Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 17:24

Zhoze Murinjo nuk ka ngurruar të shprehë hapur admirimin e tij për Kristiano Ronaldon pas takimit të fituar 4-2 ndaj Levantes. Sulmuesi shënoi një tregolësh në këtë sfidë për të shkëputur ekipin e tij 10 pikë nga Barcelona, por Murinjo ka mbetur i mahnitur nga mënyra e shënimit të golit të tretë të lojtarit portugez. 

“Goli i Kristiano Ronaldos ishte i pabesueshëm, fantastik dhe besoj se do të bëjë xhiron e botës gjatë javëve të ardhshme. Kjo është ajo që mendon e gjithë skuadra. Ishte goli i 4000-të i shënuar në ”Santiago Bernabeu”  dhe ai e meritonte plotësisht”, deklaroi trajneri i cili ka festuar me bashkëkombësin e tij në momentin e shënimit të këtij goli.

Vetë futbollisti ka preferuar që t’ia dedikojë suksesin skuadrës. “Golat vijnë si rezultat  i punës së skuadrës. Personalisht po kaloj një formë të mirë dhe dua të vazhdoj kështu. Ajo që më kënaqi më shumë ishte fakti se njerëzit po thërritnin në kor emrin tim”, u shpreh lojtari që gjatë muajit të fundit ka pasur probleme të vazhdueshme me tifozerinë e skuadrës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 11:30

Trajneri i Valencias, Unai Emeri, mendon se do të jetë shumë e vështirë për të siguruar një vend që e dërgon skuadrën në Champions League sezonin e ardhshëm.

Ndonëse klubi aktualisht është në vendin e tretë në La Liga me 40 pikë, pas fitores kundër Sporting Gijon, ai mendon se janë edhe 16 ndeshje në dispozicion dhe ende nuk mund të thuhet se Valencia ka siguruar vendin në Ligën e Kampionëve.

“Do të jetë e vështirë për ne që të qëndrojnë në Ligën e Kampionëve”, u tha Emeri gazetarëve pas ndeshjes.

“Kundërshtarët e këtij kampionati janë shumë të vështirë dhe ne nuk jemi në të njëjtin nivel si Real Madrid apo Barcelona, është shumë e vështirë për ne për t’i mundur të gjithë”.

40-vjeçari sinjalizoi rëndësinë e tre pikëve kundër Sporting Gijon në mënyrë që të mbetet së paku pesë pikë të shkëputur në vendin e tretë.

“Ne e dinim se Sporting Gijon do të mbyllej shumë mirë dhe se fitorja do të varej në kapacitetin tonë për të thyer bllokimin,” tha Emeri.

“Pasi ne shënuam golin e parë ndeshja ishte më e hapur dhe nga kjo kemi përfituar të gjithë. Ne jemi të lumtur që mbajtëm vendin e tretë.” (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 11:11

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka shprehur zemërimin e tij me mënyrën se si ai është trajtuar nga media dhe ka krahasuar portretizimin e tij në shtyp me atë të një vrasësi. Pepe ka folur rreth kritikës për stilin e tij të lojës agresive, në veçanti kur “Los Blancos” përballen me rivalët e hidhur Barcelonën ​​dhe 28 vjeçari mendon se gazetarët e Spanjës kanë qenë shumë të ashpër ndaj tij.

“Shtypi më ka portretizuar mua si një vrasës”, ka thënë Pepe në një intervistë për “Canal +”.“Për mua gjëja më e rëndësishme është që të mbroj ngjyrat e Madridit”.

Mbrojtësi pastaj vazhdoi duke diskutuar të ardhmen e trajnerit Zhoze Murinjo, i cili ka qenë i lidhur me një largim nga “Santiago Bernabeu”. Ai deklaroi se lojtarët janë të bindur se trajneri i tyre nuk shkon askund.

“Trajneri ka një kontratë të vazhdueshme dhe është pjesë e Madridit, ashtu si lojtarët. Ne jemi të bindur se ai do të mbetet trajner këtu”, deklaroi portugezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 00:00

Reali i Madridit nuk e ka humbur shansin e artë për të mbyllur kampionatin dhe me fitoren 4-2 ndaj Levantes ka arritur të çojë në +10 diferencën me Barcelonën në renditjen e kampionatit. 

Për madrilenët ndeshja nuk ka qenë e thjeshtë, pasi janë gjetur menjëherë në disavantazh falë golit të Kabral në minutën e 4-t pas një goditje standarde. Drithërimat në portën e tyre kanë vazhduar edhe për disa minuta të tjera, ndërsa dukej se Levante kishte shkuar për të marrë pikë në “Santiago Bernabeu”. Por sfida ka ndryshuar plotësisht pas minutës së 43-të, kur Iborra shkaktoi penallti dhe u largua nga fusha e lojës me karton të kuq. Nga pika e bardhë Kristiano Ronaldo është i pagabueshëm duke vendosur barazimin.

