Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 12:45

Dani Alvesh dhe Tiago Alkantara janë detyruar të kërkojnë falje publikisht për shkak të një festimi të papërshtatshëm të golit që bënë gjatë fitores kundër Rajo Vajekanos. Pasi mesfushori gjeti rrugën e rrjetës në atë që ishte goli i pestë në suksesin 7-0 të katalanasve, ai iu bashkua kolegut brazilian duke festuar me një vallëzim para tifozerisë kundërshtare. 

Por ky festim nuk i pëlqeu fillimisht kapitenit Pujol, i cili i ndali të dy lojtarët, ndërsa më pas ishte trajneri Pep Guardiola që gjatë konferencës për shtyp tha se shfaqje të tilla nuk ishin të denja për Barcelonën.

“Dua të kërkoj falje para tifozëve të Rajos të cilët e kanë ndjerë veten të ofenduar nga vallëzimi. Qëllimi im nuk ishte asnjëherë të ofendoja ndokënd, thjesht dëshiroja që t’ia kaloja sa më mirë”, ishin fjalët e Dani Alvesh pas përfundimit të ndeshjes.

Edhe Tiago Alkantara kërkoi menjëherë falje. “Kërkoj falje nëse kam ofenduar Rajon gjatë festimit. Emocionet e shënimit të golit më bënë që të gaboja. Nuk do të ndodhë më”, ishin fjalët e tij.

Ndërkohë, polemikat janë shtuar nga trajneri Sandoval i Rajo Vajekanos, i cili nga njëra anë ka lavdëruar Pep Guardiolën, ndërsa nga ana tjetër ka kritikuar lojtarët që nuk respektuan kundërshtarin. “Nuk e kuptoj pse Tiago dhe Alvesh nuk festuan kur shënoi Torres”, ishin fjalët e tij duke u kujtuar atyre humbjen me Çelsin në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 09:21

Shpërthen një skandal i rëndë trukimesh edhe në kampionatin spanjoll, ku janë vënë në lëvizje njëkohësisht si futbolli, ashtu edhe shteti spanjoll. 

Sipas asaj që raporton “Cadena SER”, në emisionin e sotëm “El Larguero” që flet për futbollin, do të diskutohet në detaj mbi manipulimet e ndeshjeve që bëhen në elitën e futbollit spanjoll, ku janë të përfshirë shumë futbollistë, në një ngjarje të ngjashme me atë që po ndodh në Itali prej disa muajsh.

Sipas kësaj radioje, Liga e Futbollit Profesionist i ka kërkuar Sektorit Anti-korrupsion të Policisë Financiare që të hetojë për disa ndeshje shumë të dyshimta të javëve të fundit të këtij kampionati. Në të njëjtën kohë, është paralajmëruar edhe Federata Spanjolle që të bëhet gati për masa mjaft të rrepta pasi mendohet që në këtë çështje janë përfshirë futbollistë të ekipeve elitare në Spanjë.

Sipas informacioneve të marra nga “Cadena SER”, edhe UEFA po heton prej kohësh disa ndeshje të këtij sezoni në Spanjë, pasi ka dyshime për manipulim rezultatesh me protagonistë futbollistët spanjollë.

Ndonëse zyrtarisht nuk është përmendur ende asnjë ndeshje apo futbollist, mediat spanjolle kanë aluduar se edhe këtë fundjavë ka patur një rezultat të dyshimtë, në takimin Espanjol-Sporting Gijon, të përfunduar me rezultatin 3-0 në favor të ekipit mik që lufton për mbijetesë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 08:03

Barcelona ka mundur me një rezultat thellë 7-0 skuadrën e Rajo Vajekanos, duke shtyrë festimet e titullit kampion të Real Madrid për në javën e ardhshme. 

Katalanasit kanë dominuar në këtë ndeshje që luhej vetëm pak kilometra larg Madrdit, duke e zgjidhur atë që në pjesën e parë falë golave të Mesit, Sançez e Keita. Vendasit kapitullojnë plotësisht dhe praktikisht i hapin portën ekipit katalanas që shënon edhe katër gola të tjerë me Pedro (2), Tiago Alkantara dhe përsëri Mesin. Ky i fundit, me dy golat e tij, ka arritur Kristiano Ronaldon në kreun e klasifikimit të golashënuesve më të mirë me 43 gola të realizuar në kampionat.

