Lajme Shqip Saturday, 05 January 2013 21:47

Deklarata e kryeministrit shqiptar Sali Berisha për krijimin e një Lige Mbarëkombëtare të futbollit për Shqipërinë dhe Kosovën, është pritur disi me skepticizëm. Pavarësisht pranimit se teorikisht një gjë e tillë mund të realizohet, të gjithë janë në pritje të zgjidhjeve politike, para se të ndërmerren hapa sportivë.

Kuptohet që për momentin, FIFA dhe UEFA nuk e lejojnë një gjë të tillë në bazë të rregulloreve të tyre, e për të dalë disi nga situata, të gjitha palët mundohen t’ia lënë pamundësinë e krijimit të këtij kampionati ndërkombëtar në dorë njëra-tjetrës, për të mos dalë bllof para tifozëve që e kanë kërkuar me kohë një gjë të tillë.

Ministri përgjegjës për sportin në Kosovë, Memli Krasniqi, ka lënë gjithçka në dorë të palës shqiptare. “Besoj se homologu im, Aldo Bumçi, do të marrë hapat konkretë. Të bëhet një propozim dhe pastaj, konform modaliteteve të mundshme dhe në koordinim me federatat përkatëse, pasi ato janë përgjegjëse për organizimin e garave, të marrim hapat e nevojshëm”, ishin fjalët e Krasniqit për mediat rreth kësaj teme.

Ndërkohë, presidenti i FFK, Fadil Vokrri, ka bërë të qartë se kjo fillimisht është një çështje politike, para asaj sportive, duke bërë të qartë se drejtuesit e futbollit në Kosovë e Shqipëri janë të gatshëm për unifikimin e kampionatit.

“Kjo është një ide e vjetër. Ne e mirëpresim rikthimin e kësaj ide nga ana e kryeministrit Berisha, por jam skeptik se mund të bëhet realitet, sepse FIFA nuk lejon krijimin e një ligë të tillë”, tha ai për KosovaPress. “Megjithatë, nëse politika kryen punën e vet, atëherë ne jemi të gatshëm që për 24 sekonda të realizojmë krijimin e një ligë të përbashkët, edhe pse unë jam skeptik në këtë drejtim”.

Ndërkohë, presidenti i FSHF, Armand Duka, deklaroi se ideja është diskutuar dhe mbështetur edhe më parë, por pengohet zbatimi i saj nga FIFA dhe UEFA.

“Dëshira e madhe për t’u bashkuar në futboll has një pengesë ligjore pasi statuset e organizmave ndërkombëtare e ndalojnë një gjë të tillë”, shpjegoi ai duke shtuar se si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, FSHF ka të drejtë të organizojë aktivitete kombëtare vetëm brenda territorit të Shqipërisë.

Kjo situatë ku të gjitha palët presin zgjidhje nga një palë tjetër, është pikërisht ajo me të cilën është përballur pak kohë më parë presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili hodhi idenë e unifikimit të kampionateve, ose mundësisë së pjesëmarrjes së skuadrës së tij në kampionatin shqiptar të futbollit, pa marrë një përgjigje konkrete, megjithëse i dërgoi kërkesën e tij edhe krerëve të shtetit shqiptar.

“Ideja është e mrekullueshme. Ky është një moment historik, edhe pse deklarata ka qenë e mëhershme. Por kjo mund të jetë edhe marketing politik, ashtu sikurse ishte ideja e portit të Shëngjinit apo ajo e pasaportave shqiptare. Gjithsesi, do të ishte e mrekullueshme nëse kjo realizohet”, tha Ejupi për mediat duke komentuar idenë e Ligës Mbarëkombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 17:53

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2013, ka propozuar që futbolli shqiptar dhe ai kosovar të bashkohen, për të krijuar Ligën Mbarëkombëtare.

Ndonëse një iniciativë e tilla është propozuar shpesh nga individë, grupime tifozësh apo edhe organizata shoqërore e politike të ndryshme në Shqipëri e Kosovë, ajo nuk ka marrë mbështetje. Për më tepër, institucionet që drejtojnë futbollin në Shqipëri e Kosovë, FSHF dhe FFK, nuk kanë qenë dakord me unifikimin e futbollit shqiptar në këtë aspekt, duke nxjerrë si pretekst jo vetëm vështirësitë logjistike e infrastrukturore, por edhe mungesën e mbështetjes nga UEFA e FIFA për zhvillimin e një aktiviteti të tillë.

Por kjo nuk ka penguar kryeministrin shqiptarë të marrë seriozisht idenë e bashkimit të shqiptarëve, të paktën në këtë aspekt.

“Zoti Ministër i Kulturës, këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga Mbarëkombëtare e Futbollit. Uluni dhe bëjeni projektin bashkë me ministrin kosovar. Tifozi i Mitrovicës të vijë të shohë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica. Nëse rregullat përkatëse e lejojnë, të përfshihen të gjitha skuadrat në një kampionat mbarëkombëtar. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit, për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh”, ishin fjalët e kryeministrit shqiptar, i cili në fakt nuk është një njohës i mirë i futbollit siç e tregon fakti që ai ka shkelur rrallëherë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndonëse banon dhe punon vetëm 200 metra larg tij.

Edhe premtimet e bëra për futbollin shqiptar nga kreu i qeverisë nuk është se janë mbajtur, pasi është ende i gjallë premtimi i tij para presidentit të UEFA-s, Mishel Platini dhe para drejtuesve të njohur të futbollit botëror, për stadiumin ri kombëtar për të festuar 100 vjetorin e Shqipërisë. Ky premtim, jo vetëm që nuk është mbajtur, por stadiumi i vjetër vazhdon të qëndrojë i paprekur aty ku ka qenë që prej ndërtimit të tij, për arsye burokratike nga më të ndryshmet. (LajmeShqip.com)