12
 
Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 17:25

Tiranë – Pozitive për ekzistencën e naftës dhe gazit, kanë dalë rezultatet pas përpunimit të të dhënave të para të sigurara nga anketat sizmike të anijes “Nordic Explorer” të kompanisë norvegjeze “Petroleum Geo Services” (PGS), në Jon dhe jug të Kretës, në një sipërfaqe prej 225 000 km katrorë në det. 

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mjedisit, e cila konfirmon zyrtarisht për herë të parë, se në detin Jon dhe në Kretë ka naftë dhe gaz. Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Evangelos Livieratos tha se “imazhet e para reflektojnë struktura të mprehta interesante gjeologjike për identifikimin e hidrokarbureve”. 

Në mënyrë të veçantë ai deklaroi se “nga trajtimi i 30% të imazheve sizmike bëra nga nëntori 2012 deri në 25 shkurt 2013, vlerësohet zyrtarisht ekzistenca e naftës dhe gazit”. 

Në thelb, këto përfundime shërbejnë për kompanitë e mëdha të naftës, që janë të interesuara për të dhënat sizmike, siç është Total i Francës dhe ExxonMobil i SHBA, kompani të cilat janë tashmë në diskutime me norvegjezët. 

Deri në shtator 2013 pritet të përfundojë interpretimi i gjithë paketës së të dhënave sizmike, e cila pastaj do të ofrohet për shitje në treg, në gjysmën e parë të vitit 2014, për të nisur raundin e parë të koncesioneve. Qëllimi është që garat të zhvillohen në tremujorin e parë të vitit 2014. 

Në fillim të marsit, kompania që kreu kërkimet sizmike, deklaroi se fushat me interes të veçantë ndodhen pranë ishujve të Jonit, në veri dhe perëndim të ishullit të Korfuzit, në Paksos, Lefkada, Zakinthos, Kefalonia dhe në Katakolon, zona të cilat janë nënvizuar në hartën e naftës dhe gazit, si të pasura me rezerva të mëdha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 March 2013 20:43

Tiranë – Pas përfundimit të kërkimeve sizmike katër mujore të anijes Nordic Explorer, dy gazetat më të mëdha të së dielës në Greqi publikojnë për herë të parë hartat detare të zonave të pasura në rezerva natyrore me naftë dhe gaz, në jug të Kretës dhe në detin Jon.

REAL NEWS që del me titull kryesor “Harta e depozitave”, thekson se një raport i fshehtë me sasinë e hidrokarbureve dhe hartat përkatëse ndodhet tashmë në zyrën e kryeministrit Samaras.Vetë ministri i Ambientit dhe Energjisë, Evangjelos Livieratos, ka deklaruar disa orë më parë se “kërkimet kanë dalë me sukses të plotë”, ndërsa edhe zv/presidenti i kompanise eksploruese PGS ka thënë se “ekzistojnë depozita të mëdha me hidrokarbure në Kretë dhe në detin Jon”.

Nga ana e saj edhe gazeta PROTO THEMA në artikullin e saj me titull ”Harta e arit të zi në Greqi”, shkruan tekstualisht “çelës për naftën greke është Korfuzi dhe se pikërisht kjo hartë do të zbulojë gjithë lojën që do të luhet në vitet e ardhshme në zonën jugore dhe veriore të këtij ishulli si dhe në afërsi të kufijve detarë të Greqisë me Shqipërinë. Gazeta ju referohet burimeve të brendshme të kompanisë që kreu kërkimet sizmike të cilat shprehen se rezervat janë shumë më të mëdha se sa parashikimet, ndaj dhe kompania PSG e rriti buxhetin e saj të shpenzimeve me 30 milionë euro më tepër, për të krijuar një imazh të qartë përsa u përket këtyre rezervave.

Anija norvegjeze ka kryer kërkimet e saj në disa zona detare me përmasa 100 km katrorë në veri të ishullit Paksos në detin Jon si dhe në jugperëndim dhe veriperëndim të Korfuzit pranë kufijve shqiptarë. Pikërisht në këtë zonë si dhe në Katakolo, pranë gjirit të Patrës, gjenden sipas hartave të reja edhe rezervat më të mëdha të naftës të cilat kanë çelur prej kohësh buzëqeshjen e Athinës sepse në përllogaritjet më pak optimiste vlerësohen që do të sjellin në arkat e shtetit të paktën 150 -250 miliardë euro në 30 vitet e ardhshme.

