Lajme Shqip Sunday, 10 February 2013 21:53

Nigeria ka fituar për herë të tretë në historinë e saj Kupën e Kombeve të Afrikës, duke mundur në finale me rezultatin 1-0 ekipin e Burkina Fasos, surpriza e vërtetë e këtij edicioni. 

Në një ndeshje jo shumë spektakolare mes dy skuadrave që kanë menduar më shumë të mos pësonin se sa të shënonin, diferencën e ka bërë goli i shënuar nga Sandei Mba në minutën e 40-të të kësaj ndeshje.

Pavarësisht insistimit më të madh të Burkina Fasos në pjesën e dytë, Nigeria ka larguar çdo rrezik të mundshëm në katërkëndorin e saj dhe ka arritur të marrë këtë fitore të turneut, 19 vite pas herës së fundit kur ishte ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit, me atë ekip që më pas bëri bujë edhe në Botërorin e vitit 1994.

Nigerianët, përveç të tjerave, kanë fituar edhe një premio mjaft të veçantë, pasi prostitutat e këtij vendi i kanë premtuar lojtarëve një javë seks falas nëse fitonin trofeun. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 09:51

Kupa e Afrikës do të shpallë fituesin e saj me një ndeshje që askush nuk do ta kishte parashikuar si finalen e turneut, Nigeri-Burkina Faso. Nëse fitorja e të parëve kundër Malit me rezultatin 4-1 ishte e pritshme, ajo me penallti e Burkina Fasos ndaj pretendentëve të Ganës ishte thuajse e paimagjinueshme. 

Ndeshja e Nigerisë është mbyllur shpejt, pasi brenda një orë shënoi 4 gola me Eçiejile, Ideie, Emenike dhe Musa, ndërsa goli i Diarra shërbeu vetëm si ngushëllim për Malin, kombëtare që gjithsesi kaloi çdo parashikimin duke arritur deri në gjysmëfinalen e turneut.

Por takimi më entuziazmues i gjysmëfinaleve ka qenë padyshim ai mes pretendetëve të Ganës dhe Burkina Fasos, me këta të fundit që kanë luftuar në fakt edhe kundër një gjykimi tërësisht të njëanshëm. Gana kaloi në avantazh në minutën e 13-të falë një penalltie inekzistente, të realizuar më pas nga Uakaso. Por Burkina Faso arrin të reagojë dhe pas disa rasteve, gjen barazimin në minutën e 60-të me anë të Banse.

Në shtesën e ndeshjes ndodh gjithçka, pasi fillimisht Burkina Faso sheh t’i anulohet në mënyrë të padrejtë një gol i Nakoulma. Pastaj në minutën e 117-të, Pitroipa rrëzohet në mënyrë të dukshme në zonë, por gjyqtari i ndeshjes, në vend që të japë penallti, largon lojtarin më të mirë të Burkina Fasos nga fusha e lojës me karton të kuq.

Ndeshja shkon në penallti, ku Burkina Faso tregohet më e saktë sesa ganezët, në gjuajtjet e të cilëve gabojnë Vorsah, Klotei dhe Badu. Si rrjedhojë, surpriza e turneut shkon në finale për herë të parë, ndërsa Gana largohet kokulur nga një aktivitet në të cilin realisht nuk shkëlqeu asnjëherë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 10:17

Burkina Faso dhe Nigeria plotësuan katërshen e gjysmëfinalisteve të Kupës së Kombeve të Afrikës, duke larguar nga turneu pretendentët e Togos dhe Bregut të Fildishtë, dy skuadrat të cilat nuk arritën të merrnin përsëri maksimumin nga ky turne. 

Nigeria shkaktoi surprizën më të madhe, duke mundur 2-1 Bregun e Fildishtë, edhe pse vetë trajneri i kësaj skuadre, Stefen Keshi, i kishte dhënë vetëm 20% shanse skuadrës së tij për të kaluar favoritët e turneut. Në fakt, ky ishte edicioni i pestë radhazi që Bregu i Fildishtë i udhëhequr nga Didier Drogba, nis aktivitetin si pretendent absolut, por pa arritur asnjëherë të fitojë trofeun.

