Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 09:42

Skuadra e Suonsi ka arritur të hyjë në historinë e futbollit britanik duke fituar për herë të parë në historinë e klubit Kupën e Ligës, falë suksesit 5-0 në finalen ndaj Bredford, skuadrës së kategorisë së katërt që ishte surpriza e vërtetë e këtij turneu. 

Uellsianët e drejtuar nga Majkëll Laudrup kanë dominuar ndeshjen që nga minuta e parë. Natan Daier dhe Miçu shënuan në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ishin përsëri Daier dhe dy gola të De Guzman që vulosën këtë ndeshje.

I veçantë është fakti që mes Daier, i shpallur “Lojtari i Ndeshjes” dhe De Guzman ka pasur një zënkë në fushën e lojës gjatë këtij takimi për gjuajtjen e penalltisë që solli golin e katërt të kësaj ndeshje në minutën e 59. Daier kërkonte të gjuante ai penalltinë, në vend të De Guzman që është gjuajtësi i parë për skuadrën uellsiane, pasi dëshironte të shënonte tre gola në këtë sfidë, për të mbajtur kujtim topin e ndeshjes historike të ekipit të tij, siç është tradita për ata që shënojnë tre gola në një ndeshje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 22:57

Suonsi ka siguruar pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Ligës në Angli pasi ka kaluar në gjysmëfinale ekipin e Çelsit. Ekipi uellsian ia ka dalë me sukses të mbyllë 0-0 ndeshjen e kthimit, aq sa mjaftonte pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë, për të siguruar finalen ku janë favoritë, pasi vihen përballë skuadrës së kategorisë së katërt angleze, Bradford. 

Edhe pse Benitez vendosi të hidhte nga minuta e parë në fushën e lojës Demba Ba, duke ulur në stol Fernando Torres, manovra ofensive e Çelsit nuk funksionoi siç duhet. Ndonëse londinezët dominuan në lojë, ata e kishin shumë të vështirë të çanin mbrojtjen e ngjeshur të Suonsi që mendonte për të ruajtur rezultatin e sfidës së parë.

Çdo rreze shprese e londinezëve u shua në minutën e 81-të, kur Eden Hazard u ndëshkua me karton të kuq pas një gjesti aspak të këndshëm ndaj një prej fëmijëve që mbledhin topat. Duke dashur të marrë topin me shpejtësi nga djaloshi që qëndronte në krah të fushës, Hazard u përplas me të dhe më pas tentoi ta godiste me shkelm, duke bërë që gjyqtari të nxirrte nga xhepi menjëherë kartonin e kuq.

Suonsi tashmë ka mundësinë jo vetëm të shkojë për herë të parë në finalen e një Kupe prestigjioze, por edhe të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League në sezonin e ardhshëm nëse triumfon përballë Bradford. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 January 2013 23:15

Suonsi ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Ligës në Angli, pasi ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Çelsit në fushën e kësaj të fundit. 

Ndonëse Rafael Benitez kishte bërë të qartë se skuadra do të bënte maksimumin në këtë turne, duke kërkuar që të sjellë përsëri trofe të blutë, ka qenë Suonsi që ka bërë surprizën e madhe falë dhuratave të Ivanoviç. Mbrojtësi serb ka humbur kontrollin e topit në minutën e 39-të, me sferën që përfundoi te këmbët e Miçu që e dërgoi atë në rrjetë.

Më pas, në minutat shtesë të ndeshjes, përsëri Ivanoviç pasoi në mënyrë të gabuar mbrapa, me Graham që vodhi topin dhe shënoi në portën e bluve, duke vulosur fitoren 2-0 në këtë sfidë në transfertë. Ekipi uellsian ka një shans të artë për të shkuar në finalen e Kupës së Ligës nëse arrin të mbrojë këtë avantazh të dyfishtë, ndërsa te Çelsi, problemet me tifozët janë rikthyer, pasi i gjithë stadiumi ka thirrur gjatë gjithë takimit emrin e Frenk Lampard. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 December 2012 11:35

Çelsi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës duke mundur me rezultatin e thellë 5-1 skuadrën e Lids, edhe pse ekipi i Benitez ka vuajtur për të marrë këtë rezultat. 

Luçiano Bekio kaloi në avantazh ekipin vendas në minutën e 37-të të sfidës, ndërsa dukej se Çelsi po shkonte drejt një tjetër humbje, pas asaj të së dielës të pësuar përballë Korinthians në Botërorin e Klubeve, falë një pjese të parë zhgënjyese.

