12
 
Lajme Shqip Saturday, 18 May 2013 09:24

Zhoze Murinjo nuk ka ngurruar ta cilësojë sezonin e sapopërfunduar si atë më të keqin e karrierës së tij si trajner, ku përveç Superkupës së Spanjës, nuk arriti të merrte asgjë tjetër në drejtimin e Real Madrid.

“Karriera ime zgjat prej shumë vitesh por unë nuk njoh asnjë, sado i mirë që të jetë, që ka kaluar gjithmonë sezone fantastike duke fituar gjithçka. Por ky është sezoni më i keq i karrierës time, me një trofe që nuk mjafton për të më kënaqur mua apo Real Madrid. Për shumë trajnerë ky mund të cilësohet një sezon i mirë, por jo për mua”, ishin fjalët e Murinjos.

Portugezi, i cili u shfaq para mediave në fund të ndeshjes, ka treguara bindjen e tij se skuadra kishte merituar më shumë të fitonte këtë ndeshje sesa Atletiko Madrid.

“Kur rezultati është 1-1 dhe një skuadër godet tre herë shtyllën, nuk është shumë normale, zakonisht një nga gjuajtjet përfundon në rrjetë dhe ti fiton ndeshjen. Duhej të kishim fituar brenda 90 minutave por kjo gjë nuk ndodhi. Në shtesë ata shënuan ndërsa ne krijuam dy raste, ndaj mendoj se e meritonim ne të fitonim. Por në fund gjithçka do të harrohet, harrohet gjyqtari, harrohen shtyllat, mbetet historia dhe fakti që fitues është Atletiko”, deklaroi Murinjo që më pas e pranoi se ky sezon kishte qenë i dështuar.

Largimi i portugezit nga madrilenët është bërë edhe më i qartë nga vetë ai, duke i cilësuar normale zërat për transferimin te Çelsi.

“Kam kontratë edhe për tre sezone të tjera. Por nuk kam folur për të ardhmen me presidentin. Më duket normale që flitet për Ançelotin, ashtu si edhe për faktin se mund të shkoj te Çelsi. Ajo që mund t’ju premtoj është ndershmëria dhe mund t’ju them se nuk do të pres fundin e sezonit për të treguar se çfarë do të ndodhë”.

Pas përfundimit të kësaj konference për shtyp ka ndodhur edhe një episod i vogël mjaft interesant, pasi sipas mediave spanjolle, portugezi i është drejtuar dhomës së gjyqtarëve dhe pasi ka takuar kryesorin Klos Gomez, i ka thënë atij që të shkonte të festonte Kupën bashkë me Atletikon që në ato momente po bënte xhiron triumfuese në fushë.

Për më tepër, mediat spanjolle kanë kritikuar vendimin e Murinjos dhe Kristiano Ronaldos për të mos u kthyer në fushë për të marrë medaljet e vendit të dytë gjatë ceremonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 May 2013 09:18

Atletiko Madrid ka thyer mallkimin 14 vjeçar të derbit përballë Real Madrid, duke mundur këtë të fundit pikërisht në “Santiago Bernabeu” dhe duke marrë Kupën e Mbretit numër 10 në historinë e klubit. Në një ndeshje mjaft të tensionuar ka fituar qetësia e skuadrës së Simeones, i cili ka bërë të mundur që Murinjo të mbyllë sezonin pa asnjë trofe në këtë vit. 

Ndeshja kishte filluar mirë për Realin, pasi që në minutën e 14-të kaloi në avantazh me anë të Ronaldos pas një gjuajtje të saktë me kokë. Më pas, ekipi i Murinjos mundohet thjesht të administrojë rezultatin, por kjo taktikë nuk funksionon pasi në minutën e 35-të, Falkao gjen Diego Kosta në zonë dhe ky i fundit nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë për të vendosur barazinë në shifra.

Barazimi zgjon Realin që hidhet në sulm ne kërkim të një tjetër goli, por gjuajtjet e Ozil, Benzema dhe Kristiano Ronaldo ndalen nga shtylla, ndërsa më është Kurtua që tregohet heroik me ndërhyrjet e tij për të shpëtuar portën e Atletikos.

Kur Reali duket se po i afrohet golit, Murinjo gabon gjithçka në minutën e 76-të, duke marrë një karton të kuq absurd për një protestë të kotë dhe duke lënë ekipin e tij në mëshirë të fatit, pasi që nga ai moment, kontrollin e lojës e merr Atletiko.

Ekipi i Simeones përfiton maksimalisht nga pavëmendja e Realit dhe siguron shtesën, hyn aty më i përqendruar dhe shënon golin që do të rezultojë vendimtar me anë të Miranada në minutën e 98-të.

Minutat e mbetura sjellin tension nga të dy palët, me Kristiano Ronaldon që ndëshkohet me karton të kuq në minutën e 114-të, një zënkë mes dy pankinave ku përfshihen edhe Pepe e Siemone, si dhe një karton të kuq për Gabi në minutën e 124-t.

Por në rezultatin në fushë nuk ndryshon asgjë dhe pas vërshëllimës përfundimtare, Atletiko ngre lart Kupën e Mbretit, duke thyer mallkimin e derbit dhe dekretuar sezonin e dështuar të Realit të Murinjos. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 10:05

Atletiko Madrid është finalistja tjetër e Kupës së Mbretit në Spanjë, pas barazimit 2-2 në fushën e Seviljes që i ka dhënë mundësi të vihet në finalen e majit përballë Real Madrid. 

Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone kishte fituar 2-1 në takimin e parë në fushën e vet, ndërsa e filloi mirë edhe ndeshjen e kthimit me një gol të Diego Kosta në minutën e 6-të. Madrilenët gjetën edhe golin e dytë në minutën e 29-të, me autor Radamel Falkaon, duke bërë që sfida të ishte thuajse e mbyllur, pasi tashmë Seviljes i duheshin 4 gola për ta kaluar turin.

Ndonëse Hesus Navas dhe Ivan Raktiç gjetën rrugën e rrjetës për të barazuar rezultatin, ai nuk shërbeu më shumë se një ngushëllim për statistikat dhe Atletiko Madrid kaloi në finalen e Kupës së Mbretit.

Kjo do të jetë hera e 5-të që në finalen e këtij turneu luhet një derbi i Madridit, ndërsa katër përballjet e mëparshme flasin për dominimin e Atletikos përballë Realit. Atletiko ka fituar 3 herë, në vitet 1960, 1961 dhe 1992, ndërsa në të tre rastet, takimet janë zhvilluar në “Santiago Bernabeu”. Në herën e vetme kur Reali ka triumfuar në derbin e finales së Kupës, në vitin 1975, ndeshja u luajt në “Vicente Kalderon”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 00:11

Real Madrid ka kaluar në finalen e Kupës së Mbretit duke eliminuar Barcelonën pas një ndeshje të fituar 3-1 në fushën e këtyre të fundit, duke thelluar me tepër krizën e katalanasve. Pas humbjes 2-0 në Ligën e Kampioneve ndaj Milanit dhe një prove aspak brilante ndaj Seviljes në kampionat. Pritej një reagim i skuadrës katalanase, por ai nuk ka ardhur dhe Reali me të drejtë ka merituar të kalojë në turin tjetër. 

Gjithçka ka folur për Realin, që ka gjetur golin e avantazhit që në minutën e 13-të, me autor Ronaldon, i saktë në transformimin nga pika e bardhë e penalltisë të cilën e kishte fituar vetë pas ndërhyrjes së gabuar të Pike. Katalanasit nuk reagojnë dhe është Reali që vazhdon të krijojë rastet më të mira, duke gjetur golin e dytë në minutën e 57-të, përsëri me Ronaldon që shfrytëzon më së miri një grushtim të pasigurt të Pinto ndaj gjuajtjes së Di Maria. Pak minuta më vonë vjen edhe goli i tretë, i shënuar nga Varane, i cili me kokë dërgon topin në rrjetë dhe çon në 3-0 rezultatin, duke bërë që në “Kamp Nou” të pllakoste heshtja.

Goli i Zhordi Alba në minutën e 89-të nuk shërbeu as për ngushëllim te katalanasit, që këtë radhë u dorëzuan edhe me lojë para Realit, pa shfaqur thuajse asgjë nga ajo që kanë treguar në pjesën e parë të sezonit.

Ndonëse katalanasit kanë mundësinë të hakmerren në fundjavë në ndeshjen e kampionatit në “Santiago Bernabeu”, ajo nuk ka kurrsesi rëndësinë e këtij takimi që i siguroi finalen e Kupës së Mbretit skuadrës së Realit, e cila pret të mësojë nëse përballë do të ketë Atletiko Madrid apo Seviljen. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 09:44

 

Atletiko Madrid çoi në 19 numrin e fitoreve radhazi në fushën e vet falë suksesit 2-1 ndaj Seviljes në takimin e parë për gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit ku rezultati përfundimtar u përcaktua nga 3 kartonë të kuq dhe po aq penallti të akorduara nga gjyqtari. 

Të tre penalltitë e akorduara gjatë pjesës së dytë të takimit në “Vicente Kalderon” u dhanë për prekje të topit me dorë në zonë, ndërsa dy të parat u shoqëruan me largimin me karton të kuq të mbrojtësit të Seviljes, Emir Spahiç dhe atij të Atletiko Madrid, Diego Godin.

Diego Kosta, titullar në vijën e sulmit për shkak të mungesës së Radamel Falkao, kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 48-të, ndërsa 7 minuta më vonë ishte Negredo që barazoi rezultatin nga pika e bardhë.

Por Kosta gjeti përsëri rrjetën me penallti në minutën e 71-të, pas prekjes së topit me dorë nga Navarro. Ky i fundit nuk u ndëshkua me karton të kuq menjëherë, por në minutën e 85-të, kur ndaloi qendërsulmuesin e Atletikos në mënyrë të parregullt.

Ndeshja e kthimit do të luhet në javën e fundit të shkurtit dhe fituesi ndeshet në finalen e majit me fituesin e çiftit Barcelona-Real Madrid. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 23:12

Real Madrid dhe Barcelona kanë mbyllur në barazim 1-1 sfidën e  parë mes tyre në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit të luajtur në “Santiago Bernabeu”. Ky rezultat, edhe pse avantazhon Barcelonën që luan ndeshjen e kthimit në fushën e vet, i jep mundësi edhe madrilëneve që të shpresojnë, sidomos për faktin se në takimin që luhet pas një muaji, do të jenë në dispozicion edhe lojtarët e rëndësishëm që munguan në këtë sfidë për ekipin e Murinjos. 

Pa Kasijas, Ramos, Di Maria e Koentrao, trajneri portugez ka shpikur një rreshtim tjetër me Arbeloan si mbrojtës i majtë e Esien në të djathtën e repartit të tërhequr. Por ky improvizim vihet shpesh në provë nga inkursionet e katalanasve që në minutat e para, me Zhordi Alba e Iniesta që shpesh arrijnë të depërtojnë mes mbrojtjes madrilene. Por rasti më i mirë i pjesës së parë vjen nga këmbët e Ksavi, i cili në një goditje dënimi gjen traversën e portës se mbrojtur nga Diego Lopez.

Pjesa e dytë sheh Barçën të fillojë më vrullshëm dhe nuk do të vonojë edhe goli i avantazhit, me autor Fabregas që përfiton nga një pasim i Mesit për të kaluar pa vështirësi Lopez. Nga ai moment, Barcelona luan më qetë dhe kontrollon më mirë lojën. Por katalanasit falin shumë para portës kundërshtare dhe Fabregas, Alba e Pedro nuk arrijë të shënojnë në raste shumë të pastra, duke mos mbyllur ndeshjen.

Ndërsa Reali, që i kishte besuar vetëm kundërsulmeve dhe goditjeve standarde, gjen golin me një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës, mbrojtësi Varane, i cili kurorëzoi një paraqitje të jashtëzakonshme me golin e barazimit në minutën e 81-të.

Ndonëse edhe në minutat e fundit ka raste në të dy portat, rezultati nuk ndryshon dhe “El Clasico” mbyllet në barazim 1-1, duke lënë tashmë gjithçka për raundin tjetër, në fundin e shkurtit, kur do të mësohet edhe emri i skuadrës finaliste të Kupës së Mbretit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 11:02

Kristiano Ronaldo mendon se Real Madrid duhet të bëjë një ndeshje të madhe në Kupën e Mbretit përballë Barcelonës dhe nuk duhet të trajtojë mungesat e rëndësishme si një justifikim për këtë sfidë.

“Ajo është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e komplikuar. Do të luajmë kundër një prej skuadrave më të vështira në botë, ndaj do të jetë një natë e madhe. Luajmë në shtëpi ndaj kemi shanse të mëdha për të bërë një rezultat të mirë. Do të na mungojnë disa futbollistë të rëndësishëm për skuadrën, lojtarë thelbësorë, por ky nuk është justifikim, duhet të luajmë mirë pasi e dimë se Barcelona është një skuadër fantastike. Shpresoj që të jetë një natë e madhe për ne dhe presim me padurim që të luajmë këtë ndeshje të madhe”, ishin fjalët e futbollistit portugez në faqen e internetit të klubit.

Më pas, Ronaldo ka folur edhe për faktin se ka arritur të shënojë për herë të 19-të tre apo më shumë gola në një ndeshje me fanellën e Real Madrid, një arritje e jashtëzakonshme por këtë lojtar që ka pak vite me këtë ekip.

“Ky është një rezultat i mirë, jam shumë i lumtur për të, por objektivi im është të vazhdoj të bëj këtë gjë dhe të jap më të mirën për klubin. Dua të kaloj rekordin tim, të jem më i mirë se një vit më parë”, ishin fjalët e futbollistit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 00:01

Real Madrid ka kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit pas barazimit 1-1 me Valencian, por nuk ka festuar shumë këtë arritje, për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë takimit. 

Që në minutën e 17-të të ndeshjes, Iker Kasijas, i cili e nisi ndeshjen si titullar, u detyrua të zëvendësohej, pasi u dëmtua në dorë nga një shkelm pa dashje i Arbeloas. Edhe pse stafi mjekësor ka bërë të qartë se për momentin nuk dyshohen fraktura, fakti që portieri u detyrua të largohej nga fusha ka sjellë panik në radhët e madrilenëve.

Qetësia te kjo skuadër u kthye disi pas golit të avantazhit të Benzema në minutën e 44-t, por në fillimin pjesës së dytë, Koentrao komplikon gjithçka duke u ndëshkuar me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë. Vendasit gjejnë golin e barazimit që në aksionin e radhës me anë të Kosta dhe hidhen në sulm për të gjetur rrjetën, edhe pse i duheshin 3 gola për të kaluar turin pasi u mundën 2-0 në “Santiago Bernabeu”. Por Reali i mbijeton sulmeve të Valencias, edhe kur në minutat e fundit edhe Di Maria largohet nga fusha e lojës me karton të kuq.

Skuadra e Murinjos do të mësoje nesër emrin e kundërshtarit të gjysmëfinales që do të dalë nga dyshja Malaga-Barcelona. Por në përballjen e parë gjysmëfinale është e sigurt mungesa e Di Maria dhe Koentrao të pezulluar, ndërsa pritet të mësohet sa serioz është dëmtimi i Kasijas dhe sa do të zgjasë riaftësimi i tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 12:04

Barcelona nuk ka arritur të përsëritë në Kupën e Mbretit formën e shfaqur në kampionat ndaj Malagas, pasi është ndalur në një barazim 2-2 nga kjo e fundit. Edhe pse katalanasit ishin favoritë për të fituar ndeshjen, pasi kishin mundur Malagan 3-1 në fundjavë në kampionat me një paraqitje mbresëlënëse, para tifozëve të tyre nuk kanë arritur të bëjnë të njëjtën gjë. 

Në fakt ishte Malaga që i rezistoi sulmeve fillestare të Barcelonë dhe tronditi vendasit duke gjetur e para avantazhin në minutën e 25-të me anë të Iturra, i cili i vodhi topin Tiago Alkantarës dhe mposhti Pinton. Por vetëm 3 minuta më vonë, Lionel Mesi tregoi aftësitë e tij jo vetëm në driblim, por edhe në markim, duke i vjedhur topin mbrojtësit Uelington dhe duke mposhtur Kamenin. Katalanasit mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-1 falë golit të Pujol, i cili vendosi epërsinë për vendasit me një gjuajtje me kokë pas një goditje këndi.

Por në pjesën e dytë, Malaga rriti nivelin e lojës duke vënë në vështirësi disa herë Barcelonën. Edhe pse miqtë mbetën me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Monreal kur mbeteshin dhe 15 minuta lojë, ata nuk u dorëzuan, duke kërkuar me ngulm barazimin, të cilin e arritën në minutën e 90-të me Ignacio Kamaço.

Rezultati 2-2 lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, ku Barcelona duhet medoemos të fitojë në fushën kundërshtare për të vazhduar në këtë turne. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 January 2013 00:07

Ndonëse Kupa e Mbretit është kthyer në një aktivitet të rëndësishëm për Real Madrid në këtë sezon, skuadra e Murinjos duket qartë se po vuan të përsëritë gjërat e mira që bëri një sezon më parë. Madrilenët kanë mundur 2-0 Valencian në çerekfinalen e parë të Kupës së luajtur në “Santiago Bernabeu”, por për këtë sukses duhet të falënderojnë sulmuesin kundërshtar Xhonas që i fali me vazhdimësi duke gabuar raste të pabesueshme para portës. 

Valencia kishte ardhur për të sulmuar në Madrid dhe e bëri më së miri një gjë të tillë, falë formës së shkëlqyer të argjentinasit Banega, i aftë të lëvizte pa vështirësi mes treshes Khedira-Ksabi Alonso-Modriç. Por Xhonas gabon disa herë para Kazijas dhe Benzema nuk fal nga ana tjetër, në minutën e 37-të të takimit, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Valencia vazhdoi serinë e dhuratave edhe në pjesën e dytë, si rrjedhojë e të cilës erdhi edhe autogoli i Guardado në minutën e 73-të.

Por kjo ndeshje nuk do të kalojë pa polemika, për shkak të protestave të Valencias, e cila pretendon për gjykim të njëanshëm, pasi vijërojtësi ka gabuar dy herë në dëm të kësaj skuadre me pozicionet jashtë loje, ndërsa pretendohet edhe një prekje e topit me dorë në rastin e golit të dytë të madrilëneve.

Gjithsesi, ekipi i Murinjos shkon me një avantazh të rëndësishëm në ndeshjen e dytë në “Mestaja”, ku do të kërkojë medoemos kualifikimin në turin tjetër të këtij turneu që është kthyer çuditërisht në një nga objektivat kryesorë të ekipit. (LajmeShqip.com)

 

12