Lajme Shqip Sunday, 31 March 2013 20:41

TIRANE – Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.
Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë.

Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, herzegovinas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.

Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)

Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.

Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.

Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA, F.Shtabi i Përgj.)
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)
Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH-së për Korpusin I:
“Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën. im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (AQSH, Fondi 14)
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSH, F.14)
Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit, e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare.
Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.

E. Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)

Në muajin nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI ( brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik, Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Në 3 mars 1945 ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të Përgjithshëm)

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…” (AQSH, Fondi.181, d.45)
Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)
Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i masakrës së Tivarit.
Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak.

Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Divizionit V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V dhe VI te ushtria jugosllave.
Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës.
Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë.

Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, F.14, d.206, v.1945)
Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945)
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje..
Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.

Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria? Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare’”- konstatonte Zekeria Cana.

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.( Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411)
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191)
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e K.Xoxes, 1949)
Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koci Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.

Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.

Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare.

“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini, – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”( A.Hajdini, Letër e hapur)
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj.

“Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (A.Hajdini, Masakra e Tivarit)
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.
Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë.
Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç.

Edhe nga kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.
Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës. Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale hoxhiste, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.

Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur.
Ndaj edhe është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona.
Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish.
Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.

Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian. (GSh/BW/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 10:16

TIRANE– Komunistët do të kërkojnë ringritjen e bustit të Enver Hoxhës, aty ku ai ka qenë në vitin 1991, në qendër të Tiranës. Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë së Riorganizuar, Marko Dajti tha në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se, nëse kjo nuk arrihet të bëhet me një kërkesë drejtuar Këshillit Bashkiak, do të bëhet me referendum popullor. 

Zoti Dajti, ju pritet t’i kërkoni Këshillit Bashkiak të Tiranës rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës, aty ku ka qenë para 22 vitesh, në qendër të kryeqytetit. Pse? 
Është e vërtetë që ne do kërkojmë të ngrihet busti i Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, sepse e meriton. E dëgjuat për librin që ka bërë zoti Ngjela, libër i cili tregon se gjërat kanë filluar të ndryshojnë, kanë filluar të kuptojnë dhe mendojnë se erdhi koha për një gjë të tillë. Por ne po presim t’u dalë frika edhe disave që janë të stepur për të folur për Enver Hoxhën. 
Kush janë këta që duhet të flasin? 
I pari është Berisha që duhet të flasë se ka qenë sekretar partie, ka mbaruar shkollën e partisë, është edukuar me frymën e partisë dhe të Enver Hoxhës. Por do presim. Ndoshta kjo nismë mund të bëhet edhe para zgjedhjeve. Enver Hoxha do të mbetet heroi kombëtar i Shqipërisë, ashtu siç ishte Skënderbeu. Ne duhet të jemi më të shpejtuar se sa vendet perëndimore. Nuk është çudi që vendet perëndimore do ta vlerësojnë vetë figurën e Enver Hoxhës, për arsye se atë që bëri Enver Hoxha në vitin 1961, që u shkëput nga Traktati i Varshavës, nuk kishte asnjë shtet i vendeve të Lindjes të bënte atë që bëri ai dhe Partia Komuniste. Pra, vendet perëndimore besoj që duhet t’i jenë mirënjohës udhëheqësit tonë legjendar, shokut Enver Hoxha, që i kurseu në vit rreth 3 miliardë e 700 milionë dollarë që NATO harxhonte për të ruajtur brigjet e Adriatikut nga baza ruse që ishte në Pashaliman. Kurse Enver Hoxha i përzuri pa ndihmën e askujt, mbajti edhe 4 nëndetëse, pra ngriti lart dinjitetin e popullit shqiptar, e kombit shqiptar, por mbi të gjitha shpëtoi edhe Perëndimin. E la Perëndimin të qetë të ecte në rrugën e tij. 
Ndërkohë që sot (dje) në “Qytetin Studenti” u festua rënia e bustit, ju kërkoni ringritjen e tij. Mendoni që kjo do arrihet, ndërkohë që në Këshillin Bashkiak të Tiranës shumicën e ka Partia Demokratike? 
Kjo do jetë e vështirë, por ne mund ta realizojmë këtë edhe me firma, me referendum. Kjo ka edhe rrugë të tjera. Ne e dimë që është e vështirë, por mund të realizohet. Kjo është një nismë e jona, që shumë shpejt do ta vëmë në zbatim. 
Mendoni që 22 vite janë të mjaftueshme për ta risjellë edhe një herë figurën e Enver Hoxhës në ato parametra ku ka qenë? Unë mendoj se i ka kaluar koha. Duhet të ishte bërë më përpara. Ju e shikoni ku është katandisur Shqipëria. Ne edhe këto 20 vite që kemi kaluar, mos harroni që kemi jetuar me pasurinë që kishte vënë Enver Hoxha dhe mbi të gjitha, mos harroni një gjë që është tepër e rëndësishme: nëse sot ka zhvillim Shqipëria, nëse shqiptarët kanë ditur t’i mbijetojnë kësaj pseudodemokracie është meritë e drejtpërdrejtë e Enver Hoxhës, sepse la një popull të arsimuar, që di të përballojë dhe di t’u përgjigjet sfidave të kohës për të jetuar. Imagjinoni në çfarë gjendjeje do të ishin shqiptarët dhe Shqipëria, nëse Enver Hoxha do të kishte lënë një popull të paarsimuar, siç e la Ahmet Zogu. 
Veçse vënia në vend e personalitetit të Enver Hoxhës, çfarë të mire do t’u sillte shqiptarëve rivendosja e bustit aty ku ishte? 
Shumë të mira do sillte për shqiptarët. Të paktën hija e tij do kthente kulturën e shqiptarëve si një popull i qetë, si një popull që do largohej nga streset. Edhe politikanët nuk do bënin këto gjëra që bëjnë sot, nuk do vidhnin kaq shumë sa ç’vjedhin sot, sepse do kishin frikë edhe nga hija e tij, besoj. Enver Hoxha, politikanët që shëndosheshin shumë, që kalonin peshën 90 kilogramë i çonte të nxirrnin krom në minierë për Shqipërinë. Pra, kjo do ishte edhe një frikë për politikanët e sotëm. 
A keni kërkuar mbështetjen e zotit Rama për këtë nismë, meqënëse jeni edhe aleatë në zgjedhjet e 23 qershorit? 
Do të bisedojmë edhe me Ramën, me të cilin jemi aleat në këto zgjedhje. Nuk e di do të na mbështesë apo jo, por do kërkohet edhe mbështetja e tij. Ne do kërkojmë mbështetjen e popullit shqiptar.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 08:00

Tiranë-Promovimi i librit “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut të hënën në mbrëmje në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, u shoqërua me një interes të jashtëzakonshëm të personaliteteve më të larta të vendit, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministrit Fatos Nano, përfaqësuesve të njohur të politikës, medias, artit, trupit diplomatik, etj.

Por pavarësisht natyrës letrare të evenimentit, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nuk ka lënë mënjanë batutat e tij politike.

Ndërsa bisedoi me deputetin e Partisë Socialiste Kastriot Islami, duke iu referuar përjashtimit të tij nga Partia Sociliste, në mënyrë ironike Berisha i bëri ftesë Islamit të bashkohej më grupin e tij parlamentar.

“Hajde nga PD-ja, se ne nuk të përjashtojmë,” i tha kryeministri Berisha Islamit.

Ndërkohë gjatë promovimit, Berisha bisedoi dhe shtrëngoi duart edhe me ish kryeministrin dhe ish kreun e Partisë Socialiste Fatos Nano, me të cilin shkëmbeu gjithashtu disa batuta. Ai ka krahasuar Edi Ramen dhe Kastriot Islamin me personazhet e librit.

“Sot batuta është vetëm e Islamit. Cfardo që të thuash, kombi e ka mendjen vetëm tek Kaçi, derisa ti pritet koka” i ka thënë Berisha Nanos.

Publikimi i të parës biografi për jetën e diktatorit Enver Hoxha, që bazohet në dokumentet e arkivit të tij personal dhe në rrëfimet e personave që e njohën nga afër, vjen në Tiranë pas një turi promovimesh në Shqipëri dhe Kosovë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 18:20

Zonja Hoxha të mos merret me fotografitë e pishinës, mënyrën se si është gjetur i vdekur, por me krimet që mbajnë emrin e Enverit”. Kështu shprehet Blendi Fevziu autori i librit biografik “Enver Hoxha” një ditë pas publikimit në “Gazetën Shqiptare” të intervistës me Teuta Hoxhën, bashkëshorten e Ilir Hoxhës e cila në bazë të materialeve që paraqiti e quante librin biografik. Që në fillim të intervistës Teuta Hoxha u shpreh se nuk do të merrej me anën historike të librit të Fevziut por me atë personalen, pjesë e së cilës ka qenë ajo vetë. Ndërkaq, sot kemi intervistuar autorin i cili sjell opinionet e kundërshtitë e tij në lidhje me këtë debat, sipas tij të nevojshëm.

Intervista e Teuta Hoxhës për shumëkënd që e lexoi duket bindëse pasi është mbështetur në dokumente arkivore, ditarët e Enver Hoxhës, në librat me kujtime të tij dhe Nexhmije Hoxhës duke mos përjashtuar dhe atë vetë që ka jetuar pranë tij. Cili ishte opinioni juaj kur e lexuat intervistën e saj?
Nuk është se unë ndaj të njëjtin opinion me të dhe nuk besoj se ishte një intervistë e mbështetur mbi dokumente. Përkundrazi, zonja Hoxha merrej me detaje, por nuk thoshte asgjë, për asnjë nga dokumentet që përfshin libri. Por për këtë do të flas më pas. Ndihem shumë mirë që zonja Hoxha reagoi dhe kisha tre javë që e prisja këtë gjë. E ftoj atë ta debatojmë këtë gjë edhe në televizione, ku të dojë ajo. Siç e ftoj të shprehet më gjatë mbi këtë subjekt. Ftoj edhe zonjën Hoxha senior, Nexhmijen, që të japë komentet e saj mbi librin. Një subjekt i tillë duhet debatuar sa më shumë dhe kjo do të ishte gjëja më e mirë.