Por kthesa erdhi me golin e Huan Mata në minutën e 47-të, që lehtësoi punën për londinezët të cilët u qetësuan disi dhe rigjetën shkëlqimin e tyre. Ivanoviç, Moses, Hazard dhe Torres ishin autorët e golave të tjerë që kualifikuan Çelsin në gjysmëfinale ku i pret Suonsi.

Blutë janë ekipi favorit për të fituar këtë trofe, pasi në gjysmëfinalen tjetër do të vihen përballë Aston Vila me skuadrën e kategorisë së katërt, Bradford, që eliminoi me penallti Arsenalin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 December 2012 11:29

Kriza e Arsenalit nuk ka fund në këtë pjesë të parë të sezonit, ndërsa dje “topçinjtë” kanë përjetuar një tjetër poshtërim, pasi janë eliminuar në çerekfinalet e Kupës së Ligës, nga një ekip i kategorisë së katërt angleze, Bradford. 

Ndonëse lojtarët e hedhur në fushë si titullarë nga Venger kishin kushtuar në total 66.8 milion paund në krahasim me vetëm 7500 paund që kishin kushtuar lojtarët kundërshtarë, këta të fundit kanë qenë protagonistët e vërtetë të ndeshjes, duke dominuar përballë emrave të njohur si Sanja, Mertesaker, Uilshair, Kazorla apo Podolski.

Bradford shënoi golin e avantazhit në minutën e 16-të me Tompson dhe kishte disa raste për të dyfishuar shifrat. Në minutën e 88-të, Vermalen arriti të barazonte rezultatin, duke çuar ndeshjen në kohën shtesë ku asnjë prej dy skuadrave nuk arriti të shënonte.

Me penallti kaloi Bradford, falë gabimeve nga pika e bardhë të Kazorla, Çamakh dhe Vermalen, duke i sjellë klubit një humbje turpëruese përballë një ekipi modest që as nuk e priste një rezultat të tillë dhe mundësinë për të shkuar në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 23:30

Çelsi ka arritur të hakmerret pjesërisht për humbjen e fundjavës në kampionat duke eliminuar Mançester Junajtid nga League Cup. Londinezët kanë fituar një takim të çmendur me rezultatin 5-4, ku ka patur emocione në çdo sekondë të 120 minutave të luajtura, pasi për të përcaktuar fituesin janë dashur kohët shtesë. 

Në një ndeshje ku në radhët e të dy skuadrave kishte shumë lojtarë që zakonisht janë rezerva, ka qenë Mançester Junajtid që ka bërë një fillim më të mirë, duke arritur të mbyllë pjesën e parë me rezultatin 2-1. Barazimit të përkohshëm të Kahill në fillimin e pjesës së dytë iu përgjigj menjëherë Nani i cili vendosi përsëri avantazhin për skuadrën e tij dhe dukej se skuadra e Ferguson po shkonte drejt një tjetër suksesi në Londër.

Por një gabim i mbrojtësit Uoton bën që Çelsi të fitojë penallti në minutën e 3-të shtesë të takimit dhe Hazard transformon me saktësi nga pika e bardhë për të vendosur barazimin dhe për të çuar skuadrat drejt kohëve shtesë. Aty është Çelsi që tregohet më e freskët dhe Starrixh e Ramires shënojnë dy herë për skuadrën e Di Mateos, ndërsa Gigs shkurton distancën me penalltinë e tij në minutën e 120. Por ndeshja mbyllet 5-4 dhe Çelsi hakmerret disi për atë humbje mes polemikash në fundjavën që kaloi.

Ndërkohë, nga ky turne është larguar edhe fituesi në fuqi, Liverpuli, që është mundur me rezultatin 3-1 nga Suonsi, edhe pse ndeshja luhej në “Anfild”. Një tjetër ekip i madh që i ka dhënë lamtumirën trofeut është Totenhem, i mundur 2-1 nga Noruiç. (LajmeShqip.com)

League Cup

Rezultatet

Noruiç-Totenhem                     2-1

84’ (ag) Vertongen, 87’ Xhekson / 66’ Beil

Çelsi-Mançester Junajtid           5-4

31’ (p) David Luiz, 52’ Kahill, 90’+4’ (p) Hazard, 97’ Starrixh, 116’ Ramires / 22’, 120 (p) Gigs, 43’ Hernandez, 59’ Nani

