Lajme Shqip Sunday, 08 January 2012 23:53

Skuadra e Barcelonës ka pësuar një goditje të rëndë në luftën për titullin kampion në Spanjë pasi është ndalur në një barazim 1-1 në derbin me Espanjolin. Ky rezultat i ka lënë katalanasit 5 pikë larg Realit të Madridit në renditje e si rrjedhojë ka favorizuar ndjeshëm skuadrën e Zhoze Murinjos për fitoren e trofeut.

Ekipi i Guardolës kaloi në avantazh me anë të Fabregas që në minutën e 16-të, pas një pasimi të saktë të Dani Alvesh. Megjithatë, ndeshja vazhdoi si e barabartë me raste nga të dy ekipet.

Por ndërsa dukej se Barcelona po kontrollonte ndeshjen dhe po shkonte drejt një fitoreje, në minutën e 86-të, zëvendësuesi Alvaro vendosi barazpeshën në shifra. Më pas, është gjyqtari i ndeshjes që i mohon Barcelonës mundësinë për të fituar duke mos akorduar një 11-metërsh të dukshëm në minutën e 93-të të takimit për prekje të topit me dorë në zonë nga një mbrojtës i Espanjolit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet 08.01.2012

R. Vajekano-Sevilja     2-1
Getafe-A. Bilbao          0-0
Vijareal-Valencia          2-2
Betis-Gijon                   2-0
Espanjol-Barcelona      1-1 

Klasifikimi: R. Madrid 43, Barcelona 38, Valencia 34, Levante 30, Osasuna 26, Malaga 25, Sevilja 24, Espanjol 24, A. Bilbao 23, Betis 22, A. Madrid 20, Getafe 20, Majorka 19, Granada 19, R. Vajekano 19, Sociedad 18, Santander 17, Vijareal 16, Gijon 15, Saragoza 10 

 
Lajme Shqip Sunday, 08 January 2012 11:41

Skuadrës së Realit të Madridit nuk i ka mjaftuar fitorja 5-1 ndaj Granadas për të kaluar një fundjavë të qetë. Shkak është bërë “protesta” e Kristiano Ronaldos ndaj publikut të “Santiago Bernabeu” që e vërshëlleu disa herë gjatë ndeshjes.

Pas shënimit të golit të 5-të, portugezi nuk festoi me shokët e skuadrës, duke ecur me kokën poshtë, ngjarje kjo që është pasqyruar në faqet e para të të gjitha gazetave sportive spanjolle.

Megjithatë, madrilenët janë munduar që të qetësojnë gjakrat, ndërsa ka qenë zëvëndëstrajneri Karanka ai që ka folur për gjestin e futbollistit. “Ronaldo është një profesionist me eksperiencë. Ai ishte thjesht i mërzitur se gjërat nuk po shkonin siç duhej. Të gjithë e dimë që dëshiron shumë të shënojë gola dhe kur humb disa raste ndodh që mërzitesh në këtë mënyrë, nuk ishte asgjë më shumë ”, ishin fjalët e Karanka.

Më pas ka qenë Serxho Ramos që ka folur për ngjarjen në fjalë. “Kristiano është i lumtur. Tifozët thjesht kërkuan që ai të jepte më të mirën e tij dhe si rrjedhojë ai nuk e festoi golin që erdhi vetëm në fundin e ndeshjes kur nuk kishte shumë rëndësi”.

Githsesi, mediat spanjolle kanë bërë të ditur se protesta e Ronaldos vjen për faktin se drejtuesit e klubit nuk i kanë dalë asjëherë në mbrojtje kur ka patur përplasje me publikun madrilen, ndonëse mbetet lojtari më vendimtar i kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 22:36

Kritikat e Zhoze Murinjos i kanë bërë mirë Realit të Madridit,  që ka lënë pas ndeshjen me dy fytyra të Kupës së Mbretit, duk u kthyer dominues i pandalshëm i kampionatit spanjoll. Madrilenët kanë shkatërruar 5-1 Granadën, falë paraqitjeve të jashtëzakonshme të Benzema dhe Ozil, dy futbollistë të cilët deri pak kohë më parë shiheshin si largime të mundshëm nga kjo skuadër gjatë merkatos së janarit.

Sulmuesi francez, titullar edhe pse në gjendjen jo më të mirë fizike, ka qenë autor i dy golave, ndërsa në listën e shënuesve kanë përfunduar edhe Higuain, Serxho Ramos e Kristiano Ronaldo. Gjithsesi, meritat për thuajse çdo aksion ofensiv të madrilenëve i shkojnë Ozil, i cili ishte në një formë të shkëlqyer dhe protagonist në 3 nga 4 golat e parë. (LajmeShqip.com)

Primera Division

Rezultatet

07.01.2012

Santander-Saragoza     1-0

Levante-Majorka         0-0

Sociedad-Osasuna       0-0

Real Madrid-Granada   5-1

Klasifikimi: R. Madrid 43, Barcelona 37, Valencia 33, Levante 30, Osasuna 26, Sevilja 24, Malaga 24, Espanjol 23, A. Bilbao 22, A. Madrid 19, Betis 19, Getafe 19, Majorka 19, Granada 19, Sociedad 18, Santander 17, R. Vajekano 16, Vijareal 15, Gijon 15, Saragoza 10