Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 15:00

Orë pas ore, operacioni i policisë në fshatin Lazarat zbulon tonelata droge dhe armësh, ndërsa ditën e djeshme janë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë, të gjithë nën akuzën e sulmit me armë kundër policisë.

 Mirëpo, fortifikimi i gjithçkaje që përbën prova në vendin e hashashit, ka bërë që të zbulohen edhe armë të fshehura nëpër banesa të braktisura. Për këtë qëllim, ditën e djeshme, është bërë e domosdoshme që të kërkohet ndihmë nga ekspertët xhenio të ushtrisë, të cilët do të marrin në dorë të gjithë territorin për të zbuluar vende ku mbahen armë të fshehura. Kështu në drejtim të Lazaratit është nisur ditën e djeshme një grup xhenierësh nga Ministria e Mbrojtjes, të cilët do të kryejnë kontrolle me mjete të specializuara, nëpër të gjitha banesat ku kryhen kontrollet policore, pasi ka rezultuar sipas të dhënave se në shtëpi të caktuara, janë dashur dytri kontrolle të njëpasnjëshme për të pastruar gjithë ambientet e banesave. Policia ka dyshime që në zonë ka armatim të fshehur edhe nën tokë, ku vetëm pajisjet kontrolluese që përdor ushtria mund të arrijnë të kryejnë kontrollin specifik. Edhe për gjatë ditës së djeshme, policia ka mundur të sekuestrojë armë të të gjitha llojeve, ndërsa shumë prej armëve janë grumbulluar dhe janë sjellë në Tiranë ku do t`i nënshtrohen ekspertimit shkencor, pasi ka dyshime të forta që janë armë me të cilat janë kryer atentate dhe më pas janë shitur ‘rojeve’ të Lazaratit.

Arrestimet

Pas Gate Mahmuatajt dhe të birit të tij, Vandamit, bashkë me 16 persona të tjerë që u arrestuan ditëve të para të operacionit, ditën e djeshme blutë kanë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit që vijnë nga Gjirokastra bëhet me dije se numri i të arrestuarve në Lazarat ka shkuar në 21, ndërkohë që vazhdon aksioni për të zbuluar të fshehtat kriminale të këtij fshati. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm në pranga ka rënë Minush Brahimi, 21 vjeç, nga fshati Lazarat, pasidyshohet se ka qëlluar më armë ndaj forcave të policisë gjatë operacionit të zhvilluar nga këto forca, gjatë kësaj jave. Ky shtetas është identifikuar të ketë hapur zjarr ndaj forcave të policisë në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor 2014. Laçe Koli, 69 vjeç, banues në Lazarat akuzohet për veprat penale “prodhim e shitje e narkotikëve”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve te gjahut’, ndërsa Gjirit Malaj, 30 vjeç, gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të banesës së tij i janë gjetur e sekuestruar një sasi lëndë narkotike, një sasi fishekësh dhe një tytë arme e prerë. Ndërkohë në banesën e të atit të tij, Shaqo Malaj, në Lazarat, janë gjetur ambiente inkubatorë si dhe llamba tharjeje. Tre arrestimet e djeshme e çojnë kështu në 21 numrin total të personave të arrestuar gjatë 8 ditëve të aksionit në Lazarat, ndërsa vijon të jetë në kërkim Lilo Brahimi, bashkë me një grup personash të cilët kanë bërë edhe rezistencën më të madhe sipas policisë.

