12
 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 14:26

TIRANE – Leka Zogu II, i njohur si Princ Leka, fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e dy pasurive të familjes së tij, një prej të cilave është Pallati i Brigadave.

Me pretendimin se janë pronë e gjyshit të tij, Mbretit Zog, dhe se deri tani e ka pasur të pamundur ta kërkojë këtë të drejtë, Leka Zogu II i është drejtuar Gjykatës në janar 2013. Pak ditë më parë togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Princ Lekës për rivendosje në afat të kërkesës së tij drejt Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këto prona.
Sipas vendimit të Gjykatës, pronat në fjalë janë dy pasuri të paluajtshme, të njohura si “Pallati i Princeshave”, sot Biblioteka e Librit të Huaj, si dhe “Pallati Mbretëror”, sot Pallati i Brigadave.

KERKESA
Në vendimin e shpallur më 25 janar nga gjyqtarja Blerona Hasa, thuhet se kërkuesi, Princi Leka, nuk ka pasur mundësi të kërkonte më parë kthimin dhe kompensimin e pronës, pasi nuk zotëronte dokumentet e pronësisë.

Sipas vendimit, këto dokumente trashëgimtari i vetëm i familjes mbretërore i ka “shtënë në dorë” vetëm pas datës 17 janar 2013. Referuar ligjit përkatës, ish-pronarët mund t’i drejtoheshin AKKP-së deri më datë 31 dhjetor 2008. Pas kësaj date e drejta për të depozituar kërkesën mund të bëhej vetëm nëpërmjet gjykatës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 12:50

TIRANË – Inagurohet shtatorja e derdhur në bronz e Mbretit të parë të shqiptarëve, Ahmet Zogu. Shtatorja mbërriti në Shqipëri pas një muaji dhe dje u lartësua në fund të bulevardit që mban emrin e tij, mbi strukturën e ngritur, ku duhej të vendosej në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Pamja e shtatores u zbulua sot në një ceremoni zyrtare, nga Kryeministri Berisha dhe Princi Leka i II. Inaugurimi i bustit u la qëllimisht për paraditen e sotshme, pasi përkon me një datë historike të legalistëve. “Vendosja e bustit të Mbretit Zog përkon me 88-vjetorin e triumfit të Legalitetit. Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu riktheu legjitimitetin e fituar në zgjedhjet e dhjetorit 1923. 

Në ceremoninë e inaugurimit të shttores ishin të pranishëm figura të njohura të politikës. Fjalën hapësse e mbajti prinvi Leka Zogu i II, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se shtatorja do jetë shembull për të rinjtë. Kryeministri Berisha i njohu meritat Leka Zogut për ndërtimi ne shtetit të shqiptarëve, një një kohë kur në tryeza diplomatike po përgatitej shuarja e shqiptareve nga harta politike e Evropës.

“Ahmet Zogu qëndroi i palëkundur në anën e shqiptareve. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhes i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit do i të qëndronte palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, te ndertimit te shtetit te shqiptareve. Ne nje kohe kur në tryeza diplomatik po pergatitej shuarja per fare e shqiptareve nga harta politike e Evropes, Zogu me nje grup burrash te shquar te kombit organizoi Kongresin e Lushnjes, themeloi qeverine, e cila u tha ‘Jo’ te gjitha traktateve copetuese te Shqiperise”, deklaroi Berisha.(B.W/LAjmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 18 November 2012 12:39

Prishtinë – Politikanët shqiptarë, andej dhe këndej kufirit, shfaqën opinione të ndryshme për rolin e Mbretit Leka Zogu I, gjatë ceremonisë së rivarrimit që u zhvillua të shtunën në Tiranë. Për monarkun nga Mati, presidentja Jahjaga e kryeministri Sali Berisha folën fjalë të mëdha, derisa socialistët e Edi Ramës e bojkotuan ceremoninë. Një ditë më parë, kryeministri Thaçi tha se “shqiptarët s’ia kanë parë hajrin Zogut”, shkruan gazeta Express

Rikthimi i eshtrave të Mbretit të Shqiptarëve, Leka Zogu I në Shqipëri, i ka ndarë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri se a duhet të nderohet apo injorohet njeriu i cili kishte udhëhequr shtetin për afro dy dekada.

