Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 12:19

Tripoli – Një makinë bombë ka shpërthyer para ambasadës së Francës në kryeqytetin libian Tripoli duke plagosur dy roje të sigurisë.

Shpërthimi i fuqishëm, sipas mediave ndërkombëtare, ka shkaktuar dëmtime serioze në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike franceze, që gjendet në lagjen Gargaresh të kryeqytetit.

Detonimi i makinës bombë, thuhet se ka shkatërruar në tërësi murin mbrojtës të ambasadës, dhe i ka vënë flakën dy makinave civile.

Dëshmitarët thonë se shpërthimi ka ngjarë në orën shtatë të mëngjesit, sipas orës lokale.

 
Lajme Shqip Thursday, 20 December 2012 13:40

SHBA – Departamenti i Shtetit sqaroi se shefi i sigurise diplomatike Eric Boswell ka vendosur te largohet nga posti, ndersa emrat e tre zyrtareve te pushuar, nuk jane bere publike. Nga sulmi i shtatorit mbi konsullaten amerikane ne qytetin e dyte me te madh te Libise, gjeten vdekjen ambasadori Christopher Stevens dhe tre diplomate te tjere.

Perfundimet e hetimit te pavarur ishin drastike. Mangesi jo te zakonshme te sigurise citohen aty si arsyet qe cuan drejt humbjes se jeteve edhe pse dokumenti nuk sugjeron marrjen e masave disiplinore ndaj ndonje individi te caktuar. Ne deklaraten e zedheneses se DASH-it, Victoria Nuland thuhet shprehimisht se Bordi i Shqyrtimit te Pergjegjesive rishikoi perfomancatt e kater zyrtareve, tre nga te cilet ne byrone e sigurise diplomatike dhe nje ne byrone e ceshtjeve te lindjes se aferme. per rrjedhoje, tre punonjes u pezulluan ndersa sekretarja e shtetit pranoi doreheqjen e Eric Boswell-it.

Perfundimet kryesore te raportit te Benghazi-t, ishin:
 
– deshtim sistematik ne nivele te larta brenda dy byrove te Departamentit te Shtetit, por theksohet se asnje zyrtar nuk i injoroi detyrimet e tij;

– besim i tepruar tek milicia lokale e armatosur, por pa shume eksperience, ndersa rojet e kontraktuara ishin ne vendin e gabuar;

–  personeli amerikan veproi me guxim dhe gadishmeri per te vene jeten ne rrezik ne menyre qe te mbroheshin koleget ne nje situate thuajse te pamundur;

– reagimi i qeverise libjane ndaj sulmit ishte gati inekzistent.

Komisioni bëri një sere rekomandimesh, duke përfshirë zhvillimin e standardeve minimale të sigurisë për objektet e përkohshme diplomatike në zonat me rrezik të lartë. Shefja e diplomacise amerikane Clinton tha se ishte dakort me te gjitha vleresimet e tij, dhe se po punohet per te permiresuar sigurine ne keto objekte.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 11:25

SHBA – “Ekziston një periudhë, shkruan ai,kur ne jemi dëshmitarë të trashëgimisë së tiranise. Kryengritjet arabe rrëzuan tiranë në Egjipt dhe Libi, por popujt dhe ligjvënësit të rrokin idenë se demokracia nuk ka të bëjë me zgjedhjet e lira, por me shoqëritë e lira.

Sipas Ed Husein, shoqëritë arabe janë në udhëtim. Ato mund të marrin rrugën e gabuar. Sulmet kundër ambasadave amerikane në Libi, Egjipt dhe Jemen janë shembujt e pranisë së aktorëve tiranikë, jo tolerante, në shoqerite arabe. “Këta janë njerez të lindur dhe rritur ne diktaturë, shpjegon Husain.

Ata janë mësuar të mendojnë se është qeveria që kontrollon qytetarët, se një film apo dokumentar nuk mund të prodhohet pa miratimin e qeverisë. Për dekada, ky ka qenë realiteti i jetëve të tyre, thekson ai, dhe ata besojnë fuqimisht se bota perëndimore dhe qytetarët e saj kanë një marrëdhënie të ngjashme kontrolli mes individëve dhe qeverisë.

