Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 21:08

Malaga ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në transfertë 2-1 ndaj Espanjol, duke iu bashkuar Valencias në vendin e tretë të renditjes në kampionatin spanjoll. Skuadra e drejtuar nga Manuel Pelegrini ka përfituar maksimalisht nga humbja e Valencias një ditë më parë duke qenë tashmë në pozita të favorshme për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. 

Vendasit kanë kaluar në avantazh me anë të Kutinjos, i cili shënoi në mënyrë të zgjuar një goditje dënimi në minutën e 24-t të sfidës, ndërsa miqtë goditën dy herë shtyllën me Mareska dhe Isko.

Shifrat i barazoi në minutën e 76-të Van Nistelroi, i sapofutur në fushë, që shënon sapo prek topin e parë në këtë sfidë. Vetëm dy minuta më vonë ishte Martin Demikelis i cili përfiton nga një grushtim i pasigurt i portierit kundërshtar për të dërguar topin në rrjetë.

Atletik Bilbao nuk ka arritur të fitojë për të tretën ndeshje radhazi, duke u ndalur në shtëpi nga Gijon i vendit të fundit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Saragoza-Atletiko Madrid        1-0

Espanjol-Malaga                          1-2

Levante-Osasuna                        0-2

Atletik Bilbao-Sporting Gijon     1-1

Betis-Racing Santander              1-1

Rajo Vajekano-Vijareal               0-2

Renditja

Real Madrid 75, Barcelona 69, Valencia 47, Malaga 47, Levante 44, Osasuna 43, Espanjol 40, Getafe 39, Atletiko Madrid 39, Atletik Bilbao 38, Rajo Vajekano 37, Majorka 36, Sevilja 36, Real Sociedad 33, Real Betis 32, Granada 31, Vijareal 31, Saragoza 25, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 10:12

Kristano Ronaldo ka shkruar emrin në librin e rekordeve të kampionatit spanjoll duke u bërë më i shpejti që arrin kuotën e 100 golave në këtë turne falë dy rrjetave të tundura në suksesin 5-1 të  ekipit të tij kundër Sociedad.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga një legjendë e Real Madrid dhe futbollit botëror, Ferenc Pushkash. Ai arriti të vendoste rekordin e 100 golave në 105 ndeshje në vitet ’60, kur Reali dominonte në Spanjë dhe në Evropë. Por Kristiano Ronaldo ka arritur të bëjë më mirë se ai, pasi iu nevojitën vetëm 92 ndeshje për të mbërritur kuotën e 101 golave.

CR7 ka arritur të ngjitet në kuotën e 35 golave të shënuar këtë sezon në kampionatin spanjoll, po aq sa Lionel Mesi i Barcelonës, ndërsa të dy kërkojnë me ngulm që të thyejnë në 9 ndeshjet e mbetura rekordin e vendosur një vit më parë pikërisht nga portugezi, i cili shënoi 40 gola brenda të njëjtit edicion në La Liga.

Vetë Mesi ka vazhduar serinë e rekordeve, duke barazuar Filip Koku si lojtari jo-spanjoll me më shumë ndeshje me fanellën katalanase në kampionat, me 205 takime të luajtura. Ndërkohë, ai theu rekordin e brazilianit Ronaldo, i cili me 34 rrjetat e tundura ishte golashënuesi më i mirë brenda të njëjtit kampionat në historinë e Barcelonës.

Argjentinasi ka shënuar për të 8-tën ndeshje radhazi, duke tundur rrjetën 18 herë gjatë kësaj periudhe, ndërsa ka çuar totalin e sezonit në 55 gola. Ai është bërë futbollisti i parë që arrin këtë shifër të frikshme në një prej kampionateve elitare evropiane që nga viti 2002, kur Mario Zhardel arriti të shënonte 55 gola me fanellën e Sporting Lisbonës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 22:22

Vazhdon dueli në distancë mes Barcelonës dhe Real Madrid, që luftojnë për titullin kampion në Spanjë. Këtë radhë, si katalanasit, ashtu edhe madrilenët kanë fituar takimet respektive dhe diferenca mes tyre ka mbetur në 6 pikë, edhe për faktin se kundërshtarët që kanë patur përballë nuk i kanë bërë shumë rezistencë. 

Fillimisht Barcelona ka nënshtruar 2-0 Majorkën në fushën e kësaj të fundit. Avantazhi i katalanasve ka ardhur në minutën e 25-të kur një goditje dënimi e Mesit përfundon në rrjetë pa u devijuar nga askush. Barcelona mbetet me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Tiagos në minutën e 57-të, por Majorka nuk arrin të përfitojë. Goli i dytë, që mbyll praktikisht ndeshjen, vjen në minutën e 79-të kur Pike dërgon në rrjetë topin e kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Mesit.

Pak orë më vonë ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Real Madrid që ka shkatërruar me rezultatin 5-1 Real Sociedad. Ndonëse me mungesat e Pepe, Ozil dhe Diarra për shkak kartonësh, skuadra që drejtohej nga tribuna ku gjendej Murinjo gjithashtu i pezulluar, ka arritur të tregojë forcën e saj sulmuese. Higuain, Benzema (2) dhe Kristiano Ronaldo (2) kanë humbur edhe shumë raste të tjera për shënim para portës kundërshtare, por duket se kanë lënë pas krahëve paraqitjet e dobëta të dy ndeshjeve të fundit që i kushtuan 4 pikë madrilenëve në garën për titull. (LajmeShqip.com)