Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 09:34

Kristiano Ronaldo është lideri i padiskutueshëm i këtij Real Madridi dhe këtë e tregojnë më së miri golat e shënuar. Me tre golat e derbit, portugezi ka arritur kuotën e 40 rrjetave të tundura në kampionat, ndërsa ka çuar në 52 totalin sezonal me fanellën e madrilenëve.

Lojtari tregon se kampionati mbetet i hapur, por fitorja ndaj Atletikos ka qenë një gëzim shumë i madh pasi ndeshja përjetohej me shumë tension.

“Mbetet edhe pak deri në fund të sezonit por mendoj se kampionati është i hapur. E përballuam këtë ndeshje më shumë tension pasi e dinim që Barcelona kishte fituar. Kjo është arsyeja pse jemi shumë më të lumtur pasi shkuam prapë në +4 pikë”.

“Meritat për fitoren? Unë gjithmonë falënderoj shokët e skuadrës, pasi pa ata do të ishte e pamundur që të shënoja gola”.

“E vërteta është që e dinim se do të ishte një ndeshje shumë komplikuar. Atletiko luajti mirë dhe shumë fort. Jam i lumtur që shënova por edhe që dhashë një pasim për gol”.

Në fund, dy fjalë për ndeshjen e 21 prillit ku Real Madrid do të udhëtojë drejt Barcelonës për përballjen direkte të shumëpritur mes dy skuadrave rivale.

“Unë nuk kërkoj asnjë rekord personal, vetëm tituj për Real Madrid. Nuk mund ta mendojmë se e kemi fituar kampionatin, por nëse fitojmë në “Kamp Nou”, do t’i shkojmë shumë afër. Fjala humbje nuk ekziston në fjalorin tim”, tha lojtari i cili ka premtuar se do të sillet mirë në takimin e fundjavës kundër Sporting Gijon për të mos marrë një karton të verdhë që mund ta lërë pa luajtur në “El Clasico”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 23:23

Kristiano Ronaldo ka udhëhequr Real Madrid drejt një suksesi shumë të rëndësishëm në derbin ndaj Atletikos, të fituar me rezultatin 4-1. Portugezi ka qenë protagonisti absolut i mbrëmjes me 3 golat e tij dhe pasimin e dhënë për Kajehon që ka shënuar golin e katërt. 

Ndeshja ka qenë mjaft e luftuar në pjesën e parë dhe diferencën për Realin e ka bërë vetëm një goditje dënimi direkte e Kristiano Ronaldos në minutën e 25-të, ndaj të cilës portieri Kurtua as nuk provon të hidhet për ta devijuar.

Por në fillimin e pjesës së dytë, Atletiko arrin të gjejë golin e barazimit me anë të Falkaos, që shënon me kokë ndonëse i rrethuar nga fanellat e mbrojtjes së Realit. Por pikërisht ky gol bën që Reali të zgjohet dhe të mbyllë ndeshjen.

CR7 shënon një supergol në minutën e 68-të, falë edhe një dhurate të portierit kundërshtar që del më shumë se duhet nga porta dhe i lejon portugezit ta dërgojë topin mbi të. Futbollisti i Realit shënon edhe golin e tij të tretë personal në këtë sfidë në minutën e 83-të pas një 11-metërshi të fituar nga Higuain, ndërsa i jep pasmin Kajehon në minutën e 88-të, që ky i fundit të shënojë golin e fitores përfundimtare 4-1.

Si rrjedhojë, Reali ka hequr pa probleme një nga ndeshjet më të komplikuara që i mbeteshin në kalendar dhe ka çuar përsëri në katër pikë diferencën nga Barcelona. Ndërsa Atletiko vazhdon me paraqitjet zhgënjyese në derbi, ku nuk fiton prej 12 vitesh.  (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Granada-Atletik Bilbao         2-2

2′ Romero, 74′ Geijo / 81′ Lorente, 87′ Susaeta

Sporting Gijon-Levante          3-2

22′ Oskar Trejo, 74′ Lora, 84′ Sangoi / 16′ Valdo, 63′ Kone

Valencia-Rajo Vajekano           4-1

41′, 77′ (p) Xhonas, 70′ Xhordi Alba, 88′ Hernandez / 72′ Diego Kosta

Atletiko Madrid-Real Madrid   1-4

55′ Falkao / 25′, 68′, 83′ (p) Kristiano Ronaldo, 83′ Kajehon

Renditja

Real Madrid 82, Barcelona 78, Valencia 52, Malaga 50, Levante 48, Osasuna 46, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Atletik Bilbao 42, Rajo Vajekano 40, Betis 39, Real Sociedad 38, Majorka 37, Granada 36, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 28, Racing Santander 25.

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 15:38

Bernd Shuster, ish-trajneri i Real Madrid, ka komentuar me ironi deklaratat e Pep Guardiolës rreth mundësive të Barcelonës për të fituar titullin kampion.

