Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 16:39

Prishtinë- Përfaqësuesit e EULEX-it ia dorëzuan Agjencisë së Regjistrimit Civil në Kosovë kopjet e vërtetuara të 1066 librave amzë, ku është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Podujevës.

“Është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Podujevës. Kjo dosje përbëhet prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinale civile dhe fetare të cilat përmbajnë të dhëna rreth lindjeve, martesave dhe vdekjeve”, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë muajit të kaluar, si pjesë e një projekti të madh në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë, si edhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

“Vlerësohet se në Serbi ndodhen rreth 12,036 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave amzë origjinale është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, thuhet në deklaratë.

Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 3835 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që i mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425) dhe të Podujevës (1066).

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 15:12

Tiranë – “Një mur xhami që ia kemi ngritur vetvetes nuk na lejon ta trajtojmë shkrimtarin kosovar Anton Pashku, si pasuri tonën shpirtërore”. Kështu thotë studiuesi Behar Gjoka, i cili i ka kushtuar një libër studimor një prej përfaqësuesve kryesorë të letërsisë moderne shqipe. Sipas Gjokës fatkeqësisht Pashku prej vitesh nuk është pjesë e programeve tona mësimore dhe kjo për arsyen se ai ende trajtohet si një shkrimtar i “jashtëkufijve”.

Jeni duke përfunduar një libër studimor mbi veprën e Anton Pashkut, përpara se te flasim për këtë vepër, pyetja që lind natyrshëm është: sa e njohin shqiptarët Pashkun?

Anton Pashku, në kuptimin estetik, është një vlerë e shtuar e modernitetit të letrave shqipe, pa mëdyshje një nga përvojat e shkrimit letrar të periudhës bashkëkohore, është shumë i njohur në Kosovë dhe trojet etnike, madje shpesh trajtohet si magjistar i fjalës. Nga ana tjetër, krijimtaria e larushisë letrare të Pashkut është jo pak e njohur në diasporë, porse është i njohur më shumë si emër në Shqipëri, në kuptimin që ende nuk është hipotekuar si vlerë shpirtërore, për shkak të murit prej xhami që ia kemi ngritur vetvetes, fill pasi kemi shembur muret e betonta të dikurshme, ose me gjasë të vijimit të leximit të autorëve shqiptarë të trojeve etnike, si letërsi jashtë kufijve, sepse rrethanat e favorshme të komunikimit, mjerisht na kanë sjellë në portat e mungesës absurde të tij.

Sa i pranishëm është në tekstet shkollore shqiptare?

Ka dy pamje të pranisë së veprës letrare, aq të vlertë dhe moderne, nëse në Kosovë është plotësisht i pranishëm, madje në të gjitha nivelet e shkollimit të saj, si një vlerë dhe proces thelbësor i shkrimit letrar, nga ana tjetër, ndërsa në Shqipëri duket si emër për herë të parë aty nga fillimi i viteve ’90. Porse, tanimë ka një periudhë të gjatë kohore, që nuk është përfshirë më në programet shkollore të shkollës shqiptare, të këndej kufirit. Dhe, në këtë pikëpamje, ka një paradoks të rrokshëm, ndërsa rrekemi të unifikojmë abetaret dhe librat shkollorë, letërsinë e vërejmë ende me syzet e letërsisë së jashtë kufijve…

Le të vijmë te vepra juaj, pse një libër për Pashkun?

Është shkrimtar që e pëlqej, madje në të gjithë treguesit e vet, të thënies dhe artikulimit letrar, të lëvrimit gjuhësisht, të njëkohshëm të variantit të gegnishtes dhe të gjuhës së njësuar, e sidomos të vendosjes së ligjërimit të gjuhës shqipe në koherencë me ligjërimin letrar të përbotshëm, veçmas në shkrimin e tragjedive moderne. Pashku, pa mëdyshje gjenia krijuese e tij, është një vlerë e konfirmuar e letrave shqipe, aq sa është tepër e vështirë që të rrëfehet, po kaq mbetet një nga modelet e përsosura në lavrimin e prozës së shkurtër. Në sendërtimin e tregimit, të natyrës fantastike, një përcaktim autorial, gjithnjë sipas shijes dhe bindjes sime, Pashku është një nga përvojat më të vyera, që së bashku me Kutelin dhe Koliqin, të cilët hodhën themelet e prozëshkrimit të gjuhës shqipe, përbëjnë kurorën e trinitetit të tregimtarisë shqipe, që e futën prozën shqipe në shtjellat e lavrimit modern, por njëherazi shënojnë edhe kulme unike të shkrimit të saj.

Pashku nuk është një autor “i thjeshtë”, veprës së tij duhet t’i rikthehesh vazhdimisht, cila është “e fshehta” apo “misteri” i krijimtarisë së Pashkut?

Për mua është autori më i vështirë, krahasuar me të gjithë shkrimtarët me të cilët jam marrë kësaj ndërkohje, për shkak se është nga të paktët shkrimtarë të letërsisë shqipe që nuk ka gjasa të gjesh në përgjumje dhe shërbesë joletrare… Po kaq, vepra letrare e Pashkut nuk të jep dorë për ta lexuar sipas optikave ideologjike, sociologjike apo monografike, të ndërthurjes jetëshkrimore dhe letrare, të rrafsheve mendjembyllura të akademizmit shqiptar, sidomos të këndej kufirit, pra duhet lexuar dhe shqyrtuar si tekst dhe vetëm si hapësirë tesktologjike, gjithnjë pa harruar porosinë e Umberto Eco-s, mbi “hapësirat e shprazta”, që duhen mbushur nga bashkëpunimi i lexuesit. Duke qenë i vështirë, mbase prandaj është edhe kaq tërheqës… Ka tregime të ndryshme, si dhe dy tekstet e tragjedive që janë lexuar disa herë, kohë pas kohe… Në fakt, krijimtaria letrare e Pashkut, në vetvete dhe më përtej saj, bart jo pak mister dhe enigma, që duhen zbuluar ngadalë dhe me shumë përqendrim. Do të ndalesha në dy prej tyre, të cilat mua më duken edhe më thelbësoret, por edhe sa për të krijuar një ide fillestare mbi këtë dukuri unike të letrave shqipe. Së pari, dramatikën e ka emërtuar tragjedi moderne, si një rimarrje dhe riformulim, që sugjeron kodin, por edhe e ndërlikon shkrimin e leximin e saj. Po kaq, së dyti, prozën e shkurtër, e cila jo rastësisht është përcaktuar nga vetë shkrimtari si tregime fantastike. Ka edhe të tjera, por vetëm zbërthimi i këtyre dy hallkave është një realitet që, sa herë lexohen tekstet e autorit, aq herë zbulohet si magji shkrimi, aq herë do të duhet të rihysh në marrëdhënie me kodet dhe dekodimin e tyre.

Është i keqkuptuar Pashku?

Ka më shumë arsye për të qenë i pakeqkuptuar, sepse moderniteti shkrimor, në prozëshkrim dhe në dramatikë, në një farë mase ka projektuar dhe skicuar hapësirat dhe natyrën moderne, ku edhe po gjallojmë. Por, edhe në këtë rast, për çudinë e çudive, sërish nuk mungojnë shkaqet për të qenë i keqkuptuar, pra dhe jo i hipotekuar në vlerat letrare të rrafshit të bashkëkohësisë. Në emërtimin si i keqkuptuar, do të thosha se ka jo pak mundësi që të trajtohet si i tillë, jo se ka arsye letrare të mjafta për të qenë i keqkuptuar, në këtë paragjykim. Kanë rolin e vet ligjërimi i gegnishtes, në një pjesë të madhe të tregimeve fantastike, ndeshim në praktikën e shkrimit me dy variante, pra edhe në gjuhën e njësuar, duke u bërë kufiri ndarës dhe ura ndërlidhëse e hapësirës së letërsisë si gjuhë e autorit, që nuk është se ka të bëjë shumë me standardizimin e saj, po kaq shkrimi letrar, pavarësisht gjinisë dhe llojit letrar të ligjëruar, si një fakturë moderne dhe eksperimentale, përbën një shkas fiktiv, për ta keqkuptuar, aq më tepër që në një moment të caktuar ai ka dalë hapur kundër modelit të realizmit socialist, e prandaj duket se kundrohet si përfaqësues i letërsisë së jashtë kufijve, një absurditet që nuk ka mundësi të zgjatet pafundësisht.(BW/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 18:20

Prishtinë – Tony Blair është dhe mbetet hero për këtë vend dhe për lirinë tonë. Kështu u tha të dielën në ceremoninë e promovimit të ditarit te këshilltarit të ish kryeministrit britanik Toni Bler, Alastair Campbell “Vitet me Tony Blair”.

