Lajme Shqip Thursday, 19 June 2014 15:00

Pas akuzave të ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka, se djali i deputetes Luiza Xhuvani po gjuan me armë në Lazarat, kjo e fundit i ka telefonuar menjëherë të birit dhe ka dalë për ta pritur në hyrje të Kuvendit, për të vërtetuar se ai ndodhet në Tiranë dhe nuk ka asnjë lidhje me të shtënat e grupit kriminal kundrejt Policisë së Shtetit. 

Gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se mes të rinjve që po qëllojnë në Lazarat është edhe djali i deputetes së PS-së, Luiza Xhuvani. 

“Pse i lajmëruat trafikantët të largohen?! Atje po gjuan djali i Luiza Xhuvani. Nëse nuk ka qenë, sille djalin për 30 minuta këtu dhe ti kërkojmë ndjesë”, tha Noka. 

Ndërkohë deputetja Xhuvani deklaroi se djali i saj nuk ka asnjë lidhje me akuzat:

 “Nën përgjegjësinë dhe moralin tim, i bëj thirrje deputeteve, Flamur Nokës, i cili ka informacione, që të vijë tani në shtëpinë time dhe nëse se gjejmë atë në shtëpi, unë nuk futem më në Parlament. Aman nëse është, duhet të më kërkoni të gjithë falje publike. Im bir s’ka lidhje me këtë çështje”, tha deputetja Xhuvani. 

Pak minuta më vonë, Kostandin Xhuvani (djali i deputetes), ka zbritur nga një automjet dhe pasi ka takuar nënën e tij, në praninë e kamerave, është larguar sërish. 

Dy ditë më parë, në një lidhje telefonike në ‘Neës24’, Kostandin Xhuvani deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e ndodhura në Lazarat, duke theksuar se ka prova që vërtetojnë se ai ka qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe në kryeqytet. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pasi, emri i djalit të deputetes Luiza Xhuvani u përfshi në listën e personave që sipas policisë, kanë qëlluar me armë në drejtim të efektivëve në Lazarat. Sipas Xhuvanit, emri i tij në listë mund të jetë përfshirë gabimisht. 

“Unë kur e pashë emrin u shqetësova. Nuk e kuptova pse ndodhi. Si tifoz i sportit kam qenë duke parë ndeshjen në një lokal tek ‘Piazza’, në një ambient me kamera. Kam luajtur edhe një skedinë. Edhe sot jam në shtëpi. Nuk e di fare për çfarë ndodhi kjo. Mbase është një lapsus, një gabim. Por unë nuk kam lidhje me këtë histori do tu lutesha mos të më përmendnin. Nuk kam asnjë lidhje me Lazaratin. Nuk më lidh asgjë me atë vend aty. Nuk kam përse të paraqitem në komisariat. Kam prova që jam këtu në Tiranë. Besoj do jetë ndonjë ngatërresë, apo gabim nuk e di. Unë nuk kam lidhje fare me emrin në listë dhe as me Lazaratin. Kam venë skedinë rreth orës 4 të drekës, e kam dhe skedinën me vete, rreth orës 10:00 të mbrëmjes se djeshme kam qenë tek ‘Piazza’ në një lokal që ka kamera. Është thjesht një gabim. Nuk kam të bëj fare me Lazaratin apo Gjirokastrën. Nuk njoh askënd atje”, deklaroi Kostandin Xhuvani.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 10 April 2014 14:09

Kryeministri Edi Rama thekson se shifrat e publikuara për borxhin e paregjistruar janë reale, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës së janë trillime dhe të falsifikuara. Në seancën e sotme parlamentare, kreu i qeverisë theksoi se të ardhurat në vend kanë regjistruar rritje, dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e konsumit. Sipas Ramës, këto zhvillime janë vlerësuar edhe nga FMN dhe Banka Botërore, të cilët besuan qeverinë Rama duke nënshkruan marrëveshjen e kredisë.

 
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate lidhur me programin e Kuvendit për periudhën 14 prill-23 maj.

Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi akuzoi parlamentin për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, duke iu referuar vendimit për shkarkimin e ish-kreut të ILDKP.
 
“I kemi bërë të qarta shkeljet e ligjit dhe Kushtetues në këtë parlament. Të anulojë vendimin e datës 20 shkurt që shkarkoi kreun e institucionit që kontrollon politikanët.
Sulmi ndaj ILDKP, zaptimi i këtij institucioni dhe marrja e të gjithë pushteteve në një dorë po e çon në udhëkryq demokracinë në këtë vend”, tha Halimi.