Në dritën e këtij pohimi, ata e cilësojnë përgjegjëse qeverinë amerikane për filmin vulgar të publikuar nga një islamofob i ekstremit të djathte”. Presidenti egjiptian, Mohamed Mursi kërkoi ndjekje penale të prodhuesit të filmit, nga qeveria amerikane dhe kleriku më i lartë egjiptian, Myfti Ali Goma i bëri thirrje OKB-së të ndalojë denigrimin e besimit.

Mursi ka studiuar në Shtetet e Bashkuara dhe Ali Goma viziton rregullisht perëndim, shkruan Husain. Ata ende nuk rrokin lirinë fetare dhe lirinë e shprehjes, pagabueshmërisht të lidhura bashkë, në Shtetet e Bashkuara. Liria për ta ndërruar gjithashtu garanton të drejtën për ta braktisur besimin.

Herezia dhe blasfemia janë pjesë thelbësore të një shoqërie të lirë dhe demokratike.Aktivistët arabe nuk mund të maten me arritjet politike dhe sociale të Perëndimit duke parë Shtetet e Bashkuara dhe Europën sot, por duhet te shohin me vëmendje dhe të mësojne nga betejat fetare të shekullit të 17-të në Europë, shkatërrimin e tiranisë së Kishës Katolike Romane, fundin e djegies së shtrigave dhe ndalimin e varjeve të heretikëve.

Kryengritjet arabe nuk kanë përfunduar akoma. Ata po zhvillohen dhe i japin formë të ardhmes. Kur shokët e Muhamedit bërtisnin “Allahu Akbar”, Zoti është i Madhërishëm, slogani që sot dëgjohet jashtë ambasadave amerikane, asokohe profeti i kritikoi ata, duke i thënë “Zoti nuk është i shurdhët”. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 17:03

E premte protestash në botën arabe. Tubime të dhunshme kanë shpërthyer në Sudan, ku është sulmuar Ambasada Angleze dhe ajo Gjermane, nga rreth 5 mijë manifestues.

Një gazetar i Reuters-it i pa protestuesit të hyjnë në ndërtesën e ambasadës në qendër të Kartumit, ku thyen dritaret dhe ndezën një zjarr te porta kryesore. Nuk është bërë e qartë se përse edhe misionet evropianë janë vënë në shënjestër të sulmeve.

Raportet flasin për disa protestues që kanë kapërcyer muret e jashtme të ambasadës amerikane në kryeqytetin sudanez Kartum. Raportohet se policia ka vrarë të paktën një protestues.

Në Egjipt protestuesit kanë qëlluar me gurë kundër Ambasadës Amerikane në Kajro, ndërkohë që sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në Liban dhe Jemen.

Rreth 10 mijë manifestues dogjën flamuj amerikanë dhe izraelitë në Dacca të Bangladeshit dhe u përpoqën të hynin brenda ambienteve të Ambasadës Amerikane, për të protestuar kundër filmit “Pafajësia e Myslimanëve”.

Ndërkohë siç raporton televizioni ‘Al Arabiya’, në Tripoli një person ka humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë. Zyrtarët thonë se islamistët sulmuan dhe i vunë zjarrin një restoranti KFC në qytetin verior libanez të Tripolit.

Tym i dendur i zi është raportuar të dalë nga ambasada amerikane në Tunis, ku raportohet se ka pasur të lënduar pas përleshejs së protestuesve me policinë.

Përleshje dhe demonstrata janë raportuar edhe në Jemen, Indi, Indonezi, Iran dhe Afganistan.

Protestat u nxitën nga filmi anti-islamik, që sipas myslimanëve ofendon profetin Muhamed. FBI-ja paralajmëron protesta të ngjashme edhe në SHBA, të organizuara nga grupet ekstremiste. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 15:24

Uashington – Gazeta britanike “Indipendent” publikoi pohime dramatike lidhur me sulmin mbi konsullatën amerikane në qytetin libian Bengazi, duke thënë se SHBA-ja 48 orë paraprakisht ka pasur informacione se po përgatiten sulme mbi përfaqësitë diplomatike amerikane, por megjithatë nuk kanë reaguar.

