Lajme Shqip Tuesday, 01 July 2014 19:42

U mblodh sot Grupi i Miqësisë me Italinë, me qëllim përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve fqinje Shqipëri-Itali. I pranishëm në këtë aktivitet,  kryeministri Edi Rama, e cilësoi rast fatlum marrjen e kryesisë së Italisë në BE, që përkoi me marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. 

Kryeministri deklaroi se mbledhja e sotme u bë jo për të bërë tifozllëk për skuadrat tani që luhet futboll, por për të bashkuar interesat e dy shteteve fqinje nëpërmjet një ure të re bashkëpunimi, që do të jetë frytdhënëse për Shqipërinë, sidomos tani që Italia mori kryesinë në BE.

Rama gjithashtu falënderoi ata që ndërmorën këtë nismë ndonëse të vonuar:

“Mua më duket se ky takim mund të mbante këtë titull, më mirë vonë se kurrë. Duket pak si çudi që një nismë e tillë padyshim e dobishme, e natyrshme për historinë e gjatë që na bashkon pavarësisht detit që na ndan, të merrte formë vetëm sot. Padyshim përgëzime atyre që e ndërmorën këtë nismë. Një falënderim i kushton mikut tonë të përbashkët Gaiani”.

Në kuadër të zhvillimeve të ditës, kryeministri i vendit përshëndeti marrjen e kryesisë së BE-së nga Italia dhe mirëpriti kontributin e shtetit italian për Evropën dhe për Shqipërinë:

“Renzi është një shans i madh për Italinë, ashtu si Italia është një shans i madh për Evropën dhe për Shqipërinë. Uroj që ky grup miqësie mos mbetet një miqësi virtuale, por të bëhet ura e arritjes së këmbimeve shumë të dëshiruara mes nesh”, tha Rama.

Në mbyllje të deklaratës, kryeministri preferoi të citonte një shprehje italiane, sipas së cilës : “E mira është armiku i më të mirës”. Nëpërmjet kësaj shprehje kryeministri theksoi se ngritja e këtij grupi miqësie me Italinë është gjëja e duhur, në kohën e duhur, për të mirën e të dy vendeve:

“Më mirë vonë se kurrë, por s’është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur”, përfundoi deklaratën kryeministri.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 18:33

Çifti Rama është në pritje të marrjes së një kredie, e cila do të përdoret për shtëpinë e re që po ndërtojnë në Surrel të Komunës së Dajtit në Tiranë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është detyruar të rideklarojë pasurinë e plotë të tij dhe të bashkëshortes Linda Rama pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si pasojë e një shkëputjeje në procesin e deklarimit që ai pati gjatë kohës që drejtonte Partinë Socialiste.

Kësaj radhe, deklaratës së Ramës i shtohet shtëpia e banimit në fshatin Surrel të Komunës së Dajtit, në të cilën ai deklaron se e ka të ndarë me bashkëshorten dhe në total, shpenzimet për ndërtimin e saj kapin vlerën e rreth 400 milionë lekëve të vjetra, (396.077.410 lekëve të reja).

Në deklaratat e pasurisë të Edi dhe Linda Ramës theksohet se vetëm gjysma e vlerës së kësaj banese është paguar nga ta. Për pagimin e vlerës së plotë çifti është detyruar që të marrë një kredi në bankën Intesa Sanpaolo, me vlerë 80 mijë euro në tetor të vitit të kaluar, të cilën kanë nisur ta paguajnë me këste. Sa i përket tokës në Surrel, ajo deklarohet se është blerë nga të ardhurat e Linda Ramës me një vlerë që në total kap shifrën e 1,086,650 lekëve.

Çifti kryeministror deklaron se po jeton në një shtëpi me qira në kryeqytet dhe në deklaratë jepet vlera e plotë që ata paguajnë për këtë apartament. Nga ana tjetër, Linda Rama deklaron se ka dhënë hua një shumë prej 70 mijë eurosh pa interes. Kjo shumë u kthye pak kohë më parë në një debat mediatik dhe zonja Rama deklaroi se këtë hua ia kishte dhënë së motrës dhe këto të ardhura vinin nga kursimet që ajo kishte mundur të akumulonte nga puna ndër vite.

Ndërkaq të dy bashkëshortët kanë pakësuar të ardhurat e tyre përgjatë vitit 2013. Në deklaratë tregohet qartë se të ardhurat në llogaritë e tyre bankare janë ulur gjatë vitit të kaluar. Linda Rama deklaron se fiton rreth 1.010.016.2 lekë në një vit nga ekspertiza dhe disa të ardhura të tjera ekstra nga një apartament personal i lënë me qira dhe interesat bankare. Rama ka trashëguar nga i ati dhe një Studio Arti, me një sipërfaqe 62 metër katrorë, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Komunës së Parisit, në një vlerë 25 milionë lekë të vjetra.

Edi Rama bën të ditur se ka trashëguar nga babai i tij, Kristaqi, dhe një koleksion punimesh, por që vlera e tyre nuk është përcaktuar akoma. Kryeministri ka deklaruar gjithashtu dhe 20 milionë lekë të vjetra të ardhura të krijuara si pasojë e shitjes së librit të tij, “Kurban”.