Ky libër u cilësua si shumë i ndjerë për shqiptarët, e veçanërisht për popullin e Kosovës, pasi që në qendër të tij ka një figurë shumë të dashur, njeriun i cili në momentet më të vështira të historisë në luftën e Kosovës, ishte zëri i perëndimit dhe aleancës së NATO-s.

Henri Çili, botues dhe administrator në Universitetin Evropian të Tiranës, tha se kontakti me këtë libër ka qenë një surprizë dhe se përkthimi në shqip është diçka e veçantë.

“Zoti Campbellështë një emër i lidhur me shqiptarët , pothuajse në rangun e atyre figurave të rëndësishme të perëndimit të sotëm, i cili në një mënyrë apo tjetër u takuan në njërën prej çështjeve të tyre të rëndësishme dhe në çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe fushatës së bombardimeve në Kosovë dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare. Prandaj prania në shqip e këtij libri, jo vetëm i shërben gjithë profesionistëve të komunikimit dhe politikës të gazetarisë, studiuesve, politikologëve, por në një far mënyre është një kuriozitet dhe nevojë, që ne ta njohim atë se si ka funksionuar një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë si shqiptar”, pohoi ai.

Ndërsa, publicisti Baton Haxhiu, pohoi se heroi i tij, por dhe i gjithë Kosovës dhe popullit të saj, mbetet Tony Blair.

“Për shumë njerëz të Kosovës Bill Klinton është njeriu i cili ka bërë të tërën dhe është hero i gjithë neve. Por për mua personalisht, për faktin që ka përjetuar të gjitha me ekipin që ka qenë në Kosovë, unë ndryshojë nga gjithë ata që kanë përjetuar lirinë, se heroi im për këtë vend dhe për lirinë tonë është Tony Blair”, pohoi Haxhiu.

Ndërkaq, Alastair Cambpell, autor i librit “Vitet me Tony Blair”, tha se ka shumë gjëra që duhet të bëhen në Kosovë, por dhe se është arritur progres ai madh. Ai po ashtu ka folur dhe për momentin kur ka kaluar kufirin me Shqipërinë , e i cili i kishte kujtuar shumë vite më parë, kur në atë pjesë me mijëra njerëz shpërnguleshin nga Kosova atje.

“Nëse ecim nëpër Prishtinë ka shumë gjëra të cilët duhet të punohen. Por kur kalova kufirin me Shqipërinë ditë më parë, unë reflektova se herën e fundit kur isha në atë kufi ishin mijëra njerëz të cilët po shpërnguleshin dhe kjo nuk është edhe aq larg. Është ndjenja sikur ka kaluar shumë kohë por historikisht është afër dhe tashmë e keni shtetin e pavarur. Kemi disa probleme me njohjet të Bashkimin Evropian dhe në disa shtete tjera, por shumica e vendeve e kanë njohur Kosovën si të pavarur dhe ky është një progres i madh”, tha Campbell.

Ndryshe, përkthimin në shqip të librit të këshilltarit të ish kryeministrit britanik Toni Bler Alastair Campbell “Vitet me Toni Blair”, e ka bërë Universiteti Evropian i Tiranës. (K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 March 2013 16:44

Prishtinë – Pierre Pean, gazetari që ka tronditur Francën në vitin 2008 me një libër që flet për lidhjet e supozuara të ish-ministrit të jashtëm francez Bernard Kouchner me ish-diktatorët afrikanë, po përgatitet që kah mesi i prillit të hedhë në treg një libër të ri. Këtë radhë nuk ka për temë Afrikën, por Kosovën.

Funksionimi i SHIK-ut, lidhjet e kësaj strukture që pretendohet se ekzistojnë me kryeministrin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, aktivitetet e nëntokës në Kosovë, lufta e UÇK-së, akuzat për krime lufte dhe lidhjet e pretenduara të nëntokës me ish-kryeministrin tjetër, Ramush Haradinaj, janë subjekt i librit, shkruan gazeta “Tribuna”.

Sipas burimeve të gazetës, libri kryesisht mbështetet në raporte të inteligjencës së trupave franceze që kanë operuar në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Sipas të njëjtave burime, ky libër është i fokusuar kryesisht në aktivitetet e pasluftës në Kosovë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 March 2013 19:29

Prishtine – Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi i ka cilësuar si të pavërteta deklaratat e shkrimtarit Kim Mehmetit. Sipas tij, kontributi i Kishës Katolike në mbrojtjen e kombit shqiptar është i pamohueshëm. Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, ka thënë se qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë qëndrimin e tyre, edhe pse ata ishin organizatorë të promovimit të librit “Shkupi”.

Ipeshkvia e Kosovës kundërshton deklaratën e shkrimtarit Kim Mehmeti, sipas të cilit islami e ka shpëtuar shqiptarinë. Përveç Ipeshkvisë nëpër rrjete sociale kanë reaguar edhe deputetë dhe njerëz të shoqërisë civile

Deklarata e shkrimtarit Kim Mehmeti se islami e ka shpëtuar shqiptarinë ka ngjallur jo pak reagime në opinion.

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi kundërshton ashpër këtë deklaratë të të Mehmetit të bërë të dielën gjatë promovimit të librit të tij me titull “Shkupi”.

Don Shan Zefi ka thënë të hënën për Gazetën Express se realiteti është pikërisht e kundërta çka ka deklaruar shkrimtari Mehmeti.

“Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë”, tha Don Shan Zefi.

Sipas tij, është islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

“Ky është një fakt historik që nuk mund ta mohon askush”, shtoi ai, të hënën.

Don Shan Zefi vë në theks të veçantë kontributin e Kishës Katolike në ruajtjen e kombit.

“Kisha katolike ka qenë rojë e kombit shqiptar e assesi Perandoria Osmane dhe islamizmi i shqiptarëve”, deklaron ai.

Të dielën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës shkrimtari Kim Mehmeti u shpreh midis tjerash se islami e ka shpëtuar shqiptarinë, veçanërisht në Maqedoni. Duke folur për atë se si kanë arritur shqiptarët ta ruajnë identitetin, Mehmeti tha se kjo është arritur përmes islamit.

“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, tha Mehmeti.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Berat Buzhala, duke e quajtur poshtërsi promovimin e Librit “Shkupi” të Kim Mehmetit. Ai ka reaguar përveç ndaj deklaratës së shkrimtarit edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje si njëra nga organizatoret e promovimit. Deputetit Buzhala, kjo i është dukur poshtërsi, dhe duke ironizuar me këtë takim, që e quan interpelancë, Buzhala mes rreshtash madje ka kritikuar edhe PDK’në dhe të gjithë spektrin politik.

“Pra, me lejoni ta përsëris: PDK dhe gjithë spektri politik vendor vuajnë nga padituria, kurse Vetëvendosje nga poshtërsia. Pra “ne” jemi injorant e këta janë të poshtër. Këtë herë, poshtërsinë e vet, dhe tendencën për të mos zgjedhur mjete për të ardhur deri te pushteti dhe deri te vota Lëvizja Vetëvendosja e tregoi me ‘interpelancën’ qe e zhvilluan me Kim Mehmetin”, ka shkruar Buzhala, në rrjetin social “Facebook”.