Ju keni shkruar librin biografik për Enver Hoxhën sipas jush bazuar në dokumente ndërkaq, Teuta Hoxha ne intervistën dhënë për “Gazetën Shqiptare” thotë se për 77 vitet e Enverit ju keni paraqitur në libër vetëm 25 dokumente një pjesë e të cilave sipas saj të dyshimta pasi nuk janë me shkrimin e tij?
Unë nuk kam numëruar se sa dokumente ka libri, por ju që jeni në zyrën time tani, mund të shihni më shumë se 1200 fletë dokumentesh që lidhen me Enver Hoxhën. Libri është konceptuar si publicistikë historike dhe librat e shkruar në këtë mënyrë, qoftë nga Misha Glen qoftë nga Simon Montefiore nuk mbyten me dokumente sepse bëhen të vështirë për tu lexuar nga lexuesit. Për shembull, unë i jam referuar disa herë një libri brilant me dokumente për Pleniumin e Beratit të vitit 1944, publikuar nga studiuesit Ndreçi Plasari dhe Luan Malltezi shumë vite më parë. Libri ka me mijëra dokumente, por nuk ka shkuar masivisht tek lexuesit sepse leximi i dokumenteve në vetvete është i vështirë. Në funksion të këndvështrimit të librit serviren dhe dokumentet. Këndvështrimi im është ai i marrjes dhe konsolidimit të pushtetit brenda partisë Komuniste dhe më pas Partisë së Punës së Shqipërisë. Për këtë gjë kam paraqitur një seri dokumentesh. Edhe një prej tyre i vetëm shërben për të kuptuar stilin dhe filozofinë politike të Enver Hoxhës e jo më të gjithë bashkë. Zonja Hoxha merret me rininë dhe fëmijërinë, por nuk thotë asgjë për vrasjet brenda Partisë Komuniste.

P.sh, cili është mendimi i Zonjës Hoxha për këtë dokument që Hoxha ka shkruar për Llazar Fundon më 21 shtator 1944, komunist i orëve të para, emigrant në Moskë dhe anëtar i Kominternit: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. Ti kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Depozimet e Zaiut na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej. Enver”.

Ç’thotë zonja Hoxha për këtë letër që Enver Hoxha i çon Gogo Nushit më 8 Qershor 1943:
“Anastas Plasarin as që e kërkuam të vinte këtu, por ju dhamë urdhër që ay të qërrohej sans buit et sans trompettes çfr. pa zhurmë e pa bujë]. Më mos na pyesni […] Taras”.

Po për këtë letër që Enver Hoxha i dërgon sërish Nako Spiros më 29 shtator 1943:
“Për Anastas Plasarin s’ju kërkuam aspak të vijë këndej, por ta dekorojë vetë atje me një plumb…”.

Po për këtë letër drejtuar Nako Spirus në 4 prill të vitit 1944 në të cilën flitet jo për ndonjë kolaboracionist, por për Kryetarin e grupit Komunist të Shkodrës, Zef Malën:
“Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi, ta dekoroni me një plumb kresë. Ay s’është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por edhe një mënyrë që të mos lihet pas dore kjo punë…”.

Ç’mendon zonja Hoxha për këto deklarime të Enver Hoxhës më 25 nëntor 1944 në Pleniumin e Beratit:
“Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu me Lirinë. Në këtë pikë unë isha pasqyrë e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej që ky ose ai po vepronte keq dhe vendosnim ta vrisnim. S’kishim një vijë të qartë për këtë çështje. Por edhe raportet na kanë vënë përpara situatave të këqija. Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne i japim udhëzim të vriten…”

dhe me këtë tjetrin:
“Me punën tonë, me kaq përgjegjësi që kishim, do të mbështeteshim pa reshtur te Miladini dhe Dushani. Puna jonë ishte si puna e atij nxënësit që për çdo gjë, pyet ose shikon mësuesin nëse ka punuar mirë, ose si duhet të punojë ç…] Për çdo gjë që bënim merrnim aprovimin e Miladinit ç…] Komiteti Qendror ishte i identifikuar me Miladinin dhe Komitet Qendror praktikisht nuk kishte…”.

Ç‘mendon zonja Hoxha si historiane për këtë deklaratë të Gogo Nushit në Pleniumin e Beratit në nëntor 1944, që sa kohë ajo punonte në Arkiva, nuk i lejohej askujt që ta shihte:
“Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës tonë, jo kriminelë dhe jokuislingë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut […].Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 njerëz, e kemi listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’meritonte të vritej. Jemi të sigurt që do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar 100 vetë. Ne kemi menduar se me këto masa do të mbronim fitoren duke vrarë dhe zhdukur armiqtë”.

Ç‘mendim ka zonja Hoxha për këtë deklaratë të Enver Hoxhës në Plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, në datat 18-20 dhjetor 1946:
“Disa anëtarë partie duan se mos kërkojë populli ç’bëhet me Kosovën. Ne rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë paqe në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët”.

Po për këtë deklaratë po të Zoi Themelit në gjyq:
“Nga mesi i vitit 1945 jugosllavët, duke shoqëruar një numër kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, i vrisnin në masë rrugës pa pasur faj. Nga ky veprim disa kosovarë mundën të iknin dhe të dorëzohen në organet tona, duke kërkuar mëshirë dhe mbrojtje për të shpëtuar kokën. Ne me shkresa kemi sugjeruar që të dorëzuarit të mos u jepeshin jugosllavëve, se do t’i vrisnin. Mirëpo Koçi Xoxe na urdhëroi që ata të dorëzoheshin. Nga sa jam informuar, të riatdhesuarit, kanë gjetur vdekjen në Jugosllavi…”.

Po për deklaratën e Koçi Xoxes që këtë gjë e kishte biseduar dhe kishte marrë aprovimin e Sekretarit Gjeneral?!

Përse Zonja Hoxha nuk thotë asgjë për “pasaktësinë” në kujtimet e Hoxhës lidhur me vrasjen e Qemal Stafës, kur deklaron se natën e fundit ka qenë me të. Gjë botërisht e përgënjeshtruar. Dihet që natën e fundit Qemal Stafa ka qenë me të fejuarën e tij dhe katër militantë të tjerë komunistë.

Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë për vrasjen e Mustafa Gjinishit dhe gënjeshtrën që Hoxha bëri me të. Në një anë e vrau dhe e pranoi vrasjen në pleniumin e Beratit më 1944 dhe në anën tjetër, shpalli ditë zije për të?!

Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë për dy qëndrimet me shkrim që Hoxha mban për Abaz Kupin në fillim kur ishte me të dhe më pas kur iku prej tij.
Përse nuk thotë gjë për dy qëndrimet që ai mban për Stalinin, qëndrim që ndërron 3 herë.

Në fillim admirues, pas kongresit të XX kritik dhe pas prishjes me BS sërish adhurues.

Përse zonja Hoxha nuk thotë asgjë me apo pa dokumente për vrasjen makabre të Admiral Teme Sejkos, të goditur deri në vdekje me hunj druri?!
A e di zonja Hoxha se si e zbatuan partizanët porosinë e Enver Hoxhës dhe Marreshallit Tito për torturimin dhe vrasjen e Zai Fundos? E lidhën pas një peme dhe e rrahën derisa i doli shpirti, nën tmerrin e Said Kryeziut dhe togerit Britanik që ishte më ta. Qe një porosi e Hoxhës. Ja si e përshkruan George H. Show Trials: Stalinist Purges in Eastern Europe, 1948-1954. (New York: Praeger Publishers, 1987, p. 7). “In the summer of 1944, he (Lllazar Fundo, shënim i autorit) was arrested by his comrades and beaten to death before the horrified eyes of the British military mission.” Nëse zonja di anglisht mund ta kuptojë se si është përshkruar vdekja e Llazar Fundos, urdhëruar nga Enver Hoxha, në më shumë se 4 libra të botuar në perëndim.

Këto janë vetëm një pjesë e dhjetëra dokumenteve që citohen në libër dhe për të cilat zonja Hoxha nuk jep përgjigje. Përkundrazi, bie në komente të problemeve pa rëndësi si rezultatet e Enver Hoxhës në Lice apo madhësia e shtëpisë së Lindjes së tij. Por edhe këto janë me referenca. Shtëpia e Lindjes i referohet intervistës së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, gjirokastrit si Hoxha, ndërsa për problemin e rezultateve në shkollë po i citoj këtë fragment: Rezultatet e tij janë dhe në dokumente arkivore të Liceut. Në vitin 1929 (dosja 14) vlerësohet: “Observation: Admis Passable [kalueshëm], admissible [i pranueshëm], po kështu e më 1930. Ka dhe një procesverbal për t’u riprovuar në vjeshtë: “Procesverbal. Komisioni i formuar si mbas telit të Ministrisë së Arsimit me nr. 968/50, dt. 27/9/27 për të provuar të mbeturit kandidatë bursistë për në Liceun e Korçës, i përbërë prej….” Enver Hoxha riprovohet në gjuhë, matematikë, histori, gjeografi, shkencë fizikë..

Po i kthehem edhe një herë thelbit të debatit. Unë nuk i kam cituar gjithë këto gjëra mbi notat e tij, siç kam qenë kundër shokëve të shkollës që e quajnë pa talent dhe pa dhunti. Po, ai nuk dinte të luante futboll, nuk dinte të bënte poezi, nuk dinte të këndonte, por kjo s’do me thënë asgjë. Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm politik dhe këtë e përdori me mjeshtri në funksion të pushtetit të tij. Dhe në këtë fakt, nuk e pengon as qenia pa diplomë ose mungesa e studimeve universitare. Këto janë detaje, jo thelbi i problemit.

Ndërkohë, zonja Hoxha duhet të kuptojë se sot jemi në një shoqëri të lirë dhe kushdo mund t’i shprehë lirisht mendimet e tij, mjafton që ato të jenë të argumentuara. Panairi i ri i librit do jetë së afërmi në pranverë dhe le të botojë ajo një libër mbi Hoxhën siç e sheh ajo dhe të shohim reagimin e publikut dhe kritikën për këtë gjë.
Në arkivin e shtetit është shumë i madh fondi për Enver Hoxhën, pse nuk e shfrytëzuat atë? 
B.F. Fondi për Enver Hoxhën dhe për regjimin e tij është shumë i madh. Janë më shumë se 44 vjet aktivitet padyshim. Unë kam shfrytëzuar aq sa më duhet në përputhje me këndvështrimin tim. Ju e dini që bëhet fjalë për disa miliona fletë, mendoni se ato duheshin futur të gjitha në libër?! Pastaj është hera e parë që dëgjoj që një autori i thonë pse nuk mendon kështu, por mendon ashtu. Në fakt, unë kam gjetur një kënd shikimi dhe nuk kam menduar vetë. Thjeshtë kam ballafaquar kujtimet e Hoxhës me dëshmitë dokumentare.

