Lajme Shqip Friday, 01 March 2013 17:23

Prishtinë –  Konkursi për aplikim për veteran të luftës së UÇK-së është shtyrë edhe për dy javë, mirëpo kjo do të vlejë vetëm për ata që i kanë marrë deri dje aplikimet.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i Komisionit për Verifikim e Veteranëve, Agim Çeku. Ai ka thënë se deri dje kanë aplikuar 51 835 veteranë.

Bëhet e ditur se kanë aplikuar 4489 invalidë të luftës dhe 2 597 familje të dëshmorëve.

Çeku ka njoftuar se librezën e veteranit të luftës do ta marrin edhe pjesëtarët e FARK-ut.

Menjëherë pas luftës është thënë se në luftë të drejtpërdrejtë të UÇK-së kanë marrë pjesë më së shumti rreth 23 mijë ushtarë, tani del një numër mbi dyfish më i lartë, duke të kujtuar sloganin trimërues “E gjithë Kosova UÇK”! (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 13:58

Prishtinë – Më shumë se 47 mijë kosovarë pretendojnë se kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose kanë ndihmuar këtë strukturë në forma të ndryshme. Kështu është konstatuar nga Komisioni Qeveritar për Vlerësimin e statusit të veteranit të UÇK-së. Ndërkaq nesër përfundon afati i aplikimit.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, tha për Radio Kosovën se çdo kush që ka kontribuar në çlirimin e vendit ka të drejtë të aplikojë për statusin e ish ushtarit të UÇK-së.

Ai tha se vetëm një ditë para përfundimit të afatit të aplikimit për njohjen e statusit të veteranit, dëshmorit, invalidit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK së gjithsejtë janë marrë 50 mijë aplikacione, ndërkaq nëpër organizatat në gjithë vendin janë dorëzuar rreth 47 mijë aplikacione të cilat do të verifikohen nga Komisioni qeveritarë për këtë çështje.

Sipas Xhemajlit kërkesa më e madhe ka qenë për njohjen e statusit të veteranit.

Xhemajli bëri të ditur se tani Komisioni Qeveritar për Vlerësimin e statusit të veteranit të UÇK-së do të punojë dy muaj rresht për të bërë verifikimin e këtyre aplikacioneve.

Ndërkaq tha se të gjithë ata që do ta kenë të njohur statusin e veteranit, invalidit apo dëshmorit, listat do të jenë publike ku do të mund ta marrin edhe qytetarët listën për të dhënë vërejtjet e tyre nëse vërtet dyshojnë në ndonjë rast.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 21:28

Prishtinë – “Ne Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, njoftojmë opinionin se tërhiqemi nga Këshilli Organizues për shënimin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga institucionet shtetërore – Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe komunat”, thuhet në komunikatën për medie të OVL – UÇK-së.

Tutje në komunikatë thuhet se, mospjesëmarrjen në këto aktivitete e bëjmë pa dëshirën tonë por jemi të detyruar për shkak se institucionet e vendit, i anashkalojnë ata të cilët me mundin, sakrificën, gjymtyrët e jetët e tyre, janë më meritorët për shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Ishte e paraparë që në marshin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me FSK-në të marshojnë edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç bëhet në të gjitha vendet e lira e demokratike, në festat me rëndësi kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht vendimi që në këtë marsh të mos marrin pjesë veteranët e UÇK-së, tregon servilizmin e institucioneve ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe atyre që UÇK-në e kanë halë në sy”.

Pas këtij vendimi që shkel vlerat e luftës, ne vendosëm që aktivitetet tona për nder të kësaj dite, t’i shënojmë ndaras nga ato të institucioneve, përfundon komunikata.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 15:52

Prishtinë – Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, njoftojnë se tërhiqen nga Këshilli Organizues për shënimin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga institucionet shtetërore – Presidenca , Kuvendi, Qeveria dhe komunat.

“Mospjesëmarrjen në këto aktivitete e bëjmë pa dëshirën tonë por jemi të detyruar për shkak se institucionet e vendit, i anashkalojnë ata të cilët me mundin, sakrificën, gjymtyrët e jetët e tyre, janë më meritorët për shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të organizatave të luftës.