Në Shqipëri, Qeveria e Sali Berishës ka organizuar një ceremoni të madhe për nder të kthimit të eshtrave të Zogut, ndërsa socialistët e kanë bojkotuar atë.

Edhe në Kosovë, zyrtarët janë ndarë në dy tabore, se a duhet të nderohet ose jo Ahmet Zogu, i cili akuzohet për lidhje me jugosllavët dhe largimin nga Shqipëria në prag të pushtimit italian më 1939.

Një ditë para ceremonisë së rivarrimit të Zogut, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se Ahmet Zogut nuk ia kanë parë hajrin fort shqiptarët, sikurse nuk ia kanë parë as Pasicit, e Karagjorgjeviqit.

“Këtu përmenden personalitete të ndryshme historike, prej Pashiqit, Esat Pashës, Zogut, Karagjorgjeviqit, Titos e hajt, hajt, hajt. Asnjëri prej këtyre, shqiptarët fort nuk ua kanë parë hajrin”, ka thënë Thaçi.

Por, krejt ndryshe nga Kryeministri, ka folur të shtunën Presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Zogut në Tiranë, shkruan Express.

Ajo ka thënë se Mbreti i Shqiptarëve ka merita të mëdha si për ndërtimin e Shqipërisë ligjore, ashtu edhe për kosovarët dhe kombet e tjera që ishin të rrezikuara në kohën e tij.

“Zogu dhe gjithë populli i pritën me zemër të hapur kosovarët e larguar me dhunë nga trojet e veta etnike që u vendosen përfundimisht në Shqipëri. Është tejet humane dhe përparimtare mbrojtja dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri, në kohën që ata përndiqeshin nga fashizmi dhe nacizmi”, ka thënë Jahjaga, në Tiranë.

Presidentja Jahjaga ka thënë se me kthimin e eshtrave në atdhe, është kryer edhe një obligim kombëtar.

“Ne sot jemi të lehtësuar që e kryem detyrën, sepse eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe “guri peshon me rëndë në vend të vet”, ka thënë ajo.

Para se të shkonte në Shqipëri, Jahjaga, për të nderuar eshtrat e Zogut, deputeti socialist, Taulant Balla i ka shkruar një letër presidentes së Kosovës, ku i ka thënë se së pari duhet të marrë leje nga Hasan Prishtina, Bajram Curri e Avni Rrustemi.

Ai ka kërkuar nga Jahjaga të bëjë publik qëndrimin për këta tre patriotë shqiptarë, para se të marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Zogut.

Ndryshe prej socialistëve, zyrtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë mendim tjetër për Mbretin.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se Zogu është figura më e rëndësishme në historinë njëqindvjeçare të shtetit.

“Shqipëria në kujtesën e saj shënon edhe një figurë të rëndësishme, atë të Ahmet Zogut. Sot nderojmë të parin dhe të vetmin mbret të shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë”, ka thënë Nishani.

Presidenti i gjashtë i Shqipërisë postkomuniste ka numëruar meritat e Zogut për shtetin.

“Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjerë, por që padyshim mbetet figura më e rëndësishme e shqiptarëve, ai njeriu që për pak vjet nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që përfaqësonte qytetërimin. Shtroi premisat për një shtet modern, i dha shtetit Kodin Penal dhe Civil”, ka shtuar ai.

Fjalë edhe më të mira për Ahmet Zogun ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai e ka cilësuar Mbretin e shqiptarëve si njeriun që e ka jetësuar pavarësinë e Shqipërisë.

dhe në këtë ceremoni, Berisha e ka politizuar rikthimin e eshtrave të Zogut, duke thënë se ata që nuk e nderojnë Mbretin, janë ende nën lëkurën e Enver Hoxhës.

“Kontributi dhe vepra madhore e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, pavarësisht nga indoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë t’i mësosh vonë se kurrë. Kush ka frikë nga eshtrat e monarkut, i them që ke mbetur nën lëkurën e Enverit”, ka deklaruar ai.

 
Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 11:26

TIRANË–(PLOTESUAR) Pas 51 vitesh eshtrat e mbretit Zogu I do të prehen në Tiranë në një mauzole të ndërtuar së fundmi për anëtarët e familjes mbretërore. Eshtrat e mbretit të parë të shqiptarëve erdhën dje në Atdhe, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u prit me të gjitha nderimet shtetërore.