Zonja Hoxha thotë që…
Më fal, Zonja Hoxha thotë që ajo disponon dokumente të tjera për Enver Hoxhën. Po i bëj një ftesë publike. Le t’i botojë sot dokumentet që ajo ka dhe që e tregojnë Hoxhën një njeri ndryshe. P.sh në ditarin e Hoxhës në datat 11, 12 dhe 14 Shtator, flitet për dy biseda të tij me Mehmet Shehun. E para kokë më kokë, e dyta në prani të Fiqret Shehut dhe Nexhmije Hoxhës. Ditari thotë:
E premte, 11 shtator 1981.
Thirra Mehmetin nga Korça që ta pyesja për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.

E dyta:
E shtunë, 12 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin për problemin e koklavitur të djalit të tij, Skënderit. Biseda me të, është në dorëshkrim në kasafortën time.

E treta:
E diel, 13 shtator 1981.
Bisedë më Mehmetin dhe Fiqireten për çështjen e djalit. Asistonte edhe Nexhmija. Biseda me ta është në dorëshkrim në kasafortën time.

Meqenëse familja Hoxha disponon gjithë materialet e kasafortës së Hoxhës, përse nuk i boton të plota këto dorëshkrime për të kuptuar gjithë shqiptarët se ç‘është biseduar mes tij dhe Mehmet Shehut për një gjë kaq të diskutuar që çoi në eliminimin e Kryeministrit 27 vjeçar?

Përse zonja Hoxha junior dhe senior nuk reaguan kur pjesë të ditarit të Hoxhës u botuan në gazetën “Panorama”, “KJ” e madje edhe në gazetën tuaj?! Përse nuk reaguan kur dokumente si ai i Zai Fundos u vendosën në stendat e Muzeut Historik Kombëtar dhe ndodhet atje prej shumë vitesh?

Nga ana tjetër, të bësh shantazh me ndonjë dedikim të viteve të komunizmit, është t’i rikthehesh filozofisë enveriste të përbaltjes së kundërshtarit. Zonja Hoxha kujton se Vedat Kokona, një njeri fisnik, i paska dhuruar një fjalor me dedikim dhe me lavde për Hoxhën. Po kush do guxonte të bënte ndryshe në vitet ’80? Por Kokona pati kurajën t’i shkruajë dhe t’i botojë kujtimet e tij në vitet ’90 dhe ato janë një burim shumë interesant. Ai nuk e tall, nuk e fyen Hoxhën e nuk e merr nëpër këmbë. Ai jep kujtimet e tij dhe ky ishte gjesti i fundit fisnik që ai bëri përpara ikjes përgjithnjë nga kjo botë.

Natyrisht, unë po flas për një libër mbi kreun e shtetit dhe profilin e tij. Nuk po flas për një individ. Sepse nëse flasim për burracakëri, ajo ka vetëm një shembull. Sjelljen e Enver Hoxhës ndaj Anasatas Plasarit, të cilin e fton me një letër gjithë lajka që të shkojë dhe ta takojë në shtab dhe po me atë korrier, çon një letër tjetër ku ju thotë drejtuesve komunistë, Vriteni rrugës! Si quhet kjo sjellje në gjuhën shqipe?

Dhe e fundit, dokumentet për Enver Hoxhën si edhe filmat për të janë pjesë e Arkivit Qendror të shtetit sepse kanë qenë që në gjallje të tij, pjesë e Arkivit të Komitetit Qendror të PPSH–së. Pastaj a mendohet, e s’mendohet Enver Hoxha në ato filma, a i dhembte a s’i dhembte koka për Shqipërinë, unë s’e di sepse s’jam psikolog.

Nga ana tjetër, insistoj edhe një herë. E ftoj zonjën Hoxha, si dhe zonjën Nexhmije Hoxha, t’i publikojnë çdo ditë komentet e tyre për këtë libër. Nëse ka diçka racionale, do ta përmirësoja me shumë falenderime në ribotimin e ri. Por nëse duan, jam gati të përballem me secilën prej tyre kudo që ato mendojnë.

Në librin tuaj ka edhe momente kur ju i jeni referuar burimeve pa dhënë identitetin e tyre, ndërsa një libër biografik bazohet në dokumente arkivore?
Më gjeni një rast dhe jam gati t’jua pranoj. Burime anonime unë nuk përdorur. Kam përdorur dokumente dhe citime të njerëzve që e kanë njohur. Madje jo gjithë burimet sepse për Hoxhën ka mjaft pasaktësi dhe kanë tentuar ta denigrojnë pa pasur nevojë për këtë.

Nga ana tjetër në pyetjen e parë më duket se ju rendita një seri burimesh arkivore. Nëse doni më shumë gjeni sa të doni në libër. Po ju sjell një shembull që lidhet pikërisht me zonjën Teuta Hoxha për ta ilustruar këtë. Sipas një burimi shumë të besueshëm, eliminimi i Mehmet Shehut ka nisur pikërisht në apartamentin e zonjës Hoxha. Sipas këtij burimi, pasditen e datës 3 apo 4 shtator, kur Enver dhe Nexhmije Hoxha u kthyen nga vizita që kishin bërë tek Mehmet Shehu për ta uruar për fejesën e djalit, gjetën në shtëpinë e tyre, të ëmën e zonjës Hoxha. Ishte kjo që i foli Nexhmije Hoxhës për diskutimet në qytet lidhur me fejesën dhe gjëra grarish si këto. Pas këtij momenti, Nexhmije Hoxha kërkoi të dhëna më të plota për Silva Turdiun dhe fisin e saj. Këtë episod që mund të jetë i vërtetë, unë nuk e verifikoja dot. Pavarësisht besimin që unë kam tek ai burim. Ndaj, nuk e përmenda emrin. Pra, ky është dallimi mes burimeve të citueshme dhe dokumenteve. Ndaj unë kam hequr në libër plot 32 citime që janë dëshmi, por që vërtetësinë e të cilave unë nuk e verifikoja dot.

Pse i jeni referuar vetëm kundërshtarëve të Enver Hoxhës, përjashto Ramiz Alinë duke i dhënë kontekstin e njëanshmërisë veprës suaj?
Në pjesën më të madhe të librit unë citoj Enver Hoxhën dhe Nexhmije Hoxhën. Unë nuk mund të citoj për Hoxhën të tjerë kur citoj atë vetë. Ka më shumë citime të Hoxhës në libër se sa të gjithë kundërshtarëve të tij të marrë bashkë. Edhe Hoxha nuk quhet burim i besueshëm? Hapeni librin dhe mund t’i gjeni vetë.

Në librin biografik të Enver Hoxhës janë prekur shumë pak koha e ndërtimit të socializmit, politikën e jashtme, zhvillimin e artit e kulturës. mbrojtjen territoriale… A e lënë pak mangët këto elemente biografinë e tij?
S’ka qenë as këndvështrimi dhe as puna ime kjo. Unë kam parë raportin e ardhjes në krye të PKSH–së dhe konsolidimit të pushtetit të tij. Nuk kam as aftësinë dhe as kohën të hulumtoj në këto drejtime. Ju siguroj se nëse dikush do të bënte një studim për izolimin, libri do të ishte fenomenal dhe shumë interesant. Nëse dikush do të shkruante për politikat ekonomike të Hoxhës, kolektivizimin, urinë masive, tollonin dhe gjithë mizerabilitetin e një kohe, po ashtu do ishte shumë interesante. Në vitin 1989, Shqipëria ishte zyrtarisht, vendi i 3-të më i varfër i globit. Zonja Hoxha nuk e di këtë se nuk kishte si ta shihte. Por kjo s’është ambicia ime, mund ta bëjë dikush tjetër. Nëse dikush bën një studim për atë që ju e quani mbrojtja e atdheut, mund të ishte interesante të shihje se si miliarda dollarë shkuan për të ndërtuar bunkerë apo vepra të mbetura pa sens si tuneli i Porto Palermos që ka kushtuar sa 35 herë autostrada Tiranë–Durrës. Mbaj mend që në vitin 1989, në Zbor, në Mamurras, në orën 02:00 të natës komandanti i batalionit hynte në fjetore dhe me një megafon bërtiste: Nato dhe Traktati i Varshavës po sulmojnë Shqipërinë. Na ngrinin me vrap dhe ecnim nëpër ca kodra ku shihnim fshatarë të mjeruar që dilnin të punonin tokën pa gdhirë. Po a mund të konsiderohet paranojë dhe idiotësi kjo, kur as NATO dhe as Traktati i Varshavës as kishin ndër mend të merreshin me Shqipërinë.
Pra ka plot gjëra që mund të bëhen libra të jashtëzakonshëm, por mos më kërkoni mua të bëj një libër në javë.
Në fakt ka edhe diçka tjetër që mund të shtoj në këtë drejtim. Unë jam përqendruar tek beteja e brendshme e Partisë Komuniste dhe kontrolli i pushtetit. Unë nuk kam trajtuar raportin e Enver Hoxhës me kundërshtarët e tij politikë dhe masakrimin e tyre që në ditët e para të ardhjes së Hoxhës në fuqi. Duke ndeshur plot dokumente për ato krime, jam ngjethur dhe jam ndjerë shumë keq.

Nëse zonja Hoxha do t’i lexonte, dhe unë mund të shkruaj një libër tjetër vetëm për këtë temë, atë s’do ta zinte gjumi nga ato krime të përbindshme.

P.sh, ç‘mendon zonja Hoxha si grua, për persekutimin e një gruaje kaq të emancipuar si Musine Kokalari? Ç‘mendon për sjelljen ndaj klerit, që nëse nuk e di, mund ta lexojë në librin e Gjon Sinishtës apo të At Zef Pllumit? Ç‘mendon për sjelljen ndaj nënë Terezës, letrat e plota të së cilës janë ende sot e kësaj dite të botuara?!

