Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 23:02

Interi do të mbyllë edhe këtë sezon pa një trofe, pasi është eliminuar në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë nga Roma. Në atë që është cilësuar si “sezoni i mallkuar” nga vetë trajneri Stramaçioni, zikaltërit kanë treguar se nuk kanë forca të përballen me ekipet më të mira italiane, pasi kanë një mungesë të theksuar lojtarësh për shkak dëmtimesh. 

Kjo gjë është vënë re më së miri në ndeshjen e luajtur në “San Siro”, ku zikaltërit kaluan të parët në avantazh me Xhonatan, duke ngjallur shpresën e kualifikimit te skuadra e tyre, pasi falë rezultatit 2-1 në ndeshjen e parë ishin ato që kalonin turin me rregullin e golit në fushën kundërshtare.

Por pastaj lodhja e lojtarëve që prej kohësh luajnë në çdo aktivitet ka bërë të vetën dhe Interi nuk ka pasur forcë të reagojë ndaj Romës. Handanoviç ka shpëtuar dy herë portën në pjesën e parë, por në pjesën e dytë edhe ai nuk ka mundur të bëjë asgjë ndaj dy golave të Destro dhe një të Torosidis që kanë përmbysur rezultatin në 3-1 për verdhekuqtë. Goli i Alvarez ka shërbyer vetëm për statistikën përfundimtare të humbjes 3-2, pasi Interi nuk ka pasur forcën e duhur për të reaguar dhe për të kërkuar qoftë edhe një rezultat pozitiv.

Në finalen e Kupës së Italisë, Roma do të ndeshet me Lacion, në derbin e kryeqytetit italian. Ndërkohë, duhet theksuar se te Interi tashmë kanë filluar edhe kontestimet e tifozëve, të cilët kanë dalë hapur kundër drejtuesve me parullat që kanë shpalosur në stadium. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 01:12

Lacio është finalistja e parë e Kupës së Italisë pasi ka eliminuar në gjysmëfinale pretendentët e Juventusit. Nëse një javë më parë bardhekaltrit barazuan 1-1 në Torino, në ndeshjen e luajtur në fushën e tyre ata kanë mundur 2-1 kampionët e Italisë. 

Pas një pjese të parë pa shumë emocione, pjesa e dytë ka qenë drithëruese. Gonzalez kalon në avantazh Lacion në minutën e 53-të dhe kryeqytetasit mbrojnë me shpirt rezultatin. Kur ndeshja ishte duke përfunduar, vjen edhe goditja e Juventusit që gjen barazimin me Vidal kur kronometri tregonte se luhej minuta e 91-të ë sfidës. Por në mënyrë të pabesueshme, vetëm 3 minuta më vonë, është Flokari që shënon golin e avantazhit 2-1, ndërsa në minutëne fundit të kësaj shtese, Markizio humb një rast të pafalshëm për të gjetur barazimin dhe për të çuar Juventusin në finale.

Por në ndeshjene  26 majit do të shkojë Lacio, e cila mund të humbasë ndihmën e faktorit fushë për takimin që luhet në “Olimpiko” nëse si rivale do të ketë përballë skuadrën e Romës. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 23:13

Roma ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në finalen e Kupës së Italisë duke mundur Interin me rezultatin 2-1, ndonëse gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. 

Në takimin e luajtur në “Olimpiko”, ekipi i Zeman dominoi sidomos në pjesën e parë dhe arriti të krijonte e të finalizonte me atë Florenci e Destro. Por verdhekuqtë gabojnë duke mos mbyllur ndeshjen dhe si rrjedhojë, para përfundimit të pjesës së parë të takimit është Palacio që arrin të shkurtojë diferencën për skuadrën mike.

Por dy ekipet çuditërisht kënaqen me një rezultat të tillë dhe pjesa e dytë nuk dhuron shumë emocione, duke bërë që takimi të përfundojë me rezultatin 2-1 për verdhekuqtë e Romës. Skuadra e Zeman duhet të mbrojë këtë avantazh minimal në ndeshjen e kthimit, por gjithçka mbetet e hapur për takimin që luhet në “San Siro” pasi edhe Interi kërkon medoemos një trofe në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 23:20

Juventusi është ndalur në barazim 1-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Lacios. Në ndeshjen e luajtur në Torino, bardhezinjtë kanë dominuar, por nuk kanë arritur të mbyllin takimin. 

Edhe pse dy trajnerët kishin hedhur në fushë thuajse krejtësisht formacionet titullare që kanë përdorur zakonisht në kampionat, ndeshja nuk ishte shumë emocionuese, ndonëse Juventusi kërkoi dhe krijoi më shumë raste para portës. Gjithsesi, bardhezinjtë arritën të kalonin të parët në avantazh me atë të Peluso në minutën e 63-të, ndërsa Vidal i shkoi shumë afër rezultatin 2-0, por gjuajtja e tij përfundoi në shtyllë.