Kërkimet për ‘të arratisurit’

Forcat Speciale të policisë kanë nisur aksionin për kapjen e të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” të Lazaratit, i përbërë nga 13 persona, të cilët mendohet se, kanë qëlluar policinë për 3 ditë rresht dhe që janë larguar nga fshati pikërisht momentin kur uniformat blu e “e morën” territorin. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, disa skuadra të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë nisur operacionin për kontrollimin e çdo pjese të malit të Sopotit, ku gjenden edhe disa tunele atje, si dhe disa shpella, ku dyshohet se, mund të jenë fshehur personat e larguar që sipas policisë, kryesohen nga Lilo Brahimi dhe Altin Shurdhi. Këta persona, të shoqëruar edhe nga 11 të tjerë, emrat e të cilëve policia nuk i ka bërë të ditur janë pjesa e fundit e mbetur e personave që kanë qëlluar mbi policinë që në momentin kur policia hyri në Lazarat. Referuar të dhënave bëhet me dije se të arratisurit janë të identifikuar dhe se shumë shpejt do të bien në pranga, pasi emrat e tyre janë dhënë nëpër të gjitha pikat kufitare.

‘Lazarati në dosje hetimore’, 17 vjetaktivitet kriminal

Rihapen dosjet e vjetra të lazaratasve. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për banorët e fshatit, të cilët që nga marsi i 1997-ës e deri në operacionin e fundit në Lazarat, kanë sulmuar me armë 15 herë Policinë e Shtetit. Listës së ngjarjeve ku janë përfshirë banorët e Lazaratit i prin sulmi me armë ndaj Komisariatit të Gjirokastrës më 2 mars 1997, për të vazhduar me sulmet me armë të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës më datë 13 dhe 19 maj të 1997. Në hetim, sipas akuzës, janë edhe dy sulmet me armë ndaj repartit të RENEA-së dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt në shtator të 1998-ës, gjatë tentimit për arrestimin e disa personave me precedent penal. Në këto dy sulme, kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë, mes tyre edhe Artan Didi tashmë me detyrën e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Prokurorët thanë se në hetim janë edhe 30 të dyshuarit nga Lazarati, të cilët më 9 tetor të 1998 kanë sulmuar ndërtesën e Shërbimit Informativ Shtetërore në Gjirokastër. Pjesë e dosjes voluminoze të hetimit, janë edhe ngjarjet e ndodhura pas vitit 2000 me banorët e Lazaratit, që në çdo tentativë të policisë për të hyrë në fshat, janë përballur me breshëri plumbash. Siç është rasti i sulmeve me armë të patrullës së policisë në maj dhe korrik të vitit 2000, sulme këto të përsërituraedhe gjatë operacioneve të policisë në periudhat e vitit 2004- 2007 ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n mbeti i vrarë personi i shpallur në kërkim për disa vepra Sabri Shurdi. Hetimet, sipas akuzës, janë përqendruar edhe për sulmin me mitraloz të rëndë kundër helikopterit të Misionit Interforce të datës 18 gusht të vitit 2004. Sulm ky i përsëritur edhe gjatë fotografimit të parcelave të drogës nga pilotët italian në periudhën qershor-gusht 2013. Të gjithë këto ngjarje i janë bashkuar një hetimi të plotë që ka nisur në shtator të vitit të kaluar nga tre prokuror të Krimeve të Rënda, prokuror këta që po ndjekin nga afër edhe operacionin e fundit për asgjësimin e kultivimit të lëndës narkotike të nisur me 15 qershor. Për këtë operacion, tashmë janë arrestuar 4 persona për sulm me armë ndaj policisë ndërsa 7 të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërsa me urdhër të prokurorisë së Gjirokastrës, policia ka arrestuar 17 persona për akuza të ndryshme dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas akuzës, janë ngritur 5 grupe pune në terren me 5 prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësor, të cilët po fiksojnë çdo provë materiale që gjendet në banesat apo territoret e ndryshme në Lazarat. Këta hetues, njëherazi po marrin edhe dëshmitë e banorëve dhe efektivëve të policisë për parcelat, drogën dhe armët e gjetura në pronat e tyre.

 
Lajme Shqip Sunday, 20 April 2014 14:31

Ndërsa emri i Lazaratit tani dihet nga të gjithë, edhe jashtë Shqipërisë, kamerat e shtetit fqinj, Italisë kanë mundur të futen në këtë fshat. Gazetari Giacinto Pinto, i televizionit RAI, ka mundur të bëjë filmime në fshatin ku policia shqiptare nuk mund të futet. 

