Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 12:18

Prishtinë – Nëse gjithçka shkon sipas Planit të Ministrisë së Drejtësisë, atëherë prej janarit të vitit të ardhshëm gjyqtarët dhe prokurorët vendor do të merren me hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës.
Kompetencat që aktualisht i ka EULEX’i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përkatësisht në Departamentin për Krime Serioze që do të themelohet pasi të bëhen ndryshime ligjore.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka treguar se idenë për të themeluar Divizionin për Krimze Serioze pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pasur prej se është emëruar Ministër.
Në kuadër të këtij Divizioni, Kuçi thotë se duhet të jetë pjesa që merret me krimet e luftës.
“Një projekt të tillë e kam paraqitur qysh në ditët e para kur jam emëruar Ministër. Kemi pasur debat të plotë si me ndërkombëtarët ashtu edhe me vendorët. Ne duhet ta kemi një Departament për Krimet Serioze që do të ketë pesë kompetenca kryesore që vijnë nga Prokuroria Speciale që do të vendoset në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka thënë Kuçi, për Gazetën Express, të martën.
“Ky Divizion do të ketë në kompetencë luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, luftën kundër terrorizmit, shpëlarjen e parave dhe krimet e luftës”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se më së largu në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë gati edhe baza ligjore për të funksionuar një departament i tillë.
“Unë pres të kemi ndryshime ligjore dhe po ashtu dua të besoj se prej fillimit të vitit të ardhshëm do të filloj punën Departamenti i Krimeve Serioze pranë Gjykatës Themelore”, ka treguar ai.
Por, sa janë të gatshëm gjyqtarët dhe prokurorët të ballafaqohen me krimet e luftës?
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë thotë se gjyqtarët dhe prokurorët vendës kanë të gjitha kapacitetet si morale ashtu edhe profesionale për t’u marrë me të gjitha rastet e krimeve.
“Gjyqtarët dhe prokurorët tonë e kanë kompetencën e plotë, e kanë betimin që kanë dhënë dhe e kanë devotshmërinë, por duhet edhe t’iu japim mbështetje. Unë besoj në profesionalizmin, guximin dhe ndershmërinë të gjyqtarëve tonë”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, Kuçi thotë se europianët për një kohë do të mbikëqyrin punën e vendorëve.
“Por, roli monitorues do ta ketë me siguri BE’ja edhe në të ardhmen”.
Sidoqoftë, ky zyrtar qeveritar thotë se Misioni i EULEX’it do të shkoj drejt fundit në momentin që të bartën të gjitha kompetencat te vendorët.
Sipas tij, sa më shumë që të punon Misioni i BE’së aq më shpejt edhe do ta përfundojë mandatin.
“Aq më shumë që të punon EULEX’i aq më pak i nevojshëm është në Kosovë. Dhe, sa më shumë që punojmë ne, po ashtu, i ngrisim kapacitetet tona. Ne duhet të punojmë që me marrëveshje të përfundoj mandati i EULEX’it në Kosovë kurdo që përfundon. Do të thotë qysh e kemi përfundu pavarësinë e mbikëqyrur do ta përfundojmë edhe mandatin e EULEX’it”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me EULEX’in dhe se për mandatin e tij do të vendoset në Kuvendin e Kosovës në gjysmën e vitit 2014.
Kuçi ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve serb, të cilët kanë thënë se nuk do të lejojnë të largohet EULEX’i nga Kosova.
“Serbia nuk përzihet në çështje të tilla dhe s’ka asnjë kompetencë. Serbia në fillim ka qenë kundër Misionit të BE’së për Rend dhe Ligj në Kosovë. Serbia duhet ta ketë parasysh se ne do të jemi në proces integrues për në BE, por për misionet e ndryshme të BE’së që janë në Kosovë vendosim ne bashkë me BE’në”, ka thënë Hajredin Kuçi./Express/Lajmeshqip/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 10:33

Prishtinë – Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se ligji për amnisti nuk do të bëhet për pjesën veriore apo jugore, por për gjithë Kosovën.

“Në fillim kur është menduar Ligji për amnisti, në kohën kur jam bërë ministër, por edhe tash, nuk është menduar që të ketë amnisti për një grup të njerëzve, për një entitet apo për një territor, por për vepra të caktuara dhe pastaj do të jetë për gjithë territorin dhe për gjithë njerëzit që mund të preken. Edhe kësaj radhe nuk do të ketë propozime që mund të quhen të Veriut apo të Jugut ose vetëm serbë ose vetëm shqiptarë. Do të ketë barazi para ligjit edhe në kuptimin pozitiv”, ka thënë Kuçi në një intervistë për Express.

Ndërkaq, i pyetur se si do të amnistohen njerëzit që kanë qenë pjesë e strukturave të Serbisë, ai është përgjigjur:

“Unë besoj se Kodi Penal jep mundësi me i parapa vepra të caktuara dhe po ashtu jep mundësinë edhe me i amnistu. Por, gjithmonë është fjala për ata që nuk kanë bërë krime ordinere. Nuk ka pasur as iluzion se duhet të amnistohen kriminelët. Por, duhet ta pranojmë një fakt se as Serbia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. është fjala për kriminelët, që mund të justifikohen me vrasje dhe vepra penale të ndryshme”, ka thënë ai.

Kuçi ka thënë se nuk e di ende kohën se kur do të bëhej amnistia.

“Nuk e di këtë. Pra, është çështje e grupeve punuese. Por, prapë po e them se do të jetë parim universal. Mos të harrojmë se amnistia kërkon konsensus politikë, në rastin tonë i kërkon 2/3 e deputetëve. Do të thotë është një konsensus bukur i lartë”, tha ai.

Kuçi ka shtuar se sa u përket shërbimeve sekrete të pasluftës në Kosovë “amnistia nuk do ti prekë ata” dhe se “kjo kërkesë nuk ekziston në imagjinatën e askujt”.

 

 
Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 14:06

Prishtinë – Komisioni për Legjislacion ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar për strukturat e sigurisë që veprojnë në veri. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar para Komisionit, se këto struktura do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.

 “Për 800 pjesëtarë nuk ka vend, por rreth 150 pjesëtarë do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Prej 15 qershorit ata do të marrin vetëm një pagë. Qeveria e Serbisë do të marr një vendim transparent edhe sa i përket kësaj çështje”, theksoi ai.

Kuçi ka treguar se 15 korriku është data e fundit kur duhet të shpërbëhen të gjitha strukturat ilegale.

Ai ka sqaruar nuk do të ketë amnisti për kriminelë, por vetëm për ata që kanë punuar në administratë në Veri.

Ai ka marrë shembullin e një kryetari të një komune dhe të një vrasësi, duke thënë se vetëm kryetari i Komunës do të amnistohej.

“Kriminelët janë të gjithë njësoj si shqiptarë si serbë”, tha Kuçi.