I biri i Kryeministrit, Gregori, si fëmija më i madh, deklaron se nuk ka asgjë për të deklaruar. Familja kryeministrore paguan rreth 5.8 milionë lekë të vjetra për qiranë vjetore. Ata banojnë në një nga apartamentet pranë rrugës “Sami Frashëri”, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Deklaratat e pasurisë së zyrtarëve u bllokuan për më se dy vite nga ILDKPKI-ja, nga drejtuesja e këtij institucioni, Zana Xhuka. Fillimisht faji iu vu ligjit që ndalonte publikimin e tyre, pa realizuar më parë arsyetimin aritmetiko-logjik të deklaratave të zyrtarëve. Pas ndryshimeve të fundit të ILDKPKI-së, të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, deklaratat e zyrtarëve u bënë publike.

(GSH)

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 June 2014 14:30

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka ngritur çmimin e vrasësve të Anton Santosit.

“Na vranë mizorisht një mik te mire, çun Tirone nga ata te vërtetët,qe donte jetën e donte njerëzit #TanSanto 100mijeEU kush ndihmon policinë”, shkruan kryeministri Edi Rama ne rrjetin social Facebook.

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 12:20

Kryeministri Edi Rama u shpreh mjaft krenar për marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Ai e cilësoi  këtë hap, si një meritë e koalicionit PS-LSI dhe gjithë shqiptarëve.

“Sapo fola me Stefan Fylen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht PS-LSI. Falenderime dhe mirënjohje për të gjithë ju, -shkruan Rama.

Evropa vendosi të hapë dritën jeshile për të lejuar Shqipërinë të bëhet pjesë e familjes së madhe Europiane. 28 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së vendosën me votë unanime për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke përshpejtuar në këtë mënyrë procesin e saj të anëtarësimit.

Ky është një hap mjaft i rëndësishëm që i jep shtysë gjithë Ballkanit Perëndimor, për të punuar fort, duke filluar nga Shqipëria. 

Ndërkohë ministri Tahiri, uroi në rrjetin e tij social facebook, për statusin duke e cilësuar atë si  një meritë për arritjet e qeverisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Urime Statusi! Europa njohr vullnetin tonë shtetformues, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Faleminderit të gjithëve”, tha Tahiri.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, vlerësoi gjithashtu këtë vendim, dhe falenderoi të gjithë ata që kontribuan për këtë ditë:

“Ta gëzojmë statusin e vendit kandidat! Urime Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë. Faleminderit të gjithë miqve tanë, që besuan te Shqipëria. Faleminderit të gjithë kolegëve të mi që punuan pa lodhje duke dhënë kontributin e tyre të çmuar. Sot të gëzojmë. Nesër fillon puna. Sfida është e madhe”.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 21 June 2014 14:30

Kryeministri Edi Rama përshkon në këmbë bulevardin për të shkuar në kryeministri. Si një qytetar i thjeshtë, ecën në trotuarin përballë piramidës, mes kalimtarëve të tjerë, pa u shqetësuar nga askush.

Ndoshta në këtë moment mund të ndihet pak në siklet nga gazetari ynë, i cili me telefon fikson këto momente, ndryshe nga kalimtarët e tjetër me të cilët ndan trotuarin.

Në fakt ne shqiptarët të mësuar me ish-kryeministra që lëviznin me eskorta makinash dhe të rrethuar nga truproja, na bën përshtypje. Por për kryeministrin Edi Rama një veprim i tillë është i zakonshëm. Shumë kujt i takon ta shohë të lëvizë nëpër kryeqytet si një qytetar i thjeshtë, madje të shkojë dhe në supermarket të bëjë pazar.

Madje ai vetë në dhjetor të 2013 pati deklaruar se do të shkonte me shumë dëshirë në këmbë në zyrë sepse shtëpia e tij nga godina e kryeministrisë ishte lehtësisht e përshkueshme, ndaj ishte e kotë të merrte makinën dhe të ndoste ambientin.

 
Lajme Shqip Friday, 06 June 2014 15:12

Kryeministri Edi Rama, reagoi në lidhje me shpërthimin në termocentralin “Kosova A” në Obiliq, ku të paktën rreth 13 persona kanë mbetur të plagosur. Kryeministri i Shqipërisë shpreh dhimbje dhe solidarizohet me familjarët e të plagosurve dhe të viktimave.

“Lajm tronditës nga Kosova, dhimbje e solidaritet për familjarët, le të lutemi që numri i të vdekurve dhe të dëmtuarve të mos rritet më tutje”, shkruan Rama

 
Lajme Shqip Saturday, 03 May 2014 12:40

Kreu i qeverisë Edi Rama po zhvillon një takim në Kryeministri të organizuar me talentet e sportit.

Gjatë fjalës së tij Rama shprehu kënaqësi që dyert e godinës u hapën për të pritur talentet sportive, që do të jenë kampionët e së ardhmes.