Gazeta u referohet burimeve të larta diplomatike amerikane, të cilët thonë se sulmi i konsullatës, në të cilin janë vrarë ambasadori Kristofer Stivens si dhe tre amerikanë, është organizuar brenda dhe më pas është marrë një sasi e madhe e dokumenteve të besueshme, duke i përfshirë edhe emrat e bashkëpunëtorëve amerikanë në Libi.

“Sipas burimeve të larta diplomatike, Departamenti shtetëror ka pasur informacione të besueshme 48 orë para se njerëzit ta sulmojnë konsullatën në Bengazi dhe ambasadën në Kajro, se misionet amerikane mund të jenë cak i sulmeve, por nuk i ka paralajmëruar diplomatët të jenë në nivel të lartë të gatishmërisë ose ta kufizojnë lëvizjen në ambasadat”, shkruan Kim Sengupta, gazetar i “Independent”.

Sipas “Indipendent”, në konsullatën në Bengazi ka pasur shkelje afatgjate dhe serioze të sigurisë brenda. Tridhjetë roja në konsullatë, qytetarë libianë, kanë dhënë rezistencë të dobët gjatë sulmit dhe i kanë braktisur pozicionet e tyre duke i lënë sulmuesit të mbizotërojnë në konsullatë. Sulmuesit e kanë ditur madje edhe lokacionin në objektin e fshehtë në Bengazi ku diplomatët amerikanë janë strehuar pas sulmit në objekt. Edhe kjo shtëpi sekrete u është ekspozuar sulmeve me mina, për të cilën gjë asnjë strehimore amerikane në Libi tani më nuk konsiderohet si e sigurt.

Gazeta shkruan se shkaku kryesor për sulmin mbi konsullatë nuk është publikimi i filmit në internet në të cilin ofendohet profeti mysliman Muhamedi, por vrasja e Muhamed Hasan Kaedit, komandant i rrjetit terrorist të Al Kaedës, me origjinë nga Libia. Kaed është vrarë në një sulm me aeroplan pa pilot në Pakistan.

“Këto pohime absolutisht janë të pasakta. Nuk dimë për asnjë informacion të besueshëm i cili tregon se po përgatitet ndonjë sulm mbi misionin në Bengazi”, deklaroi Shon Turner, zëdhënës i Xhejms Klaper, drejtor i përgjithshëm për zbulim në administratën e presidentit Barak Obama, në lidhje me pohimet e gazetës.

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve Asoshiejted pres publikoi se Nakulla Basli Nakulla (55), biznesmen i cili me origjinë është kopt egjiptian, është autori i vërtetë dhe producent i filmit “Pafajësia e myslimanëve” i cili u shfrytëzua si rast për sulmet mbi përfaqësitë diplomatike amerikane. Nakulla jeton në Kaliforni, ku gazetarët e Asoshiejted pres e kanë locuar pasi e kanë ndjekur lokacionin e telefonit celular të një njeriu i cili ka kontaktuar me ta me emër të rremë dhe është prezantuar si autor i filmit.

Agjencia e lajmeve e ka hetuar të kaluarën e Nakullas, i cili është dënuar me burg për shkak të mashtrimit dhe vjedhjen e identitetit. Sekuencat e filmit të cilat janë publikuar në internet faqen Jutjub, nuk kanë pasur qasje për shfrytëzuesit nga Egjipti, por xhirimi akoma ka qasje për shfrytëzuesit e vendeve të tjera dhe është shikuar disa milionë herë. Aktorët në film akuzuan se Nakulla i ka mashtruar dhe se kanë lexuar një tekst në të cilin nuk është ofenduar profeti mysliman Muhamed, por shtesë zëri në film është rixhiruar me mesazhe ofenduese.

Sekretarja shtetërore Hillari Klinton dje sërish u distancua nga publikimi i këtij filmi dhe e dënoi si “përpjekje të thellë cinike që të poshtërohet një religjion i tërë dhe të nxitet urrejtje”.

