Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 23:50

Real Madrid ka marrë një goditje të papritur në takimin kundër Malagas, të përfunduar në barazim 1-1. Në një ndeshje të dominuar tërësisht nga madrilenët, goli i miqve ka ardhur në sekondat e fundit të ndeshjes, atëherë kur të gjithë mendonin se skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo po merrte një tjetër fitore.

Reali e ka filluar ndeshjen duke sulmuar ndaj një skuadre e cila po lufton për të fituar një vend në Ligën e Kampioneve, por që në fushë nuk është dukur si e tillë. Për shumë minuta me radhë janë madrilenët që imponojnë ritmin e tyre dhe pas disa tentativash gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Benzema, i kthyer mes titullarëve pasi ka lënë plotësisht pas dëmtimin që mbajti jashtë për disa javë.

Madrilenët vazhdojnë të krijojnë raste të shumta për të shënuar, falë edhe formës së mirë të Kaka e Ozil, të cilët depërtojnë shumë herë në zonën kundërshtare. Reali duket se po shkon i qetë drejt një fitoreje, por Malaga godet pikërisht atëherë kur nuk mendohej, në minutat shtesë të ndeshjes.

Kazorla fiton një goditje dënimi dhe është po ai që e transformon atë saktësisht duke mposhtur Kazijas për të marrë një barazim të papritur që bën të heshtë stadiumin “Santiago Bernabeu”, me përjashtim të 200 tifozëve të Malagës që festuan si të ishte një fitore.

Falë këtij rezultati, diferenca në kreun e renditjes së kampionatit nga Barcelona ndjekëse tashmë është 8 pikë, që gjithsesi janë shumë por që lëkundin disi pozitat e madrilenëve kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje për t’u luajtur. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Levante-Vijareal                       1-0

Majorka-Atletiko Madrid         2-1

Atletiko Bilbao-Valencia           0-3

Real Madrid-Malaga                1-1

Renditja

Real Madrid 71, Barcelona 63, Valencia 47, Levante 41, Malaga 41, Osasuna 39, Rajo Vajekano 37, Atletik Bilbao 37, Atletiko Madrid 36, Espanjol 36, Getafe 35, Sevilja 33, Real Sociedad 33, Majorka 33, Granada 31, Real Betis 30, Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 24, Saragoza 19.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 09:32

Fitorja e thjeshtë kundër Seviljes nuk ka ndryshuar opinionin e trajnerit të Barcelonës, Pep Guardioa i cili vazhdon tw insistojë se skuadra e tij duhet të kënaqet me vendin e dytë. Sipas teknikut katalanas, Real Madrid e meriton të jetë i pari pasi ka rezultate më të mira se ekipi i tij.

“Ne do të dëshironim të konkurronim deri në fund për titullin, por unë besoj se nuk do të jetë e mundur. Ka patur një skuadër tjetër që ka qenë shumë i mirë. Të paktën skuadra është munduar të konkurrojë. Por ka një skuadër tjetër që ka marrë rezultate më të mira ndaj kemi këtë diferencë pikësh me të”, deklaroi Guardiola.

Meqenëse gazetarët insistuan ta pyesin rreth mundësive të Barcelonës për të marrë titullin, Guardiola u tregua i prerë: “Harrojeni! Nuk do ta fitojmë atë!”, ishte deklarata e tij.

Në fitoren 2-0 ndaj Seviljes, lojtari më i gëzuar ka qenë Andres Iniesta, i cili nuk shënoi, por arriti rekordin e veçantë që mban Emilio Butragenjo te Real Madrid.

Iniesta tashmë ka regjistruar 50 ndeshje pa humbje radhazi në kampionatin spanjoll me fanellën e Barcelonës, nga të cilat 42 janë fitore dhe vetëm 8 janë barazime. Ai ka mundësinë të thyejë këtë rekord në javën e ardhshme kundër Granadas në “Kamp Nou”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 22:19

Barcelona ka kaluar me sukses transfertën e vështirë të Seviljes duke fituar me rezultatin 2-0 ndaj vendasve dhe shkurtuar në 7 pikë diferencën me Realin kryesues që luan të dielën. Katalanasve u kanë mjaftuar dy kryevepra të lojtarëve të saj më të mirë, Ksavi e Mesi, për të marrë këtë sukses të rëndësishëm. 

Ka qenë mesfushori spanjoll që ka kaluar në avantazh ekipin e tij falë një goditje dënimi përfekte që në minutën e 18-të të ndeshjes. Ky ishte goli i 8-të në këtë kampionat për Ksavin, i cili arrin të barazojë rekordin e tij personal të një sezoni.

Vetëm 7 minuta më vonë, Lionel Mesi ka dhuruar një prej magjive të tij, duke marrë topin në hyrje të zonës dhe duke e kaluar atë mes këmbëve të mbrojtësit kundërshtar. Më pas, argjentinasi ka dhuruar një tjetër prekje magjike duke e dërguar topin mbi portierin Palop për të vulosur rezultatin 2-0 të kësaj sfide.

Për t’u shënuar është se të dy skuadrat kanë hyrë në fushën e lojës me fanella që i dedikoheshin mbrojtësit të katalanasve, Erik Abidal. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Getafe-Real Sociedad               1-0

Granada-Sporting Gijon            2-1

Saragoza-Osasuna                    1-1

Sevilja-Barcelona                     0-2

Renditja

Real Madrid 70, Barcelona 63, Valencia 44, Malaga 40, Osasuna 39, Levante 38, Atletik Bilbao 37, Atletiko Madrid 36, Espanjol 36, Getafe 35, Rajo Vajekano 34, Sevilja 33, Real Sociedad 33, Granada 31, Majorka 30, Real Betis 30, Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 24, Real Saragoza 19.