Gjatë një bisede që kam pasur me Nexhmije Hoxhën ajo më ka treguar se në momentin e vdekjes infermieri që ka qenë prezent në dhomë pranë saj ka qenë Fahri Bufi, ndërsa në librin tuaj nuk përmendet asnjë burim për faktin se ai është gjetur i shtrirë në tokë?
Po, në versionin e parë të librit, unë kam pasur vetëm citimin e zonjës Hoxha siç e përshkruan ajo në kujtimet e saj. Pastaj dy nga mjekët që kanë qenë atë ditë aty dhe që kanë lexuar dorëshkrimin më kanë thënë se kjo ishte pasaktësi sepse e kanë gjetur të shtrirë në dysheme dhe aty i kanë dhënë ndihmën e parë. Po ç‘rëndësi ka kjo? Nëse Hoxha do kishte vdekur në kolltuk apo në divan do ishte një lider politik më i mirë apo më i keq? Ky është karagjozllëk. Zonja Hoxha duhet të japë pëgjigje për ato që unë thashë më sipër dhe që gjenden të gjitha në Arkivin Qendror të Shtetit.

Pse nuk përdorët kujtimet e Nexhmijes si një burim të mundshëm?
Më vjen keq që ma bëni këtë pyetje, i kam referuar me dhjetëra herë kujtimet e zonjës Hoxha, madje edhe citime direkte të saj dhe këtë e keni në referencat në fund të librit.

Pse keni përsëritur në rreth 20 fotografi që mban kjo biografi të ilustrohet jeta e Enverit në vetëm 2-3 momente si ajo e pishinës dhe i veshur si plaku i vitit të ri. Është tendencioze kjo përzgjedhje?
Sepse ta shohësh Enver Hoxhën me rroba banje apo në një moment relaksi ishte më e veçantë se sa ta shohësh siç e paraqiste Instituti i Studimeve Marksiste–Leniniste. Dhe nuk e kuptoj përse quhet tendencioze?! Nëse një njeri fotografohet duke bërë plazh, konsiderohet që po denigrohet?! Dhe pastaj mos duhej ta vishja unë Enver Hoxhën me fotoshop, apo të jepja po ato foto që janë dhënë me dhjetëra herë. Mund të pyesni zonjën Hoxha se ku qëndron tendencioziteti në fotot me rroba banje? A e di zonja që ka ikur koha kur po të dilje me flokë të gjata dhe me pantallona të ngushta ndëshkoheshe. Le të hapë një adresë në Fb dhe të shohë se si i postojnë fotot e tyre të gjithë njerëzit.

A mund të bëhet një biografi si e Enverit në tre muaj?
Nuk është bërë në tre muaj dhe kjo është e pasaktë. Ka filluar në verën e vitit 2009 në mënyrë sistematike dhe është shkruar në 3 muaj në verën e këtij viti. Procesi i shkrimit është gjë tjetër. Puna kërkimore ka qenë dy vjet, por interesimi për të është shumë më i gjerë, ka nisur që në fillim të viteve ’90, kur unë kam skeduar gjithë rrëfimet për të, gjithë dokumentet që botoheshin, gjithë deklaratat dhe shënimet. Pra në thelb është një punë 20-vjeçare e konkluduar në 3 vite dhe e hedhur në letër në 3 muaj.

Ju keni pasur një histori të gjatë persekutimi në familjen tuaj, e bën kjo të njëanshëm biografinë që keni shkruar për Enver Hoxhën? 
E para nuk kam pasur ndonjë histori kaq të gjatë persekutimi sa thoni ju dhe as e kam përmendur këtë gjë ndonjëherë. Nuk e kam përmendur as në fillim të viteve ’90 kur të gjithë ulërinin me të madhe që ishin të persekutuar. Po, familja ime ka qenë kundër regjimit komunist, por asnjë prej prindërve të mi s’ka bërë as burg dhe as internim. As gjyshi. Në këtë drejtim kemi qenë shumë më me fat se mijëra familje të tjera që ai regjim i masakroi, shumë më me fat se mijëra familje, fëmijët dhe prindërit e të cilave u pushkatuan me apo pa gjyq apo vdiqën në burgje. Familja ime ishte kundër regjimit komunist dhe unë e them se jam krenar për këtë. Të parët e mi janë firmëtarë të aktit të pavarësisë, ministra dhe deputetë të qeverive të para shqiptare, që për arsye politike, u konfrontuan me Mbretin Zog dhe u tërhoqën në jetën private. Kjo me sa duket i shpëtoi sepse kur komunizmi erdhi në fuqi, ata kishin kohë që s’ishin më aktiv. Por unë e them. Stërgjyshet e mia, besonin se ai ishte një regjim kriminal dhe unë jam krenar sot, që bindja e tyre, është edhe ajo e historiografisë shqiptare në unison. (Gazeta Shqiptare, Rezarta Delisula)

 
Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 18:11

Eshtë një “palo” libër, kështu do e quante Enver Hoxha po ta lexonte. Kështu shprehet Teuta Hoxha nusja e Ilir Hoxhës, përfaqësuesja e familjes e cila ka marrë përsipër mbrojtjen e jetës personale të ish-udhëheqësit, jetë e cila është botuar nëpërmjet librit të gazetarit të njohur Blend Fevziu. Teuta Hoxha shprehet se nuk do të merret me pjesën historike pasi kjo i mbetet si punë historianëve, ndërsa për jetën private ka shumë për të thënë.

Pse pikërisht ju, morët iniciativën ti përgjigjeni Blendi Fevziut, mbi të pavërtetat (siç pretendoni ju) e jetës së Enver Hoxhës, që ka shkruar autori?
Së pari, se jam pjesëtare e familjes së Enver Hoxhës dhe e njoh shumë nga afër jetën e tij. Së dyti, falë specializimit tim në fushën e historisë dhe arkivistikës, ende vazhdoj të merrem me këtë profesion, tashmë duke punuar për të njohur dhe sistemuar gjithë fondin dokumentar të Enver Hoxhës, që ne disponojmë. Prandaj e ndjeva si detyrim moral ndaj tij dhe opinionit, që të them të vërtetën, ashtu siç ka qenë.

Atëherë, a do të presim prononcime të tjera nga ju, për çfarë mund të thuhet për Enver Hoxhën?
Edhe mundet, kur ta shoh të arsyeshme.

Mendoni që do të bëj efekt tek lexuesi intervista juaj?
Siç thashë, unë po e jap intervistën që të them të vërtetën e dokumentuar, aq sa do të mundem në hapësirën e një interviste. Kush dëshiron që ta mësoj atë, do ta lexoj, kush do që të mbetet i mashtruar, mos ta lexoj. Është zgjedhje e gjithë secilit.

Sa, ju tërhoqi vëmendje dalja e librit të Blendi Fevziut, “Enver Hoxha”?
Ne më shumë, na tërhoqi kureshtje pretendimi i tij, që kishte shkruar biografinë e Enver Hoxhës, bazuar mbi dokumente të arkivit personal, që publikoheshin për herë të parë. Ne nuk kishim as dyshimin më të vogël, mbi objektivitetin e autorit për sa i përket figurës së Enver Hoxhës, sepse tashmë, autori njihet publikisht, si zëri i kundërshtarëve politikë dhe i forcave të mundura. Interesi ynë i vetëm, ishte të njiheshim me dokumentet e reja që duhet të kishte zbuluar autori, sipas pohimeve të tij.

Si e gjykoni librin?
Nga fillimi deri në fund të librit, autori ishte munduar të prezantonte para lexuesit, Enver Hoxhën të tjetërsuar, nga ai që ka qenë realisht.

Libri nuk mund të quhet biografi si e ka quajtur autori. Ai si nga konceptimi, trajtimi, ndërtimi dhe stili, bie ndesh me një biografi shkencore kritike, prandaj mund të quhet vetëm biografi publicistike. Libri është ngritur mbi intervista, kujtime, dëshmi gojore, bazuar vetëm mbi mendimet e kundërshtarëve dhe armiqve të tij, duke lënë jashtë qëllimisht mendimet e njerëzve dashamirës, objektiv të rrethit të tij, duke filluar nga gruaja e tij, që është gjallë. Ky fakt, flet për një pozicion tendencioz, dashakeqës që, e vë në dyshim vërtetësinë e veprës.

I gjithë libri, ka elementët e inskenimit të një farse absurde. Duket qartë që ngjarjet trajtohen në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme, sepse mungojnë pikërisht dokumentet që janë baza e themeleve solide mbi të cilat duhet të ngrihet biografia. Veç kësaj, kur lexon librin, kupton jo vetëm mungesën e një pune serioze, por edhe mangësitë e shumta që ka autori në njohjen e historisë së Shqipërisë, në njohjen e jetës dhe të aktivitetit politik të shumë personave që përmend, në boshllëkun e madh të njohjes së jetës dhe veprës së Enver Hoxhës.

Ndërsa nga ana metodike, i mungojnë nocionet bazë të një pune shkencore.

Libri, siç thashë më lart, është ngritur mbi opinione nga intervistat që autori i ka marrë, një numri të konsiderueshëm personash, të gjithë kundërshtarë politik të Enver Hoxhës, përjashto Ramiz Alinë. Atëherë, me të drejtë lind pyetja, sa të besueshme janë këto opinione? Sa bazohen këto opinione mbi dokumente? A e ka verifikuar autori vërtetësinë e tyre? Por është vetë B. Fevziu që pohon njëanshmërinë e tyre, madje pohon që, “vende vende nuk janë të vërteta”, por, në libër intervistat e tyre i jep të plota, me qëllimin e mbrapsht, le të mbetet çfarë të mbetet tek lexuesi.

Të bën çudi, që në gjithë këtë mori intervistash, ka lënë jashtë me qëllim mendimet e njerëzve dashamirës, objektiv të rrethit të tij, duke shmangur edhe Nexhmije Hoxhën, njeriun më të afërt të Enver Hoxhës. Në të kundërt nga sa veproi Blendi, historiani serioz, amerikani Bernd J. Fischer, kërkoi ta takonte Nexhmijen, dhe bisedën disa orëshe me të, e quajti me shumë vlerë, për punën e tij, në përgatitjen e librit biografik mbi Enver Hoxhën.
Në një intervistë dhënë në televizor, kur gazetari e pyeti për njëanshmërinë e intervistave, përgjigjja e Blendit ishte; “Këtyre intervistave i kam vënë përballë Enver Hoxhën dhe Nexhmije Hoxhën, nëpërmjet librave të tyre me kujtime”. Përballje të munguar, do ta quaja unë. Gazetari i ka masakruar kujtimet e tyre. Ai ka marrë, një rresht këtu e një rresht atje, duke i shkëputur nga konteksti i vërtetë i problemit apo ngjarjes dhe duke i përdorur në interes të qëllimit të tij.