“Krenari dhe kënaqësi që dyert e kësaj godine u hapën sot për kampionë të mëdhenj, talente që do jenë kampionë në të ardhmen dhe për gjithë ata që janë në rolin e drejtuesve të federatave, trajnerëve dhe prindërve. Kemi vendosur ta bëjmë sportin një nga instrumentet e rilindjes dhe ripërtëritjes së vendit”, – tha ai. 

Kryeministri u premtoi sportistëve se do marrin gjithçka meritojnë, pa iu dashur më të protestojnë para Kryeministrisë. 

“E kemi ndjerë largimin e talenteve. Talentet shkojnë larg, marrin pasaporta të tjera, veshin uniforma të tjera, ngrenë të tjerë flamur për të provuar sa vlejnë. Unë sot jam krenar që kampionët tanë, sot nuk iu është dashur të rreshtohen para kryeministrisë dhe të varin medaljet, si një pankartë për të thënë jemi edhe në gjallë dhe mos na lini të vdesim bashkë me ëndrrat tona. Janë këtu zot të kësaj godine, ku zyrat janë tonat por pushteti në sport është i tyre, i të gjithë atyre që nëpërmjet sportit i japin kësaj shoqërie mesazhin se madhësia e suksesit tënd varet nga madhësia e ëndrrës që ti ushqen”, –  tha Rama. 

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, u shpreh se skema e re e financimit rrit mbështetjen për talentet në sport dhe për sportistët elitarë. 

“Jam e lumtur që jemi të gjithë bashkë, të diskutojmë për më shumë sport, talent,për më shumë mbështetje ndaj sportistëve. Skema e re e financimit adreson një mbështetje të re për talentet dhe sportin elitar. Do japim shpërblimet e prapambetura peshëngritësve”, – tha Nikolla. 

Një pikë tjetër ku e ndali vëmendjen ministrja, ishte ndarja e sportit nga politika. Më tej ministrja theksoi se, hap i rëndësishëm është edhe largimi i sportit nga politika.

“Do largojmë politikën nga sporti. Do ketë komisione sporti dhe komision antidopingu në të cilat s’do ketë më politikanë që i drejtojnë. Ligji që siguron statusin e sportistit do jetë së shpejti në parlament”.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 12:15

 Qeveria ka trefishuar fondin e nxitjes së punësimit, me qëllim krijimin e kushteve për 3600 vende punë në vitin e parë. 

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama, në panairin e Punës, që po zhvillohet në Tiranë, në ditën e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve.

“Në programin tonë parashikohet nxitja e punësimit përmes trajnimit dhe parashikohet nxitja e punësimit për të rinjtë, gratë dhe vajzat, por edhe për personat me aftësi të kufizuar”, u shpreh Rama, duke theksuar se Qeveria do të ndihmojë të gjithë ata shqiptarë që janë të gatshëm për punë.

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj, theksoi se në katër muajt e fundit janë shtuar 25 mijë vende pune, ndërsa theksoi se fondi i punësimit, i cili ka arritur në 2.7 miliardë dollarë dhe se 70 për qind e tij do të shpenzohet për të rritur punësimin tek të rinjtë.

“Fondi për punësimin do të shpenzohet për të rritur punësimin tek të rinjtë dhe do të shpërndahet në mënyrë proporcionale në të gjithë vendin. Për cdo të ri që do të punësohet ne do të paguajmë për 4 muaj pagën dhe 1 vit siguracionet. Po ashtu do të shpërblejmë ato kompani që punësojnë persona që janë në ndihmë ekonomike”, tha Veliaj. / Top Channel/

 
Lajme Shqip Saturday, 26 April 2014 12:24

Vetëm dyshime dhe jo fakte e prova. Kështu e ka cilësuar kryeministri Edi Rama, shkresën e Shërbimit Informativ Shtetëror, për përfshirje  të Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike. I ftuar në emisionin “Debat +” Rama tha se nuk ka asnjë të dhëne të besueshme dhe të provuar që të flitet për një gjë të tille.  Sipas tij është anormale që ata që deri dje kishin shtetin në dorë të transformohen në lukuni dhe të hidhen në sulm kundër Forcave të Armatosura. 

Sa i përket reformës territoriale, kryeministri Rama thotë se është  riorganizim i madh dhe çlirim për territorin e Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama premtoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për familjarët. Ai u shpreh me terma të ashpra ndaj gjyqësorit, të cilin e quajti një korporatë të zhytur në korrupsion. 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 April 2014 17:35

Papa Françesku priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me bashkëshorten dhe shoqëruesit. Më pas, z. Rama u takua edhe me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì. Në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë thuhet:

“Gjatë bisedave të përzemërta u vunë në dukje marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u diskutuan tema me interes të përbashkët në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive kishtare e bashkësisë civile. Ndër temat, dialogu ndërfetar dhe kontributi i Kishës për të mirën e përbashkët të shoqërisë shqiptare.

Në vijim, palët u ndalën në çështjet kryesore rajonale dhe në udhën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Në përfundim të bisedës, një gjest i këndshëm. Papa Françesku bekoi barkun e së shoqes së kryeministrit, Linda, e cila pret një fëmijë.