Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 12:46

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë të hënën, më 10 shkurt, raportin më të ri mbi zhvillimet 3-mujore në Kosovë të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon. Në këtë mbledhje, në emër të institucioneve të Kosovës do të marrë pjesë dhe do të flasë kryeministri Hashim Thaçi, raporton “Koha Ditore”.

Presidencën e Këshillit për këtë muaj e kryeson Lituania, ndërsa për herë të parë për raportin mbi Kosovën do të flasin anëtarët e rinj, që filluan në janar me një mandat 2-vjeçar. Anëtarët e rinj janë Lituania, Nigeria, Jordania, Çadi dhe Kili dhe katër prej tyre, përveç Kilit, janë në mesin e 106 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në raportin e tij më të ri për Kosovën, sekretari Ban Ki-moon i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të inkurajojë dhe të mbështesë aktivisht procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. “Muajt e ardhshëm duhet të jenë një periudhë, në të cilën konsolidimi i progresit të arritur në vitin 2013 duhet të bëhet bazë për trajtimin e sfidave të tjera të vështira”, -thekson sekretari Ban Ki-moon.

 
Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 15:47

New – York, 15 qershor – Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, ashtu siç përshëndet gjithnjë në takimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit përfaqësuesi amerikan, i uroi fillimisht mirëseardhje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe më pas kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, një gjest ‘diplomatik’ që nuk kalon pa u vërejtur nga korrespondentët e akredituar në Kombet e Bashkuara.  

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën si një partnere dhe mike dhe presim thellimin e mëtejmë të partneritetit tonë në vitet që do të vijnë,” tha ambasadorja Rice.

Për Rice ky ishte takimi i fundit i saj për Kosovën në Këshillin e Sigurmit. Ajo do të lë kryeqytetin e diplomacisë botërore për t’u kthyer në kryeqytetin e politikës amerikanë në Washington, ku do të marrë pozitën e re, të kryekëshilltares së presidentit Barack Obama, ose siç njihet me emrin zyrtar, Këshilltare për Siguri Kombëtare, njofton RTK .

Vendin e saj në New York pas konfirmimit nga Senati pritet ta marrë një zonjë tjetër, Samantha Power, gjithashtu mike dhe njohëse e përkrahëse prej vitesh e lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Në ekipin amerikan në Kombet e Bashkuara vazhdon të jetë edhe diplomatja, poashtu një mike e dëshmuar e Kosovës sidomos gjatë viteve të kurorëzimit të pavarësisë, ambasadorja Rosemary DiCarlo.

Dje, ambasadorja Rice e quajti një moment të rëndësishëm marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, duke këshilluar të dy qeveritë që ‘të bashkëpunojnë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerë të tjerë për të çuar përpara zbatimin e saj’. 

Rice nuk nguroi të bënte edhe komentet e saj për marrëveshjen duke thënë se “marrëveshja ofronte zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës brenda kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës”.  

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 17:43

New York – (E plotësuar) 

Në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua të premten në Nju Jork, është vlerësuar lart marrëveshja e 19 prillit, e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Ajo është cilësuar si historike nga të dy kryeministrat, derisa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, kanë bërë thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të saj.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës, si autoritet të vetëm legal në vend.

Ai, gjithashtu, ka potencuar se marrëveshja mbron të gjitha komunitetet, duke iu ofruar atyre siguri fizike dhe humane.

Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, në këtë seancë ka thënë se Serbia është e vendosur që t’i vërë pikë së kaluarës, e cila siç është shprehur ai, nuk mund të ndryshohet.

Daçiq ka theksuar se marrëveshja e prillit, është e para e këtij lloji e arritur ndërmjet dy palëve dhe se në të ardhmen, sipas tij, do të bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur dhe pronës, raporton rel. 

Kryeministri serb është shprehur se të gjitha raundet e negociatave janë zhvilluar pa paragjykim ndaj çështjes së statusit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka treguar gatishmërinë e saj për të shkuar përtej gjendjes së tanishme.

Ndërkohë, pasi e ka vlerësuar si sukses historik marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ka ftuar të dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.

“Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka deklaruar Ban.

 

Ban kërkon zbatimin e Marrëveshjes

 

Pak pas orës 16 sipas kohës sonë, në New York ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës. Në raportin e sekretaritr të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun është lavdëruar arritja e marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke vlerësuar se me të i janë dhënë autorizime të rëndësishme asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

Pasi e vlerësoi si sukses historik, Ban ftoi dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.

Në raportin e tij për tremujorin e fundit , ai i bëri një vështrim edhe hetimit për trafikun e organeve, duke vënë në pah se tashti janë duke u mbledhur dhe analizuar informatat e marra nga burimet institucionale, raporton koha.

Para fillimit të mbledhjes së KS të OKB, kryeministri serb, Ivica Daçiq është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, nga i cili, si njoftojnë mediumet serbe, ka kërkuar që “UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i të jenë garant i sigurisë së popullit serb” në Kosovë.