12
 
Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 20:54

Uigan ka hyrë në histori duke fituar trofeun e parë për klubin, Kupën FA, falë një prej surprizave më të mëdha në historinë e futbollit anglez, pasi skuadra 116 vjeçare që aktualisht rrezikon rënien nga kategoria, ka mundur në finale 1-0 favoritët e Mançester Sitit. 

Ekipi i Roberto Mançinit, fitues i trofeut dy vite më parë dhe kampion në sezonin e kaluar në Anglio, pritej ta kishte të lehët përballë ekipit të drejtuar nga Roberto Martinez. Por Uigani ka treguar të kundërtën, duke qenë skuadra më e mirë në fushë dhe duke e merituar plotësisht këtë fitore me nj futboll argëtues.

Gjithçka u vendos në minutën e 90-të të ndeshjes, nga një gjuajtje me kokë e mesfushorit Uotson që shënoi golin e vetëm të sfidës dhe i dha trofeun ekipit të tij.

Kjo disfatë për Mançinin me shumë mundësi do të sjellë edhe lamtumirën e trajnerit italian, pasi mediat në Spanjë dhe Angli kanë konfirmuar se ai është shumë pranë shkarkimit, sepse në vendin e tij që nga fundi i këtij sezoni do të emërohet Manuel Pelegrini. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 19:30

Mançester Siti do të jetë përsëri finalist i Kupës FA, turne të cilin e fitoi dy vite më parë, pasi ka arritur të kalojë në gjysmëfinale skuadrën e Çelsit që e ka fituar trofeun në edicionin e kaluar. Ekipi i Mançinit ka triumfuar me meritë në atë që u cilësua finalja e parakohshme e turneut, pasi është favorit absolut për finalen e madhe, ku përballë do të ketë ekipin e Uigan, që mundi Milluoll një ditë më parë në takimin e luajtur po në stadiumin legjendar “Uembli”, siç është tradita e këtij turneu. 

Fituesit e dy edicioneve më parë janë shfaqur shumë më agresivë në lojën e tyre, ndërsa kanë konkretizuar epërsinë në fushë me golin e Samir Nasri në fundin e pjesës së parë. Më pas, ishte Serxho Aguero që dyfishoi shifrat në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, pas një paraqitje të shkëlqyer të argjentinasit që vërtetoi edhe një herë se po të mos ishte dëmtuar në mesin e sezonit, ndoshta tani skuadra e tij do të ishte ende në luftën për titullin kampion.

Disavantazhi i dy golave zgjon Çelsin që mbylli ndeshjen në sulm, sidomos pas golit akrobatik të Demba Ba i cili shkurtoi diferencën ë minutën e 66-të takimit. Gjithsesi, Mançester Siti arrin të mbrohet mirë deri në vërshëllimën përfundimtare, duke marrë këtë fitore që i jep përsëri mundësinë për të fituar një trofe të rëndësishëm në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 April 2013 19:03

Vendimi i Rafael Benitez për të lënë pushim disa prej titullarëve në ndeshjen e kampionatit duket se ka qenë ai i duhuri, pasi Çelsi i vërtetë, ai që u shfaq në Kupën FA përballë Mançester Junajtid, ka shkëlqyer dhe ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e turneut. 

Përsëritja e takimit të parë, të përfunduar 2-2 në “Old Traford” ka dhuruar emocione të shumta, por protagoniste ka qenë gjithmonë skuadra e Çelsit, që ka gjetur golin me Demba Ba në minutën e 49-të dhe i është afruar shumë herë dyfishimit të shifrave. Edhe Junajtid ka kërkuar me ngulm kualifikimin në fazën tjetër të turneut, por djemtë e Ferguson nuk kanë bërë dot mrekullinë dhe kësisoj i kanë dhënë lamtumirën një turneu tjetër, duke mbetur në garë tashmë vetëm për titullin kampion.