Në kornikën e tij, gazetari Giacinto Pinto thotë se marijuana shqiptare ka pushtuar Europën, ndërsa në Itali mbërrin në sasi përherë e më të mëdha, me mjete transporti gjithnjë e më të sofistikuara. 

Në Lazarat gjenden 350 mijë rrënjë kanabis në 320 hektarë tokë, 90% e familjeve në Lazarat merret me kultivimin e marijuanës dhe çdo familje prodhon rreth një ton drogë në vit, çdo kg marijuanë shitet për 300 euro. 

Të ardhurat nga tregtia e marijuanës dhe substancave të tjera të ndaluara arrijnë në rreth 4 miliardë euro në vit, që do të thotë gjysma e GDP-së së Shqipërisë.  /shekulli/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 10 November 2013 17:20

Lazarati, fshati i kanabisit, në zemër të trafikut të drogës në Europë këtë herë është bërë objekt reportazhi për Agjencinë e lajmeve AFP.

 

Mure të mëdhenj, të gjatë mbi 3 metra dhe më pas tela me gjemba, rrethojnë parcelat me kanabis. Të ndërtuara me beton ngjasojnë me murin e rrethues në Bregun Perëndimor të Palestinës. Por ky mur në Lazarat nuk ka të njëjtin qëllim për të cilën e ndërtuan Izraelët për të shmangur kalimin e palestinezëve të hyjnë në tokën izraelite.

Në Lazarat ky mur ndan parcelat me njëri tjetrin por dhe mund të shmangur vjedhjet e mundshme dhe të mos duken parcelat me kanabis.

 

Në reportazhin, i cili shoqërohet me foto, dhe titullohet “Albania cannabis fiefdom at heart of European traffic” tokat, quhen “çiflig”, (pra toka në pronësi të një personi apo grupe personash dominues) ku çdo ditë shkojnë qindra gra fëmijë dhe burra për të punuar,ku mbizotëron kodi i heshtjes dhe ku policia e ka të pamundur të ndërhyjë për të vendosur ligjin.

 
Lajme Shqip Saturday, 09 November 2013 16:25

Tiranë-Mediat e huaja vazhdojnë të shkruajnë për Lazaratin dhe drogën që prodhohet aty. Tashmë është agjencia franceze AFP e cila përmes një foto- reportazhi tregon punën e bërë nga qindra burra, gra e fëmijë të cilët shkojnë çdo ditë për të punuar në fushat ekanabisit. Sipas AFP ata rrezikojnë të sëmuren vetë gjatë kësaj pune, ndërkohë që askush prej tyre nuk e thyen kodin e heshtjes për të folur për emra të veçantë.

Reportazhi citon edhe drejtorine ri të Policisë së Shtetit që kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në Lazarat.Ndërkohë që në foto shihet tymi në fushat e fshatit pasi digjen mbetjet e bimëve të kanabisit. /albeu/

 
Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 10:09

 

Për herë të parë një ekip i DW sjell pamje ekskluzive nga fshati i Lazaratit, i cilësuar si fshati i drogës

Një erë e rëndë të pret sapo hyn në fshatin e Lazaratit. Është era e marihuanës. Në fshatin në malet në jug të Shqipërisë kultivohet droga shumë e kërkuar. Thuajse të gjithë këtu jetojnë prej saj, ndonëse edhe në Shqipëri kultivimi privat i marihuanës është i paligjshëm.

Zakonisht banorët e fshatit nuk pranojnë të flasin me të huajt. Ne jemi i pari ekip xhirimi që mund të shohë çfarë bëhet këtu, i pari qëkurse në fshat praktikohet kjo bujqësi e veçantë.

