Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 14:20

Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se nuk i intereson asnjë trofe personal dhe se qëllimi i tij në këtë sezon ishte vetëm titulli kampion me Real Madrid. 

“Ajo që doja më shumë ishte të fitoja kampionatin spanjoll. I kam dy “Këpucë të Arta” në shtëpi. Ndaj nuk e vras mendjen nëse nuk fitoj renditjen e golashënuesit më të mirë”, ishin fjalët e portugezit, i cili këtë sezon ka shënuar 44 gola, dy gola më pak se Mesi në kampionat.

Lojtari ka treguar se pret me padurim festën e titullit, në një sezon ku lufta ka qenë më e ashpër për shkak të rivalitetit me Barcelonën. “Jemi shumë të lumtur pasi kemi fituar një kampionat shumë të vështirë. Të luash kundër një ekipi si Barcelona është e vështirë. Ishim superiorë ndaj tyre dhe këtë e tregojnë 7 pikët që kemi avantazh në renditje. Tani shpresoj që festa e tifozëve të jetë madhështore”, tha ai.

Por futbollisti portugez është bërë menjëherë pre e kritikave pasi ka festuar fitoren në mënyrë antisportive pas përfundimit të ndeshjes me Atletik Bilbaon.

Ndërsa lojtarët e Realit po mblidheshin në mesin e fushës, futbollisti kundërshtar Havi Martinez i është afruar dhe i ka thënë diçka. Reagimi i Kristiano Ronaldos, ishte një gjest i pahijshëm ndaj kundërshtarit të tij. Më pas, ai ka vazhduar duke provokuar tifozët e skuadrës vendase, duke u bërë me shenjë stadiumin dhe më pas kurorën e stemës së Realit, si për të treguar se ata ishin mbretër në stadiumin “San Mames”.

Por një reagim i tillë nuk i ka pëlqyer vendasve, pasi dihet që krahina Baske, ku gjendet Bilbao, nuk është se i ka shumë qejf madrilenët dhe prej kohësh kërkon autonominë e plotë nga Spanja, ndërsa edhe organizata e ekstremistëve ETA është pikërisht nga kjo krahinë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 10:01

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se Real Madrid ishte shpallur “kampion me meritë” në Spanjë, por më pas i pyetur rreth vendimeve të gjyqtarëve ka bërë të ditur se në kampionat “kanë ndodhur shumë gjëra” të cilat Barça “i kishte mbuluar me heshtjen e saj”.

Tekniku i katalanasve, pas fitores 4-1 ndaj Malagas ku dy nga tre golat e Mesit ishin me penallti, ka ironizuar me vendimet e gjyqtarëve. “Më vjen keq për penalltitë, tani nuk na hyjnë në punë, u kujtuan vonë. Kur ishim 10 pikë larg na nevojiteshin, jo tani”, deklaroi trajneri katalanas.

I pyetur nëse mendonte se Real Madrid kishte përfituar nga disa vendime të dyshimta të gjyqtarëve, pasi ka uruar rivalët për “titullin e merituar kampion”, Guardiola nuk ka fshehur disa pakënaqësi.

“Në kampionat kanë ndodhur shumë gjëra që ne i kemi mbuluar me heshtjen tonë. Në një moment jemi gjendur 13 pikë larg dhe nuk kishim aq diferencë sa për të patur këtë diferencë mes skuadrave. Por kampionatet janë tashmë me shumë konkurrencë dhe në fund i fiton gjithmonë ai që i meriton”, ishin fjalët e tij.

Në fund ai ka folur përsëri rreth vendimit për t’u larguar nga katalanasit, duke konfirmuar se për momentin do të qëndrojë pushim.

“Me siguri do të kthehem pasi do të ndjej nevojën e futbollit. Por kjo nuk do të ndodhë tani, pasi pushimi është arsyeja për të cilën po largohem. Më erdhi shumë mirë për duartrokitjet e publikut. E kam vlerësuar mbështetjen e tyre gjatë këtyre viteve. I jam mirënjohës me zemër atyre”, tha Guardiola. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 08:40

Zhoze Murinjo ka qenë mjaft i emocionuar pas fitores së titullit kampion në Spanjë, titulli i 7-të në karrierën e tij si trajner. 

“Ishte shumë e vështirë, por jemi të lumtur. Vetëm ata që janë në futboll e kuptojnë realisht vuajtjen. Janë shtatë tituj dhe jam i emocionuar”.

“Shpresoj që në ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Majorkës, njerëzit t’i japin përfundimisht meritat këtyre lojtarëve që meritojnë më shumë emocion dhe pasion se sa kanë marrë deri tani. Shpresoj që “Santiago Bernabeu” të përgjigjet ashtu siç e meritojnë”.

“Ky ka qenë kampionati më i vështirë për t’u fituar nga të gjithë. Deri në ditën e fundit, askush nuk na ka dhuruar asgjë, përfshirë Atletik Bilbaon. Barcelona ka fituar të gjithë ndeshjet e saj, me disa penallti të dyshimta si sot, por kanë bërë gjithçka për të fituar këtë titull. Janë një klub me traditë të madhe”, ishin fjalët e teknikut portugez i cili edhe në një ditë feste nuk i ka rezistuar tundimit për të bërë polemikë me rivalët e  Barcelonës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 22:58

Real Madrid është tashmë zyrtarisht kampion i Spanjës për herën e 32-të. Skuadra e Zhoze Murinjos ka fituar 3-0 në fushën e Atletik Bilbaos, duke marrë një sukses të merituar që u siguron titullin matematikisht kur kanë mbetur edhe 2 javë deri në fundin e kampionatit. 