Ndërkohë, në luftën për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, Malaga ka hedhur një hap ë rëndësishëm duke mundur 1-0 Valencian dhe duke marrë vendin e katërt në renditje. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Real Madrid-Sevilja            3-0

19′ K. Ronaldo, 49′, 52′ Benzema

Saragoza-Atletik Bilbao      2-0

28′ Edu Oriol, 62′ Apono

Malaga-Valencia                  1-0

22′ Kamaço

Betis-Atletiko Madrid         2-2

86′ Pozuelo, 88′ Pereira / 63′ Koke, 91′ Falkao

Rajo Vajekano-Barcelona    0-7

15′, 91′ Mesi, 26′ Sançez, 39′ Keita, 47′, 87′ Pedro, 77′ Tiago Alkantara

Renditja

Real Madrid 91, Barcelona 84, Valencia 55, Malaga 55, Levante 52, Atletiko Madrid 49,  Atletik Bilbao 48, Osasuna 48, Sevilja 46, Majorka 46, Espanjol 45, Getafe 45, Real Sociedad 43, Betis 43, Rajo Vajekano 40, Granada 39, Vijareal 38, Sporting Gijon 34, Saragoza 34, Racing Santander 26.

 
Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 18:15

Real Madrid ka hedhur një tjetër hap drejt titullit kampion në Spanjë me fitoren 3-0 ndaj Seviljes në ndeshjen e luajtur në drekë në “Santiago Bernabeu”. 

Një fillim i vrullshmi ekipit vendas u kurorëzua me golin e shpejtë të Kristiano Ronaldos që në minutën e 19-të të ndeshjes, i 57-ti sezonal për futbollistin portugez dhe i 43-ti në kampionatin spanjoll për këtë sezon.

Sevilja pati disa mundësi për të barazuar por si Hezus Navas, ashtu edhe Alvaro Negredo, gabuan shënjestrën e tyre kur u gjendën të vetëm përballë Iker Kazijas.

Por me fillimin e pjesës së dytë, mendon Karim Benzema për të mbyllur ndeshjen, pasi shënon dy gola të shpejtë në minutat 48 dhe 52, duke shfrytëzuar më së miri harkimet e Di Maria dhe Serxho Ramos.

Me këtë rezultat, nëse Barcelona mundet sonte në fushën e Rajo Vajekano, Real Madrid shpallet edhe matematikisht kampion për herën e 32-të. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 20:41

Tre gola në pjesën e dytë nga Aruna Kone, Ksavi Torres dhe Valdo ndihmuan Levanten të ngjitej përsëri mes katër skuadrave më të mira në Primera Divison, pas fitores 3-1 ndaj Granadës. Skuadra e Levantes ka pikë të barabarta me Malagan në vendin e katërt, ndërsa është me grupin e skuadrave që pretendojnë për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, një arritje që do të ishte historike për këtë klub të mësuar të luftojë për mbijetesën.

Ndërkohë, Racing Santander i thotë lamtumirë pas 10 vitesh qëndrimit në elitën e futbollit spanjoll, i dënuar edhe nga matematika pas humbjes 3-0 në fushën e Real Sociedad. Këta të fundit duhet të falënderojnë mesfushorin Griezman i cili udhëhoqi skuadrën e tij drejt këtij suksesi që siguroi qëndrimin e tyre mes ekipeve më të mira në Spanjë.

Ndërkohë, Sporting Gijon i ka mbajtur gjallë shpresat për një mbijetesë të pabesueshme, duke fituar 3-0 në fushën e Espanjol. Skuadra e drejtuar nga Havier Klemente arriti të shënonte në minutën e tretë të pjsës së dytë, ndërsa më pas u mbyll në mbrojtje dhe shënoi dy gola të tjerë në kundërsulm në minutat e fundit të kësaj sfide. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Espanjol-Sporting         0-3

48′ Kolunga, 71′ Trejo, 80′ Biliçc

Getafe-Majorka            1-3

90′ Aleksis / 30′ Kasadesus, 68′ Alfaro, 78′ Hemad

Levante-Granada         3-1

46′ A. Kone, 73′ Ksavi Torres, 84′ Valdo / 67′ Igalo

Sociedad- Santander    3-0

47′, 70′ Griezman, 83′ Agirretxe

Renditja

Real Madrid 88, Barcelona 81, Valencia 55, Malaga 52, Levante 52, Atletik Bilbao 48, Atletiko Madrid 48, Osasuna 47, Sevilja 46, Majorka 46, Espanjol 45, Getafe 45, Real Sociedad 43, Betis 42, Rajo Vajekano 40, Granada 39, Vijareal 37, Gijon 34, Saragoza 31, Racing Santander 26.