Më tej në komunikatën theksohet se ishte e paraparë që në marshin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me FSK-në të marshojnë edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por siç thuhet, “fatkeqësisht vendimi që në këtë marsh të mos marrin pjesë veteranët e UÇK-së, tregon servilizmin e institucioneve ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe atyre që UÇK-në e kanë halë në sy”.

Shoqata e dala nga lufta thonë se kanë vendosur që Ditën e pavarësisë ta shënojnë ndaras nga ato të institucioneve.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 15:14

Prishtinë – Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova” kanë reaguar me rastin e paraburgimit të deputetit Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij pas kthimit të rastit “Kleçka” në rigjykim.

“Të shtunën në mënyrë mashtruese dhe duke u anashkaluar të gjitha procedurat ligjore, katër bashkëluftëtarëve tanë iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh në orët e vona të mesnatës. Ne, bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit jemi tepër të indinjuar me rastin në fjalë, ngaqë kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtësisë, në veçanti të drejtave të njeriut, të cilët u futën brenda në mënyrën më mashtruese të mundshme. Bashkëluftëtarët tanë janë të pafajshëm, pafajësinë e tyre e ka vërtetuar gjykimi fer i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë në maj të këtij viti, me shpalljen e vendimit lirues nga të gjitha akuzat, kështu që asnjëherë nuk mund të pajtohemi me vendimin e Gjykatës Supreme që këtë rast ta kthejë në rigjykim. Tendencat e vazhdueshme të prokurorit Salustro, që me çdo kusht bashkëluftëtarët tanë t’i fusë në burg, edhe pse argumentet kanë treguar të kundërtën në maj të këtij viti, mirëfilli dhe ashiqare shihet se kemi të bëjmë me ndërhyrjet politike në drejtësi”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se kjo nuk është drejtësia perëndimore, mision ky që EULEX-i e ka në Kosovë.

“Vizita e shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, në Beograd, si dhe reagimet e zyrtarëve të Beogradit, në veçanti e kryeministrit Daçiq ndaj vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, tek ne nxjerr në pah prapë “Gjahun e shtrigave të EULEX-it ndaj ushtarëve të UÇK-së”. EULEX-i para dy-tre ditësh liron si të pafajshëm serbin Bulatoviç kinse në mungesë të provave dhe në vend që EULEX-i të reagojë ndaj kriminelëve në veri, ai hap një proces ndaj Limajt dhe bashkëluftëtarët të tij, duke i shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe e tërë kjo bëhet për t’i kënaqur apetitet e Beogradit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, veprimet tepër të nxituara për ta kthyer lëndën në Gjykatën Supreme brenda javës, arrestimet dhe shqiptimi i masës së paraburgimit për këtë rast lënë dyshime të mëdha në drejtësi ngaqë deri më tani nuk kemi asnjë rast të tillë të njohur në praktikat e drejtësisë.

“Këto veprime të drejtësisë, thuhet në reagim, lënë për të kuptuar se liria e qytetarëve të Kosovës, në veçanti e ushtarëve të UÇK-së, është e pasigurt. Andaj kërkojmë me ngulm që masa e paraburgimit të hiqet menjëherë. Ne tani nuk mund të besojmë në këtë drejtësi, sepse ka kaluar në ndjekje politike dhe kjo na kujton të kaluarën e regjimit serb. Prandaj, bëjmë thirrje publike që për shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të deklarohen aktorët kryesorë të vendit: Presidentja, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministri i Drejtësisë, kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetari i Gjykatës Supreme, të cilët kanë përgjegjësi institucionale dhe politike para qytetarëve të vendit”, theksohet në reagimin e nënshkruar nga ish-Komanda e Brigadës 121 “Kumanova”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 21:00

