Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 12:59

Pep Guardiola ka qenë i pari që ka uruar Real Madrid për fitoren dhe titullin kampion menjëherë pas përfundimit të takimit mes dy skuadrave në “Kamp Nou”, ndonëse madrilenët nuk e kanë siguruar atë ende matematikisht.

“Dua të përgëzoj Real Madrid për fitoren dhe për titullin kampion në Spanjë. Kemi luajtur mirë, por kemi humbur shumë herë topin. Bëmë maksimumin për të fituar, por normalisht që përballë Realit që është skuadër fizikisht e fortë kemi vuajtur. Mos harrojmë që ky ekip vjen pas katër vitesh pa pushime, ndërsa duhet të vlerësomë edhe kundërshtarët që kishim përballë”.

“Ne nuk ishim inferiorë ndaj Realit, nuk kam se për çfarë ta kritikoj skuadrën në këtë ndeshje. Më vjen shumë keq për njerëzit, por të gjithë duhet të jenë të sigurt se kemi bërë maksimumin. Tejo dhe Tiago titullarë? Paguhem për të marrë vendim dhe këto ishin vendimet që mora. Ndoshta mund të jem gabuar me Fabregas”.

Guardiola u përpoq gjithashtu të shuante çdo lloj polemike për mosaktivizimin e Zherard Pike, i cili ndoqi ndeshjen nga stoli i rezervave, ashtu si kundër Çelsit pak ditë më parë dhe përflitet se tashmë është pranë largimit nga katalanasit.

“Më duhet të mendoj për 11 lojtarë në fushë. Nëse Zherard do të luante, do të më pyetnit pse nuk luan Maskerano apo Pujol. Mendova se ky ishte formacioni më i mirë për këtë ndeshje. Edhe Mesi luajti në pozicionin e tij të zakonshëm, duke menduar se krijoheshin hapësira për të depërtuar për Ksavin dhe Iniestën. Tani nuk kam nevojë që të flas me lojtarët pasi ata janë të trishtuar për këtë humbje. Por besoj se nga nesër do ta marrin veten, siç kanë bërë edhe më parë në situata të tilla, pasi kemi një tjetër sfidë të vështirë të martën kundër Çelsit”, përfundoi trajneri i katalanasve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 10:28

Kristiano Ronaldo më në fund ka thyer tabunë për të mundur Barcelonën në fushën e këtyre të fundit e për më tepër për të lënë plotësisht në hije rivalin e tij të madh, Lionel Mesin.

Megjithatë, portugezi nuk mendon për arritjet personale, por për ato të ekipit që po shkon më i qetë drejt suksesit në kampionatin spanjoll.

“Ky ishte një gol i rëndësishëm, por më e rëndësishme ishte fitorja e ekipit. Kanë mbetur edhe katër ndeshje, por shtatë pikët diferencë na lejojnë të jemi në një situatë më komode”.

“Unë jam shumë i lumtur, pasi në tre ndeshjet e fundit në këtë fushë kam arritur të gjej rrugën e rrjetës, por më i rëndësishëm është ekipi dhe për këtë arsye dua të përgëzoj të gjithë shokët e mi të skuadrës”, ishin fjalët e tij.

Më pas, diskutimi ka kaluar te gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, një tjetër turne që mund të fitohet nga madrilenët, të cilët duhet të përmbysin disavantazhin 2-1 të sfidës së parë kundër Bajern Mynih.

“Jemi shumë të lumtur për fitoren në “Kamp Nou” dhe që thyem rekordin historik të golave. Por tani duhet që të vazhdojmë kundër Bajern Mynih. Do të luajmë para tifozerisë tonë dhe mendoj se mund të arrijmë një rezultat shumë të mirë të mërkurën”.

“Të gjithë bashkë do të synomë të kalojmë në finale dhe shpresoj që të kemi përkrah tifozerinë që nga minuta e parë, deri në të fundit. Nëse kalojmë, do të jetë për meritën e të gjithëve”, tha lojtari që shënoi golin e tij të 42-të në kampionatin spanjoll në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 08:20

Real Madrid ka thyer tabunë duke fituar 2-1 në fushën e Barcelonës, për të mbyllur praktikisht diskutimin për titullin kampion në Spanjë. Madrilenët janë treguar më të duruar dhe kanë qenë cinikë duke goditur me çdo rast që i është shfaqur, përballë Barcelonës që ka kontrolluar lojën, por këtë radhë nuk ka arritur të krijojë raste për të shënuar, deke dhënë sinjale te një rënie të ndjeshme forme dhe lodhje fizike. 

Reali ka kaluar në avantazh që në minutën e 17-të të ndeshjes me anë të Sami Kedira, i aftë të shfrytëzojë kontrollin e gabua të topit nga Valdes dhe pasigurinë e Pujol gjatë zhvillimit të një goditje nga këndi. Më pas është Barça që kontrollon lojën, por e ka shumë të vështirë të çajë në prapavijën e ngjeshur të madrilenëve. I riu Tejo, titullar surprizë në radhët e skuadrës së Guardiolës, është i vetmi që shfaqet më me vazhdimësi në krahun e majtë të sulmit, por mungesa e eksperiencës në ndeshje të nivelit kaq të lartë bën që ai të humbë disa raste të mira për të vënë në vështirësi Kazijas.

Por në pjesën e dytë, në minutën e 70-të, Barça gjen golin e barazimit falë ngulmimit të Aleksis Sançez, i sapofutur në fushën e lojës. Të pranishmit në stadium tani shpresojnë të një përmbysje tjetër dhe nxitin skuadrën të sulmojë, por Reali shfrytëzon euforinë ofensive të skuadrës vendase për të goditur në kundërsulm vetëm 3 minuta më vonë. Ozil nxjerr të lirë Kristiano Ronaldon, që nuk gabon duke kaluar Valdes dhe duke i dhënë një triumf të jashtëzakonshëm Realit, si për prestigj, ashtu edhe për luftën për titull.

Rezultati 2-1 në favor të madrilenëve nuk ndryshon deri në vërshëllimën përfundimtare dhe ata festojnë një sukses që duket se i jep përfundimisht titullin kampion në Spanjë, pasi 7 pikët që kanë diferencë me Barçën tashmë janë të parikuperueshme për katalanasit në katër ndeshje të mbetura. (LajmeShqip.com)