Vlen të përmendet se 3 kompani tepër të fuqishme si amerikania EXXON MOBIL, norvegjezja STATE OIL dhe francezja TOTAL kanë shprehur interesin e tyre tepër të madh dhe janë të gatshme të marrin pjesë në tenderat që do të shpallë qeveria greke në muajt e ardhshëm.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 19:07

Ankara – Mundësia që Greqia të dorëzojë në OKB koordinatat e Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive (EEZ), të përcaktuara në mënyrë të njëanshme, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Turqisë, e cila dërgon paralajmërime dhe kërcënime për Athinën.

Pa kaluar 48 orë nga publikimi i këtij lajmi, ministri i Jashtëm turk dhe ai i Energjisë, kanë bërë thirje që Greqia të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm duke kujtuar se nëse kjo ndodh, atëherë edhe Turqia do të ndërmarrë hapat e veta. 

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu tha se në kohë të tilla kritike duhet të shmangen hapat e njëanshëm, ndërkohë që së fundi ekziston një atmosferë pozitive mes Turqisë dhe Greqisë. “Në këto kushte është e rëndësishme që hapat të ndërmerren bashkërisht dhe përmes konsultimeve. Gjithkush e di qëndrimin kombëtar të Turqisë. Në një rast të tillë, dhe Turqia do të marrë hapat përkatëse. Por shpresoj se nuk do të nevojitet një gjë e tillë. Tashmë ekziston në një mekanizëm bashkëpunimi me Greqinë”, deklaroi ai. 

Për të njëjtën çështje, ministri turk i Energjisë Taner Yildiz, paralajmëroi Greqinë duke kujtuar gjendjen ekonomike në cilën ndodhet ajo. “Unë nuk mendoj se vendi fqinj, që po përballet me shumë vështirësi ekonomike, do të hapë fusha të reja të procesit gjyqësor. Pasi këtë nuk e bën Turqia me një ekonomi që lulëzon, nuk mendoj se do ta bëjë Greqia, e cila është në krizë ekonomike. Turqia nuk është duke planifikuar për të punuar në zonat e diskutueshme e Egjeut. Ne kemi bërë hapa pozitivë për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe kemi në plan që t’i vazhdojmë ato”, tha Yildiz. 

Vetëm dy ditë më parë gazeta e madhe greke “To Vima” publikoi lajmin se Greqia po sheh mundësinë për të paraqitur në OKB koordinatat e kufijve detarë dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, të përcaktuara në mënyrë të njëanshme prej saj. Sipas gazetës, ky variant mbështetet edhe nga kryeministri Samaras dhe raporti ka gjasë të dërgohet në OKB në muajt e parë të vitit 2013. Në shkrim paralajmërohej se ky veprim i njëanshëm mund të shkaktonte një “episod të nxehtë” me Turqinë dhe reagime të vendeve të tjera, me të cilat Greqia nuk i ka zgjidhur çështjet e zonave ekonomike ekskluzive, si Egjipti, Libia, apo edhe Shqipëria.. 

Ashtu siç pritej, Turqia reagoi menjëherë, ndërsa nuk ka asnjë reagim nga vendet e tjera, të cilat preken në rast të këtij veprimi të njëanshëm.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 14:15

Tiranë – Pas reagimeve të palës shqiptare lidhur me kërkimet greke në Jonin verior ka ardhur dhe përgjigja e parë e Greqisë. Sipas burimeve nga Ministria greke e Zhvillimit dhe Infrastruktures, anija Nordic Explorer ka filluar kërkimet 43 milje në perëndim të ishullit Kefaloniase dhe jo në veri të detit Jon, siç ishte programuar me parë.

Top Channel ka monitoruar lëvizjet e anijes në sistemin e përcaktimit global GPS dhe e gjeti anijen pikërisht në zonën që njoftuan burimet. Burimet thanë se zyrtarisht ndryshimi i zones së kërkimit, u bë prej kompanisë norvegjeze, e cila do të testojë aparaturat e saj të teknologjisë së lartë në një zonë që është pothuaj e sigurtë se ndodhen rezerva hidrokarburesh siç konsiderohet kuadrati i Jonit jugor Katakolos dhe gjiri i Patres,e ne vazhdim do te vazhdoje kerkimet sipas programit te parashikuar prej kompanise.

