Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 19:39

Problemet në ndeshjen Rajo Vajekano-Real Madrid, kanë nxjerrë edhe një herë në plan të parë gjykimin me dy standarde që bëhet në favor të skuadrave të mëdha në Spanjë.

Sulmuesi i Rajo, Piti, ka deklaruar për “Radio Marca” se ishte e padrejtë mënyra se si skuadra e tij ishte trajtuar nga gjyqtari Fernandez Borbalan, i cili injoronte plotësisht ndërhyrjet e rënda të madrilenëve.

“Gjyqtarët duket se kanë frikë t’i nxjerrin karton një lojtari të Real Madrid. Kjo është e padrejtë pasi atyre u lejohet të godasin me shkelma dhe bërryla”.

“Ndoshta kështu është mënyra se si luan Pepe, por e vërteta është që gjyqtarët duhet të mendojnë pak edhe për lojtarët e tjerë që janë në fushë dhe që dëmtohen nga ndërhyrje të tilla. Ata nuk duhet të falin kaq shumë ndërhyrje për karton”, ishte deklarata e sulmuesit i cili pësoi një faull të rëndë pikërisht nga Pepe gjatë takimit të së dielës.

Një faull i tillë nuk u ndëshkua as me goditje dënimi nga gjyqtari, ndërsa për një ndërhyrje të thjeshtë, u largua me karton të kuq Miçu. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 09:02

Lionel Mesi vazhdon të tregojë pse për të tretin vit radhazi është zgjedhur lojtari më i mirë në botë. Futbollisti argjentinas ka qenë protagonisti absolut i fitores së vështirë 2-1 të Barcelonës në fushën e Atletiko Madrid. 

Prej këmbëve të “Pleshtit” nisi aksioni i golit të Dani Alvesh në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa vendasit barazuan me anë të Radamel Falkao në fillimin e pjesës së dytë.

Kur dukej se Barcelona po shkonte drejt një tjetër barazimi dhe po i jepte lamtumirën përfundimisht kampionatit, Mesi ka treguar edhe një herë gjenialitetin e tij. Në minutën e 81-të, ai ka ekzekutuar me zgjuarsi një goditje dënimi, duke gjetur të papërgatitur si murin e mbrojtësve, ashtu edhe portierin kundërshtar, për t’i dhënë suksesin 2-1 Barcelonës në një ndeshje shumë të vështirë. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Vijareal-A. Bilbao              2-2

R. Vajekano-R. Madrid    0-1

Osasuna-Granada             2-1

Real Sociedad-Majorka    1-0

Valencia-Sevilja                 1-2

A. Madrid-Barcelona        1-2

Renditja

Real Madrid 64, Barcelona 54, Valencia 40, Levante 35, Atletik Bilbao 34, Malaga 34, Osasuna 34, Espanjol 33, Atletiko Madrid 32, Sevilja 32, Rajo Vajekano 31, Real Sociedad 30, Real Betis 30, Getafe 29, Majorka 28, Granada 28,  Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 21, Saragoza 15.

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 18:23

Reali i Madridit vazhdon i qetë rrugën drejt titullit kampion, duke regjistruar një tjetër fitore dhe i ndërgjegjshëm që për momentin edhe vërshëllimat e gjyqtarëve janë në favor të madrilenëve. Fitorja minimale 1-0 në fushën e Rajo Vajekanos ka patur dy protagonistë, Kristiano Ronaldon që ka shënuar me thembër golin e fitores dhe gjyqtarin e takimit që ka gabuar thuajse gjithçka në favor të madrilenëve. 

Në fakt, Reali duhej të ishte në inferioritet numerik që në minutën e 19-të të sfidës, kur Serxho Ramos godet me bërryl në zonë Diego Kostan. Të gjithë presin kartonin e kuq dhe penallti në favor të Rajos, por nuk është i të njëjtit mendim gjyqtari Fernandez Borbalan, i cili injoron krejtësisht ngjarjen.

Për më tepër, ai favorizon dukshëm madrilenët edhe në raste të tjera, ku nuk përjashtohet ndërhyrja e radhës e Pepes që kalon pa u ndëshkuar. Në të njëjtën kohë, Borbalan largon me karton të kuq Miçu për faull ndaj Kediras, ndërsa pamjet filmike tregojnë se lojtari i Rajos nuk e ka prekur mesfushorin gjerman.

E vetmja gjë e bukur që mund të shpëtohet nga ndeshja “me ndihmë” e Realit është goli i Kristiano Ronaldos në minutën e 54-t, pasi portugezi arriti të dërgonte topin në rrjetë me një prekje me thembër. Pjesa tjetër e ndeshjes është për t’u harruar dhe madrilenët duhet t’i falën Kazijas që tregohet vendimtar në disa momente duke siguruar fitoren e skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 09:35

Reali i Madridit dhe Barcelona i kanë ndarë prej kohësh dy vendet e para në klasifikimin e kampionatit spanjoll, por ky turne po përjeton dhe një luftë të ethshme për vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në Kupat e Evropës, sidomos në Ligën e Kampioneve.

Nëse Valencia është disi e shkëputur në vendin e tretë, rivaliteti për vendin e katërt është aq i fortë dhe tabela është aq e ngjeshur sa vetëm 11 pikë ndajnë vendin e katërt nga vendi i 18-të që sjell rënien nga kategoria.

Aktualisht, në vendin e katërt të renditjes është Levante që ka arritur të fitojë pas 9 ndeshjesh radhazi në të cilat nuk arrinte të merrte tri pikët e plota. Skuadra e dytë e qytetit të Valencias ka fituar 2-1 në fushën e një prej rivalëve direkt, Espanjolit, falë një goli të Rubën në minutën e 90-të, për t’u ngjitur në kuotën e 35 pikëve, ndërsa Espanjol mbetet në kuotën e 33 pikëve.

Një hap para në renditje ka bërë edhe Malaga falë fitores 5-1 ndaj Saragozës dhe tashmë mban vendin e 5-të në renditjen e kampionatit duke qenë pretendonte direkte për kualifikimin në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Santander-Gijon       1-1

Betis-Getafe              1-1      

Malaga-Saragoza      5-1

Espanjol-Levante     1-2

Sot

Vijareal-A. Bilbao              12:00

R. Vajekano-R. Madrid     16:00

Valencia-Sevilja                  18:00

Osasuna-Granada              18:00

R. Sociedad-Majorka          18:00

A. Madrid-Barcelona           21:30

Renditja

Real Madrid 61, Barcelona 51, Valencia 40, Levante 35, Malaga 34, A. Bilbao 33, Espanjol 33, A. Madrid 32, Rajo Vajekano 31, Osasuna 31, Betis 30, Sevilja 29, Getafe 29, Majorka 28, Granada 28, Real Sociedad 27, Vijareal 26, Racing Santander 24, Sporting Gijon 21, Real Saragoza 15.