Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:07

Golashënuesi rekordmen i Barcelonës, Lionel Mesi, nuk e ka fshehur kënaqësinë që arriti të kalonte Sezar Rodriguez duke u bërë ai tashmë i pari në listën e golashënuesve, një arritje e jashtëzakonshme të cilën ai ka treguar se as nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë në fillimet e tij.

Duke folur për herë të parë pas këtij suksesi individual historik, 24 vjeçari që ka shënuar 234 herë në 314 ndeshje zyrtare me katalanasit, ka insistuar se i dukej e pabesueshme që kishte këtë status të ri në klubin katalanas.

“E vërteta është se jam mëse i kënaqur. As nuk e kisha ëndërrua ndonjëherë se do të bëhesha golashënuesi më i mirë i Barcelonës”, tha ai në një intervistë të publikuar në  revistën argjentinase “Ole”.

“Nuk di të them nëse ky ishte goli më i bukur për mua. Kur përfundon ndeshja, goli i parë që shënova për Barcelonën, ashtu si i fundit e ashtu si të gjithë të tjerët, janë të gjithë shumë të veçantë për mua”.

“Kam dashur gjithmonë të shpagoj Barcelonën për gjithçka që katalanasit kanë bërë për mua. Jam shumë krenar që jam bërë pjesë e historisë së klubit. Nuk do ta kisha arritur këtë objektiv pa ndihmën e shokëve të skuadrës. Jam i kënaqur që edhe njerëzit në Argjentinë janë të lumtur për arritjen time”, tregoi argjentinasi në intervistën e tij të parë që pas arritjes së këtij rekordi historik. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 10:44

Barazimi 1-1 në fushën e Vijarealit ka lënë një shije të hidhur te Reali i Madridit, por edhe pasoja shumë të rënda sportive. Pak orë pas ndeshjes, është mësuar se edhe Pepe i është bashkuar madrilenëve të ndëshkuar me karton të kuq, pasi ka fyer rëndë gjyqtarin e ndeshjes, ndërsa edhe Kristiano Ronaldo mund të përballet me pasoja për fjalët që ka thënë në fushë kundër “xhaketës së zezë”.

Raporti i gjyqtarit tregon se mbrojtësi e ka sulmuar në tunelin e dhomave të zhveshjeve dhe më pas e ka sharë publikisht. “Ik q.. bir k..”, është mesazhi i kuptueshëm që mbrojtësi portugez i ka kaluar gjyqtarit. Ky mesazh ka qenë i njëjtë me atë që ka ulëritur Zhoze Murinjo disa herë pas pësimit të golit të barazimit, por gjyqtari ka preferuar të shkruajë në raport vetëm që ka ndëshkuar dy herë me të verdhë trajnerin për protesta dhe jo sepse e ka fyer. Në këtë mënyrë, Murinjo ka shpëtuar nga një dënim më i rëndë disiplinor, duke qenë se është përsëritës për gjeste të tilla, si asistenti i tij Rui Faria i cili në ndeshjen e mbrëmshme është ndëshkuar për të katërtën herë me karton të kuq brenda 4 muajve.
Ndërkohë, pamjet filmike kanë treguar që edhe Kristiano Ronaldo ka akuzuar në fushë gjyqtarin për qëndrim të njëanshëm dhe mund të përballet me dënim disiplinor nga Federata Spanjolle. “Vetëm vidhni, vetëm vidhni, vidhni”, janë fjalët e CR7 pas golit të barazimit.

Por në një situatë ku madrilenët ndjehen të “vjedhur” nga gjyqtari, specialistët dhe media e mendojnë ndryshe. Pasi Murinjo ka vendosur heshtjen për shtyp pas ndeshjes, të gjithë kanë sulmuar teknikun portugez duke e cilësuar si shkaktarin kryesor të kësaj rënie. Sipas edhe vetë gazetave të Madridit, “As” e “Marca”, trajneri nuk ka përgatitur lojtarët psikologjikisht për një rezultat jo të favorshëm pas 11 fitoresh radhazi dhe kjo është parë qartë me nervozizmin e futbollistëve në fushë.

