Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 13:43

Tiranë- Prishtinë- Shkup- Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Kremtimi i kësaj filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falen Namazin nën shi. Më shumë paqe, vllazëri dhe begati ka uruar sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë. Xhamia, Rama: Do jem në radhën e donatorëve. Basha uron besimtarët: Shpresojmë që në të ardhmen çdo sprovë të kalohet. Berisha: Gëzuar ditën e madhe të sakrificës. Topi: Më pak egoizëm, më shumë altruizëm e refleksion.

 

KURBAN BAJRAM, SAKRIFICA E NJERIUT NË EMËR TË BESIMIT

Mijëra besimtarë myslimanë kremtojnë sot ditën e sakrifikimit, festën e Kurban Bajrami. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë filloi në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falen namazin.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.
Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Disa vite më parë, kur besimi fetar, ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.

Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

KREMTOHET KURBAN BAJRAMI, POLITIKA URON BESIMTARËT

 

NISHANI: MPOSHTJE TË EGOIZMIT DHE FRENIM TË MATERIALIZMIT

Më shumë paqe, vllazëri dhe begati ka uruar sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai ka kërkuar mposhtje të egoizmit dhe frenim të materializmit.
“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të jetës; dashurinë e zotit ndaj njerëzve, mëshirën e tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj dashurie dhe asaj mëshire. Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit,” thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit.
Urimi i plotë
Të dashur dhe të nderuar besimtarë myslimanë, Gëzuar festën e Kurban Bajramit!
Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të Jetës; Dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e Tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj Dashurie dhe asaj mëshire.
Kurban Bajrami, kjo festë e bukur myslimane, përcjell shumë mesazhe të epërme përmes një veprimi në dukje të thjeshtë, por jashtëzakonisht të dendur në thellësi;
Bërjen Kurban të diçkaje, në emër të arritjes së diçkaje tjetër më të lartë.
Akt ky, që, i përsëritur, përmban në vetvete thelbin e progresit njerëzor, hapat e njëpasnjëshëm drejt përsosjes duke sakrifikuar nga pak në çdo hap dhe në çdo rast.
Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit.
Kumti madhështor që na sjell Kurban Bajrami na bën ta festojmë çdo herë me më tepër adhurim këtë festë të shenjtë, të cilën edhe një herë ua uroj me gjithë shpirt; Gëzuar!

 

RAMA: FAMILJARISHT NË RADHËN E DONATORËVE MODESTE PËR NDËRTIMIN E TEMPULLIT

Kryeministri Edi Rama siguron besimtarët myslimanë për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, duke theksuar se bashkë me familjen e tij do të vendoset në radhën e donatorëve modestë për ndërtimin e këtij tempulli.

Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kryeministri u ndal përpara mediave për të uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.

“Ishte kënaqësi që për herë të parë si kryeministër erdha këtu dhe urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikun tim Selim Muca, gjithë përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhamin e re dhe i sigurova dhe njëherë që nga një pallat me xhami do kemi një xhami pa pallat. Familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli. Jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet, pike referimi e munguar. Me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar urbanistike, arkitektonike. Me ndryshimin bërë nuk do të ndryshojë i gjithë parku.”- deklaroi kryeministri.

 

BASHA URON BESIMTARET: SHPRESOJME QE NE TE ARDHMEN CDO SPROVE TE KALOHET

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi paraditen e sotme një vizitë në Komunitetin Mysliman, prej ku uroi të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin. Duke falënderuar besimtarët dhe imamët që realizuan sot kremtimin e kësaj dite, pavarësisht kushteve jo të mira atmosferike, Basha uroi që në të ardhmen çdo sprovë të kalohet.

I pyetur nga gazetarët nëse ndërtimi i xhamisë së madhe të Tiranës konsiderohet si sprovë, kryebashkiaku i Basha tha se Bashkia e ka kaluar tashmë këtë sprovë dhe çështja duhet të zgjidhet mes Komunitetit Mysliman dhe qeverisë së re.

“Shqiptarëve dua t’ju uroj Gëzuar Bajramin, sjelltë kjo festë shëndet hare, gëzim dhe harmoni në familjet tuaja. Kjo ditë është një ditë ku kremtohet dashuria për Zotin, për njëri-tjetrin. Xhamia ka qenë një sprovë e madhe, të cilën Bashkia e Tiranës e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet, ka patur një vendim qe i ka ndaluar punimet, tashme çështja është mes Komunitetit Mysliman dhe qeverisë”- deklaroi Basha.

