12
 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 09:45

Zambia është kthyer në vendin e tragjedisë më të madhe të saj futbollistike në Gabon, për ta bërë atë një vend gëzimi, pasi ka fituar Kupën e Kombëve të Afrikës, duke mundur me 11-metërsha Bregun e Fildishtë. Sunzu shënoi golin vendimtar nga pika e bardhë pas gjuajtjes jashtë të Gervinjo, duke i dhënë Zambias një sukses të papritur në fitoren 8-7. Fati e deshi që Zambia të fitonte titullin e saj të parë ndërkombëtar pak kilometra larg vendit ku 19 vjet më parë u rrëzua avioni që mbante përfaqësuesen e këtij vendi, duke shuar të gjithë kombëtaren. Pas 19 vitesh vuajtje, “plumbat e bakrit” ka arritur të shkruajnë emrin e tyre mes më të mëdhenjve në Afrikë, ndërsa u bënë surpriza e këtij edicioni duke eliminuar favoritët njëri pas tjetrit. Megjithatë, vendimtar në finale ishte edhe gabimi i Didier Drogba, i cili humbi një 11-metërsh gjatë kohës së rregullt të takimit, duke mos i dhënë mundësinë skuadrës së tij të siguronte një trofe që i mungon prej 20 vitesh. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 22:54

Zambia ka arritur në finalen e Kupës së Afrikës për herë të parë që nga viti 1994, duke shkaktuar një surprizë duke triumfuar në gjysmëfinale përballë Ganës me rezultatin 1-0. Emanuel Majuka shënoi në minutën e 78-të të takimit, duke siguruar këtë rezultat të rëndësishëm për ekipin e tij, ndonëse Gana duhet të fajësojë veten për rastin e humbur. Asamoah Gian ka humbur një 11-metërsh në minutën e 8-të duke rikujtuar skenat e Botërorit 2010 kur në çerekfinalen përballë Uruguait humbi penallti në minutën e fundit shtesë. Fati ka sjellë që finalja të zhvillohet të dielën në Librevill, aty ku është shënuar edhe fatkeqësia më madhe e historisë së futbollit të Zambias. Në vitin 1993, aty u rrëzua një avion që mbante ekipin kombëtar të futbollit të këtij vendi dhe humbën jetën 25 futbollistë e zyrtarë. 

Kundërshtarë në finale do të jenë favoritët e turneut, Bregu i Fildishtë. Ekipi i Didier Drogba ka fituar po 1-0 ndaj Mali, ndonëse ka dominuar të gjithë takimin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Gervinjo në minutën e 45-të. Sulmuesi i Arsenalit dribloi gjithë mbrojtjen kundërshtare që nga gjysmëfusha e tij duke dërguar më pas topin në rrjetë. Didier Drogba dhe Jaja Ture goditën të dy shtyllën, ndërsa Bregu i Fildishtë arriti të shkonte në finale pa pësuar asnjë gol. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 10:16

Gana dhe Mali kanë arritur të kalojnë në gjysmëfinalet e Kupës së Afrikës duke u kualifikuar në mënyrë dramatike pasi në ndeshjet respektive, koha e rregullt kishte përfunduar 1-1. Gana vihej përballë Tunizisë, në një sfidë mjaft të tensionuar por gjeti golin e avantazhit me anë të Xhon Mensah që në minutën e 10-të. Më pas ishte Tunizia që morri në dorë frenat e lojës dhe arriti të shënonte golin e barazimit me Saber Kalifa. Koha e rregullt përfundoi 1-1 por në pjesën e dytë shtesë, një gabim i portierit Mathlouthi  i dha mundësinë Ajeu të dërgonte topin në rrjetë dhe të kualifikonte Ganën në fazën tjetër të turneut. 