Buzhala, u ka parashtruar pyetje, autorit Kim Mehmetit dhe lëvizjes Vetëvendosje.

“Një pyetje publike për Kimin dhe për Lëvizjen Vetëvendosje: Nëse islamizmi e ka shpëtuar shqiptarizmin, a do të thotë kjo që shqiptarët ortodoks dhe katolik kanë gabuar që janë përcaktuar për këto dy besime? Kjo nën 1, kurse nën 2, nëse kanë gabuar që nuk janë konvertuar a ka ende kohë me e përmirësuar këtë gabim? Pra, a ka përfunduar procesi i konvertimit në islamizëm? Kurse nën 3, a mendon Kim Mehmeti dhe Lëvizja VV se duke e vënë në plan të parë për këtë temë i ndihmohet unitetit kombëtar?”, ka shkruar Buzhala Libri “Shkupi”, u promovua të shtunën, në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, një nismë e përbashkët kjo e shtëpisë botuese Logos-A me Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Gjatë këtij promovimi, është zhvilluar po ashtu edhe një debat për rëndësinë e Shkupit në planin gjithëkombëtar, ku autori i këtij teksti bashkë me Glauk Konjufcën, nënkryetar në Kuvendin e Kosovës, kanë vlerësuar se Shqiptarët janë fajtorë për sllavizmin e Shkupit.

Konjufca ka thënë për Express se në një shoqëri të lirë dhe demokratike, secili intelektual i artikulon dhe i mbron qëndrimet e tij.

“Kështu bën edhe Kim Mehmeti”, tha Konjufca.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mban përgjegjësi për fjalën publike të intelektualëve, prandaj pyetja juaj fsheh një mendësi shumë të rrezikshme”, tha Konjufca.

“Ne e promovuam librin e tij ‘Shkupi’. Ky është një libër shumë i mirë dhe me vlera kombëtare”, ka deklaruar Nënkryetari i Kuvendit nga kjo lëvizje.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 March 2013 17:31

Prishtinë – Ndonjëherë të shkon mendja se ne shqiptarët jemi popull që harrojmë shpejt, ose mbajmë në mend vështirë. Por, romani i Binak Kelmendit, “Guri i vashës”, i botuar kohë më parë nga KOHA, i kundërvihet këtij fenomeni me fuqinë artistike të fjalës dhe rrëfimit, e mbi të gjitha me besnikërinë historike të gjithë asaj që na ndodhi këtu në Kosovë në vitet e ndërrimit të shekujve. Eseisti Muhamet Reçica i spikat këto cilësi të këtij romani. Ai “Gurin e vashës” e konsideron kryevepër për luftën e fundit në Kosovë. Po e botojmë të plotë këtë recension.

Autori Binak Kelmendi me romanin “Guri i vashës” e trajton në mënyrë të thellë dhe të gjithanshme luftën e vitit 1999 në Kosovë, të parë nga këndvështrimi i një krijuesi pjesëmarrës, i cili e trajton atë nga dimensioni historik, real dhe ai artistik, duke dhënë gjykimet më të goditura e të motivuara nga gjendja objektive e përmasave të dhembshme dhe e pasojave të shumanshme të saj. Ai në këtë roman shquhet për ndjesinë dhe mprehtësinë në përzgjedhjen e temës së luftës, duke i kuptimësuar çastet më me peshë të saj, për t’i përjetësuar në historinë tonë kombëtare që brezat e ardhshëm të mos i harrojnë dhe t’i ruajnë të freskëta në kujtesën e tyre kolektive.  

Përdhunimi, krim i planifikuar!

Sikur edhe vetë titulli i romanit të implikon në përmasat legjendare të luftës, në kuptimin e përditshmërisë së saj, me pasojat e tmerrshme në jetët e njerëzve të kësaj ane nga forcat ushtarake e paraushtarake serbe, të cilat sillen me ashpërsinë më të vrazhdë në raport me popullatën vendëse, e veçanërisht me gratë, fëmijët dhe pleqtë. Si të numëroheshin njerëzit e vrarë, të prerë në fyt, nxjerr sysh, të vdekur e të lënë kudo nëpër tokë, me koka të ndara nga trupi e me korbat e sorrat sipër tyre, krakëllima e të cilëve të fuste tmerrin… sepse ishte kohë e pakohë, që ka lënë një kujtim të rëndë, të hidhur e tepër të tmerrshëm. Si të arsyetoheshin veprimet e organeve serbe, të cilat natën i mblidhnin trupat e pajetë të lënë mbi dhe, por edhe duke i zhvarrosur e i ngarkonin në kamionë për t’i bartur në Serbi që t’ua humbnin gjurmët, siç thotë një shprehje popullore, atje “ku bën dreqi ve e ku bren miza hekur” vetëm e vetëm që t’i ikte fajësisë për krimet e bëra, që pesha eventuale e tyre të jetë sa më e lehtë…

Një përmasë tjetër lufte e trajton autori: përdhunimin si formë e luftës së planifikuar nga Serbia, si mënyrë për thyerjen e dinjitetit moral, si strategji për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, që në fund të fundit ishte motoja e kësaj lufte. Aq sa i tmerrshëm ishte dhunimi, edhe më rëndë peshonte përdhunimi i detyruar incesal, si akti më çnjerëzor i shkeljes së integritetit moral, shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve atë kohë…derisa vajza, motra a nëna shqiptare preferonte vdekjen dhe kurrsesi përjetimin e një akti të tillë aq të ulët, veprim që i tmerronte ushtarët serbë…

Nga ky siklet shqiptaret, veçanërisht ato që kishin pësuar përdhunimin kërkonin shpëtimin te legjenda, te Guri i Vashës, të cilin shpresonin ta gjenin e të hidheshin nga ai për të hyrë në legjendë, si rrugë për shfajësim moral për fatin e rëndë e tragjik që kishin pësuar në atë kohë lufte. Ato tani e donin edhe vdekjen vetëm që të shkarkoheshin nga kjo barrë faji që kurrsesi ta përballonin, edhe pse motivi për ta duruar atë poshtërim ishte njerëzor: “… vetëm zëri i të birit nga bash i djepit më ndali që të bëja vetëvrasje”. Por, më kot u munduan ushtarët serbë ta vrasin nderin e mitizuar te shqiptarët, me gjithë brutalitetin, shtazërinë njerëzore e pangopësinë e urrejtjes që zbrazej mbi popullatën e pafajshme…

Ndjenja e antikohës, sa rëndë peshonte!

Një rrafsh tjetër psikologjik të mendësisë serbe, të cilën e trajton në mënyrë shumë të qëlluar autori, si tipar etnik serb e të bërë strategji luftarake institucionale, ka të bëjë me aktet e nëpërkëmbjes, nënshtrimit e poshtërimit të popujve të robëruar, si platformë strategjike për ta bërë shtetin serb si më të madhin, më të tmerrshmin dhe më të fortin jo vetëm në Ballkan, por mundësisht edhe në botë, sepse, sipas tyre, serbët janë të deleguarit e Zotit, të përzgjedhurit e tij në tokë, të preferuarit e tij në univers…. Mirëpo e vërteta ishte krejt tjetër, derisa kishte nga ushtarët serbë të cilët dhunshëm mobilizoheshin në ushtri për t’u dërguar në Kosovë, duke u thënë se po mbrohej atdheu, derisa ata ishin të bindur se atdheun e kishin lënë diku larg prapa shpinës, duke sharë e duke u shfryrë në ata që i kishin detyruar të vinin në luftë, duke u neveritur nga dhuna e plaçkitja e çdo gjë tjetër në Kosovë. Jo pak të çuditshme ishin edhe ekspozitat e trofeve të luftës, sendet më me vlerë të plaçkitura të cilat ekspozoheshin mbrëmjeve nëpër vende të caktuara, me të cilat mburreshin prijësit e luftës, derisa motoja e luftëtarëve serbë: “Vritni edhe fëmijët shqiptarë që të mos rriten e të të vrasin ty…” dëshmon urrejtjen patologjike raciste serbe kundër shqiptarëve.