Më tej, Halimi, akuzoi qeverinë se nuk ofron konsensusin për reformën territoriale, ndërsa tha se veprohet ndryshe nga sa i premtohet partnerëve ndërkombëtarë edhe për reformën në drejtësi.
 
“Ndërkombëtarët i thonë Ramës bashkëpuno me opozitën, ndërsa ata nuk ofrojnë konsensusin për reformën territoriale. Por thonë i kemi votat. Nëse e kanë seriozisht reformën në drejtësi le të bashkëpunojnë me opozitën, dhe jo sa për sy e faqe para partnerëve ndërkombëtarë”, tha Halimi.

ORA 13:40 MIMI KODHELI: QEVERIA BERISHA KEQPËRDORI INSTITUCIONIN E PRESIDENCËS
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli akuzoi opozitën për shkelje të Kushtetues, dhe keqpërdorim të institucionit të Presidencës, duke u shprehur se qeveria Rama-Meta nuk e ka bërë këtë. Ndërkaq, ministrja Kodheli tha se institucioni që ajo drejton po harton një strategji të re të mbrojtjes.
 
“Kur erdha në detyrë si ministre, Shqipëria kishte 4 vjet në NATO, për në dokumentin strategjik lexova “Synimi ynë është të bëhemi anëtarë të NATO-s. Mendoj se ka ardhur koha të nderuar politikanë të reflektoni. Ne po hartojmë një strategji të re të mbrojtjes që duhet të ishte hartuar nga ju sapo vendi i anëtarësua në NATO.
Ju në jo pak raste keni shkelur Kushtetutën, dhe keni keqpërdorur institucionin e presidencës. Ju keni prekur përgjegjësitë e presidentit dhe sot na thoni ne. Nuk preket e drejta kushtetuese e presidentit”, tha ministrja Kodheli.

ORA 13:30 TOPALLI: KALENDARI JUAJ NUK KA ASNJË REFORMË, ËSHTË RRITUR PAPUNËSIA
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se qeveria “Rama” ka dështuar në të gjithë fushat dhe i bëri thirrje për të disatën herë të mos merret me shifra pasi “bëhesh qesharak, bëj më mirë ndonjë pikturë se do të jesh i suksesshëm”, tha Topalli. Kalendari i qeverisë, vijoi Topalli nuk ka asnjë projekt për reforma, për punësim,për sigurisë e bizneseve por vetëm për rritjen e taksave”. 

Sot shtoi Topalli, “shqiptarët janë më të varfër dhe dalin në mediat e huaja vetëm për drogë”. “Arrogancë jo vetëm me ligjet por edhe me partnerët dhe të huajt”, vijoi ish-kryetarja e Kuvendit.

ORA 13:10 RAMA: VENDI KA NEVOJË PËR REFORMA RRËNJËSORE, OPOZITA MOS BËHET QESHARAKE
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për ulje të të ardhurave, duke theksuar se në 6 muajt e qeverisjes PS-LSI janë ulur taksat për 97% të shqiptarëve dhe është rritur konsumi. Kreu i qeverisë theksoi se vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Duke u ndalur tek situata me borxhin, Rama tha se shifrat janë reale.
 
“Opozita të mos bëhet qesharake, pro të kthehet në realitet. Jemi këtu për të prodhuar më shumë ligjshmëri. Vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Të ardhurat janë rritur vërtet në 6-mujorin e fundit. Taksat janë ulur, nuk janë rritur siç thoni ju. Shqiptarët e dinë se taksat janë ulur. Konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët është rritur. Dhe kjo vjen në sajë të rritjes së fuqisë blerëse. Nga ana tjetër kreditë e këqija i latë në gjendje alarmante. Kreditë e këqija erdhën si rezultat i bllokimit që i bëtë ju ekonomisë. Mirë ne, po si mundet FMN dhe BB të njohin një shifër që nuk qenka reale, siç thoni ju. Jo, ato nuk gabojnë në këtë pikë. Nga ana tjetër flisni për energjinë, e diskutoni, duke pretenduar se keni bërë sukses në këtë sektor. Edhe pse e keni lënë vendin në situatë katastrofike”, tha kryeministri Rama.

ORA 12:45 BERISHA: RRITËT 21 TAKSA, PO VARFËRONI QYTETARËT
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka rritur 21 taksa, duke rritur nivelin e varfërisë në vend.
 