Ndërkohë, organizatorët e Gabonit u eliminuan në mënyrë dramatike nga Mali, nëpërmjet 11-metërshave, pasi koha e rregullt kishte përfunduar në barazim 1-1. Vendasit shënuan të parët me anë të Mulungui, ndërsa më pas kontrolluan sfidën. Por ishte Diabate që vendosi baraspeshën në shifra vetëm 5 minuta para përfundimit të sfidës, duke detyruar skuadrat të shkonin në kohët shtesë e më pas gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave. Aty ishte vendimtar Pierr-Emerik Aubamejang, i cili gaboi gjuajtjen e tij, duke ndihmuar Malin të kalonte në gjysmëfinalet e turneut. (LajmeShqip.com)

 

Gjysmëfinalet

08/02/12

Zambia-Gana               17:00

Mali-B. i Fildishtë         20:00

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 23:26

Bregu i Fildishtë dhe Zambia janë dy skuadrat e para gjysëmfinaliste të Kupës së Afrikës pasi kanë fituar të dyja me rezultatin 3-0 ndeshjet respektive në çerekfinale. Zambia ka mundur 3-0 Sudanin, një prej ekipeve surprizë të turneut, por që këtë radhë e ka patur thuajse të pamundur të reagojë përballë superioritetit të ekipit kundërshtar. Sunzu, Katongo dhe Çamanga kanë vulosur suksesin për Zambian që në ndeshjen gjysmëfinale do të vihet përballë fitueses së çiftit Gabon-Mali. 

Në takimin tjetër çerekfinal, Bregu i Fildishtë ka mposhtur me rezultatin 3-0 vendasit e Guinesë Ekuatoriale falë një prove të shkëlqyer të Didier Drogba. Sulmuesi ka humbur një 11-metërsh në minutën e 29-të, por më pas ka shlyer gabimin duke shënuar dy gola në portën e mbrojtur nga Danilo, ndërsa rezultati është vulosur nga goditja e dënimit e Jaja Ture. Për Bregun e Fildishtë, në gjysmëfinale do të jetë si kundërshtar fituesi i çiftit Ganë-Tunizi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 22:54

Gana dhe Mali janë dy skuadrat e fundit që plotësojnë 8-shen e ekipeve më të mira që do të vazhdojnë garën për fitoren e Kupës së Afrikës. Ganezët ishin me një këmbë në çerekfinale dhe u ka mjaftuar barazimi 1-1 ndaj Guineas për të mbajtur vendin e parë në Grupin D. Ndërkohë, më emocionuese ka qenë ndeshja tjetër mes Botsvanës dhe Mali. Botsvana ka kaluar në avantazh me anë të Ngele në minutën e 50-të, ndërsa 5 minuta më vonë ka qenë Dembele që ka vendosur baraspeshën në shifra. Për të shuar çdo dyshim, ka menduar mesfushori i Barcelonës, Keita, i cili ka shënuar golin e fitores 2-1 për Malin në minutë e 75-të. (LajmeShqip.com) 

Çerekfinalet

04/02/12

Zambia-Sudan                          17:00

B. Fildishtë-G. Ekuatoriale        20:00  

05/02/12

Gabon-Mali                              17:00

Gana-Tunizi                              20:00

 
Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 09:32

Përfaqësuesja e Libisë e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesëmarrjen në Kupën e Afrikës duke marrë një fitore ngushëlluese 2-1 përballë Senegalit. Kombëtarja e vendit të përfshirë nga lufta gjatë vitit 2011, ishte një nga surprizat më të këndshme falë mbërritjes në fazën finale të turneut.

Por dygolëshi i Abousaifi nuk ka mundur ta kalojë atë në turin tjetër ku nga Grupi A do të shkojnë vendasit e Guinesë Ekuatoriale dhe Zambia. Megjithatë, trajneri Markos Pakueta e sheh pjesëmarrjen e Libisë si një sukses të jashtëzakonshëm.

“Ky është një rezultat i rëndësishëm për ne pas asaj që ndodhi në Libi dhe kushtet e vështira në të cilat jemi përgatitur. Shumë nga lojtarë tanë nuk kanë qenë duke luajtur me klube, kanë kaluar përmes një lufte të vërtetë dhe ajo ka lënë pasoja të rënda psikologjike”.

“Shpresoj vetëm që pas kësaj fitoreje, atyre do t’u krijohen kushte më të favorshme në Libi në të ardhmen”, ishte komenti i trajnerit të Libisë.

Sot luhen ndeshjet e fundit të Grupit B ku Bregu i Fildishtë ka siguruar kualifikimin, ndërsa në garë për një vend mes 8 më të mirëve mbeten Sudani dhe Angola. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 09:49

Gabon, një nga skuadrat organizatore të Kupës së Afrikës, ka realizuar një surprizë të jashtëzakonshme duke eliminuar pretendentët e Marokut nga ky turne pas fitores dramatike 3-2. 