Me shumë mjeshtëri e saktësi autori e pasqyron edhe gjendjen e të rrethuarve nga forcat serbe, e cila ishte aq trishtuese sa ata e kishin humbur edhe konceptin e kohës, edhe të ditëve, edhe të muajve…

Pjesa e dytë e romanit trajton hyrjen e NATO-s në Kosovë, duke gjetur dëshmi të përdhunimit seksual, dëshmi të masakrave të tmerrshme, të dënueshme me ligjet e luftës, copa trupash të mbuluar nën dhe, zhvarrimi i tyre, i cili përjetohej rëndë sa vetë vdekja…

Mund të përfundojmë se romani “Guri i vashës” i autorit Binak Kelmendi është një kryevepër për luftën e fundit në Kosovë, e cila pasqyron artistikisht dimensione të shumta të kësaj golgote, e cila si e tillë meriton të lexohet dhe të mbahet mend. Proza ka brumosjen e duhur artistike, vitalitetin e mjaftueshëm komunikues dhe me një zë njerëzor e origjinal trajton perspektiva të shumta të realitetit të trajtuar. 
(Autori i këtij recensioni është Muhamet Reçica, prozator e eseist) (K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 February 2013 18:44

Gjirokaster –  “Zhurnal plus”: Si do ta përshkruanit me disa fjalë vetveten?Pra, duam një autoportret Tuajin!

Suzana Zisi:
E brishtë. E fortë. Mirënjohëse. Kaq. Tepër e vështirë të flasësh për veten.

“Zhurnal plus”: Për poezinë thuhet se është mbretëresha e arteve,se ajo është ari, proza argjendi e të tjerat vijnë pastaj, se poetët nuk e krijojnë atë, sepse ajo ekziston diku, poeti vetëm e zbulon atë…Rrugën deri te poezia si e gjetët? Ç`është poezia për ty? A mund të jetojnë njerëzit pa poezinë?

Suzana Zisi:
Poezinë e gjeta brenda vetes. Isha 5 vjeçe kur shkruaja sprovën e parë.
Dëgjoja zëra brenda vetes të cilët më pëshpëritnin, më këndonin, më zhurmonin. Një ditë, duke i kërkuar ndihmë mësuesit për shkronjat që ende nuk i dija, arrita që “zhurmën” ta shndërroj në fjalë e mandej fjalët në vargje. Poezia ime e parë është kjo:

JAM
Jam vajzë.
Jam lule.
Jam bletë…
Po mjalti ku humbi?
Do të ta falja Ty…

“Zhurnal plus”:Pse “E bardha është pak”?

Suzana Zisi: Sigurisht që është një metaforë por edhe sepse kjo e bardhë është vërtet pak. Sepse “e zeza” është murtajë, bakteri i së cilës e ha çdo çast të bardhën, edhe si kategori estetike dhe si dukuri filozofike,  edhe në të përditshmen tonë që për ta parë këtë të bardhë, na duhet “të shpikim” lupa të mëdha e të sofistikuara për ta gjetur…të strukur diku në ndonjë kënd të errët. E shoh gjithmonë e më pak këtë të bardhë, në hapësirën që arrin të përfshijë syri dhe mendimi im. Kjo më trishton.

“Zhurnal Plus”: Vërtetë “Imazhet kanë ftohtë”?

Suzana Zisi:
Po, kanë ftohtë imazhet, përderisa ka ftohtë njeriu. Ka ftohtë bota ku ne jetojmë. Ka ftohtë shpirti. Ka ftohtë demokracia. Ka ftohtë dashuria e njeriut për njeriun…

“Zhurnal plus”: Si kalove në “Në shkretëtirat e heshtjes”?

Suzana Zisi:
Teksa të gjitha llojet e armëve vrasin trupin, heshtja, është arma që vret shpirtin. Ajo ka një diapazon aq te gjerë, sa brenda saj humbet…si në një shkretëtirë. Heshtja e njeriut përballë padrejtësive, përballë te drejtës së humbur, përballë lirisë së përdhunuar të fjalës, përballë impotencës intelektuale, përballë pamundësisë për t`u shprehur e realizuar, përballë marramendjes politike, përballë dhunimit të shpirtit, përballë frikës nga vetvetja, frikës nga dashuria, pamundësisë per t’iu kundërvënë vetes…Ja në keto shkretëtira pa fund, brenda vetes dhe brenda njeriut, jam endur tek ai libër.

“Zhurnal plus”: Si mund “Të jesh… fjalë”?

Suzana Zisi:
E kam identifikuar veten me fjalën, qysh prej fëmijërisë, kur ndodhesha aq larg të qenit fjalë dhe të qenit poete. Nuk  e kam pasur të vështirë këtë dyzim. Fjala është ura që na lidh me lexuesin. Tek vëllimi poetik “Të jesh…fjalë”, asnjë poezi nuk ka ardhur rastësisht. Është një kumt për lexuesin, tek i cili jam munduar të shkoj si një ligjërim poetik i botës, jetës, dashurisë, njeriut, gruas, fjalës…Nëpërmjet fjalës, lexuesi hyn brenda krijuesit dhe deshifron botën e tij njerëzore dhe poetike. Ky identifikim, është fillimi dhe fundi…është starti dhe finishi i të qenit poet.

“Zhurnal plus”: Si i zgjidhni titujt e përmbledhjeve tuaja poetike?

Suzana Zisi:
Një vëllim poetik, nuk është zgjedhje e rastësishme. Formësohet në një mënyrë të çuditshme që, edhe pse e ndiej, asnjëherë nuk e kam kuptuar. Pasi ndiej që përhumbjes i vjen fundi dhe libri është gati “për të ardhur në jetë”, më kaplon ngërçi i titullit. Përpëlitem më kot dhe ndihem e paaftë për ta pagëzuar. Ai fle aty midis fletëve, i fshehur mes vargjeve, e unë nuk mundem ta identifikoj. Dhe, “barra e rëndë”, i ngelet redaktorit tim të rreptë, i cili ka përzgjedhur të gjithë titujt e librave te mi. Është bashkëshorti im Prof.as.Dr Roland Zisi. Ai, duke më njohur mirë mua dhe njëkohësisht duke njohur po aq mirë poezitë e mia, besoj se nuk e ka të vështirë ta identifikojë, atë që duhet të jetë  kryefjala e një libri. Pas sugjerimit, kam kuptuar që këta tituj janë pikërisht ata që meritojnë të përfaqësojnë identitetin vëllimeve poetike. Më pëlqejnë titujt, janë përfaqësues, shprehës, koncentrat i asaj  çka unë kam thënë në ato libra.

“Zhurnal plus”: Kur shkruani, sa kohë merr përfundimi i një poezie?

Suzana Zisi:
Poezia vjen tek unë si një cikël  i përfunduar brenda vetes. Është një tjetër Suzanë brenda meje, ajo që e shkruan. Mbledh përjetimet e mia, i pleks, i shpleks, i ngjiz dhe m`i sjell gati, në një formë të cilën kam frikë ta prek. Thjesht unë e shkruaj në letër, kompjuter, celular apo makinën time të vjetër të shkrimit…Mendoj se fjala gjendet lehtë në qoftë se krijuesi zotëron idenë. Poezia tek unë nuk vjen si një ngacmim i çastit. Ajo është energji, ngarkesë emocionesh, ndjesish, të cilën e mbart brenda vetes gjatë, duke medituar  mes reales dhe ireales, derisa, ajo, duke më sfiduar mua dhe unin tim, gjen udhën për të dalë në dritë. Shqetësimet, ndjesitë, përfundimet, ngacmimet që sjell jeta, teksa sillen rrotull në hullinë time të perceptimit, shkojnë dhe ngacmojnë një tjetër “unë”, i cili është hallka e fundit e rrethit vicioz të krijimit. Poezinë, ky “pështjellim” ma sjell aq të plotë sa nuk guxoj ta  prek për ta përpunuar. Lëmimi i mendimit, bëhet instinktivisht gjatë procesit të ngjizjes dhe fermentimit brenda meje. Pasi e kam sjellë në formën e shkruar, thjesht mundohem të bëj ndërhyrje të vogla në formë si p.sh. kur një fjalë është e përsëritur apo një tjetër që duhet zëvendësuar me një sinonim më elegant. Jo te gjitha poezitë vijnë tek unë në këtë mënyrë. Një pjesë e tyre, janë endur tek unë për vite të tëra, duke më ngacmuar e duke më provokuar ide dhe mënyra shprehjeje që përjashtonin njëra – tjetrën, deri në çastin ku njëra prej tyre mbizotëronte. Ka poezi për të cilat më është dashur të punoj dhe të meditoj aq gjatë sa janë bërë pjesë e ekzistencës sime, si p.sh. poezitë: “Jam po ajo bebe”, “Puthja e djallit”,  “Shekspiri im”.