Intervistat e tjera, që mbushin librin, përveç që vende vende nuk janë të sakta (arsyet i dinë vetë intervistuesit) ose janë të fryra me protagonizëm të paqenë. Ato janë krejt dytësore dhe nuk sjellin asgjë të rëndësishme mbi jetën e Enver Hoxhës.

Libri është i mbushur edhe me dëshmi gojore, por pa cituar asnjë emër që, sipas autorit, e kanë njohur nga afër Enver Hoxhën, por që nuk duan të identifikohen, dmth kanë mbetur anonim. Atëhere si mundet autori t’ju referohet këtyre burimeve! Kush mund ti besojë që janë të vërteta, mbase edhe të sajuara! Çdo autor serioz, është i detyruar që këtë lloj informacioni duhet ta ballafaqojë me burime të tjera, dhe pastaj mund t’ia serviri lexuesit, që të jenë të besueshme.

Cila është gjëja më e rëndë në punën që ka kryer autori në trajtimin e biografisë së Enver Hoxhës?
Mendoj që gjëja më e rëndë në këtë libër është shtrëmbërimi i fakteve.
Shpesh here burimet, i fragmentarizon, merr copëza që i interesojnë atij dhe lë jashtë gjëra të rëndësishme që i japin kuptim atij problemi. Dëshmi për këtë është ditari i Mirash Ivanajt, ku Blendi citon vetëm atë pjesë që i intereson, duke e shkëputur nga konteksti i plotë dhe pastaj komentet i bën sipas oreksit. Pas pritjes që i bën Enver Hoxha ai shkruan me simpati për të, “Më priti si s’ka më mirë, siç i ka hije një kryetari të zgjedhur prej 50 mijë shqiptarëve, shpëtimtarëve t’Atdheut. Mbeta shumë i kënaqun”.(Ditari, 8.10.1945, Shih:L. Radi: “Misteret e një ministri”.

Më habit pretendimi i autorit,që ka shkruar biografinë e Enver Hoxhës, nga lindja e tij e deri në vdekje, pra në një hark kohor prej 77 vitesh, me një aktivitet, themi të jashtëzakonshëm, dhe ka shfrytëzuar vetëm 25 dokumente. Edhe këto, një pjesë janë të dyshimta, pasi nuk janë me shkrimin e Enver Hoxhës. Vetëm 22 herë i referohet gjithë kolanës me mijëra faqe të kujtimeve të Enver Hoxhës, dhe 7 herë ditareve personale të tij, dhe shumë here më pak, Nexhmije Hoxhës, e tek tuk ndonjë personi tjetër që ka punuar pranë Enverit. Gjithë dëshmitë e tjera janë nga kundërshtarët e tij ose i mbushur plot fantazi, mbi të cilat gazetari ngre gjithë këtë “palo” vepër. Këtë fjalë gjirokastrite, përdorte zakonisht Enveri për libra të këtij lloji.

Këtu nuk duhet të harrojmë edhe një element tjetër të rëndësishëm, mungesën e referencave arkivore të dokumenteve që ka përdorur, që pa to, kthehen në të pavlera. Dhe unë mendoj që, autori nuk është që s’e ka ditur këtë kriter shkencor të botimit të dokumenteve, të paktën miqtë e tij që e kanë ndihmuar duhet t’ia kenë thënë, por kur do të manipulosh, padyshim që nuk të intereson, sepse në të kundërt, çdokush do të shkonte në Arkivin e Shtetit, do të kërkonte dokumentin dhe do të verifikonte të vërtetën. Pra më mirë tym e mjegull.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mungesën here here, të dhënies të numrit të faqes,që ka shfrytëzuar nga librat me kujtime të Enver Hoxhës, ose edhe të të tjerëve. Unë vetë u hasa me këtë vështirësi, kur më duhej të saktësoja një emër që përmendte Fevziu nga libri i Enver Hoxhës, “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”. Më duhej të lexoja mbi 400 faqe të librit, për ta gjetur e verifikuar. Prandaj unë jam e bindur, se kjo mangësi, në dukje e parëndësishme, është bërë me qëllim për të fshehur manipulimet që ka bërë Blendi, sidomos ndaj librave me kujtime të Enver Hoxhës.

Në këtë libër, ka aq shumë pohime të pasakta, sa do të duhej një libër i tërë që, ti hedhësh poshtë të gjitha.

Po jap një shembull të thjeshtë, ndër dhjetëra shembuj të tjerë, “ Shtëpia e Enver Hoxhës, thotë Fevziu, lidhej me dy tunele të nëndheshme, që shkonin, njeri deri tek shtëpia e Mehmet Shehut dhe tjetri deri në godinën e KQ”. Këto janë nga ato shpifjet e Robert Papës, të cilat koha i sqaroi që nuk ishin të vërteta, ose të paktën sot janë shumë lehtë të verifikueshme, sidomos për Fevziun që i ka dyert e hapura. Por gjëja që të revolton është se kjo është një gënjeshtër me vetëdije. Ai, e di mirë të vërtetën, po në këtë rast, qëllimi është i qartë. Të ngjalli dyshime për vdekjen e Mehmet Shehut. Dmth përdor kudo hilera të paskrupullta, që po të mos i dish, i beson ashtu siç ti servir Fevziu. Një tjetër pohim i rremë është citimi se: “Pas viteve 1976-1978 , kohë gjer në të cilën ai e shkruante vetë me dorë ditarin e tij, Enver Hoxha nuk ka mbajtur ditar të shkruar” f.227. Vetë Blendi e përgënjeshtron thënien e tij,( f221) kur thotë se, “Hoxha hidhte në ditarin e tij këto mendime për Myslim Pezën”…dhe i referohet datës 21 qershor 1982. Megjithatë, vetë ditaret e tij, janë dëshmija më e mirë se deri kur, ka shkruar mbi to. Jam plotësisht e bindur që Blendi as me sy nuk i ka parë Ditaret.

Materiali fotografik që është përzgjedhur, është aq tendencioz sa kompromenton gjithë objektivitetin e librit. Blendi vetë e kritikon heqjen e personave nga fotografitë që botoheshin në kohën e socializmit. Dhe mund të them që, ka të drejtë. Blendi bën të njëjtën gjë, por në një formë tjetër. Përzgjedh dhe boton ato fotografi të Enver Hoxhës, që sipas mendjes së tij, e diskretitojnë atë. Sepse, nëse në atë numër të vogël fotografish që janë botuar, zgjidhen 5 fotografi (të së njëjtës ditë) ku ka dalë me rroba banje, apo 2 fotografi në shtratin e vdekjes si dhe 3 fotografi i veshur si plaku i Viti të Ri, atëherë nuk ke më dyshim që është vërtet një përzgjedhje tendencioze dhe dashakeqëse. Është pamja vizive e asaj, që autori ka dashur të përcjellë nëpërmjet librit.

Si i ka trajtuar autori, vitet që Enver Hoxha jetoi në Gjirokastër?
Blendi Fevziu e fillon përshkrimin e jetës së Enver Hoxhës, me prejardhjen e origjinës së familjes së tij. Ai shkruan: “Enver Hoxha për shumë vite me radhë, në kulmin e pushtetit të tij dhe sidomos gjatë viteve të fundit të jetës, u mundua të krijonte për vete imazhin e një njeriu që vinte nga një familje e madhe, familje me ndikim, nga një lloj parie e qytetit të gurtë…”. Dhe vazhdon duke cituar fjalët e gjirokastritit Ismail Kadare, sot, një nga kundërshtarët më të egër të Enver Hoxhës,i cili thotë: “Shtëpia e Enver Hoxhës ka qenë një shtëpi relativisht e re, vetë mbiemri Hoxha tregon familje të ardhur vonë, një familje të re pa një mbiemër tradicional…Në shtëpinë tonë ose të fqinjëve tanë të vjetër të lagjes kishte njëfarë “mosvënie re” të shtëpive më të reja dhe këtu hynin edhe këta të Hoxhës”.
Por ç’thotë për këtë gjë,në kujtimet e tij, gjirokastriti shumë më i hershëm se Ismail Kadare, Aqif Selfo: “Familja ku ka lindur Enveri është një nga familjet më të vjetra të Gjirokastrës. Origjina e saj arrin në disa breza duke arritur tek Kol Gjini. Trashëgimtari i Kol Gjinit u kthye në fenë myslimane me emrin Ali dhe me mbiemrin Hoxha. Nga ky trung gjenealogjik rrjedh Hoxha që e mbajti mbiemrin Hoxha, vazhdimisht, kurse po nga ky trung, nga një brez në tjetrin dalin disa degë të tjera duke marrë mbiemra të ndryshëm:familja Ligu, Sferi, Kokalari …”[AQSH. F.10. Grupi I. D.v.1 Dosja 7.]
Si një dëshmi e kësaj që ka thënë Aqif Selfo, është edhe pema gjenealogjike e Hoxhatëve, që ne disponojmë.

Dhe komentet e gazetarit Fevziu, kalojnë tek përshkrimi i shtëpisë së Gjirokastrës, ku thotë: “Shtëpia dikur modeste, e djegur në vitin 1914 dhe e pandërtuar më kurrë, u rindërtua si një saraj i madh në fillim të viteve ’60, me stil osman, athua se për t’i dhënë atij rangun e munguar shoqëror”, f.22.

