmarra, vendimet e marra, apo mendimet e shprehura që janë brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”. (LajmeShqip.com)