Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 08:42

TIRANE – Ish-kryeministri Fatos Nano ka marrë sot urdhrin ‘Honoris Causa’, në ceremoni në universitetin Europian Të Tiranës, UET. Nano e ka cilësuar këtë urdhër, si dhurënatën më të bukur që i është bërë për ditëlindjen e 60-të.

“E vlerësoj ceremoninë e sotme jo vetëm në planin akademik dhe njerëzor, jam shumë i impresionuar që kjo ndodh, është dhurata më e bukur për 60-vjetorin tim. Më lejoni të ndaj me ju vlerësimin që kjo është një nga mënyrat më të denja për partneritetin dhe bashkëpunimin mes politikës dhe botës akademike, sepse është e mbështetur në procedura standarte të qytetarimit të kohës, bëhet në sytë e publikut. Megjithëse nuk mund të mos jem i ndjeshëm ndaj mjaft procedurave të tjera që nuk jam kurdoherë transparente, që cojnë në lindjen e institucioneve të tilla, dua të vlerësoj se kjo po plotëson një vakum të rëndësishëm”, tha Nano.

Ai deklaroi se në këtë formë zhvillohet më tej edhe partneriteti mes politikës e botës akademike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 July 2012 09:56

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, gjatë emisionit “Debat”, të gazetarit Alfred Peza se grupi parlamentar i PS-së do të votojë pro heqjes së imunitetit, pasi ai është varianti i PS-së, por thekson se ky votim nuk do të bëhet me 6 gusht.

Rama zbardh bisedat dhe mesazhet që ai ka këmbyer me ish-presidentin Topi dhe presidentin e ri, Bujar Nishani, gjatë ceremonisë në Presidencë. Ndërkohë, kreu socialist shprehet se do të jetë një nga kandidatët për deputetë në listën e PS-së, në 2013 dhe se në PS nuk do të ketë hapësirë për asnjë lëvizje që kërkon ta përçajë atë. 

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim? 
Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit. 

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni… 
Sigurisht sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë Kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës. 

Çfarë i thatë zotit Nishani në ato pak sekonda? 
Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

Po presidentit në ikje çfarë i thatë? 
Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

Meqë jemi tek ndryshimet Kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo? 
Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për t’u shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është i mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.

Do ta votoni më 6 gusht apo jo? 
Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet Kushtetuese të bëhen si një proces i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim Kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë. Tani kemi edhe një sërë propozimesh të tjera që presin të kalojnë në sitën e një diskutimi të hapur, transparent dhe me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë drejtpërdrejt lidhur me Kushtetutën, ekspertizë vendase, ekspertizë ndërkombëtare, institucione të drejtësisë dhe pastaj do të vijmë tek votimi i të gjithë këtyre propozimeve të marra sëbashku. 

A nuk do të ishte në ndihmë të statusit të vendit kandidat, votimi në 6 gusht i ndryshimeve të arritura deri tani dhe mos pengimi në shtator pastaj? 
Absolutisht 6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë të vendosur në mënyrë arbitrare nga njëra palë.

Në datën 6 gusht, grupi juaj parlamentar do të jetë në seancë? 
Ne, pa asnjë diskutim nuk do të lëmë asnjë rast pa vazhduar të ndaj me publikun vizionin dhe pikëpamjet tona për këtë proces ndryshimesh Kushtetuese, i cili duhet të jetë një proces me një fillim dhe me një fund. Fillimi është diskutimi tanimë i përfunduar për imunitetin dhe fundi është kryerja e të gjithë procesit të diskutimit për të gjitha ndryshimet e propozuara. Dhe pastaj, procesi përmbyllet me një votim për secilin prej ndryshimeve të propozuara. 

Dhe kjo nuk do të ndodhë në 6 gusht, dhe ju do të jeni në sallë? 
Ne do të jemi për të diskutuar në rast se ashtu siç e kërkon edhe logjika më e thjeshtë, 6 gushti mbetet në fuqi si një seancë që normalisht nuk ka pse të zhvillohet në kushtet kur nga njëra anë çështja e imunitetit është mbyllur dhe nga ana tjetër opozita ka thënë se nuk do të votojë më 6 gusht.