“Rritet 21 taksa dhe tarifa të cilat po i shtyjnë të varfrit çdo ditë e më tepër në mjerim. Energjinë drejton një njeri qe thotë se në 8 vite nuk është investuar një qindarkë në shpërndarje. Por gabohet. Kjo do të thotë se ai nuk di se është shpërndarja, prodhimi, transmetimi, por di vetëm të vjedhë”, u shpreh Berisha.

ORA 12:35 GJIKNURI-BERISHËS: KRIJOVE NJË KUFOME ENERGJETIKE, JO SUPERFUQI
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se me “politikat për superfuqi energjetike, ka shkaktuar një kufomë energjetike”.
 
“Për shkak të politikave të tua për një superfuqi energjetike, krijove një kufomë energjetike, krijove dëme në energjetikë që duhet t’i paguajnë shqiptarët. Ndoqët politika të gabuara në energjie. Do të liberalizojmë tregun. Duhet edhe t’i kërkoni ndjesë publikut për situatën e krijuar”, tha Gjiknuri.

12:25 BERISHA: MASHTRONI NË MËNYRË MONSTRUOZE PËR BORXHIN E PAREGJISTRUAR
Në replikë, ish-kryeministri Berisha tha se mazhoranca PS-LSI mashtron me shifrat e publikuara sa i takon borxhit të paregjistruar, apo të ardhurave.
 
“Nëse ka shqiptar që beson se numri i turistëve dhe vizitorëve në muajt korrik, gusht, shtator ka qenë më i ulët se në muajt prill, maj, qershor, statistikat tuaja janë më të besueshmet në botë. Por një njeri me minimumin e intelektit nuk do t’i besojë diçkaje të tillë. Ju po falsifikoni, neve si kundërshtarë vetëm lehtësira na krijoni. Keni mashtruar në mënyrë monstruoze për borxhin e paregjistruar 720 milionë, dhe mbi të ndërtuar piramidën, e quajtët të përligjur nga FMN. Ky është një mashtrim total. Deklaroni se keni të ardhura më shumë. Por nuk është e vërtetë”, tha Berisha.

12:20 BRAÇE: QEVERIA BERISHA, PËRGJEGJËSE PËR NGADALËSIMIN E RRITJES EKONOMIKE
Deputeti i PS-së Erjon Braçe akuzoi qeverinë Berisha për ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit, duke u ndalur edhe tek borxhi i paregjistruar.
 
“Përgjegjësi për ngadalësimin e rritjes ekonomike të këtij vendi, dalin këtu dhe kërkojnë llogari për dëmin që i kanë shkaktuar ekonomisë së këtij vendi. Është e vërtetë që raporti FMN vëren ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike për 2013, por për këtë kanë folur edhe në vitet e kaluara. Është fare e qartë se çfarë ka ndodhur në të katër tremujorët e 2013. si mund të flasësh për borxh të paregjistruar, kur ti je përgjegjësi, i zhyte kompanitë në vështirësi, dhe nuk u paguan. E ke lënë Shqipërinë kantier ndërtimi nga viti 2008”, tha Braçe.

ORA 12:15, BERISHA: AMNISTI PËR FATURAT E ENERGJISË PËR FAMILJET ME NDIHMË SOCIALE DHE PESNIONISTËT
 Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi në parlament që qeveria t’i jap amnisti për energjinë gjithë familjeve që mbahen me ndihmën sociale dhe shtresën e pensionistëve pasi ata “as tani dhe as pas 5 vitesh nuk do të mund të pagujnë faturat e energjisë.”
 
Ndërsa hodhi poshtë akuzat e ministrit të Energjetikës dhe të Industrisë, Damian Gjiknuri se në 8 vite nuk ishte investuar në sektorin e energjisë, Berisha u shpreh se qeveria e majtë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
 
“Gjinkuri tha se në 8 vite nuk është investuar në energji. Kjo është e pavërtetë. Ju çdo gjë e bazoni në një model të sajuar nga ju vetë, që nuk ekziston. Vetëm në transmetim janë investuar në 8 vite 800 mln euro”, tha Berisha.

“Tani duhet të ndërtohen hidrocentralet jo të përzihen investitorët që ata të vjedhin nëpërmjet importit të energjisë një shtet që shkel kontrata është një shtet zuzar”, vijoi ai.