Ndërkohë, Çelsi shkon në gjysmëfinalen e Kupës FA, ku e pret Mançester Sitit, një tjetër pengesë e vështirë, pasi ky turne është i vetmi ku skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini ka shanse të fitojë një trofe në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 10 March 2013 20:07

Çelsi dhe Mançester Junajtid do të duhet të zhvillojnë një tjetër ndeshje, këtë radhë në Londër, për të përcaktuar se kush prej tyre do të shkojë në gjysmëfinalet e Kupës FA. Verdikti erdhi pas barazimit 2-2 në ndeshjen  parë në “Old Traford”, ku vendasit shpërdoruan një avantazh prej dy golash.

Ishte një avantazh i dyfishtë shumë i shpejtë i skuadrës së Ferguson që tregoi se kishte lënë pas dështimin e mesjavës përballë Real Madrid. Hernadez dhe Runi shënuan dy herë brenda 11 minutave të para duke i dhënë një avantazh të ndjeshëm ekipit të tyre.

Por në pjesën e dytë, me aktivizimin e Hazard dhe Mikel që fillimisht ishin ulur në stolin e rezervave, Çelsi zgjohet dhe pasi krijoi disa raste radhazi para portës së De Gea, arriti të shkurtonte fillimisht diferencën me Hazard e më pas të barazonte rezultatin me Ramires. Për më tepër, po të mos ishte për portierin De Gea në minutat e fundit, Çelsi mund të kishte siguruar gjysmëfinalen por spanjolli arriti të shpëtonte portën e tij nga gjuajtjet e bashkëkombësve Mata e Torres, që të siguronte një përsëritje të kësaj ndeshje siç është tradita e kompeticionit.

Edhe ndeshja tjetër çerekfinale e luajtur sot, ajo mes Milluoll dhe Bllekbërn, do të përsëritet, pasi skuadrat janë ndarë në një barazim 0-0 në takimin e parë.

Me shortin e hedhur po sot pasdite, Mançester Siti do të presë në gjysmëfinalen e parë fituesen e çiftit Mançester Junajtid-Çelsi, ndërsa Uigan do të presë fituesen e takimit mes Milluoll dhe Bllekbërn. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 March 2013 20:34

Mançester Siti ka siguruar pa probleme kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës FA, pasi ka mundur me rezultatin 5-0 skuadrën e Barnslit, një nga surprizat e këtij edicioni.

Gjithçka ka qenë e lehtë për skuadrën e Mançinit që për më tepër e luante këtë ndeshje në fushën e vet. Karlos Tevez ishte heroi i takimit me 3 gola të shënuara në këtë sfidë, ndërsa në listën e golashënuesve përfunduan edhe Kolarov e David Silva. Duket se Mançester Siti po mban premtimin që në çdo sezon të kërkojë fitoren e të paktën një trofeu, ndërsa shkon në gjysmëfinale të turneut të dytë për nga rëndësia në Angli.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër çerekfinale të luajtur sot ka pasur një surprizë shumë të madhe, pasi Uigani ka fituar 3-0 në fushën e Evertonit. Skuadra që lufton për mbijetesë në elitën e futbollit anglez, ka bërë gjithçka mirë në “Gudison Park”. Tre gola në katër minuta të pjesës së parë nga Figueroa, MekManaman dhe Gomez vendosën fatin e ndeshjes në favor të ekipit të drejtuar nga Roberto Martinez, i cili për më tepër kishte deklaruar se ecuria në këtë turne nuk ishte në objektivat e klubit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 10:08

Çelsi është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës FA duke mundur 2-0 Midësllbrou, por kontestimet e radhës së tifozëve londinezë ndaj Rafael Benitez kanë bërë që ky i fundit të mos mbajë më nervat dhe të shpërthejë në kritika kundër tyre dhe drejtuesve të skuadrës që nuk e kanë mbrojtur gjatë kësaj periudhe. 