Shtatori është koha e mundshme që të bëhen të gjitha dhe të mos pengohet marrja e statusit? 
Absolutisht. Për sa i përket marrjes së statusit kjo është një çështje tjetër. Ne nuk e dimë kurrsesi që a do të mjaftojnë të gjithë këto për të marrë një reagim pozitiv nga Brukseli. Por, ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka është e mundur që ta marrim këtë reagim pozitiv. 

Pra, do të votoni pro edhe për heqjen e imunitetit pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese? 
Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera. Por, ndërkohë, publiku duhet të ndjekë këtë debat për të parë se në fakt këtu kemi një ballafaqim dy vizionesh krejt të ndryshme për shtetin dhe krejt të ndryshme për të nesërmen e këtij vendi. Kemi nga njëra anë vizionin tanimë të mishëruar në një shtet i cili jo vetëm po merr të gjitha konturet e një partie, por po shfaq dhe simptomat e një shteti policor me përgjimin e opozitës, madje edhe të diplomatëve të huaj, në një njësi ilegale përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes…

Përgjimet janë të vërteta të gjitha? Keni prova? 
Ne jemi absolutisht të mirinformuar dhe thjesht e vetëm fakti që Ministri i Mbrojtjes dhe qeveria refuzojnë të kontrollohen në rrugën Kushtetuese dhe ligjore nga parlamenti i Shqipërisë, nga deputetët e opozitës dhe nuk provojnë dot ndërkohë të kundërtën, mjafton për të vërtetuar se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Përgjohet opozita që prej shkurtit të vitit 2011 nga një njësi përgjimi të ngritur ilegalisht në Ministrinë e Mbrojtjes me një aparaturë të blerë në mënyrë korruptive. Madje se edhe kur bëjnë diçka të fshehtë edhe atyre duan që përveçse të bëjnë të pabërën si në rastin konkret, por edhe të fitojnë lekë. Janë përgjuar edhe diplomatë të huaj të nivelit të lartë. Ka pasur përgjime edhe në periudhën kur negociohej për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Zoti Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013. E shikoni si shqetësim? 
Jemi një vend demokrat, ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por nuk ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS. 

Po si do t’u përgjigjeni atyre zërave që bashkëpunoni me Milon, bashkëpunimi me Ngjelën, bashkëpunoni apo uluni në tryezë dhe me Berishën, por nuk bashkëpunoni dot me Nanon? 
Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Kocin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleat opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cënon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët, e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme në bashkëpunim me të gjitha partitë dhe të gjitha lëvizjet që janë krijuar dhe që mund të krijohen, dhe që janë të mirëpritura në një koalicion të madh opozitar.

 Pra, mirëprisni edhe Nanon? 
Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që nuk mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar. Ndërkohë që e përsëris, asnjë lëvizje përçarëse brenda PS-së nuk do të gjejë as kohë dhe as vend në PS.

Dakord, por si do t’ju thoni atyre që akoma kanë jo vetëm nostalgji për ish kryetarin…? 
Ky është një kapitull i mbyllur. Sqarimet janë dhënë të plota dhe unë besoj që sot PS s’ka as kohë dhe as arsye t’u referohet nostalgjive, por duhet të shfrytëzojë çdo sekondë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme duke parë nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.

A jeni penduar zoti Rama për darkën në Gjirin e Lalzit?
Unë as nuk jam penduar dhe as nuk kam arsye të pendohem për asgjë që kam bërë dhe bëj në shërbim të aspiratave të mia dhe të aspiratave të forcës politike që unë kam nderin e madh të udhëheq, që përputhen me aspiratën e madhe të vendit. Përpjekja ime ishte një përpjekje e bërë me zemër dhe mendje të kthjellët për të ndërtuar një proces dialogu me të gjithë kundërshtarët. Për sa i përket kryetarit të LSI-së, historia e përbashkët me dritë dhe me hije e bënte të mundur edhe një takim informal jo në një mjedis publik. E shfrytëzova këtë mundësi për t’i dhënë gjithçka mundesha dhe mundeshim procesit që synonim të ndërtonim dhe që shpresonim të realizohej për të mirën e vendit dhe jo për interes të Partisë Socialiste.