Te pyetura prej Top Channel burimet thane se ndryshimi i planeve u be gjate mbremjes te se dieles,vetem pak ore pas perfundimit te ceremonise se pritjes qe i ishte bere anijes Nordic Explorer ne portin e Patras prej zyrtareve te larte te kesaj Ministrie. Ndonese zyrtarisht shkaqet e shtyrjes se kerkimeve ne pjesen veriore te detit Jon dhe pjeses se diskutueshme te detit midis Greqise dhe Shqiperise u shtyne per aresye teknike,mesohet se Greqia eshte terhequr per pak kohe nga plani i kerkimit te naftes, derisa te gjendet nje formule me palen shqiptare ose ne rastin me te mire,firmosjen e nje marreveshje te re midis dy vendeve per delimitimin e ujrave teritoriale.

Por duke u nisur nga koha e kufizuar qe kjo kompani do te kete per kerkime, vetem 3 muaj,nje zgjidhje e tille duket shume e veshtire te behet,pasi dy vendet po zhvillojne bisedime vetem ne nivel shume te larte politik,pa u dhene me pare hapesiren e duhur eksperteve te fushes. Kjo shton dyshimet se edhe marreveshja e re do te kontestohet nga grupime politike dhe do t’ju jape krah ektremisteve ne dy anet e kufirit te akuzojne qeverite e vendeve te tyre per tradheti dhe shitje te interesave kombetare. Kerkimet per nafte ne detet greke pritet te konfirmojne pranine e me teper se 1 miliarde fuçi nafte, sasi qe do t’i lejoje Greqise te siguroje perfitime miliada eurosh gjate 20 viteve te ardhshme.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 14:24

Tiranë – Aleanca Kuq e Zi ka ngritur strukturën më të re vullnetaret për mbrojtjen e kufirit shqiptar. Aktivistët e AK-së janë nisur sot drejt Sarandës, në kufirin me Greqinë për të kontrolluar mbërritjen e anijeve greke naftë-kërkuese.

Vullnetarët e Aleancës Kuq e Zi të drejtuar nga kreu i kësaj lëvizje, Kreshnik Spahiu, dhe qindra aktivistë kuqezinj ndodhen në kufirin me Greqinë duke protestuar kundër futjes së anijeve greke.

Ata shprehen se, ndodhen atje për mbrojtjen e kufirit dhe janë të vendosur në misionin e tyre për ruajtjen e integritetit territorial. Vullnetarët janë vendosur përballë Korfuzit duke vrojtuar kufirin Shqipëri-Greqi për anijet naftë-kërkuese greke.(LajmeShqip.com)

*****************************************************

Athinë – Ka mbërritur në Patra anija kërkimore nordike “Explorer” për të filluar menjëherë sondazhet gjeofizike, fillimisht nga Joni verior.

Anija e kërkimit “Explorer” e kompanisë norvegjeze PetroleumGeo-Services, mbërriti dje në portin e vjetër të Patras për të kryer vëzhgime gjeofizike për të identifikuar hidrokarbure. 

Më pas anija do të lundrojë drejt Jonit verior, që menjëherë të fillojnë edhe aty kërkimet gjeofizike. 

Këto kërkime do të mbulojnë një sipërfaqe totale prej rreth 220 000 km në detin Jon dhe në zonën jugore të detit të Kretës, e do të zgjasin të paktën tre muaj.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 08:01

ATHINE – Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos deklaroi se “politika e Ministrisë së punëve të Jashtme greke është caktimi i kufijve të zonave detare, përfshirë zonat ekskluzive ekonomike, me fqinjët”, gjë që sipas tij i shërben konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Këtë deklaratë ministri e bëri në parlament, ndërsa diskutohej projektbuxheti i vitit 2013. 

Avramopulos pohoi se situata në Greqi është më kritikja që pas Luftës II Botërore, por theksoi se kriza që po kalon vendi nuk duhet të sjellë paqëndrueshmëri kombëtare. “Ballkani i tronditur nga e kaluara dërgon mesazhe kërcënuese”, tha ministri, i cili vërejti se në rajon është ringjallur shovinizmi, ndërsa akuzoi sërish fqinjët veriorë për qëndrime nacionaliste. “Sot, kriza, lodhja dhe mungesa e përparimit në çështje kritike, nxjerr përsëri në pah qëndrimet nacionaliste dhe populiste të fqinjëve tanë veriorë, në fusha mjaft të ndjeshme. Greqia lufton të mbetet larg sindromit ballkanik të së shkuarës dhe të jetë gjithmonë një shtyllë e fortë sigurie, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s”, u shpreh ai. 