Për më tepër, ai etiketohet si “qaraman” për ankesat ndaj gjyqtarëve në një periudhë kur ata e kanë favorizuar dukshëm ekipin e tij, ashtu siç ndodhi edhe kundër Vijarealit të cilit i mohuan një penallti si dhe falën Diarra nga kartoni i kuq që në pjesën e parë të ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 00:41

Real Madrid ka pësuar për të dytën ndeshje radhazi një gol identik nga goditje dënimi, duke marrë dy barazime radhazi 1-1 dhe duke rihapur kampionatin që deri 5 ditë më parë ishte i mbyllur. Nëse një javë më parë ishte Kazorla që i dha barazimin Malagas në minutat shtesë, këtë radhë ishte Markos Sena që barazoi në minutën e 82-të për Vijarealin, në një ndeshje ku u ndëshkua me karton të kuq Murinjo, asistenti i tij Rui Faria dhe lojtarët Serxho Ramos e Ozil. 

Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, por Reali kishte raste më të pastra për të shënuar. Gjithsesi, edhe këtë radhë gjyqtari ka falur kryesuesit e kampionatit disa herë për ndërhyrjet e tyre të rënda, si dhe nuk ka parë një penallti të dukshme në dëm të Nilmar.

Në pjesën e dytë është Reali që dominon krejtësisht lojën duke regjistruar rast pas rasti e duke mbyllur në zonë Vijarealin që dukej sikur po luante jashtë e jo në shtëpi. Si rrjedhojë, vjen edhe goli i avantazhit për madrilenët falë një gjenialiteti të Ozil dhe saktësisë vrasëse në zonë të Kristiano Ronaldos. Është minuta e 62-të dhe duket se ndeshja ka mbaruar pasi Vijareal dorëzohet plotësisht.

Por një faull i evitueshëm pranë zonës së rreptësisë nga Altintop në minutën e 82-të bën që madrilenët të shohin përsëri fantazmat e të dielës. Në fakt, ata nuk gabohen, pasi Markos Sena ekzekuton saktësisht duke mposhtur Kazijas dhe duke bërë që të shpërthejë nervozizmi i Murinjos. Ky i fundit shan gjyqtarin dhe për këtë arsye ndëshkohet me karton të kuq, ashtu si asistenti i tij Rui Faria i cili ishte larguar nga bankina që në fillimin e pjesës së dytë.

Nervozizmi transferohet edhe në fushë, ku Serxho Ramos merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet nga fusha, ndërsa më pas është Ozil që fillimisht proteston pranë gjyqtarit e më pas shan publikun, duke marrë një karton të kuq mëse të evitueshëm e duke shuar shanset e madrilenëve për të tentuar golin e fitores në minutat e mbetura.

Pas këtij rezultati, Barcelona është vetëm 6 pikë larg dhe duket sikur kampionati është rihapur, duke patur parasysh se ka edhe 10 ndeshje deri në fundin e tij dhe se madrilenët mund të presin ndëshkime afatgjata nga komisionet disiplinore të Federatës Spanjolle për gjestet e lojtarëve dhe stafit teknik të tyre. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Sporting Gijon-Majorka              2-3

Atletiko Madrid-Atletik Bilbao   2-1

Valencia-Real Saragoza               1-2

Real Sociedad-Levante                1-3

Vijareal-Real Madrid                    1-1

Renditja

Real Madrid 72, Barcelona 66, Valencia 47, Levante 44, Malaga 41, Osasuna 40, Atletiko Madrid 39, Espanjol 39, Atletik Bilbao 37, Rajo Vajekano 37, Majorka 36, Getafe 36, Sevilja 33, Real Sociedad 33, Granada 31, Real Betis 30, Vijareal 28, Racing Santander 24, Sporting Gijon 24, Real Saragoza 22.

