Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 19:15

Kampionati “tjetër” spanjoll, ai ku nuk bën pjesë Real Madrid dhe Barcelona, vazhdon më i ethshëm se kurrë, me një luftë të ndezur mes skuadrave për të siguruar pjesëmarrjen në Evropë. Gara e Ligës së Kampioneve që dukej e fituar nga Valencia dhe Malaga, çuditërisht është hapur edhe një herë pas hapave të gabuar të këtyre dy skuadrave që u kanë dhënë një shans tjetër ndjekësve t’u afrohen. 

Valencia është shkatërruar 4-0 në fushën e Espanjolit, në një takim të dominuar tërësisht nga vendasit. Dukej qartë që skuadra e Unai Emeri e kishte më shumë mendjen të ndeshja e Europa League ku do të synojë kualifikimin në finalen e turneut e për këtë arsye i ka dhënë më pak rëndësi kampionatit duke e menduar thuajse të zgjidhur situatën në renditje.

Nuk ka mundur të përfitojë Malaga, që ka mbetur në vendin e katërt pas një barazimi zhgënjyes në shtëpi përballë Real Sociedad që nuk lufton praktikisht për asgjë në këtë sezon. Vendasit kaluan në avantazh me anë të Isko por një gol i Ksabi Prieto në fillimin e pjesës së dytë rezultoi vendimtar për rezultatin përfundimtar 1-1 mes dy skuadrave.

Falë edhe fitores së Atletik Bilbao ndaj Majorkës, tani është krijuar një grup prej 5 skuadrash që në javët e mbetura mund të tentojë të ngjitet në dy vende që të çojnë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Espanjol-Valencia         4-0

23′ Gomez, 30′ Verdu, 58′ Alvaro, 80′ Uçe

Betis-Osasuna               1-0

32′ Ruben Kastro

Malaga-Real Sociedad  1-1

16′ Isko / 49′ Ksabi Prieto

Saragoza-Granada        1-0

6′ Dujmoviç

Vijareal-Santander        1-1

46′ Perez / 90′ Akosta

A. Bilbao-Majorka           1-0

13′ Lorente

Renditja

Real Madrid 85, Barcelona 81, Valencia 52, Malaga 51, Levante 48, Osasuna 46, Espanjol 45, Sevilja 45, Atletik Bilbao 45, Atletiko Madrid 42, Getafe 42, Betis 42, Rajo Vajekano 40, Majorka 40, Real Sociedad 39, Granada 36, Vijareal 36, Saragoza 31, Sporting Gijon 28, Racing Santander 26.

 
Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 13:03

Aitor Karanka, zëvendësi i Zhoze Murinjos, është shfaqur përsëri në konferencë për shtyp pas fitores kundër Sporting Gijon dhe në fjalët e para që ka thënë, ka sulmuar ashpër kritikët e “shefit” të tij, duke marrë shkas nga arritja e rekordit prej 107 golash në një kampionat të realizuar nga madrilenët.

“Numri i golave është rezultat i punës së një grupi lojtarësh fantastikë që po i dhurojnë gëzime të gjithëve. E meritojnë të shpallen kampionë dhe do të vazhdojnë këtë rrugë deri në fund”.

“Për ata që thonë se Murinjo është një trajner mbrojtës, këto statistika nuk janë edhe aq të këqija”, tha ai.

Sipas tij, skuadra ka bërë maksimumin dhe në fushë janë hedhur lojtarët më të mirë pasi kërkohej një fitore që të shkohej në “El Clasico” që luhet javën e ardhshme me avantazhin e katër pikëve ndaj Barcelonës.

“Ndeshja ishte e rëndësishme për të vazhduar rrugën në kampionat. Ne luajmë edhe të martën ku do të kërkojmë të marrim një rezultat sa më të mirë. Por zgjidhëm lojtarët më të mirë për këtë sfidë pasi kërkuam me çdo kush ta fitonim ndeshjen. Megjithëse situata u komplikua në fillim, ekipi qëndroi i qetë. E rëndësishme ishte që morëm tre pikë të tjera”, ishte shpjegimi i Karanka. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 23:17

Real Madrid dhe Barcelona është dashur të djersijnë shumë për të siguruar një fitore në ndeshjet që kishin në javën e 33-të të kampionatit spanjoll të futbollit. Ndonëse të dy ekipet kanë fituar, ata kanë treguar vështirësi në lojën e tyre, të ndikuar edhe nga fakti që të dy palët kanë ruajtur energji për ndeshjet e rëndësishme në Ligën e Kampioneve në mesjavë. 

I pari ka luajtur Real Madrid që në ndeshjen kundër Sporting Gijon është gjendur çuditërisht në disavantazh ndonëse luhej në “Santiago Bernabeu”. Shkak bëhet Serxho Ramos që shkakton penallti në favor të skuadrës mike dhe është De las Kuevas që shënon nga pika e bardhë në minutën e 30-të. Por gëzimi i ekipit mik zgjat vetëm 7 minuta, pasi Higuain arrin të gjejë rrugën e rrjetës pas një harkimi perfekt të Serxho Ramos që shlyen gabimin e mëparshëm. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1 por në pjesën e dytë në fushë ekziston vetëm Reali që shënon dy herë me të zakonshmit Kristiano Ronaldo dhe Benzema duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.

Më pas e ka patur radhën Barcelona që ka luajtur në fushën e vështirë të Levantes që lufton për vendin e katërt në renditje. Edhe në këtë rast, ka qenë Levante që ka kaluar në avantazh me anë të një penalltie të transformuar nga Barkero në minutën e 23-të. Ndeshjen e bëjnë katalanasit që provojnë në të gjitha mënyrat të gjejnë rrugën e rrjetës dhe ia arrijnë qëllimit vetëm në minutën e 64-t kur Mesi gjen barazimin me një aksion spektakolar, falë kombinimit me Sançez. Barcelona hidhet në kërkim të golit të fitores dhe e gjen atë falë në 11 metërshi të fituar nga Kuenka dhe të kontestuar gjatë nga ekipi vendas. Nga pika e bardhë gjuan Mesi i cili shënon përsëri duke vulosur fitoren 2-1 të ekipit të tij dhe duke barazuar rekordin e brazilianit Ronaldo, i cli ka shënuar në 11 ndeshje radhazi në kampionatin spanjoll.

Pas ndeshjeve të Ligë së Kampioneve, dy ekipet do të vihen përballë njëri-tjetrit të shtunën në “El Clasico”, ku me shumë mundësi do të vendoset edhe fati i titullit kampion pasi këtu do të përcaktohet nëse do të rritet apo zvogëlohet diferenca prej 4 pikësh që kanë dy skuadrat në renditje. (LajmeShqip.com)