Vlerësohet se në SHBA jetojnë rreth gjysmë milionë të krishterë koptë të zhvendosur nga Egjipti, ku ky komunitet numëron mbi pesë milionë banorë. Koptët amerikanë kanë rreth 200 kisha në mbarë territorin e SHBA-së, në të cilat grumbullojnë të holla për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre në Egjipt dhe lobojnë për të drejtat e koptëve egjiptianë të cilët u përballën me një valë sulmesh pas Pranverës arabe.

 
Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 12:09

Disa avionë amerikanë të telekomanduar mund të fluturojnë mbi Bengazi dhe lokalitete të tjera në lindje të Libisë për të goditur personat që kryen sulmin në selinë diplomatike amerikane në Bengazi.

Lajmin e bën të ditur CNN, që citon burime sipas të cilave propozimi për të përdorur dronët pritet të miratohet së shpejti nga Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë.

Përveç vdekjes së ambasadorit amerikan Chris Stevens, një funksionari të konsullatës dhe dy marinsave, pesë civilë amerikanë kanë mbetur të plagosur.

Ekspertët: Sulm i planifikuar nga Al Kaeda

Ndërkohë, funksionarë të administratës amerikane, të cituar sërish nga CNN, kanë folur për “një sulm të planifikuar nga Al Kaeda”. Sipas tyre, rebelimi ndaj filmit blasfem ka shërbyer vetëm si një diversion dhe ngjarja në të vërtetë ka lidhje me vrasjen e Al Libit, numri dy i rrjetit terrorist. “Ekstremistët e dinin që ambasadori ishte në ndërtesë”, kanë shpjeguar ekspertët, ndërkohë që dy marinsat dhe funksionari i ambasadës humbën jetën në një shtëpi ku ishin strehuar pas sulmit në konsullatë.

Vrasja e ambasadorit, 200 marinsa në Libi

Rreth 200 marinsa janë bërë gati për t’u nisur në Libi, në përpjekje për të përforcuar sigurinë në selitë diplomatike të Tripolit dhe Bengazit, pas vrasjes së ambasadorit amerikan. Lajmin e bën të ditur edicioni online i transmetuesit amerikan NBC, që citon funksionarë të administratës amerikane. Ndërsa sipas burimeve të tjera, njësi të tjera janë nisur për në Kabul dhe Kajro, edhe këtu për të rritur sigurinë në ambasada e konsullata.

Protestat kundër filmit blasfem

Në Bengazi, duke nisur nga e marta, pati protesta të dhunshme kundër një filmi të konsideruar ofendues ndaj profetit Muhamed.Mendohet se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Protestat përkuan me 11-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 20:18

Tiranë – Ambasadori amerikan në Libi dhe tre anëtarë të personelit të ambasadës u vranë pasi një turmë sulmoi konsullatën amerikane në qytetin lindor të Bengazit mbrëmë vonë.

Ambasadori amerikan J. Christopher Stevens, një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit  dhe një nga të dërguarit amerikanë më me  përvojë në rajon, e kishte marrë detyrën më pak se katër muaj më parë në Tripoli.

Presidenti Barack Obama me anë të një deklarate dënoi vrasjen e katër amerikanëve.
“Ata ishin shembulli më i mirë i përkushtimit të Amerikës ndaj lirisë, drejtësisë dhe partneritetit me vendet dhe popujt e gjithë globit dhe janë në kontrast të plotë me ata që  mizorisht u morën jetën”, shprehet Presidenti Obama në deklaratën e tij.

Ai e përshkroi zotin Stevens si një “përfaqësues kurajoz dhe model të Shteteve të Bashkuara” që e kishte kryer detyrën e tij me vetëmohim gjatë gjithë revolucionit në Libi.

Zëvendës kryeministri libian Mustafa Abu Shagour po ashtu e dënoi vrasjen e katër diplomatëve amerikanë, duke e quajtur një veprim burracak. Zoti Stevens, ishte një figurë e admiruar mes rebelëve libianë për mbështetjen e tij për kryengritjen e tyre që përmbysi Moammar Gadafi. Vrasjet ndodhën kur demonstruesit të indinjuar nga një film amator amerikan që fyente profetin Muhamed,    hapën zjarrr dhe i vunë flakën konsullatës amerikane në Bengazi.