Ministri grek deklaroi se vendi i tij “lufton për të ndihmuar shtetet fqinje në përparimin e tyre drejt integrimit europian, duke mos bërë lëshime substanciale në reformat thelbësore, që duhet të bëhen për demokracinë, për respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë dhe për zhvillimin e balancuar të marrëdhënieve dypalëshe”. 

Duke përmendur projektin e gazsjellësit TAP, Avramopulos deklaroi se “iniciativat energjetike do ndryshojnë ekuilibrat në rajon dhe se TAP përbën një hap me rëndësi për sektorin energjetik të Greqisë”. 

Ministri i Jashtëm Avramopulos tha në përfundim, se Presidenca greke e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, do të përfshijë ndër të tjera si prioritet të ardhmen e Gadishullit Ballkanik në Evropë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 16:28

TIRANË- Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, në një prononcim për mediat komentoi vizitën e tij në Greqi. Panariti tha se në takimin me homologun e tij Dimitris Avramopulos ai adresoi disa çështje të rëndësishme, ndërsa shtoi se takimi u konsiderua produktiv edhe nga pala greke.

“Kjo ishte një vizitë e suksesshme. Edhe pala greke e cilësoi kështu, produktive dhe që projekton marrëdhëniet e së ardhmes mes dy vendeve tona. Pikërisht në këtë frymë adresova problemet që ka dosja shqiptaro-greke, që nga çështja çame dhe pronat e tyre”, tha ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare siguroi që edhe Greqia e ka ngrirë marrëveshjen e parë të ujërave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se edhe homologu i tij kërkonte një marrëveshje të re, të respektuar nga të dy vendet.

Për marrëveshjen e ujërave, e sigurova homologun tim se ne respektojmë frymën e Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare, i thashë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më marrëveshje dhe që duhet të punojmë për marrëveshje të re, që të mos kontestohet nga asnjëri prej vendeve.
“Marrëveshja e vjetër është e ngrirë edhe nga shteti grek. Kjo më bën të shpresoj që do pranojnë një marrëveshje të re. Athina është e gatshme për dialog”, shtoi ai.

Panariti shtoi më tej se, e ka cilësuar absurd mbajtjen e ligjit të luftës mes dy vendeve.
“Kërkova aborgimin e ligjit të luftës, ky ligj tërësisht jashtë kohe dhe absurd për dy vende që janë anëtare të NATO-s. Shpresoj që pala greke të ketë vullnet dhe të gjejë mënyrat për ta aborguar”, tha Panariti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 12:07

Tiranë – Aktivistë të “Aleancës Kuqezi” bllokuan ministrin Panariti në sallën VIP të aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, duke detyruar policinë që të ndërhynte në mbrojtje të tij.

Sipas aktivistëve, duke pasur parasysh takimin e fundit të Panaritit me ministrin e Jashtëm grek në Athinë dhe atë që u bisedua në këtë takim, ai duhet të shpallet një person i padëshiruar në Shqipëri dhe t’i pengohet hyrja në vendin tonë.

“Dorëzimi i territoreve është një tradhti kombëtare”, reagoi “Aleanca”, duke iu referuar marrëveshjes së debatueshme për çështjen e ujërave dhe deklaratave të bëra nga ministri për shqyrtimin e kësaj çështje nga komisione ekspertësh.

Duke iu referuar incidentit të vendosjes së flamurit kombëtar kokëposhtë në takimin me homologun e tij grek në Athinë, Dimitris Avramopulos, “AK” vlerësoi se “me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij, Panariti poshtëroi flamurin kombëtar”.

Në takimin e zhvilluar më parë gjatë javës, bëri bujë fakti se flamuri kombëtar i vendosur në konferencë për shtyp pas Panaritit, ishte i kthyer kokëposhtë.

Në një reagim gjatë së enjtes, Ministria e Jashtme Greke e konsideroi diçka të tillë një gabim protokolli, ndërsa në ndjesën zyrtare kërkohej që të mos lejohej një gabim i tillë të ndikonte në “marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 15:59

Athinë – Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti takoi sot në mesditë në Athinë, ministrin e Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos.

Krerët e diplomacive të dy vendeve ranë dakort të institucionalizojnë takime dy herë në vit, për të çuar më përpara marrëdhëniet mes dy vendeve. Lidhur me çështjen shumë të përfolur të marrëveshjes së ujërave, të dy ministrat deklaruan vullnetin që ajo të marrë zgjidhje.

Sipas ministrit shqiptar, Edmond Panariti, Edmond Panariti “Shqipëria ka dëshirën për të tejkaluar çka mbetur pezull në Marrëveshjen për kufijtë detarë, bazuar në kushtetutat kombëtare të dy vendeve dhe të drejtës ndërkombëtare”. 

