Lajme Shqip Wednesday, 30 April 2014 13:50

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin e saj që e cilëson antikushtetues VKM-në që unifikon kompetencat e INUK-ut.

“Gjykata vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 932, datë 30.9.2013 të Këshillit të Ministrave ‘Për unifikimin e kompetencave të INUK në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor’. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate. 

Me botimin e këtij vendimi, INUK-u nuk mund të ndërhyjë për prishje të objekteve me ose pa leje pa marrë më parë zyrtarisht një kërkesë nga komuna ose bashkia në territorin e të cilit është ndërtuar objekti. Sipas gjykatës, vendimi i qeverisë për të rritur kompetencat e INUK cenon kompetencat e pushtetit vendor që jep leje ndërtimi apo dhe të institucioneve të tjera si ALUIZNI dhe hipotekat, që kanë pajisur ndërtimet me certifikatë pronësie apo legalizimi. 

Gjithashtu, gjykata ka konsideruar si antikushtetuese veprimet e INUK-ut të përcaktuara në këtë VKM, duke prishur ndërtimet me leje apo të legalizuara, duke hequr të drejtën e pronësisë për këto ndërtime, kompetencë të cilën e kanë vetëm gjykatat. Më shumë se 30 deputetë të opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, ku shpreheshin se vendimi i qeverisë shkel të paktën shtatë nene të Kushtetutës, citon ballkan web. 

Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese argumenton se kompetenca që i jep VKM-ja INUK-ut deri në prishje të ndërtimeve me leje ose të legalizuara nga një organ administrativ bie ndesh me parimin e sigurisë juridike në gëzimin e të drejtës së pronës së individëve dhe si i tillë është antikushtetues. Por shkelje të Kushtetutës në vendimin e Këshillit të Ministrave, gjykata gjen dhe në pamundësinë e shtetasve për t’u ankimuar ndaj vendimeve për prishje të INUK-ut. “VKM nr. 932/2013 cenon të drejtën për ankim efektiv të shtetasve ndaj aktit të INUK-ut. 

VKM nuk parashikon asnjë mjet ankimi ndaj vendimit të INUK për vlerësimin e ligjshmërisë së ndërtimit me leje apo lejes së legalizimit. Akti nënligjor i mohon individit të drejtën e ankimit efektiv të garantuar nga neni 43 i Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.