“Zhurnal plus”: Një kritik letrar thotë:“Poezia e Zisit është e thjeshtë në ndërtim dhe e pasur në ndjenjë. Ky fakt e bën poezinë e saj të dallueshme. Suzana Zisi është një njohëse e mirë e fjalës. Çdo mendim i saj shprehet nga fjalët duhura të renditura ashtu siç ato tingëllojnë më bukur, duke e shfaqur atë si një poete me fjalor të pasur, të pastër e të admirueshëm, çka i jep vulën e origjinalitetit identitetit të saj krijues.”Ç`duhet të ketë një poezi e mirë?Me çfarë lehtësie ose vështirësie e shkruani poezinë?

Suzana Zisi:
Një poezi e mirë duhet të ketë një ide/mesazh qe shkon tek lexuesi (madje edhe tek vetë poeti si lexues), nëpërmjet  filozofisë që mbart, madje edhe kur në pamje të parë nuk duket. Poezia e mirë duhet ta bëjë lexuesin të mendohet, të hyjë më thellë tek ajo dhe të meditojë. Poezia e mirë duhet të krijojë imazh, përfytyrim. Në qoftë se gjatë leximit kjo tërësi e fjalëve, figurave dhe ideve, nuk shoqërohet me një imazh, atëherë nuk është poezi, por thjesht një lojë fjalësh. Poezia e mirë duhet të ketë lëng, duhet të mbajë aromë njeriu dhe shqetësimi…aromë dashurie apo ankthi. Të ndjehet jeta duke pulsuar brenda saj. Atje ku ka një njeri të gjallë, ka edhe një vepër arti. Një poezi e mirë duhet të ketë muzikalitet…Fjala poetike duhet të rrjedhë lirshëm si një ujëvarë tingujsh me racionalitet. Çehovi thotë: “Arti i të shkruarit, është arti i të shkurtuarit”. Pra, një poezi e mirë duhet të jetë  koncize, e plotë dhe e përgjegjshme. Duhet të qëndrojë si një entitet më vete dhe të përfaqësojë jo vetëm veten.

“Zhurnal plus”: Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe … Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë? A ka lënë gjurmë atmosfera e vendit ku u rritët në brumosjen e personalitetit tuaj?

Suzana Zisi:
Kur isha fëmijë, bota ime ishin loja dhe libri…Lojë ishte gjithçka më rrethonte. Ndërsa librin, e kam identifikuar qysh së pari kur jam ndier njeri. Jam lindur e rritur në një familje ku libri ishte më i shtrenjtë dhe më me vlerë se gjithçka tjetër materiale. Jam rritur mes këtyre dy portave të cilat me ndihmuan të hyj në jetë e formuar dhe e përgatitur për sfidën e mbijetesës.  Loja, teksa rritesha u shndërrua në eksperiment (gjithmonë kam eksperimentuar me veten), ndërsa libri mbeti po ai, një magji e madhe që ende vazhdon të më përpijë si në çastin kur lexova fjalën e parë. Çdo libër më mahnit, sepse siç thotë Borgesi, nga të gjitha mjetet që përdor njeriu, libri është më i habitshmi.

“Zhurnal plus”: A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë? Kush janë disa prej shkrimtarëve që e kanë formuar opinionin tënd?

Suzana Zisi: Po, janë dy njerëz, dy burra që kanë udhëhequr projektin tim letrar. I pari është babai im, i cili më mëkoi me letërsi të përzgjedhur qysh prej foshnjërisë dhe më vonë në çdo hap të formimit dhe rritjes sime. Është lexuesi më i madh që kam njohur në jetë. Ai, diti të më ushqejë cilësisht dhe kjo është dhurata më e çmuar që më ka ofruar ai dhe jeta.  I dyti është poeti, shkrimtari dhe njeriu i madh e i mençur Teodor Keko i cili ishte  mik i vyer i babait dhe i familjes sime. Ne e kemi ende mik atë, pavarësisht se tani ai jeton në një trajtë tjetër. E kam njohur qysh në fëmijëri dhe sa herë vinte në shtëpinë tonë më fliste për poezinë, thelbin, qëllimin dhe mjeshtërinë e vështirë të saj. Ai mbetet engjëlli i dërguar tek unë për punët e poezisë dhe ligjërimit. Për këtë i mbetem përjetë mirënjohëse, Dorit, njërit  prej poetëve dhe prozatorëve më të mirë të letërsisë shqipe. Shkrimtarët dhe poetët që kanë qenë të pranishëm në formimin tim, janë të shumtë. Më duhet të shkruaj një listë tepër të gjatë…Iu jam mirënjohëse dhe i falënderoj  për  shpirtin, ndikimin, botën, kulturën, ndjesitë dhe  emocionet që më dhuruan!

“Zhurnal plus”: Dëshira për të treguar është e lashtë sa vetë njerëzimi. Ju keni zgjedhur poezinë për të treguar, po a është në gjendje poezia që të jap në mënyrë të koncentruar thelbin e jetës?

Suzana Zisi:
Poezia, krijon një univers paralel me këtë që jetojmë. Ajo nuk është rrëfim me një vijimësi logjike si proza e gjatë. Vetë formati i saj i vogël, të krijon mundësinë për të gjetur mënyra shprehjeje koncize, me një fjalë –  të nënkuptosh shumë, me një tingull – të zgjosh ëndrra e të vesh në lëvizje botën. Po të mos ishin poetët, piktorët, muzikantët, bota do ishte ende në foshnjërinë e saj. Besoj se poezia është mënyra për të hyrë thellë brenda qenies. Ajo ka armë –  FJALËN, sepse siç e dimë “E para ishte fjala”. Përmes poezisë, njeriu njeh veten. Shpesh e gjejmë veten të përfshirë aq shumë brenda poezive që lexojmë, sa nuk arrijmë të kuptojmë se si një poet i para disa shekujve ka mundur të na lexojë shpirtin dhe trurin…se si ai/ajo, ka mundur të hyjë kaq thjesht në botën tonë të ndërlikuar. Po, poezia e pasqyron thelbin e jetës. Unë e kam gjetur. Se sa poezia ime transmeton, këtë nuk jam në gjendje ta përcaktoj unë. Është lexuesi ai që e vendos. Mundohem të dua artin në veten time dhe jo veten time në art.

 “Zhurnal plus”: Shkrimtari i mirënjohur Roland Gjoza duke u shprehur për poezinë tënde, shkruan: “Ndjeva femrën, rashë në dashuri me femrën, u ndava me femrën, gjithsesi kisha punë me femrën, aq sa edhe kur bëhej pjalmimi, degët mbusheshin me lule, më vinte afër femra, edhe kur vdiste vjeshta, më humbte nga pak femra, dëbora e dimrit ma ngrohte e ma ndizte çmendurisht, pranvera ma suferonte e m’i merrte mendtë e kokës. Në libër, pra ishte femra, në të gjitha fazat, gjer në amshim.” Femrat, për më shumë se 20 shekuj kanë shërbyer si muzë për poetin, pra si objekt, po tani që ato janë subjekt, që flasin për vetveten, cila mendon se shërben si muzë për ta, a është gjithnjë një burrë, muza(i) e një poeteje?