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 15:10

Gazeta “Mundo Deportivo” ka mbledhur në një video të vetme të gjitha magjitë e talentit argjentinas, Lionel Mesi, duke treguar në vetëm 14 minuta, 234 golat me fanellën e katalanasve, që e transformuan nga një djalosh i ekipit të të rinjve, në lojtarin më të mirë në botë… (LajmeShqip.com) 

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 12:45

Pep Guardiola nuk ka ngurruar të krahasojë Lionel Mesin me legjendën e basketbollit, Majkëll Xhordan pasi futbollisti argjentinas u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit katalanas.

“Pleshti” shënoi tre gola në suksesin 5-3 ndaj Granadas duke kaluar me dy gola rekordin e mëparshëm prej 232 golash që mbahej nga legjendari Sezar.

I pyetur pas ndeshjes nëse 24 vjeçari mund të krahasohej që tani me Xhordan, Guardiola nuk ngurroi të përgjigjej pozitivisht. “Ndoshta po. Ka patur shumë pak si këto atletë në histori që kanë dominuar në këtë mënyrë sportin e tyre”.

“Mesi është më i miri dhe e tregon këtë çdo tre ditë. Më vjen keq për të gjithë të tjerët por ky djalë është diçka ndryshe”.

“Më vjen keq për të gjithë ata që konkurrojnë për fronin e Mesit. E kanë të pamundur, ky djalë është më i miri!”.

Tre golat e Mesit ndaj Granadas çojnë në 54 numrin e golave të shënuar nga argjentinasi në 45 ndeshjet e luajtura në këtë sezon në të gjitha turnetë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 23:31

Lionel Mesi është zyrtarisht futbollisti që ka shënuar më shumë gola me fanellën e Barcelonës. Argjentinasi, me tre golat e shënuar kundër Granadas ka arritur kuotën e 234 golave me fanellën e katalanasve, për të hyrë në histori duke kaluar legjendën Sezar, ndonëse është vetëm 24 vjeç. 

Tre golat e argjentinasit kanë ardhur në një natë ku Barcelona ka patur shumë nevojë për magjitë e tij. Ndeshja me Granadan dukej e lehtë në letër, por nuk ka qenë kështu në praktikë, pavarësisht një fillimi të shpejtë të katalanasve. Ksavi në minutën e 4-t dhe Mesi në minutën e 17-të bënë të mendohet për një goleadë të katalanasve. Por pavarësisht dominimit territorial të zakonshëm të skuadrës vendase, Granada nuk lë shumë hapësira e si rrjedhojë Barcelona duhet të kënaqet me këtë avantazh të dyfishtë në fundin e pjesës së parë. Çudia ndodh në pjesën e dytë kur Granada gjen dy herë rrugë e rrjetës, fillimisht me Mainz e pastaj me Sikiera duke barazuar rezultatin në minutën e 62-të të takimit.

Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, të gjithë kthejnë sytë nga Mesi i cili nuk zhgënjen duke shënuar fillimisht golin e avantazhit 3-2, duke qenë protagonist në golin e rezultatit 4-2 të shënuar nga Tejo e më pas duke shënuar golin e 5-të për skuadrën e tij.

Goli i dytë personal i Sikieras në minutën e fundit që çon rezultatin në 5-3, nuk prish festën e Lionel Mesit që tashmë shkruan emrin e tij për të disatën herë në librin e rekordeve dhe ndihmon Barcelonën t’i bëjë presion Realit të Madridit, duke çuar në vetëm 5 pikë diferencën nga madrilenët.

Për më tepër me tre golat e tij, Mesi ka kaluar në renditjen e golashënuesve më të mirë Kristiano Ronaldon, duke qenë tashmë në kuotën e 34 golave, dy më shumë se portugezi i madrilenëve. (LajmeShqip.com)