Ai mbajt nga ushtarë të Gardës së Republikës dhe më pas u vendos në shtratin e një topi, për tu përcjellë drejt banesës së familjes mbretërore. 

Munguan në homazhe figurat e së majtës. Berisha apel: Vepra e tij sot duhet të na bashkonte. Pas inaugurimit të Mauzoleumit të Familjes Mbretërore aty do të prehen eshtrat e Mbretit Zog.

ZOGU I PREHET NË TIRANË, NË MAUZOLEUMIN E FAMILJES MBRETËRORE
Ora 13:30- Pas të gjitha riteve dhe nderimeve, pasi u dëgjuan edhe të shtënat e topit eshtrat e mbretit të parë tyë shqiptarëve Ahmet Zogu u rivarrosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore. Familjarët dhe personalitet e larta të vendit po kryejnë homazhet e fundit pranë banesës së tij të fundit.

NISHANI: HISTORIA NUK SHPËRFILLET
Ora 13:15- Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog I, Presidenti Bujar Nishani deklaroi se sot shqiptarët vendosën të mos e shpërfillin historinë dhe të vlerësojnë rilin dhe veprën e mbretit të parë dhe të vetëm të shqiptarëve, sic e quajti ai Ahmet Zogun. 

“Shqipëria në kujtesën e saj shënon edhe një figurë të rëndësishme atë të Ahmet Zogut. Me historinë mund të sillesh në shumë mënyra, mund ta harrosh, por kujton që harresa kish qënë një aventurë, mund edhe të provosh ta manipulosh, shtrembërosh, që edhe kjo është gjithmonë afatshkurtër në përpjekjen e atij që e bën. Sepse mund të mos e përfillësh ti historinë, por nuk të lë historia ty, të ndëshkon për gabimet dhe të shpërblem për meritat. Sot nderojmë të parin dhe të vetmin mbret të shqiptarëve Ahmet Zogun. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë”, tha në fjalën e tij Nishani. 

Sipas Presidentit, “Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjërë, por që padyshim mbetet figura më e rëndësishme e shqiptarëve, ai njeriu që për pak vjet nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që përfaqësonte qytetërimin. Shtroi premistat për një shtet modern, i dha shtetit Kodin Penal dhe Civil”, nënvizoi Nishani.

Në fund të fjalës së tij kreu i shtetit shqiptar përmendoi këto fjalë: “Ia kishim borxh, u prehtë në paqe!”

JAHJAGA: AMANETI SOT U VU NË VEND
Ora 13:00- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga deklaroi se kontributi i Mbretit Zog I është tejet i vecantë për shqiptarët e Shqipërinë, prandaj sic theksoi ajo sot është vendosur në vend një amanet.

“Prehja në vendin tonë e të gjithë atyre burrave dhe grave që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë është një amanet i mbetur peng dhe ne duhet ta kryejmë me krenari. Kthimi i eshtrave të mbretit Zog I simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe bashkimin kombëtar”, tha Jahjaga.

Sipas saj “Ahmet Zogu ka një rol të rëndësishëm në krijimin e shtetit shqiptar, caktimin e kufinjëve të shtetit, në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në nivel shtetesh si dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve”, shtoi ajo.

Sipas kryetares së shtetit të Kosovës ishte obligim i politikës së sotme që të thente në Atdhe eshtrat e mbretit që vetë shqiptarët e zgjodhën.

MAUZOLEUMI
Ora 12:55- Pas ceremonisë në pallatin e Brigadave eshtrat e Mbretit Zog I do të vendosen në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore, i cili u inaugurua sot në një ceremoni të vecantë ku morën pjesë personalitetiet më të larta të vendit, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ministra të kabinetit, etj. Në ceremoni edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

BERISHA: KONTRIBUTI I TIJ SOT DUHET TË NA BASHKOJË
Ora 12:00- Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha ka kryer homazhe rreth orës 11:45. Pasi është përshëndetur me Princin Leka II, kreu i qeverisë ka lënë një mesazh në librin e ngushëllimeve.
Pasi nderoi figurën e Mbretit Zog I, në ceremoninë e homazheve që u mbajtën tek Pallati i Brigadave, kryeministri i vendit Sali Berisha, u shpreh se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Ahmet Zogut.

