Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 11:05

Edinson Kavani ka bërë të qartë se për momentin nuk shqetësohet shumë për të ardhmen e tij dhe ku do të luajë futboll në sezonin e ardhshëm, por ka mbetur i pakënaqur pasi po flitet më shumë për merkaton sesa për kombëtaren e Uruguait. Sulmuesi i Napolit ka pranuar se është bezdisur disi nga pyetjet e vazhdueshme rreth merkatos dhe të ardhmes së tij.

“Në fillim, pyetjet tuaja nuk më shqetësonin, por tashmë duhet ta pranoj se kam filluar të mërzitem”, tha ai para gazetarëve. “Po flitni shumë rreth gjërave që nuk duhen diskutuar në këtë moment. Jam ende duke luajtur në këtë turne dhe thjesht po mendoj për ndeshjen kundër Italisë”.

“Unë luaj në Itali dhe i njoh të gjithë ata lojtarë. E prisja që ata të zhvillonin një turne të shkëlqyer ndaj më duhet t’i përgëzoj. Por në këtë ndeshje dua të fitoj, në mënyrë që vendi im të ngjitet sa më lart në klasifikimin botëror”, tha sulmuesi uruguaian për sfidën për vendin e tretë në Kupën e Konfederatave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 09:34

Luiz Felipe Skolari ka preferuar që në konferencën e fundit për shtyp para finales të Kupës së Konfederatave, të lëshojë paralajmërime të qartë për Spanjën, duke u kujtuar të gjithëve se me largimin e një brezi lojtarësh, spanjollët do të kishin probleme të përsëritnin vetveten dhe lojën në këto nivele.

Fillimisht, trajneri brazilian nuk ka dashur të flasë për rivalët e tij, por vetëm për seleçaon. “Nuk kam se çfarë të them për Spanjën, dua të flas vetëm për lojtarët e mi. E respektoj shumë kundërshtarin por Brazili mbetet Brazili dhe do të luajmë në fushën tonë. Nuk po flas për favoritë të kësaj ndeshje, pasi Spanja në 6 vitet e fundit ka fituar gjithçka që ishte për t’u fituar. Ata kanë luajtur me të njëjtin ekip që është i jashtëzakonshëm, por edhe Brazili ka një ekip të madh”, ishin fjalët e para të Skolarit që më pas ka lëshuar “kërcënimin” ndaj iberikëve.

“Ne kemi luajtur bukur në Botëror në vitin 1982 dhe nuk e fituam. Sakrifikuam rezultatin për spektaklin. Kombëtarja spanjolle ka luajtur bukur dhe ka fituar. Por është një brez që do të largohet pas dy vitesh, të mos e harrojnë një gjë të tillë, pasi të rinjtë nuk kanë të njëjtin stil loje”, ishte paralajmërimi i Skolarit.

Trajneri ka bërë të qartë se për të, më i rëndësishëm ishte mesazhi që ka lëshuar skuadra e tij sesa fitorja e mundshme e Kupës së Konfederatave.

“Gjëja më e rëndësishme është se i kemi thënë botës së Brazili është në rrugën e duhur për Botërorin e vitit të ardhshëm. Kemi treguar se kemi ndërtuar një ekip në gjendje për të fituar”, deklaroi Skolari. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:45

Mbrojtësi i Brazilit, Tiago Silva, ka vlerësuar shumë Spanjën para përballjes së këtyre dy skuadrave në finalen e Kupës së Konfederatave të dielën. Sipas tij, spanjollët nuk duhet të ankohen për lodhjen e 120 minutave më Italinë në gjysmëfinale, pasi mund të hedhin lehtësisht në fushë rezervat, të cilët janë po aq të mirë sa titullarët.

“Do të përballemi më një skuadër që ka cilësi të jashtëzakonshme. Ata kanë një skuadër që ka si rezerva lojtarë me cilësi të barabarta me titullarët. Ata kanë një grup kampionësh në përbërjen e tyre”, ishte vlerësimi i mbrojtësit për rivalët e të dielës.

Megjithatë, ai mendon se seleçao i ka të gjitha mundësitë të bëjë surprizën ndaj iberikëve dhe t’i vërë ata në vështirësi të dukshme.

“Jemi të gjithë të përgatitur për të luajtur kundër Spanjës. Mendoj se kjo ndeshje do të përcaktohet vetëm nga detaje të vogla”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:39

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i është përgjigjur të gjitha kritikave mbi koston e lartë të zhvillimit të Kampionatit Botëror në Brazil duke premtuar t’i japë këtij vendi një pjesë të fitimeve, për një paketë prej 100 milion dollarësh.

Një shumë e njëjtë iu dha Afrikës së Jugut për të ndihmuar në projektet e zhvillimit pas përfundimit të Botërorit të kaluar, por deri dje, askush nuk priste që një “fond social” të krijohet edhe për aktivitetin në Brazil.

