Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 14:48

Prishtinë – Ligji i amnistisë që u miratua kohë më parë në Kuvendin e Kosovës e që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Kështu, transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle, në një storje të transmetuar në emision “Europa Sot “, thekson se ligji i amnistisë kërcënon të vë në pikëpyetje të gjithë punën e EULEX’it në Kosovë.
Mediumi gjerman, rikujton se ligji fillimisht ishte menduar për Veriun e Kosovës, ku lulëzon kontrabanda dhe krimi i organizuar. Por, aty theksohet edhe dëshira e elitës kosovare të korruptuar dhe të zhytur në evazion fiskal, për ta amnistuar edhe vetën.
“Amnisti tingëllon bukur edhe në Parlamentin e Kosovës, të dominuar prej shqiptarëve. Deputetët kanë miratuar një ligj amnistie, i cili vlen jo vetëm për serbët në Veri, por edhe për aktet penale në mbarë Kosovën. Madje, një ligj edhe për vet deputetët. Elita e Kosovës është e zhytur në korrupsion në evazion fiskal dhe kriminalitet të organizuar. Por për të vendosur paqen e qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës, ishte në radhë të parë BE që ushtroi presion për këtë ligj” thuhet në storjen e DW.
Po ashtu, përmendet tregtia ilegale me produkte farmaceutike në Kosovë, që thuhet se është një ndër bizneset kriminale me qarkullimin më të lartë të parave.
“Por, tani mafia kosovare e shëndetësisë mund të shpresojë tek amnistia për falsifikuesit e dokumentave”
Ndërkaq, potencohet edhe rasti i ish – Sekretarit të Ministrisë Shëndetësisë Ilir Tolajt, që mund të përfitojë nga amnistia, sikurse edhe ai ish -Kryetarit të Ferizajt Bajrush Xhemajli, që kishte shkaktuar aksident duke lënë të vdekur një kosovar.
DW ka rikujtuar se tani ligji ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, por se ka pak shpresa të ndryshojë
“Por askush nuk beson se kjo instancë do ta rrëzojë atë, të gjithë janë pro Qeveria, Parlamenti dhe tek e fundit edhe Bashkimi Europian”.

 
Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 11:32

Prishtinë – Shoqëria civile ka organizuar protest para Kuvendit të Kosovës, për të kundërshtuar ligjin për amnisti. Sipas tyre, ky ligj amniston kriminelët në veri dhe në jug.

Ron Gjinovci, organizator i protestës, ka thënë se qytetarët nuk janë duke e kuptuar mirë domethënien e këtij projektligji, sepse sipas tij po ta kuptonin mirë, do ta kundërshtonin atë në një masë më të madhe, raporton K.Press.

Ndërsa, Shpend Kursani, nga KIPRED, ka thënë se vjedhja e votës ka bërë që të shkohet në negociata, të arrihet kjo marrëveshje dhe ky projektligj që është kriminal për qytetarët e saj.

Sipas tij, qytetaret ndihen të pasigurt pas miratimit të projektligjit, pasi do të jenë gjithmonë nën kriminelet e amnistuar.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve mos ta votojnë projektligjin, ndërsa nëse ata e votojnë do t’i bëjnë thirrje presidentes të mos e dekretojë këtë ligj.

Ata paralajmëruan se në orën 20:00, para ministrisë se Kulturës, do të organizojnë bashkëbisedim me qytetaret për t’iu treguar për dëmet që i ka ky ligj.