Mbanangoje shënoi golin e fitores me një goditje dënimi spektakolare në minutën e 6-të shtesë të një ndeshje emocionuese që kurorëzoi edhe kalimin e Gabon në çerekfinalet e turneut, ku iu bashkua Tunizisë që në ndeshjen tjetër të këtij grupi fitoi 2-1 ndaj Niger.

Në fakt ndeshja filloi me avantazhin e Marokut falë një goditje të saktë në zonë të kapitenit Husin Kharja në minutën e 25-të. Insistimi i Gabonit u shpërblye në minutën e 77-të, kur ylli i kësaj kombëtareje, Pierr-Emerik Aubamejang, shënoi golin e barazimit dhe vetëm një minutë më vone veterani Kusin kaloi vendasit në avantazh.

Por Kharja rivendosi barazinë me 11-metërshin e realizuar në minutën e fundit të ndeshjes. Megjithatë, kjo nuk i mjaftoi Marokut për t’i mbijetuar eliminimit pasi gjuajtja perfekte e Mbanangoje dekretoi suksesin e Gabonit në këtë ndeshje dramatike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 10:50

Bregu i Fildishtë ka siguruar pjesëmarrjen në çerekfinalet e Kupës së Afrikës duke mundur Burkina Fason me rezultatin 2-0. Për të kaluar në avantazh skuadrën në këtë ndeshje menduan dy lojtarët e Çelsit, Drogba dhe Kalu, më e të parin që harkoi në zonë dhe të dytin që lëshoi një predhë të pakapshme drejt portës në minutën e 16-të. Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 82-të kur Bakari Kone shënoi një autogol në portën e ekipit të tij. Skuadra e Didier Drogba është pretendente kryesore për suksesin në këtë turne dhe kërkon të rifitojë trofeun për herë të parë pas 20 vitesh. (LajmeShqip.com)  

 
Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 09:29

Kombëtarja e Guineas Ekuatoriale, pjesëmarrëse për herën e parë në Kupën e Afrikës, ka mundur 2-1 Senegalin duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet në çerekfinalet e këtij edicioni.  

Bashkë-organizatorët e turneut mbajnë vendin e 151-të në renditjen e FIFA-s por në fushën e lojës ata treguan se e meritojnë këtë sukses. Ijanga kaloi në avantazh vendasit në minutën e 62-të, por rezultati u barazua në mënyrë dramatike në minutën e 89-të nga Sou. Megjithatë, një goditje nga distanca e David Alvarez në minutën e katërt shtesë të ndeshjes solli fitoren e Guineas Ekuatoriale dhe bëri që të shpërthente entuziazmi në shkallët stadiumit dhe në rrugët e të gjithë këtij shteti të vogël të Afrikës Qendrore.

Bashke me kalimin në çerekfinale, kjo skuadër ka siguruar edhe një premio të majme. Vetëm një ditë më parë, lojtarët përfituan 1 milionë dollarë për suksesin në ndeshjen e hapjes kundër Libisë, nga djali i presidentit të vendit. Ai premtoi se do të vazhdonte të paguante shpërblime të majme për çdo sukses të kësaj kombëtareje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 10:23

Djali i presidentit të Guineas Ekuatoriale i ka dorëzuar lojtareve të kombëtares së këtij vendi një çek prej 1 milionë dollarësh si shpërblim për fitoren në ndeshjen e hapjes së Kupës së Afrikës ndaj Libisë.

Teodorin Obiang Nguema organizoi një ceremoni me skuadrën ku përveç kësaj shume, ai dha edhe 20 mijë dollarë për autorin e golit Balbo dhe 20 mijë të tjera për Bolado, ndonëse goli i këtij të fundit ishte anuluar.

“Ju uroj që të luani kundër Senegalit ashtu siç bëtë në ndeshjen e parë, duke shënuar më shumë gola. Bonuset e mia do të vazhdojnë në të ardhmen”, ishte premtimi i djalit të presidentit të vendit.

Guinea Ekuatoriale është bashkë-organizatore e turneut me Gabonin, por kjo ka ngjallur pakënaqësi te grupet që luftojnë për të drejtat e njeriut.

Ata kanë akuzuar familjen e presidentit se po vjedh dhe keqpërdor paratë e popullit në një shtet ku shumica e njerëzve jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndonëse ky vend ka depozita të mëdha nëntokësore nafte. (LajmeShqip.com) 

12