“Sot mbarë kombi shqiptar, shqiptarët në të gjitha trojet etnike e kudo që ndodhen, nderojnë e përulen para veprës dhe kontribuit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi Pavarësinë e Shqipërisë”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit është një rastësi e bukur që mbreti Zog I rikthehet në atdhe në ditnë e clirimit të Tiranës.
“Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”, vijoi kryeministri.
Për kreun e qeverisë, kontributi që mbreti Zog I dha për shqiptarët e shtetin e tyre duhet t’I bashkojë sot ata, në vend që t’i përcajë.
“Kontributi dhe vepra madhore e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, pavarësisht nga inoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë ti mësosh vonë se kurrë. Kush ka frikë nga eshtrat e monarkut i them që ke mbetur nën lëkurën e Enverit”, përfundoi ai.

HOMAZHET
Ndërsa sot në Pallatin e Brigadave, prej orës 10.00-12.00 po zhvillohen homazhet në nderim të Mbretit Zog. Princi Leka II dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore presin vizitorët që po nderojnë figurën e Mbretit Zog I, ndërsa jashtë Pallatit të Brigadave ka radhë të gjata njerëzish, që presin të përkulen para eshtrave të Mbretit Zog I.

Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe personalitete të politikës. Deputetja Rajmonda Bulku ishte ndër të parët që kreu homazhe. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie mbëritën rreth orës 10:40 në Pallatin e Brigadave. Ata vendosën kurora me lule në nderim të figurës së mbretit Zog. Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

MAUZOLEUMI
Më pas në orën 12:15 do të bëhet inaugurimi i Mauzoleumit të Familjes Mbretërore, dhe në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së eshtrave të Mbretit Zog në Mauzoleumin e kësaj familjeje, e shoqëruar me të shtëna topi.

Ahmet Zogu është zhvarrosur pardje nga varrezat e Thiais në Paris, aty ku prehej që pas vdekjes në prill të vitit 1961 në Francë. Një ekip në nivel të lartë zyrtarësh shqiptarë dhe francezë ka ndjekur nga afër ceremoninë, që i ka hapur udhë kthimit të eshtrave në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Mbreti Ahmet Zog u lind më 8 tetor 1898 në Burgajet të Matit. Ai ndërroi jetë në spitalin Foch të Parisit më 8 Prill 1961.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 11:06

TIRANË– Mbërrijnë në Atdhe eshtrat e Mbretit Zog I, i cili prehej në varrezat e Thiais në Paris të Francës.

Eshtrat e mbretit të parë të shqiptarëve mbërritën në Tiranë sot në mëngjes rreth orës 08:10 minuta, në kuadër të rivendosjes së vend të figurës së tij, për 100-vjetorin e Pavarësisë. 

Në aeroportin ‘Nënë Tereza’ kanë qënë të pranishëm sot për të pritur eshtrat e mbretit Zog I, Princ Leka II, pjestarë të tjerë të familjes mbretërore, ministri i Brenshëm Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ai i Kulturës Aldo Bumçi, si dhe dy zv.ministrat Edith Harxhi dhe Ekrem Spahiu.

Më pas, arkivoli me eshtrat e Mbretit, u shoqërua drejt banesës së Familjes Mbretërore, në rrugën “Murat Toptani”, i njohur si pallati i vjetër mbretëror.

Gjatë ditës së nesërme në Pallatin e Brigadave prej orës 10.00-12.00 do të zhvillohen homazhet në nderim të Mbretit Zog. Më pas në orën 12:15 do të bëhet inaugurimi i Mazoleumit të Familjes Mbretërore, dhe në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së eshtrave të Mbretit Zog në Mazoleumin e kësaj familjeje, e shoqëruar me të shtëna topi

Ahmet Zogu, është zhvarrosur dje nga Parisi, aty ku prehej që pas vdekjes në prill të vitit 1961. Një ekip në nivel të lartë zyrtarësh shqiptarë dhe francezë ka ndjekur nga afër ceremoninë, që i ka hapur udhë kthimit të eshtrave në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Mbreti Ahmet Zogu u lind më 8 Tetor 1898 në Burgajet të Matit. Ai ndërroi jetë në spitalin Foch të Parisit më 8 Prill 1961. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 13:20

Tiranë – Kurora me lule, heshtje dhe pikëllim rrethuan të shtunën ceremoninë mortore të pretendentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu i I-rë, i cilësuar si figurë historike e shtetit shqiptar.