PRISHTINË.- Në Mitrovicë është zbuluar busti i dëshmorit, Musa Hoti, në shkollën fillore që mban emrin e tij. 
Zbulimin u bë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati bashkë me Rifat Jasharin, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, ministrin e Diasporës, Ibrahim Makollin, përfaqësuesin e prindërve, Ylber Durmishi etj. Në organizimin për zbulimin e bustit kanë marrë pjesë edhe veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, familjarë të dëshmorit e mysafirë të shumtë nga vendi e diaspora.    
Zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës bën të ditur se, paraprakisht në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” u mbajt një akademi përkujtimore. Të pranishmit vlerësuan lartë veprën e dëshmorit, Musa Hoti, i cili u quajt edhe si hero i mërgatës shqiptare.
Kryetari Kastrati, shprehu kënaqësinë e tij për bustin e dëshmorit. “Veprimtaria atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, e bëjnë Hotin një figurë të shquar në historinë e re kosovare. Si i tillë ai ishte shndërruar në një katalizator të lëvizjeve ilegale që bëheshin nga djemtë e zgjedhur. Në të njëjtën kohë ai ishte bërë halë në syrin e atyre që e donin këtë tokë pa shqiptarë”, tha ai.
Kastrati, theksoi se Hoti, i cili ishte rritur dhe kalitur në një familje të lidhur ngushtë me fatet e popullit, herët e kishte zgjedhur rrugën e tij. “Ai kishte ndjekur vullnetin e njerëzve që donin të jetonin të lirë në vendin e tyre. Ai kishte ndjekur rrugën e babait të tij, Dautit, bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës”, tha kryetari i komunës së Mitrovicës, i cili
në fund i uroi familjarëve dhe qytetarëve të Mitrovicës emrin e ri të shkollës dhe bustin e dëshmorit, Musa Hoti.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 18:35

Prishtinë – Mijëra qytetarë të Skenderajt kanë protestuar të hënën në sheshin “Adem Jashari” kundër arrestimit të tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Rrustem, Hetem dhe Sabit Geci, duke kërkuar nga EULEX-i lirimin e menjëhershëm të tyre.

Ata mbanin në duar pankartat me mbishkrime “Liri për çlirimtarët”, “EULEX, ke humbur rrugën”, “Kriminelët janë në veri”, “Rrustemi, Hetemi, Sabiti, të pafajshëm”, etj. dhe brohorisnin, “UÇK, UÇK”.

Hysni Ngucati, kryetar i degës së Organizatës së Invalidëve të Luftës në Skenderaj, ka thënë se forcimi institucional i FSK-së, është bërë halë në sy të atyre që ende e shohin Kosovën pjesë të Serbisë.

“Le ta kenë të qartë të gjithë tradhtarët se kot e kanë të përpiqen për ta ndalur ritmin e FSK-së, tani të pranuar edhe ndërkombëtarisht”, theksoi Ngucati.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të hutohet tepër dhe të humb kohë për t’i përmbushur standardet, por duhet t’i përmbushë standardet që populli i Kosovës i kërkon.

“Standard mbi standard është interesi i Kosovës, e ai interes po rrezikohet në mënyra më banale dhe në vazhdimësi, duke cenuar vlerat e UÇK-së, vlera të cilat u fituan me gjak”, ka thënë mes tjerash Ngucati.

Ai ka thënë se EULEX-i e ka humbur rrugën, sepse në Drenicë nuk ka kriminelë, por ata janë në veri të Mitrovicës.

Lirimin e të arrestuarve, në emër të banorëve të Llaushës e ka kërkuar edhe kryetari i këtij fshati, Faik Geci. Ai ka thënë se arrestimet e fundit janë bërë me qëllim të denigrimit të vlerave të luftës dhe me qëllim të njollosjes së saj.(Express/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 18:28

Prishtinë – “Siç e dimë, tash e 11 vite përfundoi lufta e UÇPMB-së, e cila luftë u bë për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, si :Bujanoci, Medvexha e Presheva të cilat mbetën padrejtësisht nën thundrën e Serbisë dhe mbetën të pushtuara.

Misioni luftarako-çlirimtar i UÇPMB-së ishte një vazhdimësi e misionit të çlirimit të atdheut, të cilin mision e nisën liridashësit tanë para shumë vitesh, e që u konkretizua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Të gjithë e dimë se edhe gjatë viteve të shtatëdhjeta të gjitha Organizatat që kanë vepruar në ilegalitet, e gjeri tek formimi i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kemi bërë betimin, e kemi bërë për çlirimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Atëherë shtrohet pyetja: pse sot të kemi këso ndarje në njohjen apo mos njohjen e librezave të asaj apo kësaj ushtri, kur dihet se që të gjitha ishin çlirimtarë”, thuhet në letër.