Basha ka përcjellë urime për begati, shëndet, mbarësi dhe dritë për besimtarët myslimanë dhe çdo shqiptar, edhe nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Zoti Basha uroi që së shpejti të inaugurohet edhe tempulli i tyre, kryeqendra botërore e bektashizmit.

“Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, sot dua t’i drejtoj një thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave të këtij komuniteti të cilët përfaqësojnë pa dyshim një ndër virtytet më unike të kombit tonë, atë të tolerancës e gjithpërfshirjes dhe t’i uroj “Gëzuar festën e Kurban Bajramit!”, t’u uroj dhe shpresoj sa më shpejt të inaugurojmë edhe tempullin e tyre, kryeqendrën botërore të bektashizmit. Uroj që kjo festë, bashkë me lajmet e mira, të vazhdojë të rrezatojë dritë dhe mirësi, jo vetëm mbi pjesëtarët e këtij komuniteti të madh dhe të shtrirë anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare por mbi çdo shqiptar të çdo besimi fetar, mbi çdo shqiptar, krijesë dhe besimtari të Zotit!” – deklaroi Basha.

 

META: MË SHUMË SOLIDARITET DHE BASHKIM

Me mesazhin për më shumë solidaritet, Kryeparlamentari Ilir Meta, ka uruar sot të gjithë besimtarët mysliman me rastin e Kurban Bajramit.
Pas vizitës që zhvilloi në selinë e Komunitetit Mysliman ku shprehu edhe urimet me rastin e kësaj feste, Meta përcolli nëpërmjet medias mesazhin për më shumë solidaritet me njëri-tjetrin, sikurse dhe bashkim.

“Uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar Kurban Bajramin. Më shumë solidarit me njëri-tjetrin dhe sidomos me atë që jetojnë në kushte të vështira, më shumë përfshirje dhe më shumë bashkim”, u shpreh Kryeparlamentari Meta.

 

BERISHA: GËZUAR DITËN E MADHE TË SAKRIFICËS

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Berisha ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.
“Gëzuar Bajramin, ditën e madhe të sakrificës së njeriut për zotin, për të mirën! Uroj që Zoti të pranojë e të shndërrojë sakrificën tonë në mirësi, shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre!”- shkruan Berisha.

 

 

TOPI: MË PAK EGOIZËM, MË SHUMË ALTRUIZËM E REFLEKSION

“Më pak egoizëm, më shumë altruizëm e refleksion.” Ka qenë ky urimi i kryetarit të FRD-së Bamir Topi, për të gjithë shqiptarët në festën e Kurban Bajramit. Pas vizitës në Komunitetin Mysliman Topi u ndal përpara gazetarëve për të shprehur urimin e tij për të gjithë shqiptarët.

Në lidhje me ndërtimin e xhamisë në Tiranë, Topi deklaroi se çështja e xhamisë është defekt i vendimmarrjes.

“Ata që kanë vendimmarrjen kanë edhe përgjegjësinë. Ne rast se ka një mision për të ndërtuar një institucion fetar kjo në mënyrë absolute nuk duhet të ngatërrohet me një biznes. Ata që janë në vendimmarrje duhet ti ndajnë këto gjëra. Sot besimtarët të falen në rrugë është totalisht e papranueshme.”- deklaroi Topi.

I pyetur nëse e kishte uruar kreun e PD-së, teksa u shkëmbyen gjatë vizitës, Topi u përgjigj: “E urova zotin Basha patjetër, është njerëzore, ne kemi raporte normale.”

Në Kosovë festohet Kurban Bajrami

Me faljen namazit, besimtarët myslimanë kanë nisur sot festimet për Kurban Bajram. Në xhamin e madhe në Prishtinë është bërë falja kryesor e namazit të festës së Kurban Bajramit. Qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit. Me këtë rast, Myftiu i Kosovës Naim Ternava, në hydben e mbajtur ka porositur të gjithë besimtarët për paqe dhe solidaritet mes njerëzve, sidomos në ditët e festave. Ai tha se festë është e solidaritetit edhe me të varfrit, që sipas tij, në Kosovë nuk janë të pakët.

Ai ka bërë thirrje që të ndihmohen të gjithë ata që kanë nevojë në këtë festë që t’i gëzojnë nënat dhe t”ua mbushin sofrat edhe atyre që nuk kanë. Tërnava ka bërë thirrje që të shtrihet dora e pajtimit që të mos këtë armiqësi.

