Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 12:01

Ruben Kastro ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve pas golit të shënuar në fitoren 2-0 të Betis ndaj Malagas në fushën e këtyre të fundit. Futbollisti ka vrapuar drejt pankinës së skuadrës për të festuar jo me stafin teknik, por me psikologen Patricia Ramirez. Edhe më parë, sulmuesi i kishte dedikuar golat e tij psikologes që e kishte ndihmuar në momentet e vështira, por këtë radhë, doktoresha ka zbritur vetë në fushën e lojës për të festuar me futbollistin që ka në terapi prej rreth një viti. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 09:42

Pep Guardiola ka vlerësuar maksimalisht paraqitjen e Atletik Bilbaos ndaj ekipi të tij, ndonëse ekipi i drejtuar nga Marcelo Bielsa u mund 2-0 në “Kamp Nou” nga Barcelona.

“Lojtarët e Atletik Bilbaos na dhanë një leksion, pasi na kanë vënë në vështirësi të mëdha ndonëse kishin luajtur një sfidë shumë kërkuese si ajo e mesjavës në Gjermani. Fatmirësisht, kemi qenë në lartësinë e kërkuar në lojën mbrojtëse siç nuk ndodhte prej kohësh”.

“Nga të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur në kampionat, kjo ishte ajo më e komplikuara nga të gjitha. Tani mendoj se finalja e Kupës së Mbretit do të jetë shumë e bukur. Atletik Bilbao të çon në limit, lojtarët e mi u përgjigjën mirë por theksoj se Atletik na dha një leksion: me dëshirë dhe mendje mund të arrihet gjithçka! Janë të jashtëzakonshëm, pasi janë 11 vetë që mbajnë topin dhe po 11 vetë sulmojnë”.

Ai ka lavdëruar Havier Maskeranon, i kthyer në një pikë kyçe në prapavijën e Barcelonës, si një qendërmbrojtës i mirëfilltë, ndonëse u ble nga Liverpuli me idenë për të luajtur në mesfushën e katalanasve. “Maskerano po na jep shumë, niveli i tij është i paimagjinueshëm. Klubi ka siguruar një lojtar të cilin unë si trajner nuk do ta ndërroja asnjëherë dhe nuk do ta shisja kurrë. Për më tepër për atë që jep si person, është një blerje e rrallë”.

Në fund, një koment i vogël edhe për fitoren e thellë të Realit ndaj Osasunës, me madrilenët që kapën kuotën e 100 golave të shënuar në kampionat. “Reali i Madridit nuk më çudit, ka gjithë vitin që shënon shumë gola”, u shpreh trajneri i Barcelonës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 08:06

Kristiano Ronaldo është i bindur se titulli kampion i Spanjës do të jetë i Real Madrid, ndonëse diferenca me Barcelonën është vetëm 6 pikë.

“Vazhdoj me besimin se do ta fitojmë kampionatin, as nuk më shkon ndër mend se mund ta humbasim atë! Jemi të pozicionuar mirë në kryesim, duke ruajtur një distancë me ndjekësit, mbeten ende shumë ndeshje, ndaj duhet të ecim me iluzionin se kemi për ta fituar titullin”.

“Ashtu siç e thashë para ndeshjes me Osasunën, kjo ishte një tjetër sfidë. Na mbeten 8 ndeshje dhe e dimë që duhet t’i fitojmë pasi Barcelona na ndjek nga afër”, u shpreh autori i dy golave në fitoren 5-1 të madrilenëve.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e komplikuar dhe që Osasuna ishte e vështirë në fushën e saj por luajtëm mirë dhe hymë në fushë me besim që në fillimin e sfidës. Fituam, që është edhe objektivi kryesor. Këtë vit gjërat po ecin ashtu siç duhet për të gjithë. Unë jam shumë i lumtur, pasi skuadra ka fituar dhe kemi realizuar objektivat që i kemi vënë vetes deri tani. Ajo që ndodhi një vit më parë ka kaluar, këtë vit jemi shumë mirë”, tha golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll me 37 gola në 29 ndeshje.

Lojtari ka pranuar se nuk i ka vënë vetes asnjë objektiv për golat që do të shënojë këtë sezon, ndërsa ka bërë të qartë se me këtë përbërje, Reali mund të synojë edhe Ligën e Kampioneve. “Numri i golave? Do të shënoj aq sa të më lejojnë kundërshtarët. Jam shumë i kënaqur pasi gjërat po ecin mirë dhe duhet të falënderoj shokët e skuadrës për këtë. Me këtë ekip spektakolar, duhet të vazhdojmë në të njëjtën rrugë deri në fund, edhe në Ligën e Kampioneve”, u shpreh Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 23:16

Real Madrid dhe Barcelona kanë vazhduar edhe këtë javë duelin në distancë mes tyre në luftën për titullin kampion në Spanjë. Madrilenët kanë regjistruar një fitore të bujshme 5-1 ndaj Osasunës në fushën e kësaj të fundit ndërsa vetëm dy orë më pas ka qenë Barcelona që është kundërpërgjigjur me një fitore 2-0 në shtëpi përballë Atletik Bilbao. 

Suksesi i madrilenëve ka patur për protagonist Kristiano Ronaldon, i papërmbajtshëm ndaj Osasunës me driblimet e tij. Portugezi ka shënuar dy gola, ndërsa ka dhënë asist për golat e Benzema dhe Higuain. Ky i fundit, ka shënuar një dopietë personale dhe ka çuar në 101 numrin e golave me fanellën e Realit në kampionat. Treshja e sulmuesve të Realit ka arritur që tani kuotën e 100 golave në të gjitha turnetë, ndërsa skuadra ka arritur kuotën e 100 golave të shënuar në kampionat.

Kundërpërgjigja e Barcelonës ka ardhur me një fitore të thjeshtë 2-0 përballë Atletik Bilbaos, ku Bielsa kishte vendosur të linte pushim shumë prej titullarëve duke menduar për ndeshjen e javës së ardhshme në Europa League. Si rrjedhojë, Barcelonës i ka mjaftuar një gol i Iniestës në pjesën e parë dhe një gol i Mesit me 11-metërsh të dyshimtë në pjesën e dytë për të fituar kundër Bilbaos dhe për të ruajtur distancën prej 6 pikësh ndaj Realit të Madridit në klasifikim. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Racing-Granada                 0-1

Gijon-Saragoza                    1-2

Osasuna-Real Madrid        1-4

Barcelona-Atletik Bilbao   2-0

Malaga-Betis                       0-2

Renditja

Real Madrid 78, Barcelona 72, Valencia 47, Malaga 47, Levante 44, Osasuna 43, Espanjol 40, Getafe 39, Atletiko Madrid 39, Sevilja 39, Atletik Bilbao 38, Rajo Vajekano 37, Majorka 36, Betis 35, Granada 34, Real Sociedad 33, Vijareal 31, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.