“Pas çlirimit të Kosovës, një pjesë e madhe e ushtarëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK-së vazhduan misionin e tyre për çlirimin e atdheut: pra, në Kosovën Lindore, për çlirimin e këtyre tri komunave shqiptare. Disa nga të rënët si dëshmorë janë të lindur dhe të rritur në Kosovë, por tani nuk u njihet e drejta të jenë dëshmorë të Kombit me të vetmin ‘faj’ se kanë rënë në luftën e UÇPMB-së”.

“Vatra” shkruan se pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇPMB-së u detyruan të largohen për në Kosovë, pasi që regjimi serb i pengoi në realizimin e një jete normale dhe të sigurt, e herë-herë shkoi gjerë në arrestimin e torturimin e tyre (siç është rasti i Shemsi Nuhiut, Grupit të Gjilanit apo së fundi grupi i Bujanocit).

“Kjo dëshmon se regjimi serb këta çlirimtarë i ka në shënjestër të përhershëm, dhe për ta në Kosovën Lindore nuk ka siguri, madje iu është pamundësuar jeta normale. Duke pas parasysh të gjitha këto të dhëna që u cekën më lartë, ne kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, e sidomos nga Komisioni për përpunimin e Ligjit të Veteranëve të Luftës, të merren parasysh kërkesat e të përfshihen në ligj edhe këto kategori që ishin pjesë e UÇPMB-së”.

“Vatra” kërkon që ish pjesëtarëve të luftës së UÇPMB-së t’u njihet statusi i dëshmorëve, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj lufte, “pasi që këto kategori kanë mbetur jetime dhe nuk përkujdeset askush për to”.

“Ne shpresojmë se duke i barazuar me ligj të gjitha kategoritë e luftërave për çlirim Kombëtar, drejtësia do të bie në vend. Fundja, dëshmorët nuk i pranojnë kufijtë artificial që i kanë vendosur të huajt”! (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 October 2012 17:48

Prishtinë – Deputeti i Partisë demokratikë të Kosovës, Azem Syla, ka mbajtur një konferencë për media në të cilin edhe zyrtarisht ka deklaruar se hetimet ndaj tij që janë zhvilluar për më shumë se dy vite janë mbyllur nga Prokuroria e EULEX-it.

Ai tha se vazhdimisht ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren me këtë rast dhe u bë mirë që janë marrë dhe ky është epilogu i atyre hetimeve tha Syla . Hetimet e EULEX-it ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla janë ndërprerë me 25 të këtij muaji . Syla ka qenë i përmendur disa herë në rastin Bllaca,kinse kishte dhënë urdhra për disa vrasje të pasluftës.

Kjo është një e mirë edhe një e mirë për vet shokët e mi vet Azemn Sylen ,familjen ,rrethin shokët dhe gjith popullin se nje genjeshter që doli para dy vitesh ,këto të thëna kanë qenë shpifje genjeshtra .

Per mendimin tim kanë qene të qarqeve të caktuara coftë serbe apo të tjera të liga ndaj shqiptarëve andaj është një e mirë që e verteta dhe ato që janë thënë para dy vjetesh shpifje dhe genjeshtra dolën të tilla.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:58

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, prej sot do të udhëheqë Komisionin Qeveritar për seleksionimin e veteranëve të UÇK-së, duke zëvendësuar kështu Azem Sylen, i cili dha dorëheqje nga ky post.

Çeku, i cili ishte komandat i përgjithshëm i UÇK-së dhe TMK-së, vjen në krye të këtij komision pasi mori votat e të gjithë komandantëve të zonave të UÇK-së gjatë një takimin që ata kanë pasur me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli. Komisioni që do ta udhëheqë Çeku është themeluar në fillim të këtij viti, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Vlerat e Luftës dhe ka për qellim të kualifikojë dhe të nxjerrë numrin e saktë të veteranëve të UÇK-së.(LajmeShqip.com)