Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 17:06

Prishtinë – Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, kërkoi që të bëhet zbatimi i marrëveshjes të cilën e vlerëson historike. Ai ka thënë se  në këto momente duhet durim e mençuri dhe se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Kosovën sikurse ka përkrahur edhe në të kaluarën. Duke shtuar kështu se kjo është mundësia më e mirë në këto katër vitet e fundit që palët të normalizojnë marrëdhëniet.

“Dëshiroj që nga të gjitha palët të tregohet një shkallë fleksibiliteti, mençurie dhe durimi. Pas Marrëveshjes duhet të vijë zbatimi. Ne ishim të të njëjtit mendim se sigurisht kjo është e vështirë, por është e qartë se gjatë këtij procesi duhet të largohen strukturat paralele, kriter kyç ky që ka dal nga marrëveshja e 19 prillit”, kështu u shpreh Kryediplomati gjerman, Westerwelle.

“Gjatë këtij procesi është e qartë që Kosova duhet të vendosë lehtësira”, ka thënë ministri gjerman. Ai ka shtuar se me kryeministrin Thaçi ka biseduar edhe për detaje të planeve kohore dhe planit të zbatimit por ato ka thënë se nuk dëshiron t’i bëjë publike as në Prishtinë, sikurse nuk i ka bërë as në Beograd.

Kryeministri Thaçi ka thënë se drejt Brukselit po niset me shpresë për marrëveshje të planit të zbatimit. “Me kryeministrin serb do të diskutojmë periudhat kohore, aktorët implementues, që sigurisht janë institucionet e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë kryeministri kosovar.

Ministri i Jashtëm gjerman ka përshëndetur privatizimin e PTK-së, duke thënë se kjo do të tërheq investitorë të rinj.