 ORA 11:50 POLLO: QEVERIA SULMON INSTITUCIONET E PAVARURA
Deputeti Genc Polli është ndalur tek rasti i shkarkimit të titullares së ILDKP, duke e quajtur të paligjshëm këtë veprim. Ndërsa ka akuzuar qeverinë se po sulmon institucionet e pavarura
 
“Qeveria ka sulmuar institucionet e pavarura, për të kapur domenin, për të sulmuar opozitën. Që nga 20 shkurti, shumica në mënyrë të paligjshme ka shkarkuar titullarin e ILDKP. Ne kemi dorëzuar padi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është një situatë normale në parlament”, tha Pollo./Shqiptarja/

 
Lajme Shqip Thursday, 03 April 2014 12:26

Administrata e Kuvendit ka hequr nga salla kompjuterët e vendosura mbi tavolinat e deputetëve. Heqja e kompjuterave është bërë me kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste.

Vendosja e këtyre kompjuterave u bë me iniciativë të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Edhe pse prokurimi për blerjen e tyre u bë në vitin 2012, ata u vendosën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Heqja e kompjuterave të vendosur nga Topalli do të bëhet për arsye estetike por edhe për arsye praktike pasi bllokonin pamjen vizuale për deputetët. Administrata e Kuvendit bën me dije se ata do të zëvendësohen.

Ndërkohë, opozita ka braktisur punimet e Kuvendit duke vazhduar kështu “marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin”. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi u shpreh se, grupi demokrat do të rikthehet në sallë kur të diskutohet për marrëveshjen me FMN-në.

 
Lajme Shqip Saturday, 08 March 2014 18:05

Ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim, Parlamenti i Shqipërisë ka çelur sot dyert me rastin e festës së 8 Marsit për gratë deputete nga të gjithë trevat shqiptare. Për herë të parë deputetet e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, janë bërë bashkë në një seancë të posaçme në Kuvend, duke vënë theksin tek “Sfidat e gruas në mijëvjeçarin e tretë”.

Në fjalën e hapjes së seancës së posaçme, deputetja e PD-së Mesila Doda, u ndal tek arritjet e bëra deri më tani në kuadër të emancipimit, ndërsa theksoi se ka ende punë për të bërë. Ndërkaq, Doda tha se “Parlamenti ynë ka hasur vështirësi në këto 6 muaj. 6 gra kanë dhënë dorëheqjen”.

“Së bashku me grupimin e aleancës së deputeteve shqiptare kemi vendosur të kemi një seancë plenare ndryshe. Papabarazinë ne e lindim dhe shpesh e rrisim vetë. Shumë prej nesh janë nëna të vajzave që sot duhet t’i mësojmë që t’i japim kurajo atyre në një botë të padrejtë. Sot ne kemi në dorë të bëjmë diçka për to. Ne mund të nisim lëvizjen e gruas shqiptare dhe mund të startojmë një forum të ri të përbashkët të gruas”, tha Doda.
Ndërsa Zëvendës kryeministrja e Kosovës, vuri theksin në rëndësinë emancipimit të figurës së gruar dhe rritjes së përfaqësimit të saj në jetën politike e shoqërore të vendit.
“Sot gratë kanë arritur disa nga qëllimet, jemi në qeveri, parlament, organizata joqeveritare. Por këto nuk janë të mjaftueshme, ka ende shumë punë për të bërë. Dhe duhet të ndodhin shumë transformime demokratike, në mënyrë që pozita e gruas të shkojë aty ku duhet. Potenciali i grave nuk është ende i shfrytëzuar si duhet, kemi shumë për të dhënë. Fuqizimi i kombit shqiptar dhe grave duhet të shkojnë paralelisht”, tha Edita Tahiri.

Në këtë aktivitet që është organizuar nga “Aleanca e Grave Deputete”, e drejtuar nga demokratja Mesila Doda, marrin pjesë rreth 20 deputete femra nga Republika e Kosovës, 7 deputete nga Maqedonia, ndërsa pjesa tjetër janë parlamentaret e Kuvendit të Shqipërisë.
Me rastin e festës së gruas janë parashikuar edhe aktivitete të tjera pas kësaj seance, si pjesëmarrja në një koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Aleanca e Grave Deputete ku marrin pjesë parlamentaret e PS-së, PD-së dhe LSI-së u konstituua në tetor të vitit që shkoi. /shqiptarja/

 

 
Lajme Shqip Sunday, 29 December 2013 14:11

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias ku u diskutua mbi rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedive në Kuvend. 

