Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 20:53

Lionel Mesi vazhdon të shënojë pa pushim gola dhe po teton të thyejë rekordet që i ka vendosur vetë në sezonet e kaluara. Sulmuesi argjentinas ka qenë protagonisti absolut i fitores 2-0 të Barcelonës ndaj Racing Santander, duke shënuar të dy golat në këtë sfidë. 

“Pleshti” është ngjitur në kuotën e 30 golave në kampionat ndërsa rekordi i tij personal është 34, i vendosur dy sezone më parë dhe që pritet të thyhet në javët në vazhdim falë formës që po kalon sulmuesi. Por statistika më e frikshme e tij është se këtë sezon në të gjitha turnetë ai ka shënuar 50 gola, aq sa nuk kanë shënuar të gjitha skuadrat e kampionatit spanjoll me përjashtim të Real Madrid e Barcelonës. Falë kontributit të Mesit, katalanasit vazhdojnë të ndjekin me 10 pikë diferencë Realin e Madridit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atletiko Madrid-Granada        2-0

Espanjol-Rajo Vajekano           5-1

Valencia-Majorka                      2-2

Racing Santander-Barcelona     0-2

Renditja

Real Madrid 70, Barcelona 60, Valencia 44, Malaga 40, Levante 38, Atletik Bilbao 37, Atletiko Madrid 36, Espanjol 36, Osasuna 35, Rajo Vajekano 34, Sevilja 33, Real Sociedad 33, Majorka 30, Real Betis 30, Getafe 29, Granada 28, Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 24, Real Saragoza 18.

 
Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 09:31

Zhoze Murinjo, si gjithmonë kur sheh se po fiton pa probleme, ka preferuar të përdorë ironinë për të komentuar vendimet e dyshimta në favor të skuadrës së tij në ndeshjen e fituar 3-2 përballë Betis. “Isha shumë larg zonës për të thënë diçka rreth prekjeve të topit me dorë. Praktikisht nuk arrita të shoh as golin e dytë të Betis”, tha ai. 

Megjithatë, ai pranoi se kundërshtari meritonte më shumë gjatë kësaj sfide. “Në disa raste është më mirë të jesh më mbrojtës dhe të kesh më shumë kontrollin e ndeshjes, por asnjë prej skuadrave nuk e kontrolloi këtë ndeshje. Rezultati 3-2 ishte i padrejtë pasi barazimi dukej rezultati më i drejtë për këtë sfidë. Sigurisht që jam më i kënaqur me 3 pikët, por ata meritonin diçka më shumë”, tha Murinjo.

Më pas ai i ka dërguar një tjetër mesazh thumbues Pep Guardiolës. “Reagimi i Guardiolës mu duk normal. Ajo që them gjithmonë është se jam i mbushur me defekte që të gjithë i njohin mirë. Nuk i fsheh as defektet, as gabimet e mia. Të tjerët janë më inteligjentë se unë. Si person joperfekt që jam, nëse e shoh diçka që nuk më pëlqen, e them. Të tjerët përdorin persona të tretë”, tha ai duke vazhduar debatin në distancë me trajnerin e katalanasve.

Si për të shtuar polemikat pas kësaj fitoreje me vendime të dyshimta të gjyqtarëve dhe faktin që të gjithë i akuzojnë ata për favorizim të Realit, Murinjo nuk ka ngurruar të falënderojë “xhaketat e zeza” për punën e mirë që kishin bërë. “Ata ishin të shkëlqyer, iu përshtatën filozofisë së lojës me dy skuadra që donin të sulmonin. Futbolli është për t’u luajtur dhe jo për t’u kthyer në vërshëllima”, deklaroi Murinjo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 00:23

Reali i Madridit vazhdon i qetë rrugën drejt titullit kampion falë fitoreve të njëpasnjëshme, por edhe falë ndihmave që i vijnë nga “xhaketat e zeza”. Në takimin e vështirë të radhës ndaj Betis, madrilenët duhet të falënderojnë gjyqtarin që nuk ndëshkoi Kaka me karton të kuq, si dhe nuk dha dy penallti në favor të ekipit vendas, ku fillimisht ishte Ksabi Alonso që preku topin me dorë në zonë kur ndeshja ishte në rezultatin 2-2, ndërsa në minutën e fundi shtesë të takimit ishte Serxho Ramos që përsëriti të njëjtin veprim pa u ndëshkuar. 

Këto polemika duket se kalojnë në plan të dytë faktin se Reali po luan bukur dhe mund të triumfojë edhe pa ndihmat e gjyqtarëve. Reparti ofensiv i madrilenëve është i admirueshëm për rastet që krijon dhe për konkretizimin e tyre. Në këtë ndeshje, Higuain shënoi golin e barazimit 1-1, ndërsa fitoren 3-2 skuadrës ia dha Kristiano Ronaldo me dygolëshin e tij.

Por ndihma e gjyqtarëve shihet aty ku është edhe pika e dobët e madrilenëve, në mbrojtje. Shpesh gabimet e prapavijës mbulohen nga vendime të diskutueshme të gjyqtarëve, të cilët kanë falur disa herë radhazi ndërhyrjet e ashpra të lojtarëve të Murinjos, apo nuk kanë akorduar penallti kundër tyre, ashtu siç ndodhi ndaj Betis. (LajmeShqip.com)