“Unë nuk e kuptoj sesi nuk e kanë shkarkuar Guardiolën që vazhdon të thotë se nuk mund ta fitojë titullin, pasi zakonisht kanë për tendencë të bëjnë të kundërtën”, u shpreh ai duke kujtuar se ishte shkarkuar nga Real Madrid pasi kishte deklaruar se ishte e pamundur në fitohej në “Kamp Nou”.

Më pas, ai i është kthyer derbit të Madridit që luhet sonte, por që sipas tij nuk përcakton detyrimisht titullin kampion, sido që të ndahet kjo sfidë.

“Çdo gjë mund të ndodhë në derbi. Mund të ketë gola, kartonë të kuq, ndërhyrje të parregullta. Derbit janë ndeshje speciale. Padyshim që Reali është favorit, por ky është një moment vendimtar edhe për Atletikon që kërkon pikë për të hyrë në zonë e Kupave të Evropës. Nuk besoj se Reali shpallet kampion nëse fiton derbin. Mos harrojmë që përpara ka “El Clasico” dhe ndeshje të tjera të vështira me skuadra që luftojnë për mbijetesë”, tregoi Shuster. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 22:28

Barcelona ka bërë detyrën duke fituar sfidën e saj përballë Getafes, për të çuar në vetëm 1 pikë diferencën nga Real Madrid që luan derbin me Atletikon të mërkurën në darkë. 

Katalanasit kanë triumfuar lehtësisht 4-0 në ndeshjen e luajtur në “Kamp Nou”, falë formës së mirë që po kalon reparti i saj i avancuar, me treshen Sançez-Mesi-Pedro që ka dhuruar spektakël që nga minutat e para. Të tre këta lojtarë kanë gjetur rrugën e rrjetës me kilianin Sançez që ka shënuar dy gola në këtë sfidë të rëndësishme. Për t’u shënuar është fakti që Barcelona e ka mbyllur këtë ndeshje duke patur në fushë 10 lojtarë të ardhur nga akademia e saj.

Në takimet e tjera, Osasuna ka marrë një fitore shumë të rëndësishme që e afron me grupin e skuadrave që pretendojnë një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Osasuna-Espanjol         2-0

53′, 69′ R. Garcia

Real Sociedad-Betis     1-1

52′ Vela / 70′ Kastro

Barcelona-Getafe         4-0

13′, 73′ Sançez, 44′ Mesi, 75′ Pedro

Renditja

Real Madrid 79, Barcelona 78, Malaga 50, Valencia 49, Levante 48, Osasuna 46, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Atletik Bilbao 41, Rajo Vajekano 40, Betis 39, Real Sociedad 38, Majorka 37, Granada 35, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 08:37

Ndonëse diferenca mes Real Madrid dhe Barcelonës është shkurtuar në 4 pikë, nga 10 që ishte më parë, Pep Guardiola vazhdon t’i qëndrojë besnik idesë së tij se Real Madrid e ka të fituar këtë titull kampion. Ai tregon se tashmë do të jetë shumë më e vështirë që madrilenët të lënë pikë, pasi do të jenë të përqendruar në maksimum, ndërsa Barça nuk po kalon një moment shumë të mirë për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme.

“Ata mund të lënë pikë, ne jo. Tani është shumë më e vështirë se sa kur ishim 10 pikë pas tyre. Duket sikur ne e kemi marrë titullin kampion por në fakt 4 pikë diferencë janë shumë ndaj këtij Real Madrid. Ka shumë punë për t’u bërë, mjafton një gabim i yni dhe ata e kanë të fituar titullin”.

“Po ju kujtoj se asnjë skuadër në histori nuk ka mundur t’i rikuperojë 10 pikë Real Madridit. E përsëris që është thuajse e pamundur të marrim titullin. Mund të duket sikur po them gënjeshtra por unë vazhdoj të them atë që ndjej”.

Të gjithë mendojnë se e rëndësishme është të arrihet një diferencë prej 2 pikësh nga Reali, pasi mendohet që në ndeshjen direkte Barcelona do të dalë e fituar nga “Kamp Nou” duke rimarrë kreun e klasifikimit. Por Guardiola nuk e sheh në të njëjtën mënyrë.

“Kur të vijë Reali këtu do të shohim se si do të jetë situata dhe se çfarë mund të ndodhë. Ndonëse njerëzit e shohin si të fituar, kjo sfidë mund të humbet shumë lehtë. Për të dalë ne kampion duhet që të fitojmë 7 ndeshjet e radhës e kjo do të thotë që në total të kemi fituar 15 ndeshje radhazi, një arritje e pamundur për kushtet aktuale ku kemi shumë probleme me dëmtimet, sidomos në mbrojtje. Për këtë arsye u kam thënë edhe lojtarëve: Më pak buzëqeshje, më shumë vrapime”, deklaroi trajneri i katalanasve para sfidës së sotme me Getafen ku skuadra e tij mund të shkurtojë në 1 pikë diferencën me kreun, para derbit të Madridit që luhet të mërkurën. (LajmeShqip.com)