Suzana Zisi:
Gjoza i referohet poezisë sime, jo muzës nga e cila është inspiruar ajo. Nuk mendoj se muza e një poeti është një femër dhe muza e një poeteje është një mashkull. Ky modalitet mendimi është i tejkaluar dhe i vjetruar.  Poeti kur shkruan për dashurinë  mund të frymëzohet nga femra por kjo si një frymëmarrje apo shtysë për të fluturuar drejt thelbit. Poetët nuk shkruajnë VETEN, nuk përcjellin vetëm atë që gjejnë në universin e tyre të brendshëm. Në qoftë se do ndodhte kjo, nuk do kishim art por thjesht një ditar individual. Poeti, me apo pa dashjen e tij, shndërrohet në një ZË. Poeti bëhet zëri i kohës së tij, përfaqësuesi i një grupi të caktuar njerëzish, bëhet mushkëria e një organizmi më të madh se sa mund të përfytyrojë ai vetë…Frymezimi tek unë, nuk vjen në mënyrë spontane si p.sh. nga një njeri i veçantë apo nga një emocion apo ndjesi e çastit. Asnjëherë nuk kam shkruar poezi e nxitur nga një përjetim sporadik. Gjithçka, ndodh brenda meje pas një “fermentimi” të gjatë dhe unë ende nuk di të them se si hyj apo dal nga kjo marramendje krijuese. Ajo çka unë shoh, përjetoj, mënyra se si e perceptoj jetën, gjykimi, mënyra se si brezi im e sheh jetën, ankthet, vuajtjet, lotët, dashuritë…besoj se te gjitha këto i mbështjell hullia e krijimit, diku brenda meje dhe në “luftën” për mbijetesë, teksa shkatërrohen dhe rilindin sërish, vjen ajo: POEZIA. Shpesh, teksa lexoj poezi që mbajnë autorësinë time, ndihem e huaj. Përjetoj po atë gjendje që kam përjetuar teksa kam lexuar poezi të poetëve të tjerë. Në ndonjë rast tjetër, nuk di si ta kuptoj poezinë, nuk di si t`u jap përgjigje pyetjeve që më lindin teksa e lexoj. Më ka ndodhur që një poezi timen ta kuptoj më qartë teksa kam parë përjetimin e lexuesve të mi. Krijohet një gjendje sa e bukur, po aq edhe e sikletshme. Kjo është pjesë e vuajtjes së ëmbël që nuk përfundon as me krijimin e as me botimin. Vazhdon të të ndjek pas në çdo sekondë të ekzistencës. Poezitë, bëhen hije, hije te cilat të ndjekin pas duke të mbushur e zbrazur njëherazi, duke të dhënë e duke të marrë…

“Zhurnal plus”: A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Si do ta përshkruanit rolin e kritikës sot në krijimtarinë e një poeteje?

Suzana Zisi: 
Më intereson mendimi i kritikës letrare por nuk jam e ndërvarur nga ajo. Kam treguar respekt dhe për ata qe më kanë vlerësuar pozitivisht dhe për ata që më kanë kritikuar me dashamirësi. Jam totalisht kundër “kritikes” denigruese, ashtu sikundër jam kundër kritikës përkëdhelëse dhe glorifikuese. Raporti mes kritikës dhe vlerësimit është një raport i brishtë dhe shpesh herë abuzues. Vovenarg, filozof i madh frëng, ka thënë se është e lehte ta kritikosh një autor por është e vështirë ta çmosh. Ka raste që në hapësirën tonë kultrore, ndodh e kundërta, domethënë, çmohesh shumë dhe lehtë dhe kritikohesh pak ose aspak.

“Zhurnal plus”: Leximi është art më vete. Sa gjen kohë për të lexuar? Sa lexon dhe çfarë lexon?

Suzana Zisi:
Dikur, kur isha fëmijë, lexoja për orë të tëra, gjithçka, pa përzgjedhur. Përpija romane apo vëllime poetike madje edhe libra që i kuptoja pak ose aspak se ishin letërsi për të rritur. Pyesja babain të nesërmen dhe ai, me durim, më ndihmonte të kuptoja. Kjo mënyrë të lexuari, më bëri që të rritesha dhe të kërkoja më shumë. Kam lexuar në vijim shumë letërsi, filozofi, histori, psikologji, por, duke përzgjedhur cilësinë dhe materialet që më interesonin në çdo fazë të jetës. Vazhdoj të lexoj shumë, edhe pse gjatë viteve të fundit, teksa shkruaja dy romanet, koha është zvogëluar disi. Por, gjej hapësirë edhe në ditët më të ngarkuara me punë. Dita me e gjatë ka qenë me 12 apo 13 orë lexim, ndërsa me e shkurtra me 3 orë. Unë lexoj gjithçka që është letërsi e vërtetë, pavarësisht përkatësisë së rrymave,  emrave po drejtimeve letrare.(Zhurnal/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 18:49

TIRANE -Juria e Çmimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë, të botuar apo të dorëzuar në dorëshkrim në adresë të Grupit “Koha”, brenda afateve të caktuara, e përbërë nga akademik Rexhep Ismaili, Agim Isaku, Kim Mehmeti, Zenun Çelaj dhe Veton Surroi, u ndesh me një listë të gjerë veprash që sollën autorët dhe botuesit gjithandej nga shkruhet, shtypet dhe shpërndahet libri shqip. Oferta sivjet ishte edhe më kompetitive, andaj dhe bëri që anëtarët e jurisë të shënojnë kandidatë të shumtë për çmimin.

Megjithatë, Juria u përcaktua për një kandidat, në një garë shumë të ngushtë. Me shumicë propozimesh sivjet juria u përcaktua që çmimi “Rexhai Surroi 2012” t’i takojë shkrimtarit Ridvan Dibra për romanin e tij “Legjenda e vetmisë”.

Shkodrani Ridvan Dibra, romancier që nga vitit 1995 me romanin “Nudo” (1995), tregimet “Prostituta e virgjër”, romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, “Kanuni i Lekës së vogël” etj., arriti të krijojë vendin e vet në letërsinë shqipe. Madje, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si studiues i saj dhe ligjërues në Universitetin e Shkodrës.
Dhe mu si një lloj sfide të të bashkëdyzuarit të personit të tij prej studiuesi dhe shkrimtari, arrin “Legjenda e vetmisë”, një roman prej gati 20 mijë fjalësh.

Ky roman, botim i Shtëpisë Botuese “Onufri” nga Tirana, është një prozë e cila synon të risjellë një dramë të lashtë të njerëzimit, kësaj radhe mbështetur në dy vargje të një legjende popullore, konkretisht: “Nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit m’u martue…”, distik të cilin ai e vendos më së shumti si justifikim edhe në hyrje të rrëfimit të vet.
Romani në fjalë shënon një përpjekje të lavdërueshme për rikthimin tek letërsia e vërtetë ku proza dhe poezia, ritmi dhe aritmia, thellësia dhe të vështruarit nga jashtë synojnë të sjellin një realitet.

Proza, përkundër ndërthurjes së shprehjes poetike, mbetet prozë. Në të karakteret vizatohen lehtë si në një akuarel, por përsëritja e detajeve e forcon identitetin me një element i cili, edhe pse i huazuar nga poezia, i shpëton rrezikut për t’u shndërruar në të tillë e ca më keq për të prodhuar letrarizëm infantil a banal.

Në këtë kohë kur “produkti” artistik është mbathur gjithandej me spekulime të gjithfarësojshme, politizim banal e alibik, letrarizëm infantil a banalitet (më së shpeshti produkt i paaftësisë për të përballuar lirinë), ky roman synon pikërisht të kundërtën. “Legjenda e vetmisë” është një rizbulim, një përpjekje e arrirë për ta kthyer romanin atje ku edhe filloi: te rrëfimi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 February 2013 17:13

Tiranë – A është ky Atdheu që meri tojmë? Kjo është pyetja që personazhet e romanit të Flutura Açkës “Kukullat nuk kanë atdhe”, do t’ia përsërisin shpesh vetes dhe të tjerëve. 