Një gjuajtje e Ramires, e devijuar në rrjetë nga Torres, si dhe një gol i Moses, i dhanë suksesin Çelsit duke siguruar përballjen çerekfinale ndaj Mançester Junajtid, por tashmë nuk dihet nëse në atë ndeshje do të jetë Benitez në stolin e skuadrës apo ndonjë trajner tjetër, pasi shpërthimi i trajnerit ka qenë me të vërtetë mbresëlënës.

“Unë jam profesionist dhe po bëj punën time. Ajo që dua të bëj është të fitoj çdo ndeshje për Çelsin. Në fund të sezonit unë do të largohem ndaj nuk kanë pse të shqetësohen për mua”, ishte kritika e Benitez ndaj tifozëve. “Ajo që duhet të bëjnë është të mbështesin skuadrën dhe lojtarët. Këtu nuk ka të bëjë me faktin nëse unë po veproj drejt apo po gaboj. Ne duhet të çojmë këtë skuadër në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Jam i zhgënjyer me këta tifozë dhe mendoj se kështu nuk po ndihmojnë ekipin”.

“Unë jam një trajner me eksperiencë dhe do të bëj më të mirën deri në ditën e fundit. Klubi gaboi duke më dhënë titullin “trajner i përkohshëm”. Ky është një gabim i jashtëzakonshëm. Unë jam trajneri dhe do të drejtoj skuadrën deri në fund, çdo minutë të kësaj kohe. Tani tifozët duhet të mbështesin skuadrën. Nëse e bëjnë një gjë të tillë, do të sigurojmë atë që duam të arrijmë, Ligën e Kampioneve. Nëse jo, do të mbetemi në Europa League”, ishte kërcënimi i Benitez si dhe akuza që ai u bëri drejtuesve të klubit londinez.

Tani pritet reagimi i Roman Abramoviç, i cili nuk ka kursyer asnjëherë trajnerët të cilët kanë kritikuar drejtimin e tij apo personave të punësuar prej tij në klub. Ndaj ky shpërthim i Benitez, pavarësisht deklaratës së largimit në fund të sezonit, mund të afrojë shumë shpejt lamtumirën e tij nga Çelsi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 08:40

Mançester Junajtid ka kaluar në çerekfinalet e Kupës FA duke mundur 2-1 Riding dhe pret të mësojë nëse në turin e ardhshëm do të ketë kundërshtar Çelsin apo Midëllsbrou, të cilat ndeshen me njëra-tjetrën për të kaluar në këtë tur. 

Ndeshja ndaj Riding nuk ka qenë e thjeshtë, edhe për faktin se Ferguson kishte lënë pushim shumë titullarë, për të aktivizuar rezervat apo ato lojtarë që kishin pasur më pak hapësira në formacion gjatë kësaj pjese të sezonit.

Ishte portugezi Nani ai që rezultoi vendimtar për “djajtë e kuq”, pasi shënoi golin e avantazhit në minutën e 69-të, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë dha pasimin për golin e dytë të Hernandez. Goli i MekAnuf në minutën e 81-të shërbeu vetëm për të ndezur disi ndeshjen në minutat e fundit, por në përfundim, ishte Mançester Junajtid që iu gëzua kësaj fitoreje shumë të rëndësishme që e mban në garë për të tre të trofetë kryesorë në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 09:52

Mançester Junajtid dhe Çelsi mund të vihen përballë njëra-tjetrës në çerekfinalet e Kupës FA nëse arrijnë të kalojnë me sukses turin, për të përsëritur finalen e edicionit 2006-2007 të këtij turneu.

Çelsi siguroi një fitore bindëse 4-0 ndaj Brentford të dielën në atë që ishte përsëritja e ndeshjes së turit të katërt, ndërsa me datë 27 shkurt do të luajë kundër Midëllsbrou për takimin e turit të pestë. Ndërkohë, Mançester Junajtid luan sonte përballë Riding, në takimin që mund t’i sigurojë pjesëmarrjen në çerekfinalet e turneut, duke vazhduar të jetë në garë për tre trofe të mundshëm në këtë sezon.