Trupi i pajetë i Leka Zogut, i vendosur paraditen e sotme në hollin e selisë së Kuvendit të Shqipërisë  i mbuluar me flamurin kombëtar, u përcoll me respekt e nderime nga personalitetet e larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi , kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përfaqësues të komuniteteve fetare, artistë , trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, të afërm, qytetarë etj.

Në Ditën e lamtumirës së këtij personaliteti të historisë shqiptare ishin të shumtë ata që zhvilluan homazhe para trupit të atij, që u konsiderua “atdhetari i mençur, me humbjen e të cilit shqiptarët humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre dhe kujtesës kombëtare”.

Në përfundim të homazheve për pretendentin e Fronit mbretëror fjalën përmbyllëse e mbajti kryebashkiaku Luzim Basha i cili tha se pas shumë vitesh peripecish Leka Zogu do të prehet në tokën arbërore.

“Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga Princi shqiptar, Leka Zogu i I-rë. Kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ja dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu, të cilët nuk e negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuat si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij, u preftë i qetë në tokën arbërore”, tha kryetari Basha.

Më pas trupi i pajetë i Leka Zogut sipas itinerarit të Protokollit të Shtetit dhe i shoqëruar nga autoritetet e larta të vendit do të përcillet në bulevardin “Zhan D’Ark”, për të vijuar më pas te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- sheshi Skënderbej për t’u drejtuar për në varrezat e Sharrës.

Pretendenti i Fronit Mbretëror shqiptar, Leka Zogu I, u nda nga jeta të mërkurën (30 nëntor) në moshën 72-vjeçare, pas një arresti kardiak, bëri të ditur familja mbretërore. Leka Zogu, i cili vuante prej kohësh nga shqetësime të rënda në zemër e mushkëri, ishte shtruar në një spital në Tiranë, që prej dy javësh.

Qeveria shqiptare me këtë rast e shpalli ditën e shtunë, ditë zie kombëtare dhe njoftoi se Leka Zogut do t’i rezervohej një ceremonial shtetëror me të gjitha nderimet që i takojnë.

Pretendenti i Fronit, pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga Shqipëria që kur kishte vetëm dy ditë jetë në prill të vitit 1939, shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të vitit 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat.

Por, sërish qëndrimi do të ishte shumë i shkurtër, as 24 orë, pasi u detyrua nga autoritetet e atëhershme të largohej, sepse pasaporta e tij mbretërore nuk i njihej zyrtarisht. Ai do të rikthehej në prill të vitit 1997. Në ato momente iu afrua realizimit të ëndrrës së monarkisë kur në zgjedhjet e qershorit të atij viti të trazuar mori një mbështetje të madhe.

Zyrtarisht, referendumi për monarkinë mori mbi 33 % të votave, por ai dhe mbështetësit e tij pretenduan për manipulim të rezultatit, duke organizuar dhe një protestë në Tiranë, e cila u mbyll me vrasjen e një prej  pjesëmarrësve në manifestim. Leka Zogu do të akuzohej për kryengritje të armatosur. Pak ditë më pas ai do të largohej nga vendi. Rikthimi i tij përfundimtar, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri, do të bëhej 5 vite më vonë, në qershor të vitit 2002.

 
Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 14:12

Tiranë-Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, i shprehën sot paradite ngushëllimet më të sinqerta Familjes Mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogut të I-rë.

Kreu i Shtetit dhe Zonja e Parë vizituan sot oborrin mbretëror duke i shprehur personalisht ngushëllimet për humbjen e pazëvendësueshme të pretendentit të fronit familjarëve e në mënyrë të veçantë djalit të tij, Leka Zogu II si dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të njërës prej figurave më të rëndësishme atdhetare e antikomuniste shqiptare, i cili me përkushtim dhe devotshmëri, ia kushtoi jetën përpjekjeve të vazhdueshme në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Pas lënies së një shënimi në Librin e Zisë, Presidenti i Republikës rishprehu ngushëllimet dhe vlerësimet edhe para përfaqësuesve të medias, duke theksuar se humbja e Leka Zogut të I-rë “nuk është vetëm e familjes, por e mbarë shoqërisë shqiptare që sot respekton një njeri, i cili ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë, asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për çështjen kombëtare”.