Ngjarja nis në kryeqytetin shqiptar, kur një mesnatë, një grua që ia ka kushtuar gjithë jetën kukullave, vendos t’i nxjerrë krijesat e saj në jetën reale, t’u japë frymë, t’i bëjë pjesë të botës së gjallë. Në jetën e re, ato janë një grup grash dhe vajzash – nëna, bashkëshorte, bija, motra, të dashura, dashnore, toy girls – të cilave do t’u duhet të luftojnë ta krijojnë dhe ta ruajnë identitetin, sepse komunitetit ku ato jetojnë, në të shumtën e herës, nuk i intereson të dijë kush janë ato, çfarë ndiejnë, çfarë dëshirojnë dhe çfarë janë të zonjat të bëjnë.
Kush janë kukullat e Fluturës? “Është një term i përgjithshëm, por kukullat janë gra. Janë pa emra, iu kam vënë numra. Secili prej nesh në momente të ndryshme, ndihet vetëm një kukull e keqpërdorur, pavlerë, që i ndërrohet vendi. E kam përdorur edhe si simbolikë”, shton ajo, ndërsa lë të kuptohet se kjo gjë e ka prekur jo pak. E ka luajtur prej kohësh në mendje, gjersa vendosi ta ndajë shqetësimin me njerëzit e librit. 

Po a janë këto femra në karrierë, shtëpiake, të mbyllura? Ato mund të jenë kushdo, secili prej nesh që është shqiptar. Për Açkën, janë ekskluzivisht femra shqiptare, të përditshmet që ne takojmë. Ajo rreket të mësojë se si pozicionohet kjo kukull, në shoqërinë tonë. Kur e pyet nëse ka të bëjë me rolin dytësor të saj, Flutura pohon me bindje. “Është një nga rrafshet e librit. Sa kemi marrë nga e shkuara dhe sa shohim nga e ardhmja, çfarë pret femra shqiptare nga kjo shoqëri? Mendoj se është aq e vetmuar, sa përpjekja e saj është vetëm personale”, konstaton shkrimtarja. 

Shqetësimi i saj është: A do ta krijojmë ne atmosferën, e ti japim ajër të mjaftueshëm femrës shqiptare që të marrë frymë lirisht?
Kur e pyet se çfarë e ka nxitur t’i dedikojë kësaj gjinie një roman, ajo thotë se në subkoshiencën e saj, kanë ndikuar shumë edhe ngjarjet e vitit të kaluar, kur krimet më të mëdha u shënuan ndaj gjinisë së dobët. 

Por cytja nuk ka qenë aq shumë nga një ngjarje e caktuar se sa nga pyetja, ku jemi e ku do shkojmë? “A e pranon kjo shoqëri rolin e femrës, apo i sheh vetëm si numra, siç unë i kam vënë në roman. A është e gatshme shoqëria jonë t’i pranojë femrat përtej fytyrës, përtej seksit, ta shohë si të barabartë?”, ngulmon ajo. Me sytë që i enden herë-herë në mugëtirën matanë xhamit të kafenesë së ngrohtë, Flutura duket se e kërkon përgjigjen prej andej. 

Kukullat e saj, janë ajo që shihet e ndjehet nga secila prej nesh përditë. I janë dashur më shumë se dy vite punë për t’i dhënë formë e jetë romanit me një kopertinë që të ysht të mendosh, hej, kush jemi. “E kam shkruar më së shumti në Holandë. Andej mundem të jem më realiste”, thotë ajo, duke këmbëngulur se kështu do të ishte dhe më e ftohtë. 

A përdoret femra si kukull prej meshkujve, apo e lejon veten të jetë e tillë? Mbase kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjemi në krye, sa pa e hedhur fajin përballë. 

A mos duhet kërkuar zanafilla në bërthamën e familjes ku femra edukohet jo më larg se prej së ëmës (tjetër femër kjo), për të qenë e përulur, para një krijese kaq ‘madhështore’, kaq të ‘rrallë’, kaq ndryshe prej saj si mashkulli? Pra, a i edukojmë ne femrat për t’u bërë kukullat e Fluturës? 

“Nuk është vetëm në kuptimin fotografik çështja, ka më shumë këndvështrime. Fillon tek mënyra se si ti e vendos veten përballë tjetrit, shoqërisë, familjes. Po, shpeshherë nënat na kanë mësuar që të pranojmë burrat. Fillon që nga familja sigurisht. Edhe burrave iu mësohet që të të shohin si kukull. Çështja është sa do të vazhdojë kjo?”, pyet më kot, ajo. Unë nuk mundem t’i jap një përgjigje. Kam menduar gjithnjë se një vend, ku banorët ende mendojnë se si të mbijetojnë, nuk mund të kujdesen për mënyrat e jetesës: Se një vend që lufton ende për të siguruar bukën, nuk mundet që njëherazi me të të ushqehet me respektin për tjetrin.
Flutura ngulmon në pyetjen se kur do të vijë baraspesha mes lodrës dhe atij që ajo ka përballë. 

Për Açkën gruaja jonë është e detyruar të bëjë patjetër atë që i thotë tjetri, edhe sikur ky ta ketë gabim. 

Koncepti i kukullës sipas saj ka të bëjë edhe me eksponentë të politikës shqiptare. “Ata, jo vetëm për mua, por edhe për sytë e publikut shqiptar, janë vetëm kukulla. Nuk kanë asgjë, veç pushtetit e parasë. Sjellja më e shpeshtë e tyre është sjellje prej kukullash”, thotë krejt natyrshëm, pa asnjë grimasë mbi fytyrë. Ç’ti thuash? Ka të drejtë! Apo jo? Mbase. 

Më tej, edhe vetë ajo pranon se ka pasur raste që është ndjerë si kjo kukulla që kaq fort s’e do, dhe e shtyn larg prej vetes, mbase pa mundur ta degdisë humburazi përfundimisht. “Ka ndodhur shumë rrallë, por kam arritur ta kapërcej”, pohon duke pëshpëritur se në trojet shqiptare të sjellurit pa mirësjellje është kaq e vjetër, sa tingëllon në mos është vërtetë, kanunore. E në fakt, është kanunore, buron prej kanunit, e meqenëse kanuni buron prej rregullave që zbatoheshin para tij të pashkruara, së këndejmi del të jetë edhe më e vjetër se vetë kanuni e se Lek Dukagjini. 

Hajt, t’ia gjesh rrënjët këtij mallkimi shqiptar, që u trashëgoka brez pas brezi, ndër kaq shumë shekuj, kaq shumë sa edhe trojet i humbëm, por jo mallkimin mbi ne! 

Me shumë gjasa, kjo hershmëri e ka ligjëruar aq shumë, sa vjen me ajrin që na mbush mushkëritë, çdo ditë teksa jetojmë e kalojmë nga minuti paraardhës në atë pasardhës. Kaq natyrshëm! 

“Problemi fillon tek ne vetë, ai që kemi përballë, është partneri ynë, jo burri, është shoku ynë më i mirë. Mos e shih atë përballë si babain, por si njeriun me të cilin komunikon për tu marrë vesh”, vëren ajo, duke na ftuar të lexojmë “kukullat pa atdhe”.
Aty, ku femrat e të gjitha shqetësimeve, që janë nëna, bashkëshorte, të dashura, shoqëruese mbrëmjesh; jeta familjare e ajo dashurore ndërthuren në vepër, mpleksen keqazi për të formuar një tablo ku secili ka vendin e vet, e ku të gjitha janë pa vend, sepse enden në kërkim… 

Romani i saj mbështetet mbi realitetin e femrës shqiptare dhe përcillet mes dramës e satirës.
Në kaosin e kësaj shoqërie në tranzicion e sipër, ku ato përpiqen të ndërtojnë jetën (në hullinë e një demokracie të cenuar hapur nga korrupsioni, nga ndotja morale dhe nga padrejtësia, por që po barabitet të konturohet me ngjyra evropiane), fijet e jetës se karaktereve të këtij romani, burra e gra, do të lidhen për të përshkuar fatin dhe fatalitetin e tyre me të gjitha detajet, pikërisht mu aty, në zemër të këtij Atdheu, aty ku drejton politika, ku ndërtohen opinionet, ku vendoset fati i shqiptarëve të shekullit të ri. “Kukullat nuk kanë Atdhe”, është një roman për familjen, për dashurinë, për lirinë e të menduarit, për lirinë e medias, për lirinë e seksit, dhe mbi të gjitha, për të drejtën e jetës, të vënë në dyshim shpesh në kohë të turbullta morale e politike. Atdheu, në arkitekturën e një rrëfimi satirik dhe dramatik, vjen real dhe i patjetërsueshëm.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 20:22

Tirane -“Kujtimet e një bushtre”.E vërteta e Helenës së Trojës.

