Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 23:01

Skuadra e Milanit është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Italisë, pasi ka mundur me rezultatin 3-1 Lacion. Kuqezinjtë kanë dhënë një provë force, duke përmbysur brenda pak minutave një avantazh të shpejtë të Lacios me anë të Cise që në minutën e 6-të. Fillimisht Robinjo e më pas Sedorf kanë shënuar dy gola spektakolarë, duke kthyer menjëherë sfidën në favor të Milanit. Në fundin e ndeshjes, ka patur kohë për lavdi edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili shënoi golin e tretë për skuadrën e tij, duke vulosur suksesin përfundimtar të kuqezinjve. Tani Milani shkon në gjysmëfinale ku përballë ka Juventusin, rivalin kryesor edhe për suksesin në kampionatin e Serisë A. (LajmeShqip.com)  

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 00:42

Dy gola të Edinson Kavani i kanë mjaftuar Napolit për të kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë duke mundur Interin. Sulmuesi uruguaian kaloi në avantazh ekipin e tij me një 11-metërsh në minutën e 49-të, ndërsa dyfishoi shifrat në minutën e 93-të me një aksion personal të shkëlqyer. Në gjysmëfinale, Napoli do të vihet përballë Sienës, e cila hyri në histori duke eliminuar Kievon me fitoren 1-0 dhe duke qenë për herë të parë në këtë fazë të turneut. (LajmeShqip.com)    

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 23:04

Skuadra e Juventusit ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë pas suksesit 3-0 ndaj Romës. Ekipi i drejtuar nga Antonio Konte ka dominuar totalisht ndeshjen dhe ka gjetur avantazhin që në minutën e 6-të me Xhakerinin. Në minutën e 30-të i gjithë stadiumi është ngritur në këmbë për të përshëndetur golin e dytë me autor Del Pieron, i pari sezonal për kapitenin. Rezultati përfundimtar është vulosur në minutat e fundit kur Kjaer ka devijuar në portën e tij një pasim të Kualjarelas për Matrin. Kundërshtari i Juventus do të dalë nga sfida mes Lacios dhe Milanit. (LajmeShqip.com)