Zëvendës ministri i brendshëm Wanis al-Sharif tha se ambasadori dhe tre
e zyrtarë të tjerë të ambasadës ishin vrarë, duke konfirmuar se zoti Stevens ishte në konsullatë kur ndodhi sulmi. Zëvendës ministri u tha gazetarëve se një grup i armatosur sulmoi ambjentin në një mision “pothuajse vetëvrasës”. Ai tha se misioni amerikan kishte përgjegjësi sepse nuk kishte marrë masat e duhura mbrojtëse.

                                 Reagime për sulmin

Kandidati republikan për President, Mitt Romney bëri një deklaratë, ku shprehte indinjatë për sulmin ndaj konsullatës amerikane në Bengazi. Ai e quajti sulmin skandaloz dhe të neveritshëm.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, ku ka humbur jetë ambasadori Kristofer Stivens dhe tre zyrtarë të tjerë. “Ky është një sulm që duhet të godasë ndërgjegjen e njerëzve të të gjitha besimeve në mbarë botën. Ne dënojmë në termat më të ashpër këtë akt të pakuptimtë të dhunës dhe dërgojmë lutjet tona për familjet, miqtë dhe kolegët e atyre që kemi humbur”, ka thënë Klinton.

Sipas saj, sulmi është kryer nga një grup “i vogël dhe i egër militantësh” dhe jo nga populli ose Qeveria e Libisë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ashtu si edhe kreu i KB-së, Ban Ki-mun, kanë dënuar ashpër sulmin ndaj misionit të SHBA-së në Bengazi, në të cilin kanë humbur jetën ambasadori Christopher Stevens dhe tre zyrtarë të tjerë. Këshilli i Sigurimit dhe Ban kanë lëshuar deklarata të posaçme, të cilat dënojnë sulmin në “termat më të fuqishëm”, raporton Rel.

Organi 15-anëtarësh ka dënuar edhe sulmin ndaj ambasadës amerikane në Kajro. Të dyja sulmet kanë ndodhur si pasojë e zemërimit të turmave më një film anti-islamik.

Edhe Shqipëria e dënoi sulmin në Libi, duke e cilësuar si një akt terrorist dhe barbar. Presidenti Bujar Nishani i dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit Obama. Akti u dënua edhe nga Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi sot një telegram ngushëllimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e vdekjes së ambasadorit të SHBA-së në Libi, Christopher Stevens, dhe tre zyrtarëve të tjerë.“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet tona me rastin e humbjes së ambasadorit tuaj në Libi, z. Christopher Stevens, dhe tre zyrtarëve të tjerë, në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bengazi.Lutjet tona janë me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan në këto momente të vështira”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Presidentin Obama për vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi e ngushëlloi edhe kryeministri Hashim Thaçi.  ”Me pikëllim të thellë mësova lajmin për sulmin kriminal që ka ndodh sot ndaj konsullatës së SHBA-së në Bengazi, që mori jetën e ambasadorit Christopher Stevens si dhe të tre punonjësve tjerë të konsullatës.

Asgjë nuk mund të justifikojë një veprim të tillë. Këto akte të sulmeve kriminale ndaj ambasadave dhe personelit janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe cenojnë rëndë paqen e bashkëpunimin midis popujve dhe kombeve të botës së civilizuar. Është e dhimbshme sidomos për faktin që një tragjedi e tillë po ndodh në një vend që sapo ka kaluar një periudhë të vështirë nën një regjim totalitar”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Thaçit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 17:33

SHBA- Qeveria libiane bëri me dije se filmi i titulluar, “Pafajësia e myslimanëve”, që konsiderohet ofendues ndaj Islamit dhe profetit Muhamed, ka nxitur protestat e armatosura, në vend.