Unë ju ftoj nga ky vend i shenjt, nga kjo xhami, që të shtrini dorën e ndihmës ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë. Mos kurseni të gëzoni shpirtrat e shumë skamnorëve e jetimëve, t’ua riktheni qoftë edhe për një kohë të shkurtër buzëqeshjen e humbur pa fajin e tyre. Të gëzoni shumë nëna e baballarë me rastin e kësaj feste duke ua begatuar sofrat e tyre se nëse ne jemi në ndihmën e vëllaut tonë, Allahu do të jetë në ndihmën tonë”, ka thënë myftiu Tërnava.
Myftiu i Kosovës, me tutje ka shtuar se vet ky Bajram mban edhe emrin Kurban Bajrami apo edhe festa e sakrificës, flijimit, festë që qëndron fuqishëm mbi parimet e unitetit, bujarisë, harmonisë, flijimit dhe sakrificës duke ngritur vlerat e islamit në nivelin më të lartë. Tërnava tha se kjo festë është festë e solidarizimit edhe me varfërit, jetimët e skamnorët, të cilët fatkeqësisht në Kosovën e pas luftës nuk janë të pakët.

”E sot, në ditën e kësaj feste, ai që ka mundësi të prej kurbanin, le ta ndajë me të varfërit, një pjesë t’ua dhurojë të afërmve, kurse një pjesë ta përdorë për vetën dhe familjen e tij. Ndaj, edhe në këtë ditë, ne duhet të shijojmë vlerat që ka kjo festë, si ndjenja për të bërë mirë e për t”u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë. Shprehja e pastërtisë shpirtërore si rast për t”u pastruar nga çdo e metë dhe gabim. Për t”u kthyer edhe më fuqishëm në forcimin e besimit te Krijuesi fuqiplotë, sepse, vetëm kështu meritojmë pjesëtar të denjë të një bajrami me kaq vlera siç është Kurban Bajrami”, ka shtuar Tërnava.

Më tej, Tërnava ka thënë se me prerjen e kurbaneve dhe shpërndarjen e mishit nevojtarëve, bëhet edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij, e njëkohësisht edhe ngadhnjimi mbi egoizmin dhe daljes në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.

Festa e Kurban Bajramit festohet në të gjitha vendet myslimane, dhe bëhet kryerja e Haxhit, i cili është njëri ndër pesë shtyllat e islamit.

Kurban Bajrami festohet edhe në Maqedoni

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni Reis ul Ulema Sulejman Rexhepi në mesazhin e tij uroi gjithë besimtarët, duke i ftuar të jenë të përkulur, të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve pa dallim feje dhe që mendon ndryshe, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe dorën tonë. “Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet sakrificën, përkatësisht Kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithëpërfshirëse, paraqet flijimin për çështje madhore, përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë. Festa ndërlidhet me disa ngjarje, të cilat i përkasin rëndësisë së veçantë shikuar nga këndvështrimi islam; ndërlidhet me kryerjen e shtyllës së pestë të Islamit – me Haxhin, i cili tubon me miliona besimtarë nga të gjitha vendet e botës në një vend, në tokën e shenjtë dhe të bekuar, pjesë e së cilës janë edhe haxhilerët e vendit tonë, ku të gjithë të bashkuar me lutje të shumta i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë; me përmbylljen e fjalës dhe mrekullisë së pavdekshme, Kuranit fisnik – librit të fundit hyjnor të shpallur për gjithë gjeneratat njerëzore. Kjo festë ringjall pozitën dhe forcën e gjithënashme të myslimanëve që reflektohet nga tubimi i miliona haxhilerëve në Qabe, duke dhënë porosi madhështore për botën Islame se duhet unifikuar idetë dhe të jemi shumë vigjilentë ndaj kurtheve të pabesëve dhe dashakëqëve të Islamit. Potenciali intelektual dhe ai shpirtëror gjithnjë duhet frymëzuar nga vepra kapitale dhe e ndritur e Muhamedit (a. s.). vetëdia jonë në këto çaste duhet të jetë tejet e madhe dhe njëherit e ngritur dhe e ndërtuar mbi bazë të filozofisë së fuqishme që rrezaton nga drita e Kur’anit”, theksohet ndër të tjera në mesazhin e kreut të BFIM, duke bërë thirrje për solidaritet, humanizëm dhe zemërgjerësi. /Ballkanweb/RTK/INA/