Kryetari i Kuvendit ka falënderuar përfaqësuesit e media për punën dhe angazhimin e tyre për të pasqyruar punimet e Kuvendit në mënyrë të vazhdueshme. Meta theksoi se puna e medias i shërben transparencës dhe është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit.

“Dua t’iu falënderoj për punën dhe angazhimin tuaj për të pasqyruar punimet e kuvendit në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm të seancave plenare por edhe të komisioneve të përhershme, edhe të grupeve të ndryshme parlamentare dhe të gjithë aktiviteteve që kanë të bëjnë me Kuvendin, me rolin dhe përgjegjësitë e tij. Sepse është në shërbim të transparencës. Është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit”, u shpreh ai.

“Njëkohësisht duke qenë se në kuadër të angazhimeve për një përmirësim të mëtejshëm të këtij raporti dhe të një sanksionimi sa më demokratik, por njëkohësisht edhe funksional të kësaj marrëdhënieje, në kuadër të projekt-rregulloreje për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmediave pranë Kuvendit të Shqipërisë gjykuam për të bërë këtë takim në mënyrë që edhe ju të jepni mendimet tuaja bazuar nga eksperienca e deritanishme e komunikimit me Kuvendin dhe zhvillimit të punimeve apo aktiviteteve të tij”, vijoi Kryetari i Kuvendit.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, foli për projekt-rregulloren që do të trajtojë në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias.

“Transparenca e veprimtarisë parlamentare është një nga elementët më të rëndësishëm, që është theksuar në raportet ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe në raport-progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2013. Pikërisht në vijim të këtyre përcaktime të rëndësishme, Kuvendi bazuar edhe në rregulloren e tij mendoi që të hartonte një rregullore e cila duhet të trajtonte në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias”, tha  Shtylla.

Sakaq, ajo theksoi se në bazë të rregullores së Kuvendit dhe në Kushtetutë është parashikuar që Kuvendi e ka veprimtarinë e tij të hapur, çka do të thotë që ai duhet të përcillet me mesazhet e tij, por njëkohësisht edhe me praninë e tij te publiku i gjerë.

“Pikërisht bazuar në këto përcaktime është mbështetur edhe formulimi i dispozitave të rregullores, janë mbështetur mbi parimin e transparencës, mbi parimin e të drejtës së informimit dhe mbi parimin e veprimtarive të hapura për publikun të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo çfarë ne kemi trajtuar në mënyrë të përmbledhur në këtë rregullore janë procedurat e akreditimit të masmedias. Juve besoj jeni prej vitesh në Kuvend, keni kaluar nëpër procedura të ndryshme përsa i përket akreditimit, këto procedura do të jenë të qartësuar në një projekt-rregullore, e cila do të trajtojë pikërisht organet dhe personat që kanë të drejtë të akreditohen”, u shpreh ndër të tjerash Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e medias të pranishme në këtë takim kanë dhënë sugjerimet e tyre për projekt-rregullore dhe kanë shkëmbyer mendimet me stafin e Kuvendit. Në fund, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, siguroi përfaqësuesit e medias se të gjitha sugjerimet e tyre do të reflektohen në draftin final./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 03 October 2013 12:43

Tiranë- “Nëpunësi Civil” është bërë shkak që opozita të braktisë punimet e seancës së sotme plenare, duke mos u bërë pjesë e rendit të ditës. PD konsideroi se zbatimi i ligjit per “Nepunesin Civil” u shty me vendim qeverie me qëllim spastrimin e administratës.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka duke folur në emër të opozitës, nga foltorja e Kuvendit akuzoi Ramën për hedhje në erë të konsensusit të arritur, duke shtyrë me 6 muaj zbatimin e ligjit për nëpunësin civil.

Sipas Palokës, Rama dhe Koco gjejnë kohë të ndajnë sinoret, ‘unë mora bjonden, ti merr brunen’. Këto janë pazaret që rëndojnë sot në kurriz të shqiptarëve. Rama është një personazh pjellë e konfliktit, ai vetëm ka llogaritur interesat e tij, edhe kur ato kanë qenë me pasoja të renda për shqiptaret.

“Ju keni vendosur që jashtëqitjen e Ramës në qeveri ta kaloni për ta përmjerë këtu në Parlament. Do ta bëni, se as kjo e as marrja me qira e blerja e deputeteve nuk e zgjidh problemin”- tha Paloka.