Ai i uroi Princ Lekës që të jetë në vazhdim të traditës së paraardhësve të tij për të kontribuar për çështjen kombëtare. “Shqipëria sot ka nevojë për çdo njeri për të kontribuar për të ardhmen e këtij vendi, që sigurisht është dhe ka qenë edhe në ëndrrat e të gjithë patriotëve shqiptarë për të qenë pjesë e Evropës së qytetëruar”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Leka Zogu i I-rë vdiq dy ditë më parë në një spital të Tiranës, pas një “arresti kardiak”. Ai vuante prej kohësh nga shqetësime të rënda në zemër e mushkëri dhe ishte shtruar në spital që prej dy javësh.

Qeveria shqiptare e shpalli ditën e shtunë, ditë zie kombëtare duke bërë të ditur se Leka Zogut të I-rë do t’i rezervohej një ceremonial shtetëror me të gjitha nderimet që i takojnë.

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 20:54

Familja Mbretërore Shqiptare mbërriti në qershor të vitit 2002, në Tiranë duke i dhënë fund një mërgimi 63 vjeçar.

Një avion “Boing 727” i kompanisë “Million  Air”, transportoi nga aeroporti Lanceria i Johanesburgut, Nënën Mbretëreshë Geraldina, Trashegimtarin e fronit Leka Zogu, pjesëtarët e Familjes Mbretërore, stafin e tyre të ngushtë dhe një pjesë të personelit të shërbimit.

Largimi i familjes Mbretërore nga Shqipëria

Më 27 prill të vitit 1938, me një ceremoni madhështore të zhvilluar në ambjentet e Pallatit Mbretëror në Tiranë, Mbreti I shqiptarëve Ahmet Zogu vuri kurorën martesore me princeshën Geraldina Apony, e cila rridhte nga një familje ariostokrate.

Çifti mbretëror nuk mundi të jetonte më shumë se një vit në Shqipëri , sepse më 6 prill 1939 , kur atyre kishte vetëm dy ditë që u kishte lindur trashëgimtari, u detyruan që të largoheshin nga Shqipëria për në Greqi .

Shkaku i largimit të familjes Mbretërore nga atdheu ishte agresioni italian në Shqipëri , për të cilin ai kishte zgjedhur datën e lindjes së djalit të Mbretit Zog dhe trashëgimtarit të vetëm të familjes Mbretërore.

Mbretëresha Geraldinë së bashku me djalin dhe njerëzit që e shoqëronin, më 6 prill 1939 kaloi kufirin dhe hyri në territorin grek duke u vendosur në qytetin e Follorinës. Një ditë më pas u bashkua me ta edhe Mbreti Ahmet Zogu.

Mbreti Jorgos i Greqisë duke mos dashur të hynte në konflikte me Italinë , i sugjeroi Mbretit Zog që të vazhdonte udhëtimin e tij më në lindje , ku ai do të ishte më i qetë dhe do të kishte ndihmën e pakursyer të miqve të tij të vjetër.

Prill 1939, në Greqi dhe Turqi

Nga mesi i muajit prill të vitit 1939, Mbreti Ahmet Zogu me Oborrin e tij Mbretëror dhe rreth 2000 besnikët e tij , u nis nga Greqia dhe mbërriti në Stamboll të Turqisë. Aty dolën për ta pritur me mijra vetë kryesisht shqipëtarë të vendosur aty prej vitesh, të cilet përshëndetën ardhjen e tij dhe shprehën zemërim për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste.

Mbreti Zog megjithë mbështetjen që gjeti në Turqi vendosi të largohej , pasi e ndjente veten krejt të izoluar nga shtetet Perëndimore të Europës ku dhe luhej e gjithë politika. Ai vendosi të largohej në Francë e cila i kishte dhënë më parë garancinë se pranonte ta priste Mbretin Zog me gjithë suitën mbretërore.