Por Blendi nxitohet. Gjatë gjithë librit, fluturon me imagjinatën e tij, duke harruar që dokumentet janë kokëfortë. Ja, si i drejton ngushëllimet e saj, Zyra e gazetës “Dielli”më 10 gusht 1916. “Ngushëllime. Me hidhërim të madh mësojmë që u dogj shtëpi e Hisein Hoxhës krye katundarit të Gjinokastrës dhe të kushëririt së tij Sami Kokalarit. Dielli e ngushëllon këtë atdhetarin e shkëlqyer që ka qenë kurdoherë shtyll e lëvizjes kombëtare dhe kandili gjith qytetin. Zoti ja dhëntë nga ana tjatër. Demi çmohet gjer në gjashtë mijë lira turke. Shtëpi e Zotërisë tij ishte nga më të çquarat si nga godija, mobllat dhe antikat e njehershme.” [AQSH. Grupi I Dv.1 dosja 5.]

Ja pra, që ta mësoj Blendi, por edhe ata që arriti t’i gënjejë që, familja e Enver Hoxhës, ka qenë nga më të vjetrat e Gjirokastrës, paçka që familja e Kadaresë “nuk e vinte re”.

Gazetari, po ti kishte lexuar Ditaret e Enver Hoxhës, do të kishte gjetur gjithë atë material interesant, që janë dëshmi e preokupimit që kishte Enveri, kur u rindërtua shtëpia, që të ishte çdo gjë konform origjinalit.

Enver Hoxha megjithëse e dinte shumë mire origjinën e tij të largët, asnjëherë nuk kërkoi ta vinte në dukje. Kudo dhe kurdoherë, ai është shprehur duke pohuar një të vërtetë tjetër, se nga familjarët e tij, ka pasur “patriotë dhe të mësuar”.

Më pas, gazetari, vë në fokusin e tij, Hysen Hoxhën, xhaxhain e Enverit, i cili ishte zgjedhur delegat për në Kuvendin e Vlorës (f.23.) Këtë fakt, do s’do autori nuk e mohon dot. Por ç’bën? Që t’ia lejë lexuesit të mjegullt pjesëmarrjen e Hysen Hoxhës në Kuvendin e Vlorës, Blendi, pasi e “vonon rrugës” për në Vlorë, hidhet menjëherë tek filmi “Nëntori i dytë”, indirekt duke mohuar kur thotë që “nuk është e vërtetë, (ashtu si tregohet në film) që ai takoi Ismail Qemalin sapo hynte në Vlorë”.Vetëm kaq thotë, dhe e mbyll, që lexuesi të mos arrij ta kuptojë, që Hysen Hoxha mori apo nuk mori pjesë, në atë Kuvend.

Për ta sqaruar këtë eveniment shumë të rëndësishëm, për historinë e familjes së Enver Hoxhës, (siç do ishte për të gjitha familjet) unë po mjaftohem, pa dhënë dokumente të tjera, vetëm me botimin e fotografisë, që Hysen Hoxha ka dalë në Vlorë.

Blendi, kur flet për Halilin, babain e Enverit, na e bën me profesion hoxhë. Se ku e ka gjetur këtë fakt, vetëm Blendi e di. Dhe vazhdon më tej, duke ngritur pikëpyetje dhe dyshim “se përse Hoxha [Enveri] nuk i kushton shumë vëmendje babait të tij, Halilit, nuk dihet”.(f.23.) Është i njohur fakti që, Enver Hoxha kurdoherë i ka shmangur ose i ka përmendur fare pak në publik, njerëzit e familjes, duke përfshirë këtu edhe fëmijët e tij. Këtë gjë duhej ta kishte vënë re edhe “biografi” ynë. Por konsideratat e Enver Hoxhës për prindërit e tij, nuk mungojnë të shprehura herë pas here në Ditar. Unë po jap vetëm një datë nga Ditari i tij, 15 tetor 1980, megjithëse kanë kaluar shumë vite nga vdekja e prindërve të tij, ai e mban akoma të gjallë kujtimin e tyre. Ai shkruan: “nesër kam datëlindjen, mbush 72 vjeç. Kujtoj me dashuri të thellë plakun dhe anenë, prindërit e mi të dashur, që më lindën, më rritën dhe më edukuan, që u kujdesën që në vegjëlinë time të isha i ndershëm dhe i drejtë si ata, të doja njerëzit, siç i donin ata, t’i shërbeja popullit dhe atdheut me besnikëri. Ata më mësuan me sjelljet e tyre të përditshme të isha i thjeshtë, të mos isha kurrë fodull, pse “fudullëku është gjë e keqe, më thonin, nuk ekziston në gjakun tonë.”

Këto ishin shprehitë e para të edukatës që, ai mori që në vegjëli nga familja e tij dhe që do ishin baza e formimit të karakterit të tij.

Kur flet për vitet e vegjëlisë, siç thotë Enveri “kur ishim kalamanë”, Blendi pasi e përshkruan si nxënës të dobët, që nuk shfaqte asnjë talent, (a thua se në atë kohë anafalbetizmi, kultivoheshin talentet, por mesa duket Blendi kujton se ishte koha e “Pallatit të Pionierëve”) pasi kritikon edhe shkrimin “mediokër” të kujtimeve, më në fund, e jep viston, që kujtimet e vegjëlisë duken të “sinqerta”.

Po vitet e kaluara në Korçë preken në libër?
Më pas autori, hidhet në vitet që kaloi Enver Hoxha në Korçë. E fillon me një pasaktësi të qëllimshme, kur shkruan se:”kur shkroi kujtimet në fund të jetës së tij ai iu shmang viteve që kaloi si liceist në Korçë”. F.28

Nënkuptimi i Blendit, është i qartë. Sipas tij, “Enverit i vinte turp të shkruante për jetën e Korçës. Se ç’të shkruante! Talljet e Sabihasë apo që ishte mediokër!” Si mund të bjeri kaq poshtë një gazetar, të gënjej hapur, kur dihet nga të gjithë ata që i njohin kujtimet e Enver Hoxhës, që ai ka shkruar mbi 100 faqe për Korçën e atyre viteve, në librin e tij “Vite të Rinisë.” Për mos folur, për dhjetëra e dhjetëra faqe të tjera, nëpër libra të ndryshëm.
Autori gazetar, për këto vite të liceut, në konkluzionet e tij është bazuar në kujtimet (të botuara pas vdekjes) e Vedat Kokonës, të cilat i quan “shumë realiste”. “Shokët – thotë Vedati për Enverin- i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit…”

Kur lexova këto rreshta, përveç përçmimit që ndjeva, mendova, kë Vedat të besoj, këtë pas vdekjes, apo atë të vitit 1989…kur Vedati ishte gjallë dhe Enveri kishte vdekur. Dhe në sy më erdhën fjalët e Vedat Kokonës, shprehur në një dedikas që i kishte dhuruar Nexhmije Hoxhës me rastin e botimit të librit “Fjalor, Frëngjisht-Shqip”. “Shoqes Nexhmije Hoxha, bashkëpunëtores së udhëheqësit tonë të lavdishëm, mësimet e ndritura të të cilit i kam pasur kurdoherë parasysh për të punuar për të mirën e brezave të ardhshëm, këtë vepër të një jete, ia kushtoi me respekt autori.” E di që Blendi ose ndonjë tjetër, do thotë, “e ka shkruar nga frika”. Ç’frikë! Enveri kishte vdekur, shumë mirë mund të mos e përmendte.

Siç e kam thënë më lart, mungesa e përballjes së opinioneve ndryshe, e dëmton shumë librin. Për ti ardhur në ndihmë autorit, kur të botoj librin e dytë (siç e ka pohuar vetë), po i sjell një mendim ndryshe nga ai i Vedatit. Ja si shprehet përsëri Aqif Selfo në kujtimet e tij: “…Gjatë kohës që qëndroi në Korçë, si nxënës, Enveri, me sjelljen dhe me guximin e tij, me njohjen e gjuhës frënge më mirë se bashkënxënësit e tij dhe me kujdesin që tregonte për jetën dhe përparimin e shokëve si dhe për zhdukjen e padrejtësive që bëheshin nga sipërmarrësit në kurrizin e internatistëve, fitoi simpatinë e të gjithë shokëve të tij, të shkollës dhe të internatit si dhe atë të profesorëve, shqiptarë e francezë…[AQSH. F.10. GrupiI, dv.1 dosja 7.]

Këto pohime të Aqif Selfos, gjenden edhe në disa burime dokumentare, të cilat ne do t’ia servirim lexuesit, në ndonjë botim tjetër për Enver Hoxhën.

“Enver Hoxha- citon Blendi, nga një burim shumë i dyshimtë – u ndihmua për të fituar bursën, nga Eqrem Libohova, Ministër i Jashtëm i Mbretërisë, të cilin Hoxha e kishte pritur ditë me radhë në derën e shtëpisë për t’i kërkuar këtë favor”.

Nuk na rezulton asnjë dokument që Eqrem Libohova ta ketë ndihmuar Enver Hoxhën. Por, edhe nëse e marrim të qenë këtë që thotë Blendi, atëherë vetvetiu lind pyetja: Kur ndërhyri Ministri i Jashtëm i Mbretërisë (s’ka mik më të fortë), që ti dilte bursa, pse nuk i dhanë lëndën që kërkonte, histori-gjeografi, por i dhanë për shkencat natyrore, shumë larg nga lënda që kishte kërkuar.

Më pas, autori hidhet në vitet që kaloi si student, në Francë dhe më pas në Belgjikë. Këtu ka kontradikta flagrante. Gjithë kjo periudhë shfaqet totalisht e zezë. Sipas Blendit,ai ishte hajdut, gënjeshtar, imoral. Atëherë si është e mundur që kur punësohet në Korçë, këtij njeriu me këto vese, ti jepet lënda e moralit, dhe ku, në një shkollë serioze si Liceu i Korçës! Nga sa kam dëgjuar në intervista, edhe Blendi e ngre këtë çudi, dhe nuk i jep dot shpjegim. Natyrisht që i mbetet arsyetimi në ajër, pas gjithë atyre të pavërtetave mashtruese që ka thënë. Blendi duhet ta mësoj, që historia edhe pse nuk është shkencë ekzakte, ka edhe ajo rregullat e saj,prandaj i ka mbeti ekuacioni pa zgjidhje.