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013? 
Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim. 

Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës KuqeZi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion? 
Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.

PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat? 
Nuk e kam këtë informacion. Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike, sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar dhe për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate. 

Ju a do të kandidoni këtë herë. Do të jeni i pari i listës? 
Nuk kam asnjë arsye që të mendoj për vendin në listë, jo se jam kryetari i partisë, por se nuk mendoj që numrat në listë janë renditje sipas vlerës. Për më tepër po të shikoni eksperiencat e vendeve që kanë procese zgjedhjesh me lista rajonale vendosin në fillim edhe njerëz krejt të rinj për arsye të ndryshme. Por, sigurisht që do të jem një nga kandidatët, patjetër si të gjithë të tjerët.

Çfarë do të bëni me lotarinë kombëtare, kur të vini në Qeveri? 
Lotarinë kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Është një e drejtë e publikut e cila i grabitet publiket dhe nga një lojë që e organizon shteti për të nxjerrë përfitime që kthehen në investime për publikun, kryesisht në ato fusha ku interesi publik është shumë i madh dhe qëllimi nuk është fitimprurës, në kuptimin financiar. Ne kemi identifikuar dy fusha, sportin për të gjithë dhe sportin në tërësi, dhe rininë. Ndërkohë që këta e kanë kthyer në një bixhoz ku fusin të gjithë popullin në lojë, populli do të nxjerrë lekët dhe përfitimet do t’i marrin këta. Do t’i marrin ortakët në biznes të kryeministrit, të Ministrit të Financave dhe të gjithë atyre të tjerëve që janë mbrapa kësaj historie. Kjo është një gjë e pashembullt, është një rrjepje e publikut, është një piramidë pa interesa, as në fazën e parë. Hidhni lekë ju shqiptarë për këtë bixhoz se lekët do t’i marrim ne. Ata që janë para dhe prapa skenës së këtij grushti të fortë ndaj interesit publik. Jo, nuk ka! Qeveria do të marrë mandat nga populli për të reaguar ndaj kësaj poshtërsie dhe për të vënë në vend këtë të drejtë.

Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me ambasadorin amerikan, Arvizu? 
Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 June 2012 19:30

Tiranë – Në një tjetër deklaratë për shtyp të publikuar pasditen e sotme, ish-lideri i PS, Fatos Nano, i ka kujtuar edhe një herë kreut aktual “të pamerituar dhe humbës kronik”, Edi Rama, se ai “ka qenë për “15 vite Kryetar i PS e sot është aktualisht Anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS”.

“Askush nuk mund të nxjerrë Fatos Nano jashtë PS”, paralajmëron ish-kryeministri socialist ndërsa i bëri thirrje të gjithë simpatizantëve të partisë që drejtonte dikur “që t’i bashkohen nismës për çlirimin e PS nga ankthi dhe sëmundja e humbësve dhe humbjeve”.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve njoftoi se “së shpejti do të nisë nismën statutuore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në Krye të PS, Kryetarin Historik dhe Fitues Fatos Nano”.

Për këtë, Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje duke rregjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatese të kordinimit “që po ngrihen me shpejtësi në çdo qytet e fshat”.

Deklarata e plotë:
Fatos Nano i sjell në vëmendje Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite Kryetar i PS e sot është aktualisht Anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet ti mohojë, deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS.

Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese. Kujtojmë këtu se PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike. PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurimi sesa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot Kryetari i pamerituar dhe humbës i PS Edi Rama. PS me Fatos Nanon e ka mundur Sali Berishën në të gjitha zgjedhjet e votimet e mundshme parlamentare, lokale apo referendare.

