Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 12:02

Portieri i Real Madrid, Iker Kazijas, ka pranuar se skuadra e tij mund ta humbë titullin kampion që deri pak kohë më parë dukej i fituar. Barazimi pa gola ndaj Valencias i ka lënë madrilenët vetëm 4 pikë mbi Barcelonën ndjekëse, ndërsa pak kohë më parë ky avantazh ishte 10 pikë.

“Besoj se Real Madrid mund të humbë titullin kampion pasi Barcelona po lufton dhe ne nuk kemi fituar ende asgjë. Nuk e kemi thënë asnjëherë që e kishim të fituar këtë titull. Rivalët tanë janë në lojë dhe ne nuk duhet të flemë kur krijojmë diferenca prej 8 apo 10 pikësh”.

“Askush nuk e priste një rezultat kaq negativ në “Santiago Bernabeu” por kjo ishte një ndeshje e bukur dhe e fortë, e llojit që njerëzit shohin me kënaqësi në shtëpi. Ndoshta ne kishim më shumë raste për të shënuar, por edhe Valencia krijoi raste”, tha ai.

Ndërkohë, zëvendëstrajneri i Realit, Aitor Karanka, ka shpërthyer përsëri në akuza kundër gjyqtarëve, siç ndodh sa herë që madrilenët lënë pikë. Ai është shfaqur në konferencë për shtyp në vend të Zhoze Murinjos, i cili preferoi ta bënte “pushim” këtë javë.

“Gjykimi? Kishte 80 mijë të inatosur në stadium. Kur e themi ne duket sikur ankohemi kot, por këtë e pa gjithë bota. Mua më dha karton të verdhë gjyqtari se po flisja me ton normal. Para këtyre gjërave nuk mund të bëjmë asgjë, përveç të vazhdojmë të besojmë në punën tonë”, tha Karanka. Madrilenët pretenduan për dy penallti të padhëna në favor të Kristiano Ronaldos dhe një ndaj Benzema. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 09:41

Sipas sondazheve në internet, portugezi Pepe është futbollisti më i urryer nga tifozët dhe kjo nuk është rastësi, pasi ai vazhdon të shfaqë sjellje të pahijshme në fushë. Sikur të mos mjaftonin simulimet dhe ndërhyrjet e ashpra ndaj kundërshtarëve, ai ka filluar tashmë të bëjë edhe goditje të parregullta… ndaj shokëve të skuadrës. Në ndeshjen kundër Valencias, pas një ndërhyrje të mesfushorit Piati ndaj tij, Pepe simulon një dëmtim të rëndë, por Arbeloa që është shumë afër shkon t’i kërkoj të ngrihet që të mos vononte lojën. Por portugezi, duke kujtuar se është Piati, i jep një shkelm në gju shokut të skuadrës, duke rrezikuar ta dëmtojë seriozisht, e pasi sheh se kë ka goditur, në mënyrë komike ngrihet menjëherë në këmbë. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 22:44

Kanë mjaftuar 20 ditë për të rihapur kampionatin spanjoll të futbollit që tashmë në mënyrë të pabesueshme ka kthyer më të ndezur se kurrë duelin mes Real Madrid dhe Barcelonës. Madrilenët kanë regjistruar një tjetër barazim, të tretin në pesë ndeshjet e fundit, duke lënë përsëri pikë dhe duke shkurtuar avantazhin nga Barcelona në 4 pikë, nga 10 që kishin vetëm 5 javë më parë.

Në ndeshjen kundër Valencias të Luajtur në “Santiago Bernabeu”, madrilenët kanë provuar në të gjitha mënyrat të shënojnë, por pa gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa protagonist për ekipin kundërshtar ishte portieri Guaita i cili ndali gjuajtjet e njëpasnjëshme të Kristiano Ronaldo, Benzema e Di Maria. Për t’u shënuar edhe një shtyllë e goditur nga Kristiano Ronaldo në pjesën e parë të ndeshjes.

Nga ana tjetër edhe Valencia krijoi rastet e saj, ndërsa goditi shtyllën dhe traversën me Tino Kosta. Në minutat e fundit, Kazijas bëri mrekullinë përballë Zhorti Alba duke e shpëtuar skuadrën e tij nga një humbje që do të krijonte shumë më tepër probleme.

Pas këtij barazimi, situata është shumë e komplikuar, pasi në mesjavë, madrilenët luajnë në derbi përballë Atletiko Madrid, ndërsa Barcelona ka një sfidë shumë më të lehtë në letër përballë Getafe dhe mund të shkurtojë më tepër diferencën ndaj kryesuesve të kampionatit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Levante-Atletiko Madrid          2-0

3′ Valdo, 10′ Aruna Kone

Majorka-Granada                    0-0

Atletik Bilbao-Sevilja                1-0

47′ Lorente

Real Madrid-Valencia               0-0

Renditja

Real Madrid 79, Barcelona 75, Valencia 49, Levante 48, Malaga 47, Osasuna 43, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Atletik Bilbao 41, Rajo Vajekano 40, Betis 38, Real Sociedad 37, Majorka 37, Granada 35, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 08:35

Lionel Mesi është i pandalshëm dhe këtë sezon po rishkruan librat e historisë së futbollit. Argjentinasi po kalon një sezon si shumë pak futbollistë para tij dhe është vënë në ndjekje të rekordeve historikë që kanë dhjetëra vjet pa u kaluar.