Me kthimin pas pushimit të ndeshjes, në fushë ka vetëm një skuadër, Realin e Madridit që shfrytëzon më së miri epërsinë numerike. Brenda 11 minutave ndeshja duket e mbyllur, pasi CR7 shënon edhe dy gola të tjerë, duke çuar në 26 totalin e golave të shënuar këtë sezon në kampionat. Kone përpiqet të rihapë ndeshjen por Benzema vulos gjithçka m golin e tij në minutën e 65-të të ndeshjes.

Tashmë madrilenët do të përqendrohen për të ruajtur avantazhin e ndjeshëm që kanë ndaj Barçës, ndërsa mund t’i lejojnë vetes edhe ndonjë hap fals në javët në vazhdim, gjë që ia lejon diferenca prej 10 pikësh në klasifikim. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Espanjol-Saragoza        0-2

Malaga-Majorka           3-1

Rajo Vajekano-Getafe   2-0

Valencia-S. Gijon           4-0

Vijareal-Granada           3-1

Real Madrid-Levante    4-2

Renditja

Real Madrid 58, Barcelona 48, Valencia 40, Levante 32, Espanjol 32, Malaga 31, Atletiko Madrid 31,  Osasuna 31, Atletik Bilbao 30, Rajo Vajekano 28, Getafe 27, Sevilja 26, Vijareal 26, Granada 25, Real Sociedad 24, Real Betis 23, Rasing Santander 23, Majorka 22, Sporting Gijon 19, Saragoza 15.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 11:57

Barcelona tashmë mendon vetëm si të mbrojë titullin në Ligën e Kampioneve, pasi edhe vetë futbollistët janë dorëzuar përballë faktit që Reali i Madridit do të shpallet kampion në Spanjë. Pike, Valdes e Pedro e kanë bërë të qartë që është e pamundur të rikuperohet distanca ndaj madrilenëve, e cila mund të shkojë në 10 pikë sot.

“Njerëzit nuk janë budallenj dhe ne nuk mund t’i gënjejmë. Janë shumë pikë diferencë. Do të vazhdojmë punën tonë pasi ka ende kampionat, por duhet të mendojmë për Ligën e Kampioneve. Megjithatë, shohim një titull që na largohet gjithnjë e më shumë nga duart. Do të jetë shumë e komplikuar të rikuperojmë”, ishin fjalët e qendërmbrojtësit Xherard Pike pas përfundimit të ndeshjes.

I të njëjtit mendim është edhe portieri Viktor Valdes. “Është shumë e vështirë të mendojmë për një rikuperim. Gabuam dhe tashmë vështirësuam gjithçka për kampionatin. Sot distanca shkon në 10 pikë dhe 10 pikë janë shumë po të shohësh gjendjen që po kalon Reali i Madridit”, tha ai.

“Vulën” kësaj çështje ia ka vënë Pedro, duke folur për televizionin e klubit katalanas. “Jemi të mërzitur. 10 pikë janë shumë për t’u rikuperuar. Edhe me 7 pikë diferencë ishte e komplikuar…”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 23:44

Pep Guardiola duket se ka zgjedhur të luftojë për Ligën e Kampioneve dhe t’i dorëzojë kampionatin Realit të Madridit, ose të pakën kështu tregoi formacioni i përzgjedhur nga trajneri për ndeshjen kundër Osasunës të humbur me rezultatin 3-2. Trajner i katalanasve vendosi të lërë pushim treshen e mesfushës Ksavi-Iniesta-Fabregas, për t’i patur të freskët për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Leverkusen në mesjavë. 

Por këto zgjedhje të trajnerit ndikuan shumë në ndeshje,  sidomos duke parë edhe problemet që shfaqën Pike e Pujol. Si rrjedhojë, Lekiç shënoi dy gola ndërsa Raul Garsia shënoi te tretin për Osasunën. Goli i Sançez dhe i të riut Tejo shërbyen për statistike, pasi Barcelona u mund dhe tashmë Reali i Madridit ka mundësinë të çojë distancën mes dy skuadrave në 10 pikë dhe të mbyllë praktikisht kampionatin. Vetë trajneri i katalanasve ka bërë të qartë se mrekullitë do të jenë të pamundura. “Do të shohim distancën të rritet që nga nesër. Do të bëjmë maksimumin tonë por është kampionati që do të flasë vetë”, ishin fjalët e tij pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)