Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 19:10

Tiranë – Skandalet e Dhori Kules nuk kanë të sosur. Mania e tij për të abuzuar me fondet e Universitetit ka arritur deri aty sa të ‘gëlltisë’ dhe një kat të tërë tek Fakulteti i Mjekësisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar skandalin e radhës. Godina e lëndëve paraklinike duhet të ishte katër kate. Katër kate parashikohen në projekt, për katër kate janë dhënë dhe fondet, por KLSH ka zbuluar se godina në fjalë është ndërtuar vetëm me 3 kate.

Mungon pikërisht kati i nëndheshëm, pikërisht ai që kërkon më shumë fonde se një kat normal për tu ndërtuar. Në projekt ky kat do të shërbente për funksionimin e sistemit teknik për këtë institucion. Aty ishte parashikuar të vendosej kaldaja e sistemit të ngrohjes, pompat e ujit, gjeneratori elektrik, panelet elektrike si dhe panelet e mirëmbajtjes të këtyre sistemeve.

Aferat e Dhori Kules me këtë projekt nisën që në fazën e fillimit të tenderit. Sipas raportit të KLSH, shpallja e firmës fituese është bërë 19 ditë me vonesë nga marrja e vendimit të Komisionit, ndërkohë që sipas ligjit autoriteti kontraktor duhet të njoftojë brenda 5 ditësh nga data e zhvillimit të tenderit subjektet e skualifikuara në mënyrë që ata të ankohen po brenda afatit 5 ditor dhe që ankesa të merret në shqyrtim. (B.W)

 
Lajme Shqip Monday, 09 July 2012 18:43

Tiranë – “Akuzat e ngritura ditët e fundit për shpërdorim fondesh nga Universiteti i Tiranës, nuk gjejnë pasqyrim në raportin e përpiluar nga Këshilli Lartë i Drejtësis”, theksoi sot në një konferencë për shtyp, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.
Duke sqaruar një sërë çështjesh, që ditët e fundit kanë ngjallur debat në opinionin publik, Kule bëri të ditur se “reagimi i vonuar prej tij, vjen për shkak të impenjimeve jashtë vendit”.

Rektori i Universitetit të Tiranës, në fillim sqaroi kërkesën për marrjen në përdorim të konviktit të gjuhëve të huaja, e më tej argumentoi vendimin e senatit për rritjen e nurmit të pedagogëve dhe shpërndarjen e tyre në fakultete të tjera, ku tashmë do të ketë një departament posaçërisht për gjuhën e huaj, pjesë e të cilit do të jenë pesë pedagogë anglishteje dhe dy të gjuhëve të tjera.

“Pedagogët e anglishtes në fakultetin e Gjuhëve të Huaja nuk janë pushuar nga puna, përkundrazi nurmi i tyre parashikohet të rritet në 27, dhe shpërndarja e tyre nuk e ulë cilësinë e mësimdhënies në Anglisht, por përkundrazi, nxit shtimin e anglisht folësve”, sqaroi Kule.

Sa i takon çështjes së kërkesës për marrjen në përdorim të konviktit të gjuhëve të huaja, Kule argumentoi se, “shqetësimi i ynë për infrastrukturën do të gjejë zgjidhje me ndërtimin e kampusit, i cili do të financohet nga qeveria. Gjatë kohës që do ndërtohet ky kampus, na lind e drejta të kërkojmë një objekt publik, që do të përdoret për interesat publike, prandaj s’ka nevojë për komente”.

Duke iu rikthyer akuzave për shpërdorim fondesh të bëra nga media pas raportit  të Kontrollit të Larte të Shtetit, kreu i Universitetit të Tiranës, Kule, ritheksoi qendrimin e tij.  “Janë mashtrime dhe nga kontrollet e kryera në këtë institucione nuk ka rezultuar asgjë e tillë, prandaj nuk do stepem nga presionet, apo nga interesa individesh që lidhen me interesa sipërmarrëse”, nënvizoi Kule. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 July 2012 20:44

Tiranë – Thellohet skandali në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Pas abuzimeve me tenderat dhe dietat në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohen shkelje edhe me blerjen e karburantit.

Në tenderin e zhvilluar më datë 8 korrik 2009 janë vënë në dispozicion për blerje karburanti dhe lëndë djegëse mbi 95 mln lekë të vjetra. KLSH zbulon abuzime jo vetëm me përcaktimin e këtij fondi, por edhe me përzgjedhjen e fituesit të tenderit.

Kështu sipas raportit, për llogaritjen dhe argumentimin e fondit limit rezulton se sektori i shërbimeve dhe blerjeve nuk ka bërë llogaritjen e nevojave për karburant dhe lëndë djegëse, duke u nisur nga numri i mjeteve në përdorim, tipet e automjeteve që disponojnë fakultetet dhe rektorati dhe normativat e harxhimit të karburantit për secilin automjet, të cilat janë të dhëna bazë në përllogaritjen e nevojave për karburant. KLSH konstaton se ky veprim është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.

Gjithashtu në përcaktimin e fondit prej 95 milion lekësh për blerje karburanti dhe lëndë djegëse nuk janë bashkëngjitur të dhënat për sistemin e ngrohjes, sa kaldaja janë në përdorim, sa janë normativat e harxhimit të karburantit për orë pune dhe sa orë pune mendohet që të punojnë këto kaldaja për vënien në punë të sistemit të ngrohjes. Gjithashtu nuk janë paraqitur të dhënat për gjeneratorët, numrin e tyre, fuqinë, normativat dhe harxhimin e karburantit dhe për orët e puna.

KLSH zbulon shkelje edhe në përcaktuesin e fituesit të tenderit, pasi në raport theksohet se në kriteret e veçanta të kualifikimit të përcaktuara në dokumentet standarte të tenderit konfirmohet se operatori ekonomik duhet të ketë pika shitje karburanti në çdo qark. Në dokumentat e subjektit fitues të tenderit nuk janë depozituar dokumentet që vërtetojnë në pronësi apo në përdorim pikat e shitjes së karburantit për çdo qark. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 July 2012 20:35

Tiranë – Tjetër skandal i Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se Rektori Dhori Kule ka abuzuar deri dhe me dietat.

Në raportin e KLSH-së theksohet se më datë 13 tetor 2009 janë paguar shpenzime udhëtimi, dieta, për zotin Dhori Kule dhe një prej drejtorëve të tjerë të Rektoratit në shumën 835 euro për pesë ditë shërbimi.

Në shpenzimet e udhëtimit, përveç dietës së plotë, Rektori Kule ka përfituar më shumë para, të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ja ka njohur si dëm ekonomik.

Abuzimet e konstatuara nga KLSH-ja në Rektoratin e Universitetit të Tiranës janë edhe ato me orët jashtë orarit.

Në raport theksohet se në vitin 2008, në 17 raste, në shumën 6.1 milionë lekë të reja, janë kryer pagesa për orët jashtë orarit në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku bashkëlidhur nuk ka kërkesë dhe urdhër për kryerjen e këtyre orëve suplementare nga punonjësit dhe epërorët e tyre, por janë vetëm urdhrat e titullarit për pagesë.

Në raportin e KLSH-së evidentohen edhe abuzime të tjera, të bëra në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, me tenderat e rikonstruksionit të godinave si dhe me blerjen e automjeteve. (LajmeShqip.com)