Panariti falënderoi homologun grek për mbështetjen e dhënë në promovimin e marrëveshjes për gazsjellësin TAP dhe theksoi se si minoriteti grek në Shqipëri ashtu edhe komuniteti shqiptar në Greqi, janë “ura të miqësisë” mes dy vendeve. Ai ka sugjeruar zgjerim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit duke theksuar domosdoshmërinë e riaktivizimit të komisioneve të përbashketa te bashkepunimit ekonomik.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e cilësoi të rëndësishme vizitën e ministrit shqiptar dhe garantoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë. Zoti Avramopulos theksoi vullnetin e përbashkët për të nënshkruar marrëveshjen për TAP si dhe për të zgjidhur shpejt çështjet e pazgjidhura në Marrëveshjen për delimitimin e zonave detare. Në fund ai u shpreh se të dy vendet janë aleatë në NATO, nesër në BE, partnerë dhe fqinjë me interesa të përbashkëta, dhe theksoi se minoriteti grek kombëtare “Ura e miqësisë mes dy popujve”.

Po sot, ministri i Jashtëm shqiptar takoi edhe presidentin e Greqisë, Karolos Papulias. Ministri shqiptar e cilësoi presidentin grek “mik i dashur i shqiptareve” dhe e ftoi atë të jetë i pranishëm në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Kemi përballuar kriza bashkërisht. Kemi kapërcyer dhe ndajmë sfida të përbashkëta, ndaj duhet të heqim paragjykimet përmes dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë”, deklaroi Panariti. Presidenti grek tha se ka besim te vullneti i dy popujve për të kapërcyer problemet që ekzistojnë në mes dy vendeve. “Jam mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe vlerësoj progresin e madh që ka shënuar Shqipëria drejt BE”, deklaroi Papulias dhe siguroi mbështetjen e Greqisë në përpjekjet e Shqipërisë për integrim. Presidenti grek tha gjithashtu se “emigrantët shqiptarë kanë dhënë kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë greke”.

Vizita e ministrit Panariti është e para e një diplomati të lartë shqiptar, pas 8 vjetësh, në Greqi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 16:53

Athinë – Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, deklaroi në parlament se marrëveshja për kufirin detar që është arritur me Shqipërinë, duhet të zbatohet. 

“Tema e marrëveshjes së vitit 2009, për delimitimin e zonës detare duhet të zgjidhet, duke aplikuar të gjithë ato, për të cilat është rënë dakord”, tha Avramopulos gjatë fjalës së tij para deputetëve grekë. 

Duke folur për gazsjellësin TAP, ministri theksoi se “diskutimi mbi ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve me tubacionin TAP, i jep një dimension strategjik marrëdhënieve me Shqipërinë”, dhe shtoi se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, do të takohet për këtë çështje me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. 

Avramopulos vlerësoi si alarmuese, “forcimin e tendencave ekstreme nacionaliste në Shqipëri”, të cilat siç u shpreh, “me pretendimet e sajesat antihistorike në dëm të Greqisë, apo edhe me presionin mbi minoritetin kombëtar grek, janë duke u përpjekur të rrëmbejnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta të të dy vendeve”. 

Ministri i Jashtëm grek siguroi se marrëdhëniet me Shqipërinë janë brenda prioriteteve të Athinës, por sipas tij, këto marrëdhënie, edhe pse të mira, nuk janë në nivelin e mundësive reale. Avramopulos tha se është objektiv, riforcimi i ndjeshëm i marrëdhënieve dhe në funksion të këtij qëllimi, përmendi vizitën zyrtare që pritet të zhvillojë në 5 tetor në Athinë, ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti. Avramopulos deklaroi se Greqinë dhe Shqipërinë i bashkon e ardhmja e përbashkët evropiane.

Ai vërejti se “në fushën ekonomike, Greqia mbetet investitori më i madh dhe më të rëndësishëm i huaj në Shqipëri dhe pavarësisht krizës ekonomike, nuk minimizoi pjesëmarrjen në sektorin privat, për zhvillimin dhe progresin e këtij vendi”.

Kreu i diplomacisë greke përfundoi duke thënë se “një faktor i rëndësishëm në përpjekjen për forcimin e marrëdhënieve, është sigurisht prania e minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit duhet të respektohen”. Edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë është sipas tij, një garanci shtesë në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)

12