Kush mendonte se madrilenët do ta kishin të vështirë në “San Mames” është zhgënjyer menjëherë, pasi pas vetëm 16 minutash ka qenë Higuain që ka shënuar një supergol për të kaluar në avantazh ekipin e tij. Vetëm 4 minuta më vonë, Ozil ka dyfishuar rezultatin, duke bërë që ndeshja të ishte shumë më e thjesht për skuadrën e Murinjos.

Takimi është vulosur në fillimin e pjesës së dytë, kur Kristiano Ronaldo ka çuar në 3 numrin e golave në minutën e 50-të.

Ky sukses e bën Zhoze Murinjon trajnerin e parë që arrin të fitojë titullin kampion në katër kampionate elitare. Pasi ka fituar titullin kampion me Porton në Portugali, Çelsin në Angli dhe Interin në Itali, ai ka arritur të marrë titullin kampion edhe në Spanjë me Real Madrid. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 21:29

Lionel Mesi ka shkruar emrin në librin e artë të futbollit botëror duke thyer një rekord që rezistonte prej thuajse 40 vitesh. Sulmuesi argjentinas është kthyer në golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në një sezon në kampionatet elitare, duke arritur kuotën e 68 golave të shënuar. 

Rekordi i përkiste gjermanit Gerd Myler, i cili kishte shënuar 67 gola në sezonin 1972-1973 me fanellën e Bajern Mynih. Për shumë vite me radhë, disa prej golashënuesve më të njohur janë munduar që të arrijnë këtë shifër të frikshme, por pa ia dalë mbanë.

Por Lionel Mesi, vetëm 24 vjeçar, ndonëse i kanë mbetur edhe tre ndeshje të tjera deri në fundin e sezonit, ka arritur të kalojë këtë kuotë, falë 3 golave të shënuar në portën e Malagas, në fitoren 4-1 të Barcelonës.

Argjentinasi merr në këtë mënyrë edhe kryesimin në garën për “Këpucën e Artë” në kampionatin spanjoll, pasi është ngjitur në kuotën e pabesueshme të 46 golave në këtë sezon.

Ky mund të jetë ngushëllimi i vetë i lojtarit që në këtë sezon nuk ka arritur të fitojë as kampionatin dhe as Ligën e Kampioneve, ndonëse ku padyshim që mund të cilësohet sezoni më i mirë i karrierës së tij. Deri tani, Mesi ka shënuar 248 gola në 326 ndeshje me fanellën e katalanasve. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

A. Madrid-Real Sociedad   1-1

54′ Gabi / 91′ Vela

Barcelona-Malaga               4-1

14′ Pujol, 35′ (p), 59′ (p), 64′ Mesi / 25′ Rondon

Majorka-Rajo Vajekano     1-0

62′ Gonzalo Kastro

Real Saragoza-Levante      1-0

11′ Edu Oriol

Sevilja-Betis                         1-2

5′ Negredo / 43′, 90′ Ekstebarria

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 21:37

Zhoze Murinjo këtë radhë ka treguar qartësisht se është i lumtur me atë që ka arritur të realizojë, me Real Madrid por sidomos personalisht në karrierën e tij. I shfaqur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Atletik Bilbao, Murinjo ka bërë të qartë se tashmë ka sigurinë se është kampion i Spanjës.

“Ne e dimë që do të shpallemi kampionë, kemi besim të pakufishëm te ekipi ynë. Nuk jam një njeri që festoj shumë, por nuk e kam fshehur asnjëherë se një nga ambiciet e mia ishte të fitoja tre ligat më të forta në Evropë: Angli, Itali dhe Spanjë”.

“Tani kemi filluar planifikimin për sezonin e ardhshëm dhe me fuqinë që kam si trajner do të isha i lumtur të vazhdoja me grupin ekzistues të lojtarëve. Këtë e them dhe për stafin teknik. Erdha këtu si një familje me katër persona, por tani jemi një familje me 5 persona, është shtuar Karanka. Ditën që do të largohem unë, nëse Madridi dëshiron ta mbajë, unë do të them se kjo është shtëpia e tij. Nëse jo, ai do të vijë me mua kudo që të punoj unë”.

“Unë desha të fitoja kampionatin pas një periudhe kur një kundërshtar i madh ka fituar tre tituj radhazi dhe të gjithë prisnin që të fitonte të katërtin. Sa për Ronaldon, objektivi i tij i parë është të fitojë titullin kampion. Objektivi i tij i dytë është të fitojë “Topin e Artë” dhe këtë nuk e merr duke u bërë golashënuesi më i mirë por duke fituar trofe”.

Në fund ai ka dribluar pyetjet rreth Guardiolës dhe lamtumirës së tij nga Barcelona. “Ky është një vendim personal. Gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë i lumtur. Largimi i tij nuk e ndihmon Realin në asnjë mënyrë, pasi Barcelona do të vazhdojë të jetë rivali ynë”, tha ai. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Getafe-Racing Santander   1-1

59′ (p) Miku / 64′ Diop

Granada-Espanjol                2-1

29′, 35′ Ighalo / 54′ Didak Vila

Sporting Gijon-Vijareal       2-3

39′ Lora, 86′ Galvez / 19′ Gaspar, 43′ (p) Sena, 56′ Perez

Renditja

Real Madrid 91, Barcelona 84, Valencia 55, Malaga 55, Levante 52, Atletiko Madrid 49,  Atletik Bilbao 48, Osasuna 48, Getafe 46, Sevilja 46, Majorka 46, Espanjol 45, Real Sociedad 43, Betis 43, Granada 42, Vijareal 41, Rajo Vajekano 40, Sporting Gijon 34, Saragoza 34, Racing Santander 27.