Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 00:04

Reali i Madridit fiton në mënyrë spektakolare përballë Espanjolit, duke i shënuar 5 herë skuadrës së Poketinos në një ndeshje të dominuar nga minuta e parë në të fundit.

Gjithçka ka qenë e lehtë për madrilenët që kanë gjetur golin e avantazhit me Kristiano Ronaldon që në minutën e 23-të. Më pas ishte Kedira që dyfishoi shifrat për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin e dyfishtë për skuadrën e Murinjos.

Ky i fundit u detyrua të bënte një ndryshim në fillimin e pjesës së dytë, pasi publiku i “Santiago Bernabeu” filloi të vërshëllente kundër Rikardo Karvajos sepse ai po zhvillonte një ndeshje të dobët. Si rrjedhojë, portugezi u detyrua ta nxirrte nga fusha e lojës për të aktivizuar Varane në vend të tij.

Megjithatë Reali vazhdon të dominojë dhe në pjesën e dytë ku protagonistë bëhen Rikardo Kaka dhe Gonzalo Higuain. Argjentinasi shënon dy gola falë pasimeve të brazilianit, ndërsa edhe ky i fundit gjen rrugën e rrjetës falë një pasimi të sulmuesit.

Me këtë fitore të thjeshtë, Reali mbetet 10 pikë para Barcelonës ndërsa ka shënuar një numër të pabesueshëm golash në 25 javët e para të kampionatit, plot 85 të tillë, ndërsa ka një golavarazh +64. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Saragoza-Vijareal                      2-1

Atletik Bilbao-Real Sociedad    2-0

Granada-Valencia                     0-1

Real Madrid-Espanjol              5-0

Renditja

Real Madrid 67, Barcelona 57, Valencia 43, Malaga 37, Atletik Bilbao 37, Levante 35,  Osasuna 35, Rajo Vajekano 34, Sevilja 33, Atletiko Madrid 33, Espanjol 33, Real Sociedad 30, Real Betis 30, Getafe 29, Majorka 29, Granada 28, Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 21, Saragoza 18.

 
Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 10:08

Qendërmbrojtësi i Barcelonës Xherard Pike, u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e parë të pjesë së dytë të ndeshjes kundër Sporting Gijon pas një faulli ndaj De las Kuevas. Po sipas vetë futbollistit, vendimi ka qenë krejtësisht i padrejtë dhe i pamerituar ndërsa mendon se gjyqtari i ndeshjes ka vepruar në mënyrë të tillë me paramendim.

“Gjatë pushimit të ndeshjes i thashë gjyqtarit që kishte një penallti për shtyrje ndaj Keita dhe ai duket e mbajti mend. Unë ndjej se ai ka vepruar me paramendim për të më përjashtuar”, ishin fjalët e futbollistit pas përfundimit të ndeshjes.

Katalanasit kanë protestuar herë pas here për vendimet e gjyqtarit, i cili u mohoi atyre 3 penallti gjatë ndeshjes. Megjithatë, trajneri i katalanasve, Pep Guardiola, nuk ka dashur të bëjë polemika për gjykimin e ndeshjes dhe këtë rast në veçanti.

“Pike ishte lojtari i fundit. Nëse gjyqtari sinjalizoi për faull, do të thotë se e ka parë si të tillë”, komentoi shkurtimisht trajneri i Barcelonës, i cili ka bërë të qartë se nuk do të flasë më për gjyqtarët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 March 2012 23:45

Ndonëse Pep Guardiola vazhdon të deklarojë se gjyqtarët nuk bëjnë diferencën në kampionatin spanjoll, skuadra e tij është dashur të djersijë përsëri për shkak të gabimeve të xhaketave të zeza. Në fitoren 3-1 ndaj Gijon, Barcelona ka vuajtur shumë për të marrë tri pikët edhe për faktin se ka mbetur me 10 lojtarë në mënyrë të padrejtë si dhe i janë mohuar tre 11-metërsha. 

Në radhët e katalanasve mungonin Mesi dhe Buskets, por goditja më e rëndë kësaj skuadre i erdhi kur gjyqtari i ndeshjes ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Pike, në minutën e 46 ndonëse faulli ndaj De las Kuevas ishte i diskutueshëm. Fatmirësisht për katalanasit, Iniesta i kishte dhënë avantazhin skuadrës së tij në minutat e fundit të pjesës së parë.

Por Gijon kundërpërgjigjet në fillimin e pjesës së dytë me Barral dhe bën më të vështirë punën e Barcelonës. Katalanasit provojnë në të gjitha mënyrat të rigjejnë avantazhin dhe e arrijnë atë vetëm në minutën e 78-të me anë të Keita, i cili nga jashtë zonës gjen të papërgatitur portierin kundërshtar.

Vulën takimit ia vë Ksavi vetëm 3 minuta para fundit me një gol mjaft të bukur, duke marrë 3 pikë të rëndësishme dhe duke shpresuar që kushërinjtë e Espanjol t’i bëjnë një nder duke ndalur nesër Real Madrid. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Getafe-Malaga             1-3

Majorka-Osasuna        1-1

Rajo Vajekano-Racing 4-2

Barcelona-Gijon           3-1

Renditja

Real Madrid 64, Barcelona 57, Valencia 40, Malaga 37, Levante 35, Atletik Bilbao 34, Osasuna 35, Rajo Vajekano 34, Espanjol 33, Atletiko Madrid 32, Sevilja 32, Real Sociedad 30, Real Betis 30, Getafe 29, Majorka 29, Granada 28, Vijareal 27, Racing Santander 24, Gijon 21, Saragoza 15.