Jemi miq te një familje që tashmë prej dhjetë vjetësh merret me kultivimin e marihuanës. Kjo familje prodhon çdo vit rreth 1000 kilogramë marihuanë. Një biznes fitimprurës ky, por familja nuk ka dëshirë të flasë për shifra. Sidoqoftë, nga vjelëset ne mësojmë se kjo punë ia vlen: ato fitojnë gjashtë herë më shumë nga sa mund të merrnin për punë të tjera.

Çmimi për një kilogram marihuanë është rreth 300 euro.

Shpjegimet për pyetjen se si është e mundur që të kultivojnë drogë pa pengesë në Lazarat, janë të pakta.
Por sipas kultivuesve të marihuanës në Lazarat kjo është një mënyrë për të mbijetuar në fshatin me popullsi të madhe dhe pa perspektivë.

Sot Lazarati gëzon një status të veçantë. Deri tani nuk ka pasur asnjë arrestim, ligji dhe drejtësia këtu nuk vlejnë, na thonë banorët.
Kontrolle policie ka vetëm në fshatrat fqinjë. Katër tonë marihuanë u sekuestruan vitin e kaluar, një pjesë e papërfillshme në krahasim me sasinë që kontrabandohet në drejtim të Evropës.

Një nga të intervistuarit tanë mendon se e di përse autoritetet nuk i japin fund situatës në Lazarat. Sipas tij, ata e tolerojnë kontrabandën, sepse pas saj qëndrojnë kontrabandistë të fuqishëm droge nga Italia, Greqia dhe Gjermania.

Disa të dhëna flasin për teorinë e tij: fshatarët në Lazarat e marrin farën për bimët e marihuanës ekskluzivisht nga Italia.
Për të parë sesa është fitimi i mafies në këtë biznes, hetues fiskalë italianë kanë fluturuar me avionë matës mbi plantacionet e Lazaratit.

900 tonë mariuanë prodhojnë fshatarët në Lazarat çdo vit.

Vlera e përllogaritur e tregut: 4.5 miliardë euro. Sipas zërave që qarkullojnë në Shqipëri edhe disa politikanë të nivelit të lartë me gjasë përfitojnë nga tregtia e drogës, hotelet luksoze në bregdet janë në pjesën më të madhe objekte për larje parash dhe një raport i shërbimit të fshehtë për lidhjet e bosëve të mafies me politikanët mbahet prej tre vjetësh i mbyllur.


Albania: Marijuana Village by tvnportal

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 11:04

 

Një nga emisionet e njohura të Deutsche Welle, “European Journal”, është bërë nga të paktat media që arrin të hyjë në Lazarat. Gazetarët kanë përgatitur një reportazh me titullin “Fshati i marijuanës”.

 

“Fermerët në këtë fshat malor në jug të Shqipërisë arrijnë të korrin plot 900 ton kanabis çdo vit, me një vlerë tregu të përllogaritur në 4.5 miliard euro- edhe pse kultivimi i kanabisit është i paligjshëm atje,” thonë gazetarët.

 

“Fshatarët e Lazaratit e mbajnë veten dhe kërcënojnë të huajt me armë. Për vite të tëra, agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për të ndaluar kultivimin e marijuanës. Rrjetet kriminale nga Shqipëria dhe Italia kanë nën kontroll tregtinë e kanabisit, në shumicën e rasteve të mbrojtur nga njerëzit e gjyqësorit dhe politikës në këmbim të parave,” thekson DW. Fotot tregojnë se si gratë në Lazarat kujdesen për të tharë kanabisin.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 14:44

Tiranë- Për herë të parë një media e huaj publikon pamje të përpunimit të kanabisit në fshatin e njohur si “republika e drogës”, Lazarat.
Me përpunimin dhe tharjen e bimëve, siç duket edhe nga fotografitë, merren gratë e fshatit që për hir të së vërtetës, duken që i kanë duart e arta.
Është për të pasur zili puna e tyre në tharjen e gjetheve të kanabisit, me një rregullsi si ajo që mbahet për tharjen gjetheve të duhanit.
Fotografitë e publikuara nga “Deutsche Welle” janë shoqëruar me komentin e mëposhtëm, raporton Shqiptarja.