“Bushtra. Kështu më quajnë burrat e ekuipazhit. Bushtra. Këtë e bëjnë fshehurazi. Por unë i dëgjoj. Unë quhem Helenë, kam lindur në Spartë, por u largova prej andej për shkak të dashurisë. Thoshin se isha gruaja më e bukur në botë. Për ato pak gjëra që mora, për ato shumë që humba, rapsodët bëjnë tashmë rrëfime. Rrëfime të gënjeshtërta. Tekefundit ata nuk ishin. Kurse unë, po”. Këto pak rreshta janë paralajmërimi i një rrëfimi nga vetë ajo, Helena e Trojës.

Në vetë të parë, prej trupi e prej shpirti, të cilin ia ka dhënë një vajzë 19-vjeçare, e cila debuton me këtë personazh mitik në gjininë e romanit. “Kujtimet e një bushtre”, i shkrimtares së re italiane, Francesca Petrizzo, vjen tashmë edhe në shqip. Përkthyer nga origjinali italisht nga Adrian Beshaj, ky është botimi më i ri i shtëpisë botuese “Saras”. Francesca Petrizzo e merr Helenën dhe e nxjerr nga sfondi homerik dhe mbështjellë nga tisi i misterit me të cilin ne jemi mësuar ta shohim deri më tani.

Helena, gruaja vdektare më e bukur, vjen si një personazh modern dhe arketip i shumë femrave që ndër shekuj kanë pasur fatin e keq të përplasen në binomin dashuri-pushtet. E bërë kjo nga një vajzë 19-vjeçare që e ka eksperiencën e parë në të shkruar, është më shumë se një guxim. Sqarimin e kësaj nxitjeje e jep vetë ajo në intervista të ndryshme. E rritur me mitet antike, e dashuruar me këtë letërsi klasike, Francesca e kishte nisur këtë pasion të sajin me tregime të shkurtra, por siç ajo shprehet, “dora i ishte lëshuar” në rastin e Helenës. Francesca Petrizzo ka lindur në Empoli më 17 maj 1990. Pas Marurës në liceun klasik, regjistrohet në Fakultetin e Historisë në Firence, por pranohet gjithashtu në Universitetin e Oksfordit. Dëshira e saj është të bëhet historiane, por dashuron gjithashtu kinemanë, muzikën, leximin. Kultivimi i pasionit të të shkruarit shpërtheu tek ajo në “Kujtimet e një bushtre”, pasuar në vitin 2011 me romanin e dytë “Il Rovescio del buio” (E kundërta e errësirës).

Francesca Petrizzo e nxjerr Helenën nga vargjet homerike, e zhvesh nga zemërimet e perëndive dhe e bën atë protagoniste të së vërtetës së vet, një personazh të kohëve moderne që flet në emër të shumë të ngjashmëve të saj. E shohim në rrugicat e pallatit të Spartës, nën pushtetit e babait-mbret Tindarit dhe nënës Ledia, aty ku rrëmbehet egërsisht nga Tezeu e ku shpëtohet nga një ushtar, me hijen e së cilit dashurohet, ku përjeton dhimbjen e humbjes së dy vëllezërve e në të njëjtën kohë të ushtarit të cilit i njihte vetëm prekjen, ku e quanin “dashnore” të të vëllezërve, sepse mbante zi të gjatë, jo për ta, por për dashurinë e humbur që nuk ia dinte kush, ku fati i saj duket sikur hapet me mëtuesin Diomed, me të cilin provon kënaqësitë e para fizike. Por teksa përjeton gjakun që i vërshon ndër vena, provon për herë të parë peshën e pushtetit dhe dashurinë e mohuar.

 

Burri i saj i ardhshëm do të ishte Menelau, që bashkë me të, Helenën e bukur do të trashëgonte fronin e Spartës. Nuk e urrente, por i dhimbsej budallallëku i tij. Nuk donte ta ndiente praninë e tij në shtrat dhe ngushëllimin e kërkon në krahët e të tjerëve, Akilit (nga tradhtia e të cilëve lind Hermiona), Paridit, Hektorit…Në sytë e të tjerëve ajo është gjithnjë bushtra. Ia mërmërisin teksa kalojnë korridoreve, por edhe në vështrimet që i nguliten. Ajo është për ta shkaku i shkatërrimit të Trojës. E gjithë kjo panoramë vjen deri në detaje, me fraza të mbushura plot figuracion ku rrëfimi herë është i prerë e herë të tjera më pasionant. Përkimet me mitin e Helenës nuk duhet t’i kërkojmë të përpikta. Francesca Petrizzo i ka vënë në fjalët e saj, atë që ajo e quan e vërteta e Helenës, në këtë rast e perceptuar sipas modelit të shkrimtares. Ndër shekuj, që nga dijetarët e shekujve para Krishtit Helena na vjen në disa versione, gjithnjë mistike.

“Nuk kam shqyrtuar burime të veçanta, sepse iu futa kësaj nisme duke e njohur mirë argumentin. Ndonjëherë mendoj se për të shkruar një roman është më mirë t’i lëmë pas krahëve burimet kryesore. Modeli mbi të cilin jam bazuar janë ‘Kujtimet’ e Adriano di Marguerite Yourcenar, dëshmi se si një roman historik mund të tregojë diçka moderne”, thotë Francesca. Shkrimtarja e re nuk pajtohet me paragjykimet mbi këtë personazh. “Helena e Trojës është një personazh i përdorur nga mitet greke; duke lënë Menelaun ajo provokon luftën. Për të mos folur pastaj për ata që e kanë quajtur një hije që me bukurinë e saj përshkon botën dhe zhduket pa lënë asnjë gjurmë të sajën. Kjo për mua është tërësisht e papranueshme. Helena është një qenie njerëzore që bën edhe zgjedhje të gabuara, por gjithnjë të motivuara”, shprehet Francesca. Në 250 faqe, ky personazh i ripropozuar nga një 19-vjeçare vjen me një stil shkrimi që nuk të lë të biesh në batakun e fakteve tashmë të ditura. Përkundrazi, faktet që njohim tashmë nga mitologjia të shtyjnë të kërkosh risitë, të ndjekësh raportet e krijuara mes personazheve, të gjesh rrugën e ndryshme që Francesca u ka dhënë e mbi të gjitha të përfitosh kënaqësinë e një miti të kthyer në boshtin e një letërsie artistike. Versioni i parë i “Kujtimet e një bushtre”, është shkruar kur Francesca ishte vetëm 15 vjeçe.

Para se libri të botohej nga “Frassinelli”, e ripunoi në moshën 18-vjeçare. Në një farë mënyre mësoi që Helena të rritej me të. “Ishte sikur të mësoja të njihja një njeri të ndryshëm nga unë, teksa planifikoja të shkruaja, për një çast mendoja se Helena do të ishte sjellë ndryshe nga ç’po e bëja unë të sillej”, thekson shkrimtarja. Ky libër për të cilën është diskutuar mjaft pas botimit në Itali, tashmë vjen për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Saras”. (Shqip/LajmeShqip.com)