Në këtë biografi, Blendit i del edhe një problem tjetër. Enver Hoxha mbajti fjalim në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës, për marrjen e eshtrave të Çeçiz Topullit dhe Muço Qullit. Si t’ia bëj këtij fakti të njohur botërisht? Atëherë thotë që “kjo ishte aksidentale, se Hasan Dosti, atë ditë na u gdhi i pamundur dhe zgjodhi Hoxhën”. Dhe Hasani, që ishte 13 vjet më i madh (1895) se Enver Hoxha (1908), nuk gjeti një tjetër por një djalosh 28 vjeçar? I pëlqen apo jo Blendit, fjalimi është i Enverit. Ai foli në emër të brezit të ri, dhe madje gazeta “Demokratia” e botoi në faqe të parë. Pra nuk ishte rastësi.

Kjo ishte e para dalje publike e Enver Hoxhës, në një aktivitet kombëtar për kohën.
Më pas libri është mbushur, me thënie të kundërshtarëve të tij dhe citime nga shtypi antikomunist, ku ka inate, shpërthime, që nuk janë morale dhe aq më pak shkencore.
Momentin e 7 prillit, në mënyrë të paturpshme, autori mundohet ta tregoj Enver Hoxhën, si një intelektual jo patriot dhe indiferent, ndaj kësaj ngjarje të madhe. Injoron një dokument shumë të rëndësishëm dhe të njohur nga historiografia, që Enver Hoxha bashkë me Selman Rizën, Foto Balën dhe Abaz Ermenjin, u pushuan nga puna. Harresa bëhet në mënyrë të qëllimshme, që të mohohet patriotizmi i Enverit në një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë. Duke lënë edhe fakte të tjera shumë të njohura, që unë në këtë intervistë, nuk kam mundësi ti përmend të tëra. E gjithë kjo paçavure përgatitet që, kur të vij momenti i themelimit të PK, të thuhet që “Enverin e gjetën rastësisht në rrugë dhe e morën përdore në mbledhjen e themelimit”. Sa keq!

Historia nuk bëhet me kujtime dhe intervista, ato mbeten përherë burime dytësore. Historia gjykohet me objektivizëm në bazë të dokumentacionit. Kështu do të gjykohen nga historianët dhe historia, ngjarjet madhore që, i përfshijnë vitet 1941-1985. Prandaj, nuk na takon ne familjarëve të Enver Hoxhës, të merremi me to.

Por nuk mund të lë pa sqaruar, shpifjen shumë të rëndë, ku Blendi Fevziu thotë:”Në Ditarin e tij Hoxha sqaron se, edhe kur nisën protestat dhe demonstratat e forta në Prishtinë, ishte kundër shpalljes së Kosovës “Republikë”(f.183) Blendi nuk e referon se në cilën faqe të Ditarit të Enver Hoxhës, e ka gjetur këtë citim. Po të ishte gazetar serioz Blendi, duhet të kishte lexuar librin me përmbledhje dokumentesh të Enver Hoxhës “Kosova është Shqipëri”. Atje Blendi do të kishte kuptuar se Enver Hoxha jo vetëm mbështeste Kosovën Republikë, por ishte dhe për më shumë që Kosova të bashkohej me atdheun amë, me Shqipërinë. Po citoj shkurt se ç’ka thënë Enver Hoxha: “Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”. [E.H. Dit.Politik 19/2/1966] Dhe më 13/6/1978, thotë: “Ne vetë me duart tona, me forcat tona, do ta ndërtojmë këtë unitet të kombit shqiptar. Këtë detyrë të shenjtë na i kanë lënë amanet ta plotësojmë të parët tanë. Në mos arriftë dot brezi ynë që ta plotësojë atë, duhet të përgatitim fushën që djemtë dhe vajzat tona të kryejnë këtë detyrë ndaj mëmës sonë të dashur Shqipëri”. Dhe ai e përgatiti fushën që djemtë dhe vajzat të fitonin lirinë.

Ju pretendoni që në libër, ka edhe shumë momente të tjera që, nuk i përmbahen të vërtetës. Si është kjo e vërtetë?
Pasi autori pohon që, biblioteka kishte 22 mijë kopje libra (në fakt 25 mijë), fillon të përshkruaj se çfarë librash përmbante kjo bibliotekë. Pasi bën kompetentin, pa ditur se çfarë përmbante biblioteka, sepse ajo u përvetësua në mënyrë të paligjshme, nga drejtues shumë të rëndësishëm të kohës, pas vitit 1993. Blendi me dashje, në këtë rast, mundet edhe nga padija, kufizon llojshmërinë e titujve të bibliotekës, vetëm në libra historik dhe biografik, si edhe kujtime të njerëzve të mëdhenj të globit. (f.327).

Nëse do të kishte hapur librin e Nexhmije Hoxhës “Jeta ime me Enverin” vol.2, do të gjente një përshkrim të hollësishëm të përmbajtjes së bibliotekës, por edhe të raportit që kishte Enveri me librin. Më tutje shton, “nëse i bën një shqyrtim të hollësishëm listës së librave të bibliotekës së Hoxhës në Bibliotekën Kombëtare, bien në sy disa tregues kërshëror”. Por Blendi me gjithë kërshërin që tregon, nuk mund të nxjerri konkluzione se çfarë librash preferonte Enver Hoxha.

Ai nuk e di, që nga 25mijë librat e bibliotekës së shtëpisë, në BK kanë shkuar vetëm 3600 libra, dhe këto nga librat që mbetën, ngaqë ishin titujt më të dobët. Pikërisht këto libra u dorëzuan, për të mbuluar atë dëm të madh që iu bë jo vetëm familjes së Enver Hoxhës, por edhe kulturës shqiptare. Më ngre një dyshim të madh mbi abuzimet që mund të jenë bërë në librat që ndodhen në BK, pohimi i Blendit se “një pjesë e madhe e tyre janë të nënvizuara…nga Hoxha”. Në mënyrë kategorike, e mohoj që Enver Hoxha, nënvizonte librat ose të shënonte diçka në to. Kujdesi i Enverit shkonte deri aty, sa edhe faqet nuk i përthyente, por i vendoste një shenjues librash. Kam frikë që, për të përligjur këto marrëzi që po thuhen, do të kenë bërë ndonjë veprim mbi to. Megjithatë do të jetë shumë lehtë e vërtetueshme.

Kur flet për shtypin e huaj që shfletonte Enver Hoxha, autori do të tregoj që ai ishte i pa azhornuar me aktualitetin në botë. Ai shkruan: “Shtypi i huaj që ai [EH] shfletonte ishin kryesisht “Le Monde” dhe “International Herald Tribune”, por të dyja gazetat vinin në Shqipëri shumë vonë, po të kesh parasysh që për shumë vite drejt Tiranës fluturonte vetëm një avion në javë.(f.327) Blendi mbase e ka harruar, që në atë kohë, në Shqipëri punonte 24 orë pa u ndalur, Agjensia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Dhe nga kjo agjensi, Enver Hoxhës i vinin dy herë në ditë, lajmet më të fundit nga e gjithë bota. Duke përmendur këtu, që ai ishte edhe një dëgjues i rregullt i emisioneve të lajmeve të radio- stacioneve të huaja, si dhe i TV Italian, RAI.

Blendi mund ti sjellë edhe me avion informacionet e lajmeve, po të paktën ti sjellë në kohë.

Dhe autori e mbyll jetën e Enver Hoxhës, duke thënë gënjeshtrën e fundit që “Enver Hoxha kishte rënë në vdekje klinike…dhe ekipi i mjekëve e gjeti të shtrirë në dysheme”.

Blendi e quan jo të vërtetë dëshminë e Nexhmije Hoxhës që në ato momente ishte prezent aty. Ajo në librin e saj me kujtime “Jeta ime me Enverin” vol 2, e kujton kështu atë mëngjes, “pranë tij ishte ende infermieri, që ishte në mbarim të tualetit të mëngjesit…për një sekondë, Enveri u drodh dhe iu var koka mbi gjoks. Unë brofa në këmbë dhe bërtita:”Enver!” Pastaj e tmerruar, pashë infermierin që, duke e shtrirë me nxitim, më tha: “Shpejt, shpejt lajmëro mjekët”.Në përshkrimin e saj del qartë që, nga pozicioni ulur që ishte, infermieri e shtriu menjëherë në shtrat. Vetëm nëse kërkon të abuzosh mund të sajosh shtrirje në dysheme. Por gjithë këtë, Blendi e fantazon, për të bërë paralelizëm me vdekjen e Stalinit, ku thotë,”një skenë identike me atë të orëve të fundit të J.V.Stalinit”.

Meraku i fundit që i ka mbetur Blendit, është që Enver Hoxha “ndërroi jetë pa thënë asnjë fjalë të fundit.” Nuk duhet të shqetësohet, se Enver Hoxha e ka lënë fjalën e tij në mijëra faqe të shkruara dhe në mijëra zemra njerëzish që, e vlerësojnë si Burrin më të madh të Kombit Shqiptar.

Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Mbeten plot të tjera, por unë mendoj ta mbyll këtu, duke i kërkuar të falur lexuesit që (nga volumi i madh i problematikës) po ndalem pa arritur të sqaroj gjithçka që është e gënjeshtërt në këtë libër si, disa shtrembërime mbi ditët e fundit të vdekjes së Mehmet Shehut, opinionet dashakeqëse të vetë autorit për Nexhmije Hoxhën, shtrembërimeve që kërkon ti bëj marrëdhënieve shumë të mira që kishte Enver Hoxha me Myslym Pezën dhe Haxhi Lleshin, marrëdhëniet e Enverit me mjekët që duke i dhënë fragmentare, nuk kuptohen si kanë qenë realisht, si dhe kontaktet me mjekët e huaj, përshkrimet e “vetmisë së madhe”, që mbetet vetëm në fantazinë e autorit, ekzagjerimet si ruhej blloku dhe Enver Hoxha kur shkonte me pushime, aredimi i shtëpisë ku jetonte Enveri bashkë me familjen, etj. Megjithatë do të kemi raste të tjera.

Gjëja e fundit, dua ti drejtohem publikisht Blendi Fevziut, mbi abuzimet që po bën me filmat privat të Enver Hoxhës dhe familjes së tij.

Ti Blendi Fevziu, nuk mund t’i përvetësosh filmat familjarë të Enver Hoxhës. Ti nuk e di që në ato filma, dhe kurrë nuk do të mund ta dish, sepse nuk ke jetuar pranë tij, ka momente meditimesh dhe gjendjesh shpirtërore për shumë ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur ato vite në Shqipëri. Ka ngjarje familjare të cilat na përkasin vetën ne, pjesëtarëve të familjes së tij, dhe që ti, të paktën për etikë duhet të na kishe kërkuar leje për transmetimin e tyre.