Gusht 1939,në Francë dhe në Angli

Udhëtimi i Mbretit Zog zgjati disa muaj duke udhëtuar nga Turqia në Bullgari, Rumani, Poloni, Suedi dhe prej andej mbërriti në Paris.Gjatë këtij udhëtimi të gjatë në ndalesat që u bënë në Bukuresht dhe në Varshavë , Mbretin Zog kishin dal për ta pritur me mijra vetë të cilët shprehnin simpatinë për Familjen Mbretërore.

Ai nuk qëndroi për shumë kohë në Francë , pasi ajo rrezikohej të pushtohej nga Gjermania , dhe kështu ai vazhdoi udhëtimin e gjatë për të mbërritur në Angli. Në Angli Mbreti Zog si fillim u vendos në një hotel të Londrës dhe më pak u largua për në një qytezë të vogël jo shumë larg Londrës.

Një nga pasuritë që kishte mundur të merrte me vete Familja Mbretërore ishte edhe një “Mercedes” të cilin atyre ua kishte bërë dhuratë Hitleri me rastin e martesës se Zogut me Geraldinën. Mbreti Zog këtë makinë ja bëri dhuratë Kryqit të Kuq të Anglisë.

Gjatë qëndrimit në Angli, ai, bëri tentativa me autoritet e larta britanike për tu kthyer në Shqipëri por duke qënë se anglezët e kishin njohur pushtimin e Shqipërisë nga Italia ata e kishin të pamundur të njihnin qeverinë shqiptare në mërgim.

1945 në Egjipt

Viti 1945 shënoi edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore, gjë e cila i shoi edhe shpresat e Mbretit Zog për tu rikthyer në Shqipëri.

Mbreti Zog vendosi kështu të largohej nga Anglia për në Egjipt ku në fuqi ishte Mbreti Faruk. Atje Zogu me familjen e tij u vendos në një vilë luksoze në Aleksandri . Gjatë qëndrimit atje Mbreti Zog ndërmorri një udhetim ne SH.B.A.ku pati disa takime në Departamentin e Shtetit.

Autoritetet amerikane i ofruan Zogut zbarkimin e disa besnikëve të tij në Shqipëri , të cilët do të përgatisnin situatën për të rrëzuar Qeverinë Komuniste atje.

Ndonëse amerikanët e mbajten fjalën nuk u bë e mundur që Zogu të kthehej në Shqipëri. Ndërkohë në Tiranë u ekzekutuan njerëzit besnikë të Zogut.Gjatë qëndrimit në Egjipt Princi Leka I u shkollua ne “Victory Collage” ku dhe u diplomua. Pas rënies së Mbretit Faruk dhe ardhjes në fuqi të Naserit , ai vendosi të largohej nga Egjipti.

Gusht 1956, ne France

Në gusht 1956 Mbreti Zog u vendos në qytetin Cannes në Francën Jugore, dhe më pas u shpërngul në Paris.

Aty ai qëndroi deri në vitin 1961 kur gjendja e tij shëndetësore u rëndua keqazi dhe Mbretëresha Geraldine e shtroi në një nga klinikat më moderne të Parisit.

Ai mbylli sytë përgjithmonë në 6 prill të atij viti në moshën 65 vjeçare. Pak ditë më vonë në bazë të Statutit të

Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928 princi Leka në praninë e qindra shqipëtarëve të ardhur nga shumë shtete të botës bëri betimin në hotelin “Bristol” duke u shpallur Mbreti Leka I.

-1961 në Spanjë

Mbretëresha Geraldinë dhe  Leka I u larguan nga Franca drejt Spanjës sepse aty ishte në fuqi Gjenerali Franko I cili u siguroi atyre një jetë krejt të qetë. Atje Leka I i vazhdoi përsëri studimet në “Royal Academy” e më pas u diplomua në shkencat politike në Sorbon të Francës.

Në Madrid ku ai jetonte me të ëmën ai takonte eksponentë antikomunistë e bisedonte me ta për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës. Më 10 tetor 1975, Leka I u martua me mbretëreshën Suzane që kishte lidhje gjaku me familjen mbretërore të Anglisë.