DW: “FSHATI I MARIHUANES NE SHQIPERI”

 

“Fermerët, në një fshat malor në Shqipërinë jugore, korrin rreth 900 ton kanabis çdo vit me një vlerë tregu të llogaritur nga 4-5 miliardë eurosh, edhe pse kultivimi i kanabisit atje është i paligjshëm.

Fshatarët e Lazaratit e mbrojnë veten e tyre duke i kërcënuar të huajt me armë.
Për vite të tëra, strukturat e ligjit me zor kanë ndërmarrë ndonjë hap për të parandaluar kultivimin e marihuanës.
Thuhet se kontrollin e tregtisë së saj e kanë rrjetet kriminale shqiptare dhe italiane, të mbrojtura në shumicën e rasteve nga gjyqtarë dhe politikanë kundrejt parave të paguara në dorë.
Një ekip kameramanësh nga “Journal Evropian” ka qenë ndër të parët që janë lejuar të hyjnë në këtë fshat.”

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 10:45

Dy të rinj nga fshati Derviçan të Gjirokastrës kanë mbetur të plagosur nga plumba qorr pas të shtënave nga fshati ‘rebel’, Lazarati.

Mesohet se të plagosur kanë mbetur Spiro Kolla 15 vjeç dhe Fotaq Ksera, nip i ish-Ministrit Spiro Ksera. Mësohet se të dy djemtë pasi kanë marrë mjekimin ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, të shtënat me armë janë bërë nga banorë të Lazaratit. Lazaratasit qëllojnë me armë shpesh dhe e ndjekin këtë praktikë me qëllim, mbrojtjen e plantacioneve me kanabis në territoret e tyre.

Dy adoleshentët kanë qenë së bashku në momentin që janë plagosur nga plumbat qorr ndërsa kanë shpëtuar për mrekulli sepse plumbat i kanë kapur shkarazi dhe fatmirësisht nuk u kanë prekur organet jetësore.

Por të qetë nuk janë banorët e Derviçanit, fshat që ndodhet vetëm 5 km larg Lazaratit. Ata kanë protestuar sot në mbrëmje për situatën ku ndodhen familjet e tyre. Sipas banorëve, plumbat e lazaratasve po u kërcënojnë jetën cdo ditë.

Mësohet se gjatë kohës së protestës, nga Lazarati vijonin të shtënat me armë.

Kjo nuk është hera e parë që persona mbeten të plagosur për shkak të plumbave qorr që vijnë nga fshati rebel. Në muajin gusht mbeti e plagosur një vajzë 26 vjeç, banore e lagjes ‘Zinxhir’ nga qyteti i Gjirokastrës.

Fakti se Lazarati vazhdon të jetë i padepërtueshëm nga policia vjen, me sa duket, prej faktit se banorët thuajse të gjithë janë të armatosur. Dyshohet se persona të armatosur, të pozicionuar nëpër male si roje, vëzhgojnë çdo lëvizje mjetesh apo personash që hyjnë në fshatin e tyre dhe atëherë kur pikasin forca policie, nuk mungojnë dhe të shtënat me armë zjarri./BW/