Oldham, skuadra që renditet më poshtë nga të gjitha ekipet e tjera të mbetura në turne, duhet të gjejë një mënyrë për t’u kualifikuar në fushën e Everton pasi barazoi në ndeshjen e parë dhe do të luajë përsëritjen në fushën kundërshtare. Por nëse ia del mbanë, do të fitojë një ndeshje në fushën e vet përballë Uigan në çerekfinalet e turneut.

Kampionët në fuqi të Anglisë të Mançester Sitit do të ndeshen me Barnslin në stadiumin e tyre dhe duket se e kanë thuajse të sigurt kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa Milluoll do të presë në fushën e vet Bllekbërnin. (LajmeShqip.com)

Shorti i çerekfinaleve të Kupës FA

Oldham/Everton-Uigan

Mançester Siti-Barnsli

Mançester Junajtid/Riding-Midëllsbrou-Çelsi

Milluoll-Bllekbërn

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 17:37

Çelsi ka arritur të kalojë Brentford me rezultatin e thellë 4-0, për të siguruar pas përsëritjes kalimin në turin e pestë të Kupës FA ku e pret Midëllsbrou, ndërsa Mançester Siti ka arritur të shkojë në çerekfinalet e turneut pasi kaloi pa vështirësi me të njëjtin rezultat ekipin e Lids. 

Për Çelsin, barazimi në sfidën e parë ndaj modestëve të Brentford ishte një nga rezultatet më të dobëta të sezonit, ndaj pritej një reagim i fortë i londinezëve. Ky reagim ka ardhur në pjesën e dytë të ndeshjes, kur me radhë rrugën e rrjetës e kanë gjetur Mata, Oskar, Lampard (goli i 199 për Çelsin) dhe Terri, të cilët kanë marrë duartrokitjet e publikut, por edhe të pronarit Roman Abramioviç, i pranishëm në stadium në këtë ndeshje.

Më pas, në fushë ka zbritur Mançester Sitit, që ka siguruar shumë lehtë kualifikimin përballë Lids, duke zgjidhur ndeshjen që në 15 minutat e para. Fillimisht ishte Jaja Ture që kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 5-të, ndërsa 10 minuta më vonë ishte Aguero që dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë, fillimisht Tevez, e pastaj përsëri Aguero, vulosën këtë fitore që kalon në çerekfinale fituesit e trofeut në vitin 2011. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 19:08

Arsenali i ka dhënë lamtumirën edhe Kupës FA, duke rrezikuar që të mbyllë pa trofe këtë sezon, i nënti radhazi ku skuadra e Venger nuk arrin të gëzojë tifozët e vet. “Topçinjtë” janë mundur 1-0 nga Bllekbërn, në atë që mund të cilësohet një surprizë e mirëfilltë pasi takimi luhej në “Emirates Stadium”.

Arsenali luan të martën në Ligën e Kampioneve përballë Bajern Mynih dhe për këtë arsye, Arsen Venger kishte vendosur të linte pushim Uilshair, Uollkot, Podolski dhe Kazorla. Por Gervinjo, i kthyer titullar pas Kupës së Afrikës, humbi një rast të pastër në fundin e pjesës së parë, ndërsa Kolin Kazim-Riçards shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 72-të të takimit.

Më pas, Bllekbërn është kthyer në mbrojtje dhe ia ka dalë me sukses të ruajë të paprekur rrjetën e portës së vet, ashtu si në çdo ndeshje tjetër të tij në këtë edicion të Kupës FA, duke realizuar surprizën më të madhe që e çon në çerekfinalet e turneut jashtë çdo parashikimi.

Në takimet e tjera, Milluoll ka fituar lehtësisht 3-0 në fushën e Luton, ndërsa edhe Barnsli ka fituar 3-1 në fushën e MK Dons. (LajmeShqip.com)

12