Fatos Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve passhpine dhe nënbrinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99, e sot si ‘grushti i çeliktë rreth Edi Ramës për uzurpimin, keqpërdorimin dhe humbjet e parreshtura të PS’. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë të zgjedhurve lokalë e qendrorë të PS që t’i bashkohen nismës për çlirimin e PS nga ankthi dhe sëmundja e humbësve dhe humbjeve, si edhe për ndërtimin e një bashkëudhëtimi të ri prej dalëzotsash si fitues së bashku me Fatos Nanon.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve nuk synon e as inkurajon konflikte të reja, por me konstruktivitet synon të bëjë fituese PS, që populli i majtë, populli opozitar të kthehet në krye të detyrave qeverisëse për vendin, në mënyrë që të përshpejtojmë se bashku realizimin e reformave të domosdoshme, si edhe arritjen e objektivave për përparimin e merituar të axhendës së integrimit europian.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka një projekt të qartë për ti bërë socialistët fitues, për ta mundur Sali Berishën në vitin 2013, dhe për ta integruar Shqipërinë në BE. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka një vizion të kthjellët atdhedashurie si edhe partneriteti dinjitoz euroatlantik, nëpërmjet të cilit fitorja e socialistëve, mundja e Sali Berishës në vitin 2013 bëhen të sigurta. Fatos Nano di ta munde Sali Berishën. Fatos Nano mundet ta munde Sali Berishën. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve së shpejti do të nisë nismën statutuore me anëtaret e PS për të kërkuar largimin e Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në Krye të PS, Kryetarin Historik dhe Fitues Fatos Nano.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar që t’i bashkohen kësaj levizjeje duke rregjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatese të kordinimit që po ngrihen me shpejtësi në çdo qytet e fshat.
Proçesi i rregjistrimit të mbështetësve e vullnetarëve të kësaj Lëvizjeje ka filluar, e shumë shpejt do t’ju bëjmë të njohur emrat e të gjithë kordinatorëve kudo në çdo cep të Shqipërisë si edhe detajet e kontakteve ku mund të drejtoheni. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve është një projekt pëbashkues i socialistëve, popullit të majtë, popullit opozitar, e si i tillë është një projekt fitues. Ne jemi dalëzotsa dhe motoja jonë është: Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 22:57

Tiranë – Fatos Nano ka kthyer fjalët në realitet duke njoftuar mbrëmjen e sotme krijimin e një lëvizje të re politike të quajtur “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve”. Koordinatori i Lëvizjes është vendosur që të jetë Arian Galdini, i cili vjen nga rradhët e Shoqërisë Civile.

“Të inkurajuar e të nxitur nga numri i madh i mbështetësve nga Veriu në Jug, ne një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste, të shoqërisë civile, intelektualë dhe akademikë, të rinj e të reja, së bashku me z. Fatos Nano vendosëm që të krijojmë një grup kordinimi të Lëvizjes sonë të Re”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Ky vendim vjen “menjëherë pas thirrjes që Fatos Nano u bëri socialistëve dhe popullit të majtë, shumë socialistë e opozitarë të ndershëm nga çdo cep i Shqipërisë, të zgjedhur lokalë e qendrorë, përfaqësues të strukturave të PS i janë përgjigjur kësaj thirrjeje dhe i kanë shprehur zotit Fatos Nano mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të plotë e të pakursyer”.

“Qëllimi i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve – thuhet në njoftimin për shtyp – është përbashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013”.

“Njëkohësisht kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013”, reciton deklarata e Lëvizjes së sapo krijuar.

Sipas njoftimit, “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013”.

“Socialistët, populli i majtë, opozitarët e sinqertë dhe të ndershëm me këtë Qeverisje, duhet të bëhen të gjithë bashkë. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane”, përfundon njoftimi për shtyp i Lëvizjes së Fatos Nanos. (LajmeShqip.com)