 
Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 10:53

Tiranë- Marijuana përbën produktin kryesor të eksportit në Shqipëri. Është ky titulli i artikullit të djeshëm të publikuar në “Bussines New Europe”, ku nënvizohet rritja e rolit të Shqipërisë në furnizimin e Evropës me këtë produkt, për t’u kthyer madje edhe në furnitorin kryesor në kontinent. “Njoftimi i 23 gushtit sipas të cilit policia shqiptare bllokoi më shumë se 1 ton kokainë me destinacion Italinë nxori në pah rritjen e peshës së këtij vendi (që aspiron të bëhet pjesë e BE-së) në furnizimin e kontinentit evropian me marijuanë”, shkruan artikulli që mban firmën e gazetarit Nicholas Watson.
Furnitori kryesor
“Shqipëria tashmë konsiderohet gjerësisht si furnitori kryesor i Evropës me Kanabis, si dhe një zonë e rëndësishme tranziti për llojet e tjera të drogës, si heroina e kokaina”, vëren artikulli. Më tej citohet një raport i Departamentit Amerikan të Kontrollit të Lëndëve Narkotike, sipas të cilit vitin e shkuar policia bllokoi më shumë se 21 tonë kanabis me destinacion tregjet evropiane, kryesisht Greqinë e Italinë, shifër që sipas raportit është thuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2011. Edhe sasitë e kapura të heroinës e kokainës janë dyfishuar për të njëjtën periudhë, përkatësisht 87.7 kilogramë dhe 4.6 kilogramë. “Policia financiare italiane vlerëson se prodhimi i marijuanës i siguron Shqipërisë më shumë se 4.5 miliardë euro në vit (shifër që nuk pranohet nga autoritetet shqiptare). Sipas të dhënave zyrtare, totali i eksporteve për vitin 2012 preku kotën e 1.7 miliardë eurove”, shkruan artikulli.
Lazarati
Sipas “Bussines New Europe”, pjesa më e madhe e prodhimit të marijuanës është përqendruar në zonën malore përreth Lazaratit. Watson i referohet një tjetër artikulli me të njëjtën temë të publikuar nga “Global Post”, ku nënvizohet se këtë vit në zonë janë mbjellë rreth 300 mijë rrënjë kanabis, të cilat sigurojnë një produkt prej rreth 500 tonësh marijuanë. “Me më shumë se 90% të lazaratasve (që në total janë rreth 7 mijë) të cilët mendohet se janë të përfshirë në biznesin e marijuanës, nuk është aspak çudi që treguesit të vazhdojnë të mbesin të pandryshuar”, shkruan Watson, duke sjellë në artikull edhe një fakt tjetër të publikuar nga “Global Post”. Ajo i referohet një përpjekjeje të dështuar verës së shkuar të një njësie speciale për të hyrë në Lazarat, e cila përfundoi në këmbime të ashpra zjarri, të cilat një komisar shqiptar policie, nën anonimat, i përshkroi si një luftë e vërtetë. “U gjendëm nën zjarrin e ashpër që vinte nga 20 pozicione, përfshi këtu edhe mitralozë të rëndë e predha antitank. Pashë një gjyshe të moshuar që na qëllonte me një mitraloz të rëndë. Mendova se do vdisja”, citohej komisari në artikull./BW/

 
Lajme Shqip Saturday, 17 August 2013 12:04

“Kryengritja” e banorëve të Lazaratit ka arritur kulmin këtë verë, ku veç kundërshtimeve të policisë me armë që kanë ndodhur çdo vit, duke i kthyer mbrapsht forcat e rendit, sivjet ata kanë minuar çdo shteg që të çon në fshat, me qëllim që bimët narkotike të mos cenohen, raporton gazeta “Shqip”. Informacioni konfidencial vjen nga brenda fshatit, nga i cili mësohet se janë grosistët e trafikut të drogës, ata që kanë vënë mina, me qëllim për të parandaluar ndonjë sulm të befasishëm të policisë, por edhe vjedhje të mundshme të lëndës narkotike.

Kjo veprimtari nuk është konfirmuar nga policia, por mësohet se çdo natë, qielli mbi Lazarat skuqet nga gjurmëlënës dhe predha mitralozi, që dëgjohen në të gjithë Gjirokastrën. Nga ana tjetër, pavarësisht përpjekjeve të policisë me postblloqe të ndryshme, Lazarati vazhdon të furnizohet me punëtorë, pleh dhe ujë për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas informacioneve të besueshme, vendosja e minave në shtigje që të çojnë drejt zonave, ku kultivohet masivisht kjo bimë e ndaluar narkotike, është realizuar pas operacionit të ndërmarrë nga policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të bllokuar çdo rrugëdalje të Lazaratit, me qëllim minimizimin e trafikut të drogës.