“Kemi lënë në Afrikën e Jugut një fond të veçantë prej 100 milion dollarësh, që kontrollohet nga qeveria e këtij vendi, FIFA dhe Federata e Futbollit atje. Jam i sigurt që një shumë e tillë, ndoshta edhe më e lartë, do të mund të caktohet edhe këtu. FIFA nuk ka si qëllim që të përfitojë nga vendi organizator, por të dhurojë diçka për këtë vend”, ishte deklarata e Blater, i cili është munduar të shuajë polemikat e lindura gjatë Kupës së Konfederatave me protestuesit që akuzojnë qeverinë se mendon më shumë për futbollin sesa për jetët e njerëzve.

Qeveria braziliane ka planifikuar një shpenzim të përgjithshëm prej 13.3 miliard dollarësh për stadiume, aeroporte dhe projekte të tjera infrastrukturore, me të paktën 3.5 miliard dollarë që janë investuar vetëm në stadiumet ku do të luhen ndeshjet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:32

Andres Iniesta mendon se Brazili është favorit për fitoren në finalen e Kupës së Konfederatave pasi luan në një stadium legjendar, përballë mijëra tifozëve brazilianë. Por mesfushori spanjoll është gjithashtu i mendimit se kjo situatë mund të ndihmojë më shumë Spanjën, si mënyrë motivimi për këtë ndeshje.

“Ata janë favoritë për shkak se luajnë në shtëpi dhe kanë pas krahëve me dhjetëra mijëra persona që do t’i mbështetin gjatë ndeshjes. Por këtë faktor ne duhet ta kthejmë në avantazh. Nuk ka arritje e sukses më të madh sesa të mundësh Brazilin në stadiumin e vet”, u shpreh mesfushori.

“Brazili është një skuadër e madhe, ka zhvilluar një turne spektakolar dhe ka lojtarë shumë të mirë. Edhe ne kemi një ekip shumë të mirë, i cili dhuron një nivel shumë të lartë, pavarësisht emrave që luajnë dhe nuk ka arsye pse të mos themi se synojmë këtë trofe. Kupa e Konfederatave i mungon kësaj kombëtareje, për të mbyllur një cikël të plotë trofesh të fituar”, shpjegoi futbollisti që prej shumë vitesh është kthyer në një nga pikat kyçe të kësaj kombëtareje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 22:34

Emanuele Xhakerini, mesfushori i Juventusit dhe kombëtares italiane, ka një peng shumë të madh, pasi një hezitim i tij solli edhe humbjen në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave përballë Spanjës me penallti. Gabimin nga pika e bardhë e bëri Bonuçi, por ishte Xhakerini ai që duhej të kishte gjuajtur në atë moment.

“Atë penallti duhej ta kisha gjuajtur unë, por nuk u ndjeva i gatshëm dhe i kërkova Leos ta gjuante”, pranoi mesfushori që ishte nga më të mërziturit pas humbjes së kësaj sfide.

“Unë do të kaloj një vit duke u stërvitur në gjuajtjet e penalltive. Nuk dua të rrezikoj që e njëjta gjë të më ndodhe edhe gjatë Botërorit”, ishte kundërpërgjigja e Bonuçit i cili e ka marrë si një mësim gabimin e tij para Kazijas.

“Shkova i sigurt drejt topit, por kur e kuptova që Kazijas kishte gjetur krahun tim, nuk kisha më qetësinë e nevojshme. U mundova të ndryshoja mënyrë gjuajtje dhe të ngrija lart topin, por e teprova pak dhe e patë të gjithë se si përfundoi”, shpjegoi mbrojtësi i Italisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 22:32

Nëse ndokush ka pasur dyshime për paraqitjet e Neimar, i ka mjaftuar të shohë Kupën e Konfederatave për të vërtetuar se braziliani po kalon një formë të shkëlqyer. Sulmuesi që u shpall “Lojtari më i mirë” për tre ndeshjet në grup dhe ishte vendimtar me lojën e tij në ndeshjen kundër Uruguait, tashmë është kthyer në yllin që priste çdo tifoz i Brazilit, fakt që e tregon edhe interesimi i jashtëzakonshëm për konferencën e tij për shtyp, me mbi 150 gazetarë të pranishëm.

“E diela është një ditë historike për futbollin, për shkak të cilësisë së dy kombëtareve. Tani mund ta pranoj se kjo është finalja që shpresonim të gjithë. E gjithë bota kërkon një ndeshje Brazil-Spanjë, që kanë shumë yje. Jemi dy kombëtare që duam të luajmë një futboll të bukur. Kjo është ndeshja që çdo futbollist ëndërron ta luajë”, ishin fjalët e sulmuesit.

Në këtë takim, Neimar do të ketë një mbulim të rreptë nga ata që do të jenë shokët e tij të ardhshëm te skuadra e Barcelonës.

“Është një kënaqësi të luaj kundër shokëve të mi të ardhshëm, do të jetë shumë emocionuese. I uroj fat, por jo për këtë ndeshje”, ishte batuta e brazilianit mes të qeshurave në sallë. “Admiroj shumë lojtarë prej atyre që do të kem si kundërshtare. Çavi, Iniesta, Pedro, Pike, Serxhio Ramos. Kjo Spanjë ka shumë cilësi”, pranoi sulmuesi brazilian.