Kur ndeshjes po i afrohej fundi, pikërisht në minutën e 86-të, është Mauri që pas një goditje nga këndi dërgon topin në rrjetë duke përfituar nga pavëmendja e mbrojtjes së Juventusit.

Me këtë barazim 1-1, Lacio ka një avantazh të rëndësishëm për takimin e kthimit që luhet në fushën e saj pas një jave, pasi i mjafton të ruajë portën të paprekur për të siguruar finalen e Kupës së Italisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 11:59

Skuadra e Romës është gjysmëfinalistja e katërt në Kupën e Italisë, pasi ka fituar në fushën e Fiorentinës me rezultatin 1-0. Kryeqytetasve u ka mjaftuar një gol i Matia Destro në minutat shtesë të takimit, ndërsa kanë prenotuar një takim me Interin në turin tjetër të aktivitetit. 

Ndeshja nuk ka qenë në nivelin e pritur, me dy skuadrat që kanë preferuar më shumë të mbrohen dhe të administrojnë forcat e edhe për kampionatin në fundjavë. Kjo ka bërë që të mos kishte shumë raste për shënim nga palët, ndërsa emocioni më i madh i pjesës së parë është traversa e goditur nga Akuilani me goditje dënimi.

Edhe në pjesën e dytë, ritmi është i ulët për shkak edhe të terrenit të rënduar nga shiu, ndërsa rastin më të mirë e ka në minutën e fundit Borja Valerio, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla.

Dy skuadrat shkojnë në kohët shtesë, ku diferencën e bën goli i shpejtë i Destro, pas vetëm 7 minutash. Fiorentina tenton në të gjitha mënyrat për të gjetur barazimin, por e kupton që është thuajse e pamundur një gjë e tillë në momentin kur edhe Kuadrado gjen shtyllën me gjuajtjen e tij. Në fund, ka kohë edhe për nervozizëm në fushë dhe një zënkë e përgjithshme mes dy skuadrave, me Romën që përfundon ndeshjen me 9 lojtarë pas kartonëve të kuq të Tadei e Dodo, dhe Fiorentinën që e mbyll me 10 pas kartonit të kuq të Kuadrado. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 23:46

Interi është gjysmëfinalist i Kupës së Italisë, pasi ka arritur të kalojë skuadrën e Bolonjës në një ndeshje dramatike dhe emocionuese, e cila është mbyllur 3-2 për zikaltërit pas kohëve shtesë. 

Në takimin e luajtur në “San Siro”, skuadra e Stramaçionit ka kaluar në avantazh në minutën e 34-t me Guarin, i cili vazhdon të shkëlqejë në rolin e ri si organizator. Goli i dytë për vendasit, me autor Palacion në minutën e 77-të, mendohej se do të mbyllte ndeshjen dhe se Interi po shkonte qetësisht në fazën tjetër të turneut.Por Bolonja fillimisht ka rihapur gjithçka me anë të Diamantit në minutën e 81-të, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë ka arritur barazimin e paparashikuar me Gabiadinin.

Meqë koha e rregullt u mbyll në barazimin 2-2, skuadrave iu deshën kohët shtesë për të përcaktuar fituesen e kësaj sfide. Pas emocioneve të shumta në të dy krahët, goli ka ardhur në stilin tipik të Interit, në minutën e fundit të shtesës së dytë, me autor Ranokian, që ka vulosur kalimin në gjysmëfinale të skuadrës së tij, ndërsa pret fituesen nga çifti Fiorentina-Roma. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 January 2013 23:29

Juventusi ka fituar supersfidën e çerekfinaleve të Kupës së Italisë ndaj Milanit pas 120 minutash të ethshme, duke siguruar përballjen gjysmëfinale me Lacion. Në një takim mjaft emocionues, dy skuadrat kanë shpalosur një lojë mjaft të kënaqshme, që ka argëtuar dhe i ka dhënë më tepër vlerë këtij turneu i cili duket se ka rifituar popullaritet mes skuadrave të mëdha. 

Ndeshja ka filluar nën ritmin e Milanit, që nuk ka vonuar për të gjetur golin që në minutën e 6-të me një aksion perfekt, të finalizuar nga i zakonshmi El Sharaui. Por reagimi i bardhezinjve nuk vonon dhe goli i barazimit vjen në minutën e 12-të, me autor Xhovinkon, i cili transformon në mënyrë perfekte një goditje dënimi.

Më pas, ndeshja dhuron emocione dhe raste nga të dy skuadrat, por asnjëra nuk arrin të gjejë rrjetën, edhe për shkak të ndërhyrjeve të sakta të Storarit nga njëra anë e Amelias në krahun tjetër. Si rrjedhojë, takimi shkon drejt kohëve shtesë.

Pikërisht në minutën e 5-të të shtesës së parë, Vuçiniç arrin të mposhtë Amelian me një devijim vendimtar duke siguruar avantazhin 2-1 për Juventusin, që do të jetë më pas rezultatin përfundimtar i ndeshjes, pasi bardhezinjtë i rezistojnë furisë së miqve për të mbyllur takimin me një fitore dhe me kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. (LajmeShqip.com)