Me dy golat e shënuar kundër Real Saragozës, Mesi ka arritur kuotën e 38 golave në kampionat, 60 golave në total të shënuar në këtë sezon me fanellën e Barcelonës. Përveç kampionatit ai ka shënuar 14 gola në Ligën e Kampioneve (rekord për këtë turne), 2 në Kupën e Mbretit, 3 në Superkupën e Spanjës, një në Superkupën e Evropës dhe 2 në Botërorin e Klubeve, duke gjetur rrugën e rrjetës në çdo aktivitet në të cilin ka marrë pjesë.

Lojtari i fundit që ka mbërritur kuotën e 60 golave në një sezon me një skuadër është golashënuesi legjendar Gerd Myler, i cili në sezonin 1972-1973, shënoi 67 gola me fanellën e Bajern Mynih, rekord që qëndron i pathyer deri tani.

Por Mesi i ka të gjitha mundësitë ta kalojë atë, pasi ka të paktën 10 ndeshje në dispozicion deri në fundin e sezonit për të shënuar gola të tjerë.

Lojtarë të tjerë të famshëm që kanë shënuar 60 apo më shumë gola në një sezon përfshijnë Fernc Deak, i cili shënoi 66 gola për hungarezët e Szentlorink në 1945-46, Henk Grot, i cili shënoi 64 herë për Ajaks Amsterdam në 1960-61 dhe Diksi Din, që shënoi 63 me fanellën e Everton në 1927-28. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 22:22

Barcelona ka shkurtuar përsëri në 3 pikë diferencën me Realin e Madridit pas fitores 4-1 ndaj Real Saragozës, duke shpresuar që madrilenët të ndalen në takimin ndaj Valencias. Protagonist i ndeshjes ka qenë përsëri Lionel Mesi, i cili ka shënuar dy gola, duke çuar në 60 numrin e golave të shënuar për Barcelonën në këtë sezon. 

Ndeshja ka qenë më e vështirë se sa pritej, pasi vendasit janë shfaqur shumë rrezikshëm para portës së Viktor Valdes dhe Aranda ka humbur edhe një 11 metërsh përballë portierit katalanas. Por sulmuesi i Saragozës e ka shlyer gabimin në minutën e 30-të kur ka arritur të shënojë golin e avantazhit për skuadrën e tij.

Gëzimi i vendase zgjat vetëm 6 minuta, aq sa i duhet Barcelonës për të gjetur barazimin ku këtë radhë është Pujol që gjen rrugën e rrjetës pas një goditje nga këndi duke përfituar nga gabimi i portieri kundërshtar. Në minutën e 39-të, Mesi shpalos repertorin e tij duke treguar si ndalet topi, si kontrollohet mes kundërshtarëve dhe si gjuhet me të majtën në mënyrë të pakapshme për portierin kundërshtar. 2-1 dhe katalanasit buzëqeshin përsëri.

Për të komplikua më shumë situatën e vendasve, të cilët po vazhdonin të luanin mirë, vjen edhe kartoni i kuq i Abraham në minutën e 44-t, pasi mbrojtësi koleksionon dy karton të verdhë radhazi. Barcelona luan më qetë në pjesën e dytë dhe nuk i lë vendasit të rrezikojnë shumë. Vulosja e rezultatit përfundimtar vjen në minutat e fundit, kur Mesi transformon një penallti të dyshimtë të fituar nga Sançez, ndërsa më pas jep një pasim të artë për Pedron që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për të sigluar suksesin 4-1. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Espanjol-Real Sociedad            2-2

45′ Ansotegui (ag), 47′ Vais / 12′, 15′ Vela

Getafe-Sporting Gijon               2-0

22′ Miku, 47′ Kastro

Rajo Vajekano-Osasuna           6-0

5′ Movija, 17′, 28′ Miku, 36′ Diego Kosta, 57′ Armenteros, 79′ Tito

Saragoza-Barcelona                 1-4

30′ Aranda / 36′ Pujol, 39′, 86′ (p) Mesi, 90′ Pedro

Renditja

Real Madrid 78, Barcelona 75, Valencia 48, Malaga 47, Levante 45, Osasuna 43, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Rajo Vajekano 40, Atletik Bilbao 38, Real Sociedad 37, Majorka 36, Betis 35, Granada 34, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.