Sulmi nisi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ku qindra persona të armatosur u mblodhën përpara konsullatës amerikane per te protestuar kundër filmit amerikan, cka pati shkaktuar të marten protesta edhe para Ambasadës Amerikane në Kajro. Filmi i titulluar, “Pafajësia e myslimanëve”, raportohet se është prodhuar në mënyrë të pavarur nga një regjisor në Shtetet e Bashkuara.

Wall Street Journal raportoi se filmi mban firmën e  Sem Basil, një izraelito-amerikan, i cili e përshkruan islamin si një “kancer”, ndërsa e paraqet profetin Muhamed “duke fjetur me femra.“

Pjesë nga filmi janë postuar në YouTube me përkthim në arabisht. Pak orë para dhunës në Bengazi, qindra protestues në Egjiptin fqinj, kanë marshuar drejt ambasadës amerikane në Kajro në shenjë proteste ndaj filmit. Protestuesit  hipën mbi muret e ambasadës në Kajro. Ata grisën flamurin amerikan, që valonte në gjysmë shtizë për të shënuar përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, dhe e zëvendësuan me një flamur islamik.

Ambasadori amerikan Kris Stivens dhe 3 zyrtarë amerikanë u vrane gjate sulmit që ndodhi mbrëmë ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ndërkohë, Al Kaeda ka marrë përsipër sulmin, duke deklaruar se ishte një reagim i militanteve ndaj vrasjes së Abu Al-Libi, numrit dy të organizatës. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 13:43

LIBI – Ambasadori Amerikan në Libi, Chris Stevens, dhe 3 funksionarë të lartë të Konsullatës Amerikane humbën jetën në sulmin që iu bë mbrëmjen e djeshme selisë diplomatikë në Bengazi. Lajmi konfirmohet për ‘Al Jazeera’ nga Ministria e Brendshme Libiane, e cila raportoi për një sulm të armatosur dhe të shtëna armësh në Konsullatën Amerikane nga disa militantë.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe tym, si dhe shkëmbim zjarri që u dëgjua për rreth 45 minuta edhe pse jo në mënyrë të vazhdueshme.

Qindra manifestues sulmuan Konsullatën Amerikane në qytetin lindor të Libisë, Bengazi, për të kundërshtuar një film, që sipas tyre ofendon Islamin. Filmi i realizuar nga Sam Bacile titullohet ‘Pafajësia e Myslimanëve’, dhe tregon jetën e Profetit Muhamed. 

Demonstrata antiamerikane kundër filmit u zhvilluan edhe jashtë Ambasadës Amerikane në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Protestuesit në të dy vendet thonë se filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara është fyes për profetin Muhamed.

Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hipën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik.

Raportet e mediave thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Nuk është ende e qartë nëse të dyja sulmet kanë qenë të koordinuara. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 14:00

Tripoli-Krerët e Al Kaedës kanë dërguar ekspertët e tyre në Libi për të garantuar praninë e organizatës terroriste në vend.

Lajmi raportohet nga rrjeti amerikan CNN, i cili i referohet një burimi libian që thotë se mes xhihadistëve që kanë mbërritur është edhe një veteran i Al Kaedës i arrestuar më parë në Britaninë e Madhe për terrorizëm.

Sipas të njëjtit burim, ai është dërguar direkt nga kreu i organizatës, Zawahri që në muajin maj, pikërisht atëherë kur Gadafi nisi të humbte kontrollin e vendit dhe ka punuar për të rekrutuar njerëz për Al Kaedën në kufirin me Egjiptin.

Për momentin mësohet të ketë mbledhur rreth 200 luftëtarë. I njëjti burim thotë se një tjetër eksponent i lartë i Al Kaedës me nënshtetësi europiane dhe libiane po përpiqet të vendosë një urë lidhëse mes organizatës dhe Libisë.

Burimi libian i cituar nga rrjeti televiziv thotë se është informuar nga funksionarë perëndimorë të anti terrorizmit.

“Veterani” i terrorit për të cilin flet CNN, përshkruhet si një njeri i dedikuar totalisht ndaj kauzës së Al Kaedës dhe operacioneve kundër interesave amerikane nëpër botë. (LajmeShqip.com)