1978, në Afrikën e Jugut

Pas largimit nga Spanja  Leka Zogu  u vendos në Afrikën e Jugut. Pas shumë vite qëndrimi në Afrikën e jugut , në verën e 1994 , pas shëmbjes së diktaturës në Shqipëri,  Leka i Parë erdhi në Tiranë i shoqëruar nga Ministri i Oborrit Abedin Mulosmani, ku ai nuk qëndroi me shumë se 48 orë. 

Arsyeja e largimit të tij u komunikua nga media zyrtare me faktin se ai nuk kishte ardhur si një qytetar i zakonshëm por me pasaportën e Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, gjë e cila binte ndesh me ligjet e shtetit shqiptar në fuqi. 

Prill 1997, ardhja në Shqipëri

Në Prill të vitit 1997 teksa Shqipëria gjendej e zhytur në kaos për shkak të shembjes së firmave piramidale, Trashegimtari i fronit Leka Zogu, mbërriti në Tiranë. Ai mori pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjen e formës së regjimit në Partinë e Legalitetit duke vajtur pothuaj në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Në këto zgjedhje Monarkia fitoi 36% të votave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky rezultat u shpall i falsifikuar nga Leka i Parë.

Nisur nga kjo tre ditë pas zgjedhjeve,  Partia e Legalitetit organizoi një miting proteste ku simpatizantët e saj bashkë me Leka Zogun marshuan drejt qëndrës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku pati edhe konfrontime me policinë.

Pak ditë më pas u hap një proces hetimor ndaj Leka Zogut, por më pas, Ai përfitoi një amnisti që solli që Leka Zogu trashëgimtari i ligjshëm i fronit Mbretëror të Shqipërisë të kthehej në atdhe.
 

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:55

Tiranë-Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, vendosi organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka Zogu I, (pretendent i Fronit Mbretëror të Shqiptarëve), i cili ndërroi jetë sot pas një sëmundjeje të rëndë.

Për organizimin e kësaj ceremonie funebre Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e komisionit shtetëror, në përbërje të të cilit janë Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme;  Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar;  një përfaqësues i protokollit të Shtetit dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e shtunë, datë 3 dhjetor 2011, nga ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Qeveria vendosi që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:37

Institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe partitë politike, kanë ngushëlluar familjen mbretërore të Shqipërisë, për vdekjen e Leka Zogut të Parë, pretendentit për fronin mbretëror.

Duke e cilësuar si figurë të rëndësishme, qeveria e Kosovës, në një telegram ngushëllimi, tha se populli i Kosovës do ta kujtojë Leka Zogun e Parë, për bashkëjetesën e tij me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë. në të mirë të Kombit. Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Mbretin e Shqiptarëve N.M.T. Leka I Zogu, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën, thuhet ne telegramin e ngushëllimit, të Presidentes së  Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, drejtuar familjes mbretërore shqiptare pas ndarjes nga jeta të Naltmadhënisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve Leka I Zogu .

Në telegramin e ngushllimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar familjes së  familjes mbretërore shqiptare thuhet se “Leka Zogu i Parë ishte një figurë e rëndësishme, që përballoi shumë vështirësi në jetën e tij, që lanë gjurmë në kujtesën e popullit shqiptar. “Populli i Kosovës do ta përkujtojë Leka Zogun e Parë, që gjithherë bashkëjetoi me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

Në telegramin e LDK-së, dërguar udhëheqësve të institucioneve të Shqipërisë dhe familjes mbretërore, thuhet se LDK gjithmonë ka çmuar lart veprën e Familjes Mbretnore Shqiptare dhe të vetë pretendentit Leka Zogut I, në rrugën e vështirë për unitet kombëtar.

Ngushëllime për vdekjen e Leka Zogut të Parë ka dërguar edhe Aleanca Kosova e Re, duke e vlerësuar kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I.

AAK dhe populli i Kosovës, do ta kujtojnë përherë me respekt kontributin e çmuar të NMT Leka Zogu I në favor të përpjekjeve të popullit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu si dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që NMT Leka Zogu I dhe Familja Mbretërore Shqiptare e ka dhënë për vendin tonë para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Familjen e Pretendentit për Fronin e Mbretërisë Shqiptare Leka Zogu 1, e ngushëlloi edhe Presidentit i parë të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

12