Liverpul-Suonsi                        1-3

76’ Suarez / 34’ Çiko, 72’ Daier, 90’ De Guzman

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 17:01

Arsen Venger ka përdorur fjalën “mrekulli” për të përshkruar suksesin e skuadrës së ndaj Riding në League Cup. Skuadra e tij ishte në disavantazh 0-4, por arriti të fitonte 7-5 pas kohëve shtesë dhe ndonëse trajneri francez e vlerëson këtë turne si prioritetin e fundit të skuadrës së tij, pranoi se një humbje e turpshme si ajo drejt të cilës po shkonin në pjesën e parë do të kishte qenë një nga pikat më të ulëta të historisë së klubit.

“Rezultati ishte 4-2 për kundërshtarët pas 89 minutave lojë, por mrekullia ndodhi. Ju shihni gjithmonë gjëra të reja në lojën e skuadrës tonë, ndaj nuk bëhet kurrë e mërzitshme. Por këtë radhë ishte një ndeshje tenisi. Ne kaluam nga katastrofa te krenaria, duke rikuperuar në pjesën e dytë. Është e çuditshme se në momentin kur ata ishin 4-0 të gjithë mendonin se fituan, por kur rezultati shkoi 4-2, paniku bëri të vetën. Nuk është se i jap shumë rëndësi këtij turneu, por nëse do të eliminoheshim ashtu si po shkonin gjërat në pjesën e parë, nuk do të kishte qenë një nga momentet më krenarë të karrierës sime në këtë klub”, pranoi Venger para mediave.

Ndërkohë, Teo Uollkot ka zbuluar se çfarë u ka thënë trajneri lojtarëve në pushimin e ndeshjes për t’i motivuar në këtë kthesë të pabesueshme.

“Trajneri na tha se nuk ishim të mirë sa duhet, nuk ishim Arsenali”, shpjegoi mesfushori anglez, autor i tre golave në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 00:07

Arsenali ka kaluar nga një zhgënjim historik në një triumf të pabesueshëm në ndeshjen e 1/16 të League Cup kundër Riding. Të pranishmit në stadiumin “Madejski,”, ndonëse kanë parë skuadrën vendase të humbasë, kanë përjetuar një nga ndeshjet më të rralla të këtij turneu pasi Arsenali ka plotësuar një përmbysje të jashtëzakonshme duke fituar me rezultatin 7-5! 

Në fakt, ekipi vendas dukej sikur po shkonte i qetë drejt turit tjetër, pasi kur kishin kaluar vetëm 37 minuta udhëhiqte me rezultatin e thellë 4-0. Një gol i Uollkot në shtesën e pjesë së parë dukej si një rreze shumë e dobët shprese për “topçinjtë”, por fjalimi i Venger në dhomat e zhveshjeve në pushimin e ndeshjes duket se ka bërë punë, pasi Arsenali ka arritur në pjesën e dytë të shënojë 3 gola të tjerë. Koscielni shënoi golin e 4-3 në minutën e 89-të, ndërsa Uollkot shënoi golin e barazimit të pabesueshëm në minutën e 6-të dhe të fundit shtesë të takimit.

Në shtesat e ndeshjes, Arsenali arriti të kalonte në avantazh me Çamakh, por rezultati u barazua nga Pogrebnjak, me ndeshjen që dukej se do të shkonte drejt penalltive. Por Uollkot dhe Çamakh kanë gjetur përsëri rrjetën në minutat e fundit, duke mbyllur këtë ndeshje me një përmbysje që do të kujtohet gjatë për rezultatin dhe mënyrën se si u arrit ai. (LajmeShqip.com)

League Cup

Rezultatet

Sandërlend-Midëllsborou        0-1

39’ MekDonald

Suindon-Aston Vila                 2-3

78’, 81’ Storei / 30’, 90’ Benteke, 39’ Agbonlahor

Uigan-Bradford                       0-0 (2-4P)

Lids-Sauthempton                  3-0

35’ Tonge, 88’ Diuf, 90’+3’ (p) Bekio

Riding-Arsenal                       5-7

12’ Roberts, 19’ (ag) Koscielni, 20’ Laigertvud, 37’ Hant, 115’ Pogrebnjak / 45’+2’, 90’+6’, 120’+1’ Uollkot, 64’ Zhirud, 89’ Koscielni, 103’, 120’+3’ Çamakh