Megjithatë s’ka problem, ne nuk kemi asgjë të fshehtë për të mbajtur, por kërkojmë që të mos abuzosh dhe spekullosh me to, në komentet që bën. Të ka mbetur kamera tek noti që bën Enver Hoxha në pishinë, madje duke e cilësuar edhe stilin e notit. Ti kujton se po e deskretiton, një njeri në moshë, që po bën banjo, në një nga ditët e pakta që ai dilte në plazh. Nuk të shkon mendja, që para publikut dukesh shumë i papjekur me komentet e tua! Po ta kujtoj, Enver Hoxha, asnjëherë nuk ka pretenduar se ishte notar që thyente rekorde. Dhe po e mbyll duke të thënë, se sekuencat më të pafalshme që ke transmetuar, janë ato të ditëve të fundit të jetës së tij. Ato nuk kanë të bëjnë me aktivitetin e tij politik. Ai ishte një njeri, në prag të vdekjes siç janë të gjithë të vdekshmit e kësaj bote. Siç ka qenë edhe nëna jote e ndjerë, disa ditë para se të vdiste. Dhe ti me paturpësi, komenton flokët e paprera dhe të pakrehura, gjithmonë sipas teje. Kështu mund të veprojnë vetëm burracakët. (Gazeta Shqiptare)

 
Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 15:54

Tiranë – Njeriu që i dha bursën në Francë, Myfid Libohova, do të ekzekutohej pas luftës. Prezenca e Enver Hoxhës në themelimin e PKSH-së lidhej me një ide të Miladin Popoviçit, sipas të cilit, mes pesë anëtarëve të Grupit të Korçës duhej edhe një mysliman. Ishte Koço Tashko që e mori në mbledhje dhe ishte po ky që Enveri e masakroi pas luftës. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes lidhet vetëm me pikën që Shqipëria duhet të bashkohej me Kosovën, dhe kjo e zemëronte Miladin Popoviçin.

(Promo) Libri Enver Hoxha nga Blendi Fevziu

 Janë një duzinë me urdhra verbalë që vetë Enver Hoxha u jep vartësve për të ekzekutuar shokët dhe miqtë e tij më të ngushtë me “një plumb kokës”. Nuk bëri përjashtim nga ky rregull edhe historiani i sotëm Kristo Frashëri, atë kohë anëtar i Grupit Komunist të të Rinjve, i cili shpëtoi vetëm se nuk e foli më. Enver Hoxha shan me fjalorin më ordiner Kadri Hazbiun në mbledhjen e Byrosë. Kamera me të cilin Enver Hoxha është filmuar privatisht, iu ble studentit të sapodiplomuar në Moskë, Ismail Kadare. Presidenti Ronald Regan dhe ish-zonja e Parë, Zhaklin Kenedi, ndërhynë personalisht që Nënë Tereza të takonte të ëmën e saj dhe të motrën që jetonin në Shqipëri.

Një pjesë e këtyre detajeve mund të ishin dëgjuar edhe në kafene. Një pjesë tjetër vijnë për herë të parë. Por, libri i Blendi Fevziut, “Enver Hoxha”, vërtet ka një risi qoftë në lëmin e historisë së Shqipërisë, qoftë në atë të publicistikës. Për herë të parë shqiptarët kanë në dorë një vepër të plotë, një monografi po të plotë, pa censurë, pa deviacione, pa interesa dhe, mbi të gjitha, mbi dritën e fakteve, dëshmive dhe dokumenteve. Të gjitha në funksion të diktatorit që diktoi më dorë të hekurt pjesën më të madhe të shtetit shqiptar. Për 41 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një vend jo thjesht komunist diktatorial, por ekskluzivisht në funksion të vetes së vet.

Blendi Fevziu ka dhënë një leksion jo thjesht për ne gazetarët dhe publicistët që rreken të shkruajnë libra pa fund të shoqëruara me kronika televizive promovuese, pavarësisht se i lexon apo jo njeri. Ne të komunitetit të gazetarëve duhet të ndjehemi dyfish pozitivë sepse Fevziu u ka dhënë një leksion po aq të madh dhe historianëve shqiptarë. Historianë që në këto 20 vjet nuk patën aftësinë të prodhojnë një monografi dhe një libër të historisë së diktatorit.

Ata libërtha apo kapituj zyrtarë në librat e historisë të botuar në dy dekada, ose janë të mllefosur, ose janë diletantë, mediokër, pse jo, edhe naivë, ose janë vazhdim inercie i një frike që po këta historinë e kanë pasur në bark për 50 vjet. Në bibliotekën time ndodhen shumë libra me bazë historinë e Enver Hoxhës. Që nga historia zyrtare e Akademisë së Shkencave, që libra të shkruar nga historianë zyrtarë, kujtimet e pesë misionarëve anglezë, tre librat e historianit amerikan Bernd Fisher, e deri tek Xhon Hollidej, me titullin intrigues “Shqiptari dinak”. Por, ndërsa njëri ka mllefin e të përndjekurit, tjetri është i pushtuar nga nostalgjia. Njëri bart me vete ambalazhin e nostalgjisë, tjetri favorin e të huajit që për shqiptarët di më shumë se ata. Pasi i lexon të gjithë, konkludon se të gjithë kanë diçka që i mungon. Dikujt i mungon dokumentimi, dikush ka botuar diçka që nuk është e vërtetë dhe përherë mbetesh i dyzuar se që të njohësh Enver Hoxhën dhe sistemin që ai ndërtoi, duhet që këtë kapicë librash ta lexosh me syzet dhe pikëvështrimin tënd personal.

Ndryshon kryekëput vepra origjinale e Blendi Fevziut. Edhe pse dihen vuajtjet e familjes së Fevziut në diktaturë, ai është shkëputur nga mllefi, inati, hakmarrja dhe zakone të tipit “ta tregoj unë kur të shkruaj historinë”. Janë shumë pasazhe në libër, që edhe pse janë kundër Enver Hoxhës, Fevziu i kundërshton ose i nxjerr të pavërteta duke bërë që besueshmëria e kësaj monografie të jetë e lartë. Shkurt, “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut ka dalë, në mos fiks fare, shumë afër realitetit. Dhe, një pikë shumë, shumë e fortë është e shkruara. Një stil i tillë të shkruari nuk e ndeshim në asnjë libër të historisë sonë. Libra që na kanë prishur shijen e të shprehurit ose që kishin çimentuar modelin se këto soj mund t’i lexonin vetëm historianët. Fevziu e ka prishur rregullin duke sjellë modelin se edhe një histori profesionale dokumentare mund të shkruhet me një stil të shkrifët, të asimilueshëm dhe me ëndje për ta konsumuar.

Por, Fevziu ka ditur të nxjerrë në dritë një libër të cilin ma do mendja e lexojnë me kërshëri edhe ata që janë sot 70 vjeç, të cilët kanë qenë aktorë, por edhe kanë vuajtur nga qeverisja e Hoxhës. E lexojnë edhe 50-vjeçarët që e kanë njohur mirë komunizmin, por nuk kanë vuajtur persekutim. Por, mbi të gjitha, këtë libër mund ta lexojnë edhe ata që kanë lindur në vitin 1990 e këtej, të cilët nuk kanë jetuar asnjë ditë në atë sistem. “Enver Hoxha” i Fevizut nuk është një libër që e lexon dhe thjesht ta ka ënda që falë cilësisë së botimit ta rendisësh diku në bibliotekë. Ai është dhe mbetet një libër i hapur reference. Nëse të duhet të dish për 41 vitet e diktaturës së Hoxhës, nëse të duhet të dish se çfarë ndodhi në ato 41 vjet, nëse të duhet se si u rrokullisën ngjarjet, jo thjesht shfleto Enver Hoxhën e Fevziut. Është libër që duhet tam bash në raftin më të afërt të skrivanisë. (Panorama Online, Roland Qafoku)

FAKTE DHE DETAJE NGA LIBRI PER HERE TE PARE

– Njeriu që i dha bursë Enverit për studime në Francë, Myfid Libohova, do të dënohej sapo të vinte në pushtet.

– Janë një radhë njerëzish që janë ekzekutuar pas luftës, të cilët më parë e kishin ndihmuar Enver Hoxhën në rrethana nga më të ndryshmet kur ai ishte i ri. Kulmi ishte ekzekutimi i burrit të motrës, Bahri Omari.

– Prezenca e Enver Hoxhës në mbledhjen e themelimit të Partisë lidhet vetëm me Koço Tashkon. Miladin Popoviçi i kishte thënë se të pestë anëtarët e Grupit Komunist të Korçës ishin ortodoksë dhe duhej që patjetër të ishte edhe një mysliman. Kështu Tashko mori Enverin.

– Që nga 8 nëntori i vitit 1941 e deri në mes të vitit 1943, Partia Komuniste nuk kishte sekretar dhe Enveri nuk ka qenë i pari i saj. Vetëm pas kësaj ai u zgjodh sekretar Politik.

– Qemal Stafa nuk është ekzekutuar nga fashistët, por është vetëvrarë në momentin kur po ndiqej. Enver Hoxha shtrembëron faktet në librin e tij me kujtime.

– Në Plenumin e Beratit Enveri pranoi disa nga krimet që kishte bërë. Për herë të parë ai bën një ndjesë duke ndjerë që do të eliminohej politikisht. Kur mendohej se ai do të shkarkohej, Enveri bën një mea culpa dhe menjëherë kërkon të shkojë në Tiranë për paradën, por duke i shpëtuar ndëshkimit.

– Presidenti Omer Nishani nuk pati vdekje natyrale, por sipas ekspertizës, në trup kishte dy plumba.

– Kamera me të cilën janë filmuar pasazhe nga jeta private e Enver Hoxhës, iu ble studentit të sapodiplomuar në Moskë, Ismail Kadare.

– Vetë Presidenti Regan dhe ish-Zonja e Parë, Zhaklin Kenedi, ndërhynë që Nënë Tereza të takonte të ëmën dhe motrën gjatë viteve ‘90.

– Enver Hoxha shan në Mbledhjen e Byrosë “q…. motrën Kadri Hazbiut”.