Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 12:00

Drejtori teknik i Realit të Madridit, Emilio Butragenjo, ka bërë të qartë se madrilenëve nuk u shkon në mend të vënë në diskutim të ardhmen e Zhoze Murinjos në drejtimin e kësaj skuadre. Pas fitores 1-0 në fushën e Getafes, ai ka bërë të qartë se të gjithë mendojnë se portugezi do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e ekipit.

“Ne nuk duam të mendojmë për gjërat që thuhen rreth e rrotull për të ardhmen e trajnerit tonë. Jemi shumë të lumtur për mënyrën me të cilën po drejton skuadrën, jam i bindur se do të qëndrojë te ne edhe sezonin e ardhshëm. Çdo javë dalin zëra të rinj dhe si zakonisht, kjo nuk na shqetëson aspak”, ishte komenti i Butragenjos.

Ndërkohë, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Getafen është shfaqur përsëri zëvendëstrajneri Aitor Karanka, i cili ka bërë të qartë se skuadra nuk ka rrezikuar në asnjë moment të vërë në diskutim ndeshjen. “Fitorja ishte e vështirë vetëm për shkak të kushteve atmosferike. Skuadra luajti mirë dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim rezultatin e ndeshjes. Diferenca mund të ishte më e thellë në favorin tonë nëse do të kishim qenë më cinikë në zonën e tyre”, deklaroi Karanka. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 11:19

Në minutën e 36-të të takimit Barcelona-Real Sociedad ka ndodhur një ngjarje mjaft e veçantë pasi një mace e zezë ka hyrë në fushë dhe ka vrapuar nga njëra anë në tjetrën të stadiumit. Nëse për tifozët kjo ka qenë diçka e çuditshme dhe humoristike, mediat pro Reali të Madridit kanë ironizuar menjëherë duke thënë se sipas bestytnisë që shoqëron macen e zezë, këtë sezon katalanasit nuk fitojnë asgjë pasi i ka mallkuar dikush dhe do t’i ndjekë tersi. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 00:22

Reali i Madridit ka ruajtur diferencën prej 7 pikësh në kreun e kampionatit spanjoll duke fituar 1-0 në fushën e Getafes. Madrilenëve u ka mjaftuar një gol me kokë i Serxho Ramos në pjesën e parë të ndeshjes për të siguruar një sukses të rëndësishëm që mban në distancë ndjekësit e Barcelonës. Por siç është bërë e zakonshme në ndeshjet e këtyre dy skuadrave, ka patur përsëri probleme me gjykimin. Këtë radhë, Getafes i është mohuar një 11-metërsh pasi Pepe preku në mënyrë të dukshme topin me dorë në zonë. 

Barcelona e ka patur më të thjeshtë fitoren ndaj Real Sociaded, duke triumfuar 2-1 në “Kamp Nou”. Katalanasit kanë gjetur avantazhin me të riun Tejo, i aktivizuar si titullar me Kuenka përkrah Mesit. Ky i fundit ka gjetur golin e dytë në minutën e 72-të, duke çuar në 23 numrin e golave të shënuar në kampionat, 1 më pak se Kristiano Ronaldo që kryeson garën e “Këpucës së Artë”. Goli i Vela shërbeu për të bërë më emocionues minutat e fundit të takimit, por Barcelona arriti të administronte më së miri avantazhin dhe të siguronte këtë sukses. (LajmeShqip.com)

 

 

Rezultatet

A. Bilbao-Espanjol        3-3

Levante-Santander      1-1

Majorka-Betis               1-0

Getafe-R. Madrid         0-1

Barcelona-R. Sociedad  2-1

Renditja

Real Madrid 55, Barcelona 48, Valencia 36, Levante 32, Espanjol 32, A. Bilbao 30, A. Madrid 29, Malaga 28, Getafe 27, Osasuna 27, Sevija 26, Majorka 25, R. Sociedad 24, Betis 23, Rajo Vajekano 22, Santander 22, Granada 22, Vijareal 20, Gijon 18, Saragoza 12.