Emenike kaloi në avantazh Nigerinë, ndërsa barazimi u realizua nga Tiote në pjesën e dytë. Por goli i fitores erdhi nga Mba vetëm 12 minuta nga fundi i sfidës, pas një aksioni personal të futbollistit që aktivizohet në kampionatin nigerian të futbollit dhe që përfaqëson qartësisht idenë e trajnerit Keshi për një skuadër që kishte nevojë të rinohej duke filluar nga talentet vendas. Në gjysmëfinale, Nigeria do të vihet përballë Mali, një ndeshje që askush nuk e kishte parashikuar në këtë pikë të turneut.

Ndërsa Burkina Faso arriti për herë të dytë në historinë e saj në gjysmëfinalet e turneut ku i pret Gana, vetëm falë golit të shënuar në minutën e fundit të shtesës së parë nga Pitroipa, pasi koha e rregullt ndaj Togos kishte përfunduar në barazim 0-0. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 February 2013 10:04

Gana dhe Mali janë dy gjysmëfinalistët e parë të edicionit të 29-të të Kupës së Afrikës që po zhvillohet aktualisht në Afrikën e Jugut, në një aktivitet ku nuk kanë munguar surprizat. 

Ganezët kanë djersitur shumë për të mundur surprizën e këtij edicioni, Kepin e Gjelbër, skuadra debutuese që këtë vit përveç eliminimit të Kamerunit në kualifikuese, largoi nga faza në grup Marokun dhe Angolën. Golat për ekipin ganez u shënuan nga zëvendësuesi Uakaso Moubarak, ndërsa duhet theksuar se i pari erdhi nga një penallti shumë e dyshimtë. Tashmë Gana pret të njohë kundërshtarin që do të dalë nga sfida e sotme mes Burkina Faso dhe Togo.

Surpriza e çerekfinaleve ka qenë eliminimi i Afrikës së Jugut, organizatore e turneut, përballë Mali. Ndonëse kombëtarja e këtij vendi ishte mbledhur me urgjencë dhe nuk ka pasur kushtet e përshtatshme për t’u përgatitur për shkak të luftës civile që ka shpërthyer në vend, ajo ka arritur të përfaqësohet mëse denjësisht duke arritur deri në gjysmëfinale. Për të kaluar Afrikën e Jugut janë dashur gjuajtjet e 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe shtesat u ndanë në barazim 1-1 pas golave të Ranti për vendasit e Keita për miqtë. Vendimtare ishin pritjet e portierit Sumbeila Diakite përballë gjuajtjeve të afrikano-jugorëve, të cilët realizuan vetëm 1 nga 4 tentativat e tyre, ndërsa lojtarët e Malit u treguan të saktë në të 3 tentativat nga pika e bardhë. Kundërshtari i tyre do të dalë nga sfida mes Bregut të Fildishtë dhe Nigerisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 10:03

Kupa e Afrikës ka përjetuar disa skena të dhunshme gjatë ditës së djeshme, në takimin mes Zambias që është kampione e turneut në fuqi dhe Etiopisë, ndeshje e mbyllur me rezultatin 1-1. 

Telashet e shkaktuara nga tifozët e Etiopisë filluan që nga momenti kur ylli i kombëtares së këtij vendi, Saladin Seid, humbi një penallti në minutën e 25-të, ndërsa protestat u bënë të dhunshme pas minutës së 32-të. Portieri etiopian Xhemal Taseu doli nga zona dhe bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Çisamba Lumbu, duke u dëmtuar edhe vetë gjatë përplasjes. Por kartoni i kuq ndaj tij u dha vetëm kur po largohej me barelë nga fusha e lojës, pas rreth 11 minutave që ai po merrte trajtimin mjekësor në fushë, duke bërë që të shpërthente inati i tifozëve të Etiopisë.

Këta të fundit mbuluan fushën me shishe uji dhe vuvuzela, duke shkaktuar kaos në stadium dhe duke detyruar policinë vendase të ndërhynte ndaj tyre. Takimi vazhdoi rregullisht, ndërsa përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. (LajmeShqip.com)