BERISHA: AKTI NORMATIV, AKTI MË I RËNDË NË EKZISTENCËN E PLURALIZMIT
Në një deklaratë për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, ish-kryeministri, deputeti i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën për shkelmim të konsensusit, si aktin me të rëndë në 23 vite të pluralizimit shqiptar.

“Në historinë 23 vjeçare të marrëdhënieve të forcave të mëdha politike, ky është akti më i rëndë në tërë ekzistencën e pruralizmit, të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e vështira demokratike në Shqipëri, por në tërësi të suksesshme e kanë të qartë se këto zhvillime kanë pasur në bazë, kushtetutën dhe konsensusin. Në doktrinën kushtetuese, konsensusi ka vlerën e normës kushtetuese. Konsensusi ka rëndësinë e një norme të çmuar të Kushtetutës, pavarësisht nga kundërshtitë madhore të forcave politike ajo është nderuar. Shumë më serioze se kjo e tanishmja, me një vullnet të verbër armiqësi të egër të opozitës qeveria e cila është gjithmonë në cdo rast përfituese në 60% për cdo ligj që miratohet, shkelmon me harbutëri konsensusin me opozitën. Çon në zero ashtu sic do bashkëkryetari i mazhorancës marrëdhëniet me opozitën. Ky është fillim problematik, akt i rrezikshëm. Shkelja e konsensusit, gabim fatal për historinë e Shqipërisë. Por aktet që vijnë pas janë të paparashikueshme, nëse shkelmon konsensusin ti i pret asaj cdo mundësi që të merreshe vesh me të. Ata që bën këtë veprim nuk duhet ta ndërmerrnin kurrë, ne kishim të garantuar statusin e vendin kandidat, duhet të luftonin për hapjen e negociatave në dhjetor, por nëse ecet me këtë vullnet të ligë për të cuar vendin drejt stabilizimit, se ti pret urat me opozitën, por bën gabimin fatal”- tha Berisha.

I pyetur në në lidhje me hapat e mëtjeshëm të opozitës, ish-kryeministri Berisha tha: “Zoti Berisha është thjesht një deputet dhe anëtar i PD-së dhe unë do të mbështes të gjitha vendimet e opozitës, por vendimet e krerëve të opozitës janë njëra anë, shkelja e konsensusit është gabim fatal”.

Një dite më parë, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se me vendimin për shtyrjen e ligjit të nëpunësit civil, u minua konsensusi i arritur dhe këtë opozita nuk mund ta tolerojë.

 
Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 16:28

Raporti periodik “Unë Votoj” për periudhën shtator 2009- maj 2013, i financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) dhe realizuar nga Lëvizja Mjaft, evidenton se gjatë legjislaturës 2009-2013 janë kryer 214 shkelje të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë sa i përket: etikës parlamentare, votimit për kolegun, mos respektimi i kuorumit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe shkelja e nenit 50 ku përcaktohet e drejta e replikës dhe koha e diskutimit. 

 

Deputetët antikonformist

 

Edhe pse shpesh ndodh që deputetët e mazhorancës të votojnë kundër frymës së përgjithshme të grupit parlamentar, kanë qenë deputetët e opozitës ata të cilët kanë shënuar më shumë raste antikonformiste.

Partisë Socialiste ka patur konkretisht 33 raste të konstatuara. Ndërkohë që grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vetëm 8 raste të konstatuara. Nuk mungojnë as deputetët antikonformistë në radhët e partive të vogla parlamentare si Partia Republikane me 3 raste dhe Partia për Drejtësi dhe Unitet me 2 raste. 

Sa i takon aktivizimit të deputetëve, raporti evidenton se, deputeti më aktivë ka qenë Erjon Braçe dhe Rivdan Bode, ndërsa më pak aktivë kanë qenë Astrit Bushati i dhe Lefter Maliqi.

 

Më aktivë 

Erjon Braçe 

Ridvan Bode 

Gramoz Ruçi 

Sali Berisha 

Taulant Balla 

Mimi Kodheli 

Eduard Shalsi 

Arben Ahmetaj 

Edmond Spaho 

Selami Xhepa 

 

Më pak aktivë 

Astrit Bushati 

Lefter Maliqi 

Lajla Pernaska 

Hazir Gashi 

Fatos Hoxha 

Mehmet Xheka 

Paulin Sterkaj 

Kastriot Islami 

Amando Prenga 

Rudina Seseri