“Si e imagjinoj ndeshjen? Imagjinoj shumë gola për Brazilin dhe asnjë për Spanjën”, ishte parashikimi humoristik i futbollistit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 12:41

Visente Del Boske ka minimizuar shanset e Spanjës për të fituar finalen e Kupës së Konfederatave përballë Brazilit. Iberikët prenotuan finalen pasi mundën 7-6 me penallti Italinë, në fund të 120 minutave të lodhshëm të mbyllur në barazimin 0-0. Kjo lodhje dhe fakti që spanjollët luajtën një ditë pas Brazilit, ka shtyrë Del Bosken të besojë se brazilianët janë favoritë.

“Brazili është favorit. Ajo kombëtare ka fituar 5 Kupa Bote, 3 Kupa Konfederatash. Ne do të përballemi me këtë skuadër në “Marakana” dhe jemi shumë të entuziazmuar se do ta bëjmë një gjë të tillë. Duam të çlodhemi dhe do të mundohemi që ta bëjmë një gjë të tillë në 3 ditët e ardhshme”.

“Në këtë ndeshje luajtëm 120 minuta, por këta janë lojtarë të cilët janë mësuar të luajnë dy ndeshje në javë ndaj shpresoj që pasi të çlodhemi të arrijmë të japim maksimumin. Nuk di të them se kush do të dominojë apo kush do të mbajë më shumë topin. Në gjysmëfinale ishte Italia që kontrolloi ndeshjen”, pranoi Del Boske.

Vështirësitë e Spanjës i ka pranuar edhe Iker Kazijas, i cili mendon se skuadra kaloi në finale falë fatit me penalltitë.

“E vërteta është se ishte shumë e vështirë të fitonim. Italia e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer. Ne vumë në vështirësi Bufon, por edhe ata na rrezikuan. Penalltitë pastaj janë një lotari dhe ne ishim me fat që fituam. Shumë mirë mund të ishim duke folur për një finale Itali-Brazil në këto momente”, deklaroi Kazijas. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 09:32

Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, është i bindur se shumëkush ka ndërruar mendim për Italinë pasi i ka parë të kaltrit duke luajtur si të barabartë përballë Spanjës dhe duke u eliminuar nga Kupa e Konfederatave vetëm me penallti. Për të kuptuar se sa në vështirësi u vu Spanja, mjafton të shohësh statistikën 53% të mbajtjes së topit nga spanjollët gjatë 120 minutave, një shifër shumë e përafërt me atë të Italisë, në kundërshtim nga dominimi i theksuar që iberikët ushtrojnë zakonisht ndaj rivalëve.

“Kemi luajtur një pjesë të parë të madhe, por pastaj nuk mundëm të mbanim të njëjtin intensitet loje. U munduam të luanim me topa të ulët, por ata ishin shumë të mirë në mbrojtje dhe shfrytëzuan disa mundësi që iu shfaqën në kundërsulm. Nuk kam çfarë të them përveçse të falënderoj skuadrën time. Siç e kam thënë edhe më parë, ne gjithmonë kemi dashur të luajmë në mënyrën siç luajtëm sot”, tha Prandeli para gazetarëve.

“Ne kemi fituar respektin e kundërshtarëve tanë dhe tani të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ne jemi në gjendje të konkurrojmë si të barabartë me ekipet më të mira. Spanja është një skuadër e madhe që ka vazhdimësinë që ne po kërkojmë. Por kur shkon te penalltitë, gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi trajneri i Italisë, e cila vetëm një vit më parë u mund në finalen e Euro 2012 nga spanjollët me rezultatin 4-0. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 09:28

Spanja dhe Brazili janë dy skuadrat që do të diskutojnë finalen e Kupës së Konfederatave, pasi iberikët prenë mbrëmë biletën për të luajtur në këtë ndeshje. Skuadra e Del Boskes arriti të kalonte një nga pengesat më të vështira në gjysmëfinale, Italinë, në një takim të zgjidhur vetëm nga penalltitë. 

Në fakt, ishte Italia që çuditi të gjithë jo vetëm duke bllokuar Spanjën, por edhe duke krijuar më shumë raste para portës kundërshtare, për të detyruar Kazijas të bënte disa pritje radhazi për të shpëtuar portën e tij. Por koha e rregullt, ashtu si edhe shtesat nga 15 minuta u mbyllën pa gol, ku duket përmendur se Xhakerini nga njëra anë dhe Çavi nga ana tjetër goditën shtyllën me gjuajtjet e tyre.

Më pas fjala i shkoi 11-metërshave, ku spanjollët dhe italianët dhuruan një seri prefekte prej 12 realizimesh radhazi. Gjuajtja e 13-të, ajo e Bonuçit, ishte vendimtarja, pasi mbrojtësi i Juventusit e dërgoi topin lart, mbi traversë, ndërsa Hesus Navas shënoi qetësisht penalltinë e